Publikuar me : 01.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 39 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Kompanitë CEZ Shpërndarja, KESH dhe OST publikuan dje arsyet e kërkesës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët përgjatë një periudhë tre vjeçare 2012-2014. humbjet në rrjet, investimet, borxhet, kostoja e prodhimit, etj., janë shkaqet kryesore që shtyjnë kompanitë të kërkojnë shtrenjtimin e energjisë, ndërkohë që ajo që i intereson më shumë konsumatorit është çmimi final që do të paguajë ai.
Në aplikimin pranë Entit Rregullator të Energjisë, CEZ Shpërndarja ka kërkuar një rritje mesatare me 4.6 për qind, e cila për konsumatorët familjarë përkthehet në rritje automatikisht me 0.36 lekë për kah. Rritje gjithashtu kanë kërkuar KESH-i dhe OST-ja. Përkundër kësaj, CEZ Shpërndarja ka hedhur në tavolinë edhe një opsion tjetër, i cili në pamje të parë do të lehtësonte xhepat e konsumatorëve nga një rritje çmimi energjisë për një periudhe tre vjeçare por do të rendonte në arkën e shtetit. Kështu, CEZ Shpërndarja i ka kërkuar ERE-s që të mundësojë pagesën e borxheve që institucionet publike i kanë kësaj të fundit. Përkundër kësaj, CEZ do të binte dakord me mosrritjen e çmimit të energjisë për periudhën e ardhshme. “Opsioni i parë është, na rrisni çmimin e energjisë me 4.6 për qind, ndërsa opsioni i dytë, na shlyeni për vitet e ardhme borxhin që qeveria nëpërmjet institucioneve buxhetore na ka në vite dhe ne do të shlyejmë borxhet tona ndaj palëve të tjera. Nëse skenari i dyte realizohet atëherë ne nuk kërkojmë rritje çmimi për dy vitet ne vazhdim. Çdo skenar tjetër qe mund te miratoni është në dëm të kompanisë”, – tha dje gjatë seancës dëgjimore të organizuar nga ERE për çmimin e energjisë, kreu i CEZ Shpërndarjes, Jozef Hejsek. Hejse nuk ka preferuar të prononcohet për shifrën e këtij borxhi por mendohet që ajo është më shumë se 200 milionë euro.
Kompania çeke ka bërë kërkesën për rritje duke ruajtur tarifimin me blloqe. Për bllokun e parë me një konsum deri në 300 kWh, CEZ Shpërndarja ka kërkuar një rritje çmimi me 0.36 lekë për kWh, gjë që do t’a çonte çmimin nga 7.7 lekë në 8.06 lekë për konsumatorët që konsumojnë deri në 300 kWh. Për çdo kWh të harxhuar mbi këtë bllok, çmimi i propozohet të rritet me 0.66 lekë duke e çuar nga 13.5 lekë për kWh që është tani në 14.16 lekë për kWh.
Ndryshe nga kërkesat e viteve të mëparshme, CEZ Shpërndarja nuk ka kërkuar heqjen e fashave të tarifimit. Heqja e tyre do të prekte veçanërisht shtresat në nevojë, të cilët konsumojnë më pak se 300 kWh energji në muaj ndërsa, do të favorizonte ata që harxhojnë më shumë, kryesisht faturat që shënojnë mbi 600 kWh. Nëse kërkesa e CEZ Shpërndarjes do të merret parasysh në masën e kërkuar, përllogaritet që një faturë energjie për konsumatorë familjarë me 300 kilovat të shpenzuar të kushtojë 130 lekë më shumë. Aktualisht, një faturë e tillë kushton 2 772 lekë, por me çmimin e ri të propozuar nga CEZ Shpërndarja do të kushtojë 2 902 lekë.
Fatura për familjarët
Aktual Propozohet
300 kWh 300 kWh
2 772 lekë 2901.6
400 kWh 400 kWh
4 392 lekë 4 608 lekë
500 kWh 500 kWh
6 012 lekë 6 300 lekë
Çmimi energjisë
Është Kërkohet
Familjarë nën 300 kWh 7.7 lekë 8.06 lekë
Familjarë mbi 300 kWh 13.5 lekë 14.16 lekë
Tregti dhe shërbime (t. ulët) 12.2 lekë kWh 13.14 lekë
Tregti dhe shërbime (t.mesëm) 10 lekë kWh 10.73 lekë
Furra, fabrika mielli (t. ulët) 7.6 lekë 8.26 lekë
Furra, fabrika mielli (t.mesëm) 7.1 lekë 7.69 lekë
Lufta brenda llojit, të gjithë duan rritje çmimi
Shqyrtimi i çmimeve të energjisë elektrike për tre vitet e ardhshme përmban përplasjen e interesave të mëdha të aktorëve në treg. Nga njëra anë është qeveria shqiptare, e cila i ka CEZ Shpërndarjes një borxh të konsiderueshëm, nga ana tjetër kompania çeke KESH dhe OST, të cilët kanë kërkuar secili rritje të çmimit të energjisë. Pala më e interesuar dhe më e prekur sigurisht janë konsumatorët. Nëse do të marrë përsipër të plotësojë kërkesën e CEZ-it, qeveria do të heqë barrën e rritjes së çmimit nga konsumatorët duke e marrë atë vetë përsipër. Nëse nuk e bën këtë, ERE do të detyrohet të rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët përgjatë tre viteve të ardhshme.
Por CEZ nuk është e vetmja që kërkon rritje çmimi. KESH dhe OST nga ana e tyre kanë dorëzuar tashmë kërkesën tek ERE, duke kërkuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me çmimet aktuale. KESH ka kërkuar që t’ia shesë CEZ-it një kilovat/orë me jo më pak se 5.05 lekë nga 1
48 lekë kWh që është aktualisht, kurse OST kërkon rritjen e çmimit nga 0.6 lekë kWh në 0.73 lekë. Vlen për t’u theksuar që ERE ia uli vjet KESH-it çmimin e energjisë që ia shet CEZ-it duke i shkaktuar kompanisë milionë euro dëme.
Çmimi final që paguajnë konsumatorët për një kilovat energji përbëhet nga kostoja e prodhimit të KESH-it apo e ajo e blerjes në tregun ndërkombëtar, kostoja e transmetimit nga HEC-et tek linjat e operatorit të shpërndarjes nga OST-ja dhe nga kostoja e CEZ Shpërndarjes. Kostos së kompanive i shtohet edhe plani për të investuar dhe fitimi i përllogaritur i kompanive.
Përkundër këtyre tre kompanive, rritje çmimi kanë kërkuar edhe HEC-et e Ulzës edhe Shkopetit, të cilët me një ligj të veçantë u ndanë nga KESH dhe funksionojnë si kompani të veçanta.
Kontraktohet ekonomia, BSH ul sërish normën bazë të interesit
Banka e Shqipërisë uli në minimumin historik normën bazë të interesit për monedhën kombëtare. Këshilli Mbikëqyrës vendosi uljen e tij me 0.25 pikë për qindje nga 5 për qind që është tani, në 4.75 për qind. Vendimi vjen pas ngadalësimit të aktivitetit ekonomik të vendit gjatë muajve të fundit duke tentuar rritjen e kreditimit. Në argumentimin e uljes, Guvernatori i Fullani shpjegoi treguesit që çuan në marrjen e këtij vendimi, të cilët lidhen me uljen e shpenzimeve publike, konsumin e qytetarëve, investimeve të sektorit privat, etj. “Edhe pse në kushtet e ecurisë pozitive të të ardhurave reale, shpenzimet konsumatore vlerësohen të dobëta, të ndikuara nga pasiguria për të ardhmen dhe nga orientimi i rritur i konsumatorit shqiptar drejt kursimit. Nga ana tjetër, edhe nevoja e bizneseve private për ndërmarrjen e investimeve të reja është e ulët, në kushtet e një kërkese të moderuar për mallra dhe shërbime, dhe në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit”, – tha dje Fullani. Shpjegimi i tij është në një linjë me raportet e publikuara periodikisht nga Banka e Shqipërisë në lidhje me besimin e konsumatorit, në të cilat shpjegohet se që prej tre mujorit të parë të këtij viti vërehet një ulje e konsumit nga ana e qytetarëve, të cilët ndjehen të pasigurt për të ardhmen. Po ashtu, Banka e Shqipërisë konfirmoi në një tjetër raport pak ditë më parë për uljen drastike të shpenzimeve publike gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti krahasuar me dy tre mujorët e parë. Këto shpenzime kanë qenë një ndër motorët e rritjes ekonomike të vendit. Vendimi i vjen për shtat edhe buxhetit të miratuar për vitin 2012, i cili gjithashtu parashikon më pak shpenzime.
Tre mujorët e fundit janë karakterizuar nga çmime të larta si në tregjet vendase ashtu edhe në ato ndërkombëtare duke bërë që teorikisht të rritej inflacioni edhe në Shqipëri, përkundër kësaj shifra mbetet në treguesit e 3 për qindve, niveli optimal i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Një fenomen i tillë mësohet të ketë ndodhur për faktin se konsumatorët iu përgjigjen rritjes së çmimeve me ulje të konsumit.
Kredia nga ana tjetër po rritet me ritme më të ulta krahasuar me periudhat e mëparshme duke detyruar Bankën e Shqipërisë të ulë edhe më tepër normën bazë të interesit për të stimuluar edhe më financimin e ekonomisë. “Kredia për sektorin privat u rrit me 14 për ind në muajin shtator, duke shënuar një përshpejtim të lehtë krahasuar me ritmet e gjashtëmujorit të parë të vitit. Megjithatë, sikurse e kemi theksuar në vazhdimësi, ecuria relativisht e ngadaltë e kredisë së sektorit privat pasqyron më së shumti kërkesën e dobët të tij”, – vijoi Fullani.
Kjo është ulja e dytë e normës bazë të interesit brenda gjashtë muajve. Në korrik Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ndërhyri përsëri në treg duke ulur nga 5.25 për qind që ishte atëherë norma bazë e interesit në 5.0 për qind. Me uljen e djeshme, norma bazë e interesit arrin në 4.75 për qind, më e ulta historike.