Publikuar me : 19.02.2012 Ne :
Kulture - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Burbuqe Berisha drejton prej dy vitesh Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ajo thotë shpejt e shkurt se raportet e pushtetit, e qeverisë aktuale me teatrin janë shumë të mira. I takon ta thotë e kemi të drejtë mos ta besojmë. Por janë dy tregues që flasin më shumë se drejtoresha e përgjithshme: Buxheti për projektet artistike të TKK dhe rezultati që kanë dhënë këto projekte. Për vitin 2012 Ministria e Kulturës e Kosovës i ka akorduar TKK 270 mijë euro (afro 10 milionë është buxheti në rënie i sivëllait në Tiranë). Të dy drejtorët e përgjithshëm të këtyre teatrove ishin dje bashkë për të prezantuar produksionin më të rëndësishëm të muajit kulturor Shqipëri-Kosovë: “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit me regji të Ilir Bokshit që u shfaq mbrëmë e rivjen sonte, ora 19.00, në skenën “Kadri Roshi”.
Kristaq Skrami uroi kolegen për përvjetorin e katërt të pavarësisë dhe përmendi se bashkëpunimi mes dy teatrove do të shprehet në një prodhim të ri dhe për çfarë treguan artistët nga Kosova gjatë këtyre javëve, TK i Shqipërisë “do t’ia shpërblejë” me dy shfaqje në Prishtinë.
Për të mos folur për të rejat që do të sjellin për 100 vjetorin e pavarësisë nismat për dramaturgjinë shqipe. TK i Shqipërisë në mars shpall dramën më të mirë që del nga konkursi kushtuar këtij jubileu. Dhe në muajt tetor-nëntor organizon Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe.
Kolegia Berisha informon se repertori i këtij viti ka qëllim dramën shqipe, përpos konkursit të përvitshëm “Katarina Josipi” që mbahet në mars, ku ka ndodhur të shpallen fitues edhe autorë nga Shqipëria.
Intervista me Burbuqe Berishën
Si janë raportet me pushtetin, domethënë, sa buxhet ka këtë vit TKK?
Realiteti është edhe më i mirë këtë vit. Është 270 mijë euro, pa pagat, vetëm për projektet, në bazë të rritjes së buxhetit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës. Vjet e kemi pasë 200 mijë. Kemi pasë një fat të mirë. Tani është një energji e re e ministrit Krasniqi që i dëgjon dhe i përcjell idetë tona.
Çfarë programi mbuloni me kaq buxhet?
Tetë premiera të cilat sivjet janë kryesisht të dramaturgjisë kombëtare, pra diku te 70 perqind e repertorit. Kemi shumë lëvizje nëpër festivale ndërkombëtare. Më 22 shkurt nisemi për Botoga me “Rock ‘n’ Roll” e Tom Stoppard. Na vjen keq që nuk kemi pasur mundësi ta sjellim në Tiranë, por do të ndodhë. Është punuar nga Dino Mustafic, regjisori shqiptaro-bosnjak. Është një tekst mbi ngjarjet në Çekosllovaki në vitet gjashtëdhjetë por korrespondon shumë mirë me ngjarjet dhe tranzicionin politiko-kulturor në Kosovë, nga demonstratat e ’68-ës te fundi i luftës në Kosovë.
Si e ndërtonin politikën e repertorit?
Vendimet e një drejtor artistik dhe një drejtor të përgjithshëm që bën buxhetin dhe shpall qëllimet e vitit, ballafaqohen me këshillin drejtues i cili miraton buxhetin dhe politikat për veprat që duhet të vihen në skenë.
Veprat dhe idetë regjisoriale, si i gjurmoni për t’i sjellë në TKK të rejat bashkëkohore?
Duhet të njohësh mirë trendin që zhvillohet në skenën botërore të teatrit, të kesh shqisa dhe interes për regjisorët që janë inovativë. Ju do të shikoni si punon regjisori Ilir Bokshi me Shekspirin, me muzikën, kostumet, lëvizjen skenike deri dhe elementet shqiptarë.
TKK është në kontakt të vazhdueshëm me festivalet e teatrit. Nga viti i kaluar jemi anëtarë të Rrjetit të Teatrove të Evropës Juglindore, NETA me të cilin kemi bërë edhe një bashkëprodhim që për shqiptarët është historik, sepse krahas gjuhëve të Ballkanit flitet shqip, dikund 30 minuta. Quhet “Leksikoni Jugosllav i Mitologjisë” ku ka marrë pjesë aktorja Gresa Pallaska. Me këto forma të bashkëpunimit, mundohemi të jemi në një hap me kohën dhe risitë teatrore.
Sa aktorë ka aktualisht trupa juaj?
Nuk kemi trupë stabël. Janë 20 aktorë të cilët janë kryesisht aktorë të vjetër para moshës së pensionimit. Punojmë me aktorë të rinj të cilët e mbajnë repertorin dhe buxheti shkon për honoraret e tyre, sepse siç e thashë buxheti kryesisht shkon në projekte.
Me çfarë tarifash operoni për aktorët?
Për rolin kryesor honorari është diku te 3600 euro, deri te më të rinjtë, në varësi të rolit, honorari zbret deri në 1200 euro. Pagesa bëhet në bazë të një kontrate 1-vjeçare.
Për sa shfaqje duhet të jetë i disponueshëm aktori?
25 shfaqje për një vit në repertor. Mandej kontratat vazhdojnë për shfaqje, duke mos u llogaritur provat. Teatri ynë është i hapur. Insistojmë te regjisorët, novitetet dhe konceptet regjisoriale. Të rinjtë kalojnë në audicion. Siç ka ndodhur dhe me shfaqjen e Ilir Bokshit.
Çdo pranverë ju mbani konkursin e dramës shqipe “Katarina Josipi”. Ka prurje, meqë e keni shpallur vit të dramaturgjisë shqipe?
Konkursi “Katarina Josipi”, bashkë me botimet, festivalet, mbulohet nga buxheti për projektet artistike. Fituesit shpallen më 27 mars në ditën botërore të teatrit. Atë ditë ne japim edhe çmimin e punëtorit më të mirë, regjisor, kostumograf, aktor, më i zellshmi i teatrit gjatë një viti.
Shumë flitet për dramën shqipe, pak gjëra të qarta mbeten. Si e përshkruani ju situatën?
Dramaturgjia shqipe është në rrugë të mirë. Këtë vit ne kemi vendosur që dramat më të mira që dalin nga “Katarina Josipi” t’i përkthejmë në gjuhën angleze. Kjo do të shërbejë si ofertë nga Kosova në takimet apo festivalet ndërkombëtare të teatrit.
Autorëve shqiptarë u duhet dhënë hapësirë. Ndër ata që shkruajnë për të teatër duhet të gjindet ajo pjesa më e mirë.
Vitin e kaluar kemi pasur një dramë të Rexhep Qosjes “Beselam pse më flijojnë”, një dramë e cila është shkruar në fillim të viteve shtatëdhjetë, e punuar nga regjisori Fatos Berisha. Autori vetë ka qenë skeptik për tekstin që flet për bashkim kombëtar, e që tashmë nuk është në trend, sepse në një formë, bashkimi kombëtar ka ndodhur. Por regjisori Berisha e ka sjellë me elemente të reja. Prej regjisorit varet shumë koncepti i dramës, sa mundet ta avancojë dhe sa mundet ta tejkalojë tekstin.
Me repertorin tuaj ju i bashkoheni 100-vjetori të Pavarësisë. Çfarë kërkoni nga autorët?
Ne nuk kemi nevojë për dramën patriotike. Por rezultatin do ta shohim nga “Kataria Josipi” ku konkurrojnë diku 24 drama, dhe nga konkursi tjetër për dramën shqipe që organizohet në Shqipëri. Dramës kombëtare i nevojitet përkrahja komplete prej njerëzve që menaxhojnë teatrin, integrim në rrjedhat e dramaturgjisë moderne. Sigurisht i nevojitet më shumë debat.
Meqë s’jemi kampionë, s’do të thotë mos të luajmë futboll
Pas takimit me trupën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, disa metra më tej, në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë, punohet për një komedi, “Familja në shi”. Trupa nën drejtimin e Ilir Bezhanit, autor i veprës është ngjitur në skenë. Bezhani bën të ditur të dhënat e përgjithshme të komedisë e shkruar e shkruar vitet e fundit e që ka tema qendrore korrupsionin dhe familjen shqiptare. “Të gjithë personazhet e mi kanë një hall të madh dhe luajnë me një peshë dramatike, por situatat janë konceptuar si situata komike. Kjo përplasje krijon inkandeshencën e humorit.” Personazhet i luajnë: Xhevahir Zeneli, Genci Fuga, Xhemil Tagani, Esmeralda Kame, Arjeta Dhima, Eliona Thomaraj, Bledar Mehmeti, Andon Qesari, Merkur Bozgo, Bajram Dosti, Klodiana Keco dhe fëmija Anxhelo Cika.
Skenografia është e Rudin Koçit i cili vjen për këtë projekt nga Kanadaja; kostumografe: Edlira Qyshka. Data e saktë e premierës pritet javën e ardhshme.
Skena është akoma e rrëmujshme dhe nuk mund të krijohet një ide për “Familjen në shi”. Regjisori Bezhani, i pyetur si është konceptuar dekori, ç’rol do të ketë ndriçimi dhe a i plotësojnë nevojat e pjesës kushtet e Teatrit të ri Kombëtar të Komedisë, përgjigjet me fjalën ne urtë popullore “se nuk çalon gomari nga veshët”.
Ai shton se skena është mjaft e mirë, madje ajo vë në provë artistin e vërtetë. Duke qenë e vogël dhe shumë afër spektatorit, ajo e vë aktorin nën kontrollin e publikut. Ndërsa një skenë e madhe si e TK, ku aktori është në distancë dhe duhet të bërtasë për t’u dëgjuar deri në fund, doemos që provokon artifica.
Ilir Bezhani përshëndet punën e madhe dhe vëmendjen që po krijon Teatri Kombëtar i Komedisë ndaj autorëve shqiptarë. “Janë tri premiera, tri komedi nga autorë shqiptarë. Shumë flitet që s’ka dramaturgji shqipe, që autorët shqiptarë janë pak.” Bezhani propozon një zgjidhje për këtë punën e dramaturgjisë shqipe të cilën e krahason me futbollin: Që nuk kemi skuadër kampione në nivel botëror kjo s’do të thotë që të mos e luajmë këtë sport. “Zgjidhja është fare e thjeshtë”, thotë autori. Ai mendon që shteti duhet të vendosë një ekuilibër midis dramaturgjisë shqipe dhe asaj të huaj. Madje ky raport në repertoret e teatrove të jetë 70 perqind në favor të dramaturgjisë vendase. Shkon dhe më tej: qeveria apo kush e ka në dorë “këtë punë”, duhet “të nxjerrë një klauzolë që t’i priten fondet dramaturgjisë së huaj”.