Publikuar me : 22.06.2011 Ne :
Kulture - 200 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Shtëpia botuese italiane “Besa” me kontribut në botimin e autorëve shqiptarë në Itali në 15 vitet e fundit, boton tri autorë veprat e të cilëve vijnë nga Shqipëria ose kanë të bëjnë me këtë vend. I pari është Aldo Renato Terrusi. Me romanin “Ritorno al Paese delle Aquile” (Kthim në vendin e shqiponjave) në 160 faqe ai bën një rrugëtim në kërkim të rrënjëve të veta e të historisë së tij. Aldo dhe xhaxhai i tij Xhakomo, kthehen në Shqipëri pas 44 vjetësh. Aldo ishte fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në Burrel, ku vdiq pa e parë më djalin dhe të shoqen. Aldo dëshiron të marrë me vete në Itali eshtrat e të atit e gjatë kësaj përpjekjeje përballet me të shkuarën e dhimbshme të familjes Terrusi dhe të një vendi që ende ruan gjurmët e diktaturës.
Aldo Renato Terrusi u lind në Vlorë më 1945, nga prindër italianë. Pas studimeve për teknologji, punon në institucione kërkimore, shkruan për revista shkencore. Ka pasion arkeologjinë, astronominë dhe fotografinë. Autori e prezanton librin më 24 qershor, ora 11.00, pranë selisë së urdhrit të gazetarëve, Piazza delle Torrettam në Romë. Takimi drejtohet nga Gino Falleri e Paolo Buttarini.

Autori i dytë i Besa-s është Ron Kubati (1971), i emigruar menjëherë në nëntëdhjetën, i prezantuar tashmë si letrar me gjuhë shkrimi italishten, por letërsia e tij nga botuesi klasifikohet “letërsi shqiptare”. Romani i tij “M” tregon historinë e një shkrimtari në kërkim të një botuesi, në një vend të huaj. Kubati është lindur në Tiranë në një familje intelektualësh disidentë. Studioi në Bari. “Besa” i ka botuar “Venti di libertà e gemiti di kolore”, “Va e non torna”, “Il buio del mare”.
I treti është një autor i Shqipërisë. Shkrimtarit dhe përkthyesit Virgjil Muçi i botohet përralla “Streghe” (Shtrigat) me të njëjtin titull që njeh libri në botimin shqip të tre viteve të shkuara. Është përrallë për të vegjël e të rritur që çon në një botë pa kohë ku çdo gjë është e mundur. Shtrigat janë gra – nëna, motra, gjyshe – që fshehin një sekret: në mesnatë shpirtrat e tyre braktisin trupin për të kryer krime të përgjakshme. “Streghe” është një libër për të rigjeneruar shijen dhe për t’i dhënë krahë fantazisë.
Virgjil Muçi (1956) ka kontribut në përkthimin e autorëve botërorë si Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Rothschild, Dickens. Te Besa ka botuar “Fiabe albanesi” (2005).
Elsa Demo