Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Kulture - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Imazh nga filmi "Blow up" i Michelangelo Antonionit
Elsa Demo
Tiranës i erdhi radha të organizojë takimin e grupit të punës që bën zgjedhjen paraprake të prodhimeve kinematografike të Rajonit që mund të shfaqen në programet e Berlinales. Nga 13 deri më 17 nëntor, Anna Hoffman, Bernd Buder dhe Nikolaj Nikitin këqyrin 130 filma artistë të gjatë e të shkurtër, dokumentarë e të animuar. E pastaj marrin përgjegjësinë për të raportuar cilët janë ato vepra që kanë cilësinë për të hyrë në programet e edicionit të 62-të të Berlinales, 9-19 shkurt 2012. Raporti i treshes, secili prej tyre është njohës i kinemasë së një gjeografie të caktuar, nga Amerika Latine, në Evropë, deri në Lindjen e Largët, është baza për gjykimin final të komiteteve përzgjedhëse.
Majlinda Tafa e marrëdhënieve me jashtë për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, e cila organizon takimin thotë se me përjashtim të Sllovenisë, grupi i punës po vizionon në Tiranë “rreth 130 filma, prodhime të vitit 2010 që nuk kanë pasur premierë ndërkombëtare. Këtë radhë ka rritje mbi 30 perqind të prodhimit filmik në Rajon. Nëse vitin e kaluar nga Shqipëria hyrë në fazën preselektive me 3 prodhime, këtë vit janë 7 filma. Natyrisht nuk mund të krahasohemi me Serbinë dhe Kroacinë që marrin pjesë me mbi 30 filma.”
Në këtë proces parazgjedhor janë futur “Pharmakon” i Joni Shanajt dhe “Out of touch” i Andi Delianës, të dy e kanë vepër të parë,, Gentian Koçi me një dokumentar mbi “rrethimin e Akademisë Marubi”. “Mund të ndodhë që asnjë prej tyre të mos zgjidhet nga ky grup, ashtu siç ka gjasa që një film i rekomanduar nga preselektorët, të cilët janë specialistë me vite përvojë në këtë punë, të pranohet në Berlinale.”
Një informacion për vendimin e këtij grupi pune mund të dalë javën e parë të dhjetorit.
Në takimin e djeshëm me kineastë, producentë, përfaqësues të qendrave kinematografike nga Rajoni, treshja e specialistëve vuri në dukje disa parime dhe kritere që një film të hyjë Berlinale qoftë në programet e projeksioneve, qoftë si projekt që kërkon producentë.
Çfarë kërkojnë festivalet dhe çfarë “sugjerojnë” audiencat e tyre?
Bernd Buder thotë se audienca dhe marketet e festivaleve duket se presin nga Rajoni një kinema e cila, qoftë politikisht qoftë estetikisht, merret me veten, me çështje dhe tema të Ballkanit. Ai personalisht kërkon filma jashtë klisheve të historisë apo të përditshmërisë, që trajtojnë histori lokale por i shkojnë në thellësi shoqërisë. “Qëllimi është që këta filma të rrokin një audiencë ndërkombëtare. Sepse kinemaja që vjen nga Evropa Lindore apo nga kjo pjesë e Evropës që ju i përkisni, jo gjithnjë receptohet lehtë nga publiku ndërkombëtar.”
Nikolaj Nikitin kujton një përvojë të afërt nga vizionimi i filmave në Moskë. Ai nuk do donte të shihte përsëri një film mbi Luftën e Parë Botërore apo LDB, apo një përshtatje nga Pushkini, Gogoli, pra një kinema që do t’i interesonte dhe do të kuptohej vetëm nga audienca ruse. “Festivali i Berlinit shet afro gjysmë milion bileta, vetë Berlini është një qytet multikulturor. Kështu që e vetmja këshillë që mund të jepnim është: presim një histori që është e lidhur me vendin tuaj, një film që është i kthjellët, i qartë për atë që flet, në mënyrë që publiku përtej Shqipërisë të komunikojë me kinemanë tuaj. Po marr shembull “Falja e gjakut” që një temë shqiptare e trajton shumë qartë për një publik ndërkombëtar.” Me fjalë të tjera, të jesh në gjendje të komunikosh në një rreth të gjerë pa qenë nevoja të shesësh art, pa prostituar, pa bërë filma që mund t’i pëlqenin Perëndimit.
Përzgjedhësit e Berlinales kanë shijet e tyre por “ata janë përgjegjës edhe para shijeve të publikut”, thotë Nikitin. “Spektatorët blejnë bileta dhe ne duhet t’i sigurojmë që bashkë me kënaqësinë që marrin, të komunikojnë dhe të hyjnë brenda artit të kinemasë.”
Në këtë mënyrë për të hyrë në Festivalin e Berlinit, nuk ka rëndësi në cilin program, Forum, Panorama, Konkurrim po se po, i nënshtrohet një selektimi të rreptë dhe shumë të kujdesshëm. Festivalet e tjera do t’i zgjidhnin vetiu filmat që shfaqen premierë në Berlinale.
Në këtë festival shfaqen rreth 400 filma, kryesisht premiera evropiane. Me rëndësi është që Berlinale frymëzon një dialog për komunitetin botëror të filmit, me programet, diskutimet dhe për ata që duan të realizojnë veprën e ardhshme, Tregu i Bashkëprodhimeve të Berlinales ofron mundësinë për t’u takuar me producentë me profil të spikatur dhe të sigurt, nga Spanja, Franca, Italia, Gjermania, apo nga ndonjë vend”, të cilët sërish do kërkonin projekte që sjellin histori të forta nga vendet e Evropës Juglindore.
Në “Berlinale 2011” Shqipëria u përfaqësua në Forum me “Amnistia” i Bujar Alimanit që u vlerësua dhe me çmim. “Falja e gjakut” një prodhim amerikan me temë shqiptare hyri në konkurrim dhe u vlerësua për Skenarin më të mirë. Ndërsa aktori Nik Xhelilaj për interpretimin në prodhimin gjermano-shqiptar “Shqiptari” u vlerësua një nga 12 talentet e aktrimit për Evropën, “Shooting Star 2010”.
Ekrem Kryeziu: Ata kërkojnë diçka që filmi im nuk ua ofron
Regjisori nga Kosova Ekrem Kryeziu erdhi në këtë takim sepse filmi i tij është në shqyrtim nga ekipi i Berlinales. “Kodi i jetës” në rast se nuk ka shans të zgjidhet, atëherë do të bëjë jetën normale, do të ketë premierë në fund të dhjetorit ose në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Sepse është një film për eksodin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1998-’99. Regjisori 78-vjeçar, i njohur më së shumti në Shqipëri ai autor i dramës “Epoka para gjyqit”, ka përshtypjen se filmi i tij nuk ofron atë që kërkojnë komitetet e festivaleve të mëdha si Berlini.
Përse e thoni këtë?
Sepse festivalet evropiane nuk dëshirojnë as të lëndojnë as të provokojnë, nuk i pëlqejnë emocionet e forta. Mua kjo më duket një gjë e çuditshme.
Filmi juaj është i emocioneve të forta?
Ky është një film për Kosovën. Bota duhet ta dijë çfarë ka përjetuar Kosova. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1998-‘99. Pikërisht ky eksod që e përjetoi populli shqiptar dhe masakrat që u bënë, në njëfarë mënyre Evropës nuk i pëlqejnë, iu ngjallin brejtjen e ndërgjegjes, për arsye se ata kanë heshtur. Po vazhdon, Mitrovica është ende në njëfarë mënyre në flakë, për shkak të politikës së gabuar që Evropa ka ndjekur ndaj Kosovës.
Prej sa kohësh nuk kishit realizuar film?
Në format kinematografik i fundit ka qenë më 1980, pastaj ka qenë faza e burgut, e anatemimit. Në vitin ‘90 kam filluar të prodhojë me format për t’u shfaqur në viodeokaseta, sepse në Kosovë s’ka pasur as kinema, as prodhim filmik.
Ishte si një sfidë?
“Kodi i jetës” është shkruar në tri vjet. Si në gjithë filmat e mi unë i shkruaj vetë historitë. Te “Kodi i jetës” kap një gamë të gjerë të kulturës shqiptare, ku preken dy religjionet islam dhe katolik. Të gjitha këto që po ju them janë realizuar përmes metaforave.
Nuk mendoni që filmat ballkanik vuajnë nga mungesa e një gjuhe të drejtpërdrejtë?
Parimisht, film im niset nga një metaforë globale që është metafora e ringjalljes. Të gjithë personazhet janë në kërkim të një qetësie.
Me sa para është realizuar?
Filmi u xhiruan dy vjet. Doja t;i kishte të aktor stinët e vitit. Ka skena masive me 3000 figurantë. Është prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe shtëpisë sime filmike “Labia”. QKK ka financuar 240 mijë euro. Kemi kërkuar ndihmë nga kompanitë e ndryshme. Në total ka kushtuar rreth 700 mijë euro. Unë e kam pritur premierën, për arsye se janë rregullat e pjesëmarrjes në Festivalin e Berlinit. Nëse nuk zgjidhet atëherë, do ta shfaq për një muaj.
* * *
Anna Hoffman: Berlinalja ka audiencë inteligjente dhe kërkuese
Me çfarë cilësish shfaqet vitet e fundit kinemaja e Rajonit?
Unë nuk mbuloj Ballkanin, por vitin e kaluar kur “Amnistia” hyri në Berlinale ne u gëzuam sepse ishte rast i rrallë, po na vinte një film artistik nga Shqipëria. Pak më vonë për ne s’kishte më rëndësi origjina e vendit, sepse në vetvete filmi ishte kaq i mirë. Për mua Alimani nuk është kineast i izoluar. Edhe pse në filmat e tij gjen nënshtresat politike, sociale, ai është shumë i kujdesshëm që të rrijë te kinemaja, te qasja autentike e shkrimit dhe trajtimit të historisë. Për ne si vizionues të kinemasë kjo ka rëndësi: qasja regjisoriale, autenticiteti dhe bashkëkohësia në trajtimin estetik.
Duke dalë nga Rajoni në Evropën Lindore, si ndryshon atmosfera?
Komitetet tona përzgjedhëse gjithmonë kanë objekt diskutimi klishetë: alkooli, gangsterët, droga, seksi. Pyesim njëri-tjetrin se çfarë i sjell kjo publikut; e tërheqin këto tema; cili është qëllimi që sillni në sytë tanë të njëjtat histori klishe që s’ka arsye t’i miratojmë. Unë personalisht nuk mendoj se ky është një refleksion për shoqërinë ballkanike, por njëfarëlloj klisheje perëndimore për të dhënë prostitucionin ilegal, mafien, trafikun njerëzor. Këto ekzistojnë, por u bë vërtet shumë.
Film për festivale dhe film për audiencën. Çfarë i dallon?
Në Berlin kemi një audiencë inteligjente dhe kërkuese, dhe s’ndihet nevoja për t’ia çuar dëm sfidat intelektuale.
Në përgjithësi ekziston një rrezik: që regjisorët dhe skenaristët përfytyrojnë audiencën dhe shkruajnë duke pasur parasysh këtë imagjinatë. Megjithatë ka disa lloj audiencash dhe kësaj pyetje është pak e vështirë t’i japësh përgjigje të saktë.
Shijet personale dhe detyra për të zgjedhur qoftë edhe filma që s’ju pëlqejnë: si vepron selektori i Berlinales?
Nëse më pyesni për shijet personale, ju përmend Carlos Reygadas nga Meksika, Lisandro Alonso e Lucrecia Martel nga Argjentina. Por kur ndërton një program s’mund të jesh subjektiv. Sigurisht që ne debatojmë mbi bazë të shijeve personale. Ka shumë gjëra që duhet të bëjnë programin, larmia e vendeve pjesëmarrëse dhe tek e fundit është cilësia. Mund të ketë filma që nuk më pëlqejnë por mendoj se duhet të jenë në program. Besoj është e njëjta gjë edhe për kolegët e mi.