Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Elementi i argetimit gjate udhetimit neper Shqiperi

Publikuar me : 02.12.2011 Ne : Kuriozitete - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

 Alban Sejdini*

Në vendin tonë është shumë qejf të udhëtosh nëpër të gjithë rrjetin infrastrukturor asfaltor, çakullor e baltor, sepse nuk të kap asnjëherë monotonia. Kur i bie më shumë halli se kënaqësia të përshkojë rrugët shqiptare, çdo vendas apo i huaj konstaton gjithfarësoj detajesh, që nuk i lejojnë të mërzitet nga të rrugëtuarit. Shoferët e makinave me timon anglez janë artistët kryesorë të cirkut të përditshëm të qarkullimit rrugor shqiptar, ndërsa në stinën e verës konkurrojnë me piruetet e aksidentet e tyre edhe shoferët e automjeteve me targa greke. Edhe pjesa tjetër e shoferistëve urbanë e ruralë nuk mbeten prapa, duke dhuruar përherë emocion teksa kalojnë me të kuqe në semafor apo kur nuk presin dot në radhë dhe futen pa radhë në trafik. Kësaj panorame të përditshme e të përnatshme i duhen shtuar edhe këmbësorët e paduruar apo të pagdhendur nga qytetërimi, si edhe sinjalistika e munguar, kaosi i ndërtimeve dhe cilësia e tenderuar e rrjetit infrastrukturor shqiptar. Në këto kushte të këputet zemra për gjermanin e shkretë, që detyrohet të udhëtojë në autostrada të gjëra e të rrethuara anembanë me rrjetë teli dhe me pyje të dendura nga të dy anët. Kushedi sa mërzitet i shkreti nga e njëjta pamje gjithë kohën, pa një variacion shqiptarçe, pa një targë KR, LA, BC, VL apo DR e TR! Në të gjithë mishmashin rrugor shqiptar nuk ka ditë në të cilën të mos ketë të paktën një aksident me pasoja nga ato të vlefshme për mediat: përplasje, përmbysje, rrëzime nga ura, plagosje, ngordhje e vdekje nga më tragjiket. Sikur ta bënte sot udhëtimin e tij në jug të Shqipërisë, edhe Lord Bajronin me gjithë kalë do ta kishte përplasur ndonjë dyqindedyzetësh.

Një ndër akset, ku nuk mërzitesh kurrë, është ai i Fushë-Krujë-Milot-Lezhës, që mban edhe emrin simpatik “Superstrada e Vdekjes” jo shumë prej cilësive të punimeve, se sa për numrin e madh të viktimave në asfaltin e saj. Shumica e pijanecoreve e mishtoreve, por edhe firmat e tjera të llaçit, çimentos, mobilieve dhe peshkut e gicit, ashtu si shtëpitë e banimit, janë të vendosura buzë rrugës, prandaj brenda në rrugë hyjnë me vërtik automjete, traktorë, kamionë e njerëz. Duke qenë vendalinj, ata i japin përparësi vetes nga e djathta apo e majta, nga para apo nga prapa, nga poshtë e nga lart, duke mos e vrarë mendjen për automjetet që lëvizin pak apo shumë shpejt në këtë aks. Rezultati është i tillë, që më fatlumët rrijnë me gjak të ngrirë në timon apo në vendet e pasagjerit, ndërsa më fatkeqëve u mbeten fotografia dhe lulet buzë rrugës.

Një tjetër aks, që po konkurron denjësisht për numër viktimash dhe çrregullime infrastrukturore, është ai i Rrëshen-Kalimashit deri në hyrje të Kukësit, ose e ashtuquajtura “Rruga e Kombit”, edhe pse ngjan më tepër si “Rruga e Shtetit sipas renditjes së Transparency International”. Me një miliard euro mund të ishte ndërtuar një rrugë monotone si në Gjermani, por shyqyr që në vendin tonë nuk e tolerojnë monotoninë në udhëtim. Në këtë aks të ndërtuar me para borxh, udhëtimi është gjithmonë argëtues përmes pyjeve të shkatërruara dhe maleve të dherave të hedhura mbi rrjedhat ujore. Disa prej kthesave janë të forta deri në 90 gradë, ndërsa të tjerat gjarpërojnë më keq se gjarpri. I gjithë aksi nuk është për fat i rrethuar me rrjetë teli, kështu që përpara syve mund të të shfaqen kafshë, fëmijë, të rritur, pleq e plaka, të cilët shërbejnë për nishan në rastin më të keq ose për devijim me frenim e djegie gomash në asfalt në rastin më të mirë. Prej kohësh kanë filluar edhe shembjet e pjesshme të korsive, fundosjet dhe sidomos devijimet e detyrueshme nga njëra anë e rrugës në tjetrën për shkak të punimeve të lëna në mes deri në borxhin tjetër. Të gjitha këto të papritura të këndshme njoftohen në mënyrë krejt origjinale nga vendosja e gurëve të malit, që vënë në provë logjikën dhe intuitën e shoferistëve të sprovuar apo të sapopatentuar, me apo pa mik.

Shumë i lezetshëm është edhe aksi, që nga Rrogozhina të çon në Qafë-Thanë përmes Elbasanit. Shtëpitë e banorëve të këtyre zonave buzë rruge janë kryesisht me derën sipër ose ngjitur me asfaltin e rrugës kombëtare, ku shumakerojnë shoferistët allvanos dhe ata të papërgjegjshmit e timonit. Nga gjithë ato parakalime në kthesë, futje e dalje nëpër zgëqe e lokale buzi apo edhe nga frenimet pa paralajmërim të çdo injoranti në timonin e automjetit, furgonit e autobusit në mes të rrugës, gjithkujt do t’i argëtohej syri dhe gëzohej shpirti nga kaq shumë gjallëri. Edhe natën është shumë lezetshëm, sepse banorët e këtyre zonave buzë rrugës, ashtu si kudo tjetër, ecin nga halli ose nga qejfi pikërisht në rrugën kombëtare. Shyqyr, që shoferistët e rrugëve shqiptare nuk i njohin fare dritat e shkurtra, prandaj arrijnë që të trembin këmbësorët dhe njëkohësisht të verbojnë homologët e tyre të sensit të kundërt. Nga kjo skemë ka shpesh edhe viktima, por ky është çmimi për t’u paguar për qejfin në rrugët tona.

Përveç të lartpërmendurave, nëpër rrugët tona të mban në gaz e hare edhe sinjalistika rrugore, që kur nuk mungon fare, është si në Qafë-Thanë, ku Kapshtica tregohet rreth 80 km që aty dhe Greqia mbi 290 km larg. Shyqyr që kemi edhe plot tabela të stërmëdha reklamash të vendosura buzë rrugëve e majë kodrave, që na kujtojnë për shembull, se kompania ajrore “Belle Air” të çon në Bruksel, nëse të shkon mendja për çokollata belge. Ndoshta është rastësi, por kjo kompani, e gjendur gjithmonë në vendin e duhur në kohën e duhur kur konkurrentit i pezullojnë lejen në kulmin e fluksit të lëvizjeve për Itali, po e reklamon këtë lloj oferte vetëm pak kohë pas mbylljes së të vetmit dyqan me çokollata belge në Shqipëri. “Leonidas”, që ndodhej fillimisht tek ministria e Drejtësisë e pastaj aftër 9-katësheve, thuhet ta ketë mbyllur aktivitetin për mungesë të shitjeve të çokollatave belge në Tiranë. Ama, kjo nuk e pengon kompaninë “Belle Air”, që të ofrohet për t’i fluturuar shqiptarët, që t’i blejnë çokollatat belge në Belgjikë. Pra, me gjithë këto gjëra të bukura nëpër rrugët interurbane kryesore të vendit, si të mos na vijë keq për ata, që mërziten kur udhëtojnë në autostradat gjermane?!

 

*Rubrika “MADE IN ALBANIA” / Çdo të premte në “Shekulli”

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Bashkemoshatareve te mia

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 95 here.
Julian Hoxhaj Lot, dhimbje, ulërima, nëna që vajtojnë,baballarë që qajnë në heshtje, pedagog që ulin kryet, studentë që bisedojnë me njëri-tjetrin dhe qajnë në heshtje, gazetarë që transmetojnë pa reshtur, politikanë dhe personalitete që pasojnë, qytetarë që vijnë të heshtur dhe përloten kur kalojnë para fotografive të 11 engjëjve të vendosura në hollin e universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’. Ndoshta kjo ishte hera e parë që kur ky universitet është...Lexo te gjithe artikullin »


» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret
» Pse tremb vota e emigranteve?
» Eksperience me nderkombetare
» Shqiptaret si faktor stabiliteti

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit