Publikuar me : 09.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 88 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Alban Sejdini*
Në varësi të motit, vetëm në hapësirën midis dy lokaleve “La Voglia” në kryeqytet përpiqen të shesin çikërrimat e tyre nga rregullisht tre deri në maksimalisht pesë shitës ambulantë. Dy pjekës stinorë dhe një shitës librash të përdorur e ushtrojnë aktivitetin e tyre të përditshëm mbi urën e zbukuruar të Lanës. Një tufë fëmijësh po bëhen burra duke shitur kryesisht cigare me ose pa pullë nëpër rrugët e “Bllokut”. Përherë e më shumë të moshuar përpiqen të shesin lule lokal më lokal ditën e natën. E shëndosha rome pranë zyrave të Bankës Botërore po kërkon thuajse me përdhunë gjithmonë e më shumë para nga gocat, duke u bërë komplimente, duke i turrur fëmijët apo duke i ndaluar me përqafime e kapje nga këmbët. E tillë paraqitet situata në një prej segmenteve më të rrahura të Tiranës, qendrës së Shqipërisë, vendit të dytë pas Gjermanisë për rritje ekonomike, prandaj supozohet që leku është sheshit. Sipas kësaj logjike dhe sipas deklaratës hungareze se “BE-ja do të bëhet më e fortë me anëtarësimin e Shqipërisë”, të gjithë këta aktorë të aksit “Taivan-Bllok” janë thjesht lekistë, të cilët nuk ngopen së fituari me bollëk nga paraja e madhe në qarkullim dhe vijojnë të shesin me vend e pa vend, me orar e pa orar.
Një tjetër qendër tregtare e stërmadhe u përurua me nxitim përpara festave të fundvitit, duke shfaqur një makijazh të ri mbi një fytyrë të vjetër. Përsëri, tiparet e saj janë pjesërisht mallrat e cilësisë së mesme dhe kryesisht mallrat e cilësisë së ulët, që shiten aq lirë sa të futin në dyshime. Një shishe trelitroshe me lëng frutash shitej 39 lekë tek hipermarketi francez, prandaj shumë shishe të tilla u lanë çerek të pira nëpër mjediset e qendrës. Dyqanet më të mëdha të veshjeve, ekzistuese e të reja, ishin sërish ato ku me 5000 lekë vishesh kokë e këmbë dhe të mbetet ndonjë lek në xhep. Jo se shqiptarët vazhdojnë të blejnë nga halli edhe m…ustardë, nëse u shitet lirë, por thjesht nuk kanë shije në të veshur dhe kujtojnë se “Xhorxhio Armani” është markë pampersash.
Kudo ku dështon një bar apo restorant që detyrohet të mbyllë, hapet një pikë bastesh, një “Apex” apo “Admiral”. Anembanë vendit të vriten sytë nga dritat e tabelave dhe fotografitë e vajzave të zhveshura, që reklamojnë lojërat e fatit me rrush e qershi. Kudo të tërhiqet vëmendja nga ekranet e mijëra pikave të basteve, të cilët transmetojnë ndeshje e rezultate natë e ditë edhe nga kampionati mongol për dhjetëra-mijëra djem e burra të fiksuar pas shpresës për “me kap lek”. Vetëm farmacitë që shërojnë sëmundje dhe qofteritë që ngopin të pangopurit mund të konkurrojnë në numër me frutat e fatit dhe koeficientet e ndeshjeve. Jo se shqiptarëve po u humbet edhe shpresa se ky vend do të bëhet një ditë, por thjesht nuk shkojnë dot deri në Las Vegas për të prishur ca para, se është shumë larg dhe shumicën e zë avioni.
I gjithë ky zhvillim ekonomik, që ngjan si fishekzjarrët për Vitin e Ri, vjen për meritë të qeverisjes së këtij vendi në fundin e lëngatës komuniste dhe sidomos gjatë 21 viteve të bollëkut kryesisht salist. Për fatin e mirë të shqiptarëve, qeverisja e Shqipërisë i bën karshillëk Belgjikës e Italisë për qëndrueshmëri, sepse janë praktikisht të njëjtët ekspertë e teknicienë në krye të politikës e institucioneve ashtu si 20-30 vite më parë. Lum shqiptarët që drejtohen nga njerëz me burime të pashtershme njohurish dhe ekspertize. Për shembull, Nceka ka akoma intervista ekskluzive për të dhënë për popullin shqiptar, sepse i ka mbetur pa thënë nëse preku apo nuk preku kallash me dorë në ‘97-n. Kislami u bë ministër i Jashtëm edhe pse kishte pranuar publikisht, se vetëm atë detyrë nuk e bënte dot, por përballë “nevojës së kombit” dhe shpërndarjes së posteve ministrore nuk mundi të rezistojë. Mirë Nceka, që profesionin e historistit e mbante si asi nën mëngë, po Kislami si do t’ia bëjë nëse nuk ia lypin më sakrificat për kombin, se rrezik nuk e mban mend fare çfarë pune bënte para vitit ‘90. Sgjinushi ka zgjidhur aq shumë halle të popullit që nga ai takimi përballë studentëve të dhjetorit, ku ngjante si personazh i serialit “Oktapodi”, sa vetëm vetullat i kanë mbetur pa u zbardhur fare nga gjithë ky mundim. Me gjithë këto CV, shumica e këtyre drejtuesve e kanë fituar të drejtën të politikojnë deri sa të mbyllin sytë jo për të fjetur.
Pikërisht falë këtij bumi ekonomik të tranzicionit, të gjitha fytyrat e përditshme në ekranet televizive janë përgjithësisht më të shëndetshme, më të hekurosura, më të shkëlqyeshme dhe më elokuente, ndryshe nga koha kur dilnin nëpër podiumet e mitingjeve me fytyra pa faqe dhe me të njëjtat pardesy sikur t’i kishin blerë tek dyqanet me mallra seri të asaj qendrës tregtare. Për teleshikuesin shqiptar nuk ka se si të mos jetë nder e kënaqësi, kur shikon se me çfarë heronjsh të punës socialiste përfaqësohen votuesit në parlament e nëpër komisione. Vërtet mblidhen vetëm një herë të gjithë bashkë, por është seancë tejet e koncentruar, që nuk merret me llafe kot, por vetëm me çështje të rëndësishme të zhvillimit ekonomik si zhelet e trupit, fytyrat e zeza si këpuca, motrat, gratë dhe vajzat. Shyqyr që mamatë i kanë përgjithësisht plaka, se edhe ato do t’i kishin bërë pjesë të grupeve të punës në kuvend.
Çuditërisht ky bumi tranzicional shqiptar ka lënë njëlloj si para ‘90 shumicën e fytyrave të atyre njerëzve, që vazhdojnë të vrasin veten në kushtet e depresionit nga gjendja e rëndë ekonomike. Si mund të ketë në Shqipëri biznese si ai afër Novoselës në rrugën për Vlorë, ku ekspozohen poezi për të dhënit veresie: “Eh ç’kam gjetur belanë, humba mikun dhe paranë!” Ku e gjejnë të drejtën mollëmbjellësit e Korçës dhe patatembjellësit e Kukësit të ankohen, se nuk u shitet prodhimi i një viti të tërë?! Duket që të gjithë këta e shikojnë me syze të errëta situatën, sepse vërtet duhet guxim prej mosmirënjohësi të hedhësh poshtë punën e shkëlqyer, që vijon të kryejë qeverisja e këtij vendi për ta çuar ekonominë kombëtare si kovë pusi. E kanë hak të relaksohen nëpër vilat qeveritare me arredim 500 mijë dollarësh.
*Rubrika “
MADE IN ALBANIA” çdo të premte në Shekulli