Publikuar me : 20.10.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 83 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Eglantina Bardhi
Një shqiptar konsumon çdo ditë rreth 360 gr miell gruri në ditë, por fatkeqësisht mielli që konsumojmë edhe pse i ngjyrave të ndryshme i ka humbur vlerat ushqyese dhe vitaminat në masën 80 për qind.
Problemin e ngrenë ekspertët e huaj të cilët kanë bërë studimin e cilësisë së miellit të grurit në vendin tonë duke theksuar se mungesa e vitaminave në miell ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës. Specialistja për ushqyerjen në UNICEF, Vilma Qahoush Tyler dhe eksperti pranë Organizatës Globale për Fortifikimin e Miellit, Robert J. Baldwin shpjeguan në lidhje me situatën e cilësisë së miellit dhe masat që duhen marrë për të përmirësimin e vlerave ushqyese të miellit. Ndërsa përgjegjësja e programit për shëndetin e nënës dhe Fëmijës në UNICEF, Mariana Bukli theksoi se cilësia e miellit ka rol të rëndësishëm në shëndetin e popullatës ndaj po hartohen strategji në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Një vlerësim për industrinë e blojës në Shqipëri me qëllim rritjen e vlerave ushqyese (fortifikimin) e miellit të grurit është realizuar gjatë vitit 2011 në emër të UNICEF.
“Me zhvillimin e teknologjisë së bluarjes së miellit kanë filluar të shfaqen probleme, e sidomos anemia. Kjo për arsye se procesi i bluarjes së miellit humbet rreth 80 për qind të vitaminave që ka. Grurit i eliminojnë lëvoren e cila është e pasur me vitaminë B dhe D dhe në këtë mënyrë mielli në vendin tonë humbet vlerat ushqyese. Të ndodhur në këto kushte ekspertët rekomandojnë hartimin e një projektligji që mielli të jetë i monitoruar dhe të shtohen përbërësit që humbasin gjatë bluarjes, apo, siç e quajnë ekspertët, të bëhet fortifikimi i miellit”. Sipas zonjës Tyler, problemi i anemisë në vendin tonë lidhet me kequshqyerjen, ku një rol të rëndësishëm luan edhe cilësia e miellit të cilit i mungojnë vitaminat. Kjo lë pasoja sidomos tek fëmijët, çka reflektohet në shifra: 17 për qind e fëmijëve vuajnë nga anemia dhe 19 për qind e grave vuajnë po nga kjo sëmundje në vendin tonë. Ndërsa eksperti pranë Organizatës Globale për Fortifikimin e Miellit, Robert J. Baldwin pohon se anemia i kushton vendit tonë rreth 20 milion USD në vit për shkak të kurimit të pacientëve dhe problemeve që shkakton, ndërsa ndërhyrja për parandalimin aneminë për shkak të mungesës së vitaminave në miell është vetëm 1 milion USD në vit. Anemia nga mungesa e hekurit është lloji që përfshin shumicën e rasteve të paraqitura. “Rritja e konsumit të hekurit dhe mikroelementeve të tjerë ushqyes nëpërmjet fortifikimit të vazhdueshëm të miellit si bazë e ushqimeve për konsum të gjerë krijon mundësi të mëdha për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve dhe grave”,- pohon eksperti pranë Organizatës Globale për Fortifikimin e Miellit, Robert J. Baldwin.
Ekspertët: Rritja e çmimeve të ushqimit, shqiptarët hanë më shumë bukë
Nëse çmimet e ushqimeve vazhdojnë të rritet atëherë konsumatorët do të hanë më pak ushqime “luksi” dhe do ti kthehen në vazhdimësi bukës së zakonshme shqiptare. Kështu citohet në raportin “Një vlerësim për industrinë e blojës në Shqipëri me qëllim rritjen e vlerave ushqyese (fortifikimin) e miellit të grurit” i realizuar gjatë vitit 2011 në emër të UNICEF. Sipas ekspertëve ndryshimet në strukturën e dietave dhe reduktimet në shumë llojshmërinë dietore e bëjnë edhe më të rëndësishme fortifikimin e miellit të grurit për të minimizuar reduktimet e mundshme në marrjen e mikroelementeve ushqyes të nevojshëm.”Nga ana tjetër Qeveria shqiptare do të kishte plotësisht të drejtë të kërkonte të gjitha sasitë e miellit të importuar në Shqipëri të jenë të fortifikuara në përgjigje të plotësimit të standarteve të vendit. Ajo mund ta bëjë këtë posa të ketë zbatuar vetë procesin e fortifikimit të grurit dhe të informojë partnerë e tregtisë për qëllimet e saj”,- bëhet e ditur në raport.