Publikuar me : 09.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 81 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Arbër Zaimi
Vizita e Boris Tadiçit në Kosovë për kërshëndellat e Kishës Pravosllave ka risjellë edhe në mendjet e shqiptarëve më të shfokusuar pozitat e Serbisë në raport me Kosovën. Njëmbëdhjetë vjet pas luftës çlirimtare, njëmbëdhjetë vjet pas genocidit shtetëror të ushtrisë serbe ndaj popullsisë shqiptare, qëndrimet e Beogradit vijojnë të rrezatojnë arrogancën e zakonshme, tipike për sunduesit kolonizatorë. “Kosova është tokë serbe” pohoi Tadiçi nga Deçani, pa iu dridhur qerpiku. Natyrisht që nuk i mori parasysh vuajtjet e tmerret që ka shkaktuar në Kosovë, e pikërisht në Deçan paraardhësi i tij, Millosheviçi. Nuk ka se si të marrë parasysh krimet e së shkuarës ky president serb që edhe në të tashmen vijon të projektojë ëndrra shovene, ëndrra pushtuese ndaj një populli i cili i ka dalë zot tokës së vet me armë në dorë, duke sakrifikuar për lirinë bijat e bijtë më të mirë.
Por është me rëndësi të kuptohet se në 6 janar në Kosovë nuk u protestua thjesht dhe vetem pse Tadiçi shkoi në vendin e krimeve të paraardhesve te vet, krim te cilin nuk e ka pranuar (se falje jo e jo)… Aty u protestua në radhë të parë pse Tadiçi – ky politikan që shitet si i moderuar e si “europianist” – viziton vendin e krimit aktual, vendin e krimit ku edhe vetë është pjesëmarrës, viziton një vend e një popull kundër ekzistencës të së cilit ai e qeveria e tij vazhdon të luftojë e të lobojë “në kushte të paqes” (duke mos i lënë shumë vend imagjinatës sa i përket asaj çka do të ishte në gjendje të ndërmerrte në kushte të luftës). Tadiçi pra vizitoi një shtet të cilit ia ka uzurpuar shtatin ekonomik, e për pasojë lirinë, duke u përpjekur t’i imponojë një të ardhme të pandryshuar nga e shkuara!
Tadiçit deklaratën pompoze prej Deçanit ia mundësoi, madje mund të themi që ia sponsorizoi kolegu i tij Thaçi, po ai koleg që pohoi (vetëm pas publikimeve Ëikileaks) se jo vetëm që është takuar me të, po është gati ta takojë gjithnjë, në të mirë të vendit e të stabilitetit. E si mund të takohet në të mirë të Kosovës ky president i Serbisë që vijon të këlthasë për mosnjohje, për mohim të pavarësisë, të shkëputjes, të çlirimit të popullit shqiptar që kurrë s’pa ditë të mbarë nën hijen e fqinjit të vet verior?
Në fillim të dhjetorit Kuvendi i Kosovës vendosi, në të mirë të vendit, të aplikojë reciprocitet të plotë ekonomik e politik me Serbinë. Siç e kemi të qartë të gjithë, reciprocitet nuk do të thotë simetri, as përqeshje. Dmth. reciprocitet nuk do të thotë që Thaçi të shkojë në Beograd e të deklarojë nga xhamia e Kalemegdanit që Serbia është tokë shqiptare. Reciprocitet, në suazat institucionale e politike që vepron parlamenti, do të thotë të mos njohësh (si shtet) atë që nuk të njeh (si shtet). Kjo nënkupton ndalimin e gjithë marrëdhënieve dypalëshe, për sa kohë nuk ndodh njohja reciproke si premisë e si themel e çdo zhvillimi “normal” të mëpastajshëm. Mirëpo qeveria e Kosovës e ka bërë tashmë të qartë – realisht nuk do ta zbatojë vendimit e Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, edhe pse vazhdon të thotë se tashmë Kosova është në kushte të plota reciprociteti me të. Reciprociteti i Thaçit është ai reciprocitet që i garanton Tadiçit ardhjen në Kosovë për të deklaruar gjëmat e veta, ndërkohë që ia pamundëson shqiptarit vizitën e familjarit të tij në Preshevë e rrethina (të paktën jo me dokumenta të Kosovës). Reciprociteti i Thaçit është ai i cili i garanton Serbisë uzurpimin e tregut të Kosovës me mallra të subvencionuara (qartësisht me synime politike), duke falimentuar prodhimin vendas. Reciprociteti i Thaçit i garanton Serbisë dublimin e institucioneve jo funksionale të shtetit gjysmak të Kosovës me institucione joligjore, kriminale, paralele. Pra, me këmbënguljen te ky lloj reciprociteti që dhunon popullin e tij, Thaçi vazhdon ta injorojë organin më të lartë vendimmarrës politik në vend, Kuvendin, dhe vazhdon ta gënjejë sovranin, popullin.
Më 18 dhjetor 2011 Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka vendosur që t’i japë afat Qeverisë së Kosovës që të fillojë së zbatuari vendimin e Kuvendit duke filluar nga 1 janari i këtij viti. Ky afat tashmë ka kaluar dhe Qeveria e Kosovës vazhdon të zbatojë në terren marrëveshje që e zhbëjnë republikën dhe e nënshtrojnë Kosovën ndaj Serbisë.
Prandaj Lëvizja VETËVENDOSJE! më 14 janar do t’i bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë në Merdare dhe Dhe të Bardhë.
Ky bllokim është në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra është në mbrojtje të parlamentarizmit e të Republikës. Moszbatimi i vendimit të Kuvendit nga Qeveria e shkatërron për së brendshmi Republikën, për shkak se e sipërvendos Qeverinë mbi Kuvendin, ekzekutivin mbi legjislativin. E sipërvendos përfaqësimin partiak e interesin partikular të reflektuar në këtë Qeveri mbi vullnetin popullor. E në Republikë, pushteti nuk sundon mbi popullin, por populli sundon e qeveria qeveris dhe ekzekuton. Republika është interesi i përgjithshëm.
Organizuar në gjithë qytetet e fshatrat e Kosovës, e po ashtu organizuar në Shqipëri, në 14 janar, të organizuar, mbështetësit e VETËVENDOSJE! do të nisen drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për t’iu dhënë atyre kuptimin e vërtetë që ato kanë, e për të mos i lënë të jenë thjesht pika kalimi. Ky është një hap tepër i rëndësishëm në procesin e shndërrimit të Kosovës në një shtet të vërtetë, dhe në procesin e rikthimit të sovranitetit aty ku ai përket, pra te populli. Kjo është një përgjigjje e mirë për Tadiçët dhe Thaçët, një përgjigje që synon të tregojë se vendi e ka një zot, e ky zot është populli.