Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Politike - 36 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Partia Demokratike humbi dje shumicën për miratimin e ligjeve në parlament. Sipas rregullores së Kuvendit, në sallë duhet të jenë të pranishëm më shumë së gjysma e deputetëve për të vijuar procesi i votimit. Mazhoranca edhe pse ka 74 deputetë, dje kishte më pak se 71 duke humbur kuorumin e nevojshëm. E vetmja mundësi për plotësimin e kuorumit do të ishte prania e opozitës në sallë. Edhe pse Kodi Ajror u votua, opozita kërcënoi se në rast se do të futen në votim dy projektligjet për energjinë, ajo do të dilte nga salla. Socialistët e argumentuan qëndrimin e tyre ndaj Kodit Ajror me angazhimin publik të marrë për miratimin e ligjeve me 3/5, ndërkohë që për dy projektligjet e qeverisë, kërkuan më parë prej saj plotësimin e kuorumit. Shumë prej deputetëve të Partisë Demokratike munguan, ndërkohë që nuk ishte prezent as kryetari i LSI-së Ilir Meta.
Gjatë momentit të votimit mungoi edhe vetë kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave Ridvan Bode. Deputetë të tjerë që munguan ishin: Fatos Beja, Gazmend Oketa, Ilir Meta, Tafaj, Sulaj, Trashani. Sipas tabelës elektronike të fotografuar në momentin e votimit të listë-prezencës, duket qartë se mazhorancës i mungojnë mbi dhjetë deputetë. “Sigurisht që ne do jemi në sallë, por nuk do jemi në sallë që të plotësojmë ata që mungojnë juve për kuorumin tuaj. Se ndryshe të gjithë ato akuza që hodhët ndaj krahut tonë, atëherë lotimet ku janë bërë, tek kryeministri, që mungon, janë bërë tek ministri i financave, janë bërë tek koalicioni që ju qeverisni Shqipërinë. Prandaj siguroni kuorumin tuaj, të vijnë të lotuarit këtu. Ndryshe ju nuk keni kuorum dhe ne nuk marrim pjesë në votim”,- deklaroi kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi.
Refuzimi për të votuar projektligjet, u cilësua “praktikë arkaike” nga kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi. “Dëshiroj të shpreh trishtimin tim për kthimin herë pas herë të opozitës në marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin. Është një praktikë kjo sa arkaike aq dhe e diskretituar gjatë këtyre dy vjetëve. Sigurisht mesa duket është shumë e vështirë që të ndahen nga politika bllokuese që aplikuan pa sukses gjatë këtyre dy viteve që shkuan, por gjithsesi unë dëshiroj ti kujtoi kolegëve të mi të opozitës që nuk testohet maxhoranca, as për ligjin e energjisë, as për interesat e klientëve të kualifikuar. Maxhoranca testohet me buxhetin e shtetit që është nesër, dhe opozita ka një mundësi për ta testuar nesër maxhorancën. Dhe po nesër që do miratohet buxheti i shtetit ne kemi mundësinë të miratojmë edhe dy ligjet e lëna peng nga opozita sot”,- deklaroi Patozi.
“Albanian Airlines”, debate në Kuvend
Edhe pse u miratua me konsensus të gjerë duke marrë 119 vota, Kodi Ajror ndezi debatet ndërmjet përfaqësuesve të opozitës dhe ministrit të transporteve Sokol Olldashi. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri kërkoi informacione rreth bllokimit të linjave ajrore duke iu referuar kompanisë “Albanian Airlines”. Sipas përfaqësuesit të opozitës, në përzgjedhjen e kompanive që operojnë në tregun shqiptar ka kritere politik. “Përmend këtu Albatros që drejtori i atëhershëm i aviacionit civil e nxori me përdhunë nga tregu. U fut Bell Air, e dimë tashmë që për të ka preferenca politike. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Të kërkoj z Olldashi të mos bësh gabimet e ministrit të atëhershëm që sot e kemi kryetar bashkie të Tiranës. Kjo duhet ndrequr një orë e më parë, ju duhet ta sistemoni”, -deklaroi Tahiri. Ministri Olldashi hodhi poshtë pretendimet për favorizime të kompanive ajrore duke e justifikuar listën vetëm me arsyet e sigurisë. “Detyrimi ynë si administratë dhe si politik bërës është të krijojmë kushte të barabarta për të gjitha kompanitë dhe në asnjë rrethanë nuk favorizohet dhe as ndërhyhet për t’i dhënë kujt pjesën e luanit. Në rastin e fundit autoriteti i aviacionit civil ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në regjistrin e avionëve shqiptar ata ishin 4. 1 avion i “Bell Air” dhe 3 “Albania Airlines” dhe kjo sepse ndërhyrja ishte për sigurinë e pasagjerëve. Këtu nuk u penalizuam vetëm “Albania Airlines”, por edhe “Bell Air”. Çështja e sigurisë nuk ka lidhje me cështjen e konkurencës”, tha Olldashi. Ndërsa deputeti i PS-së Eduart Shalsi theksoi se në aviacionin civil janë punësuar militantë dhe jo profesionistë të fushës. Kjo u hodh poshtë nga ministri Olldashi i cili theksoi se vetëm në aviacionin civil nuk mund të spekulosh për militantizëm.
Naço i papërgatitur për përgjigjet
Ministri i Energjetikës u gjend në jo pak raste I papërgatitur nga pyetjeve të deputetëve të majtë duke u kërkuar edhe ndërprerja e seancës plenare. Deputetët ë majtë, kryesisht anëtarët e Komisionit të Ekonomisë si Erjon Braçe, Andis Harasani apo edhe Malaj, e vunë në vështirësi ministrin e Ekonomisë lidhur me çështjet teknike të dy projektligjeve që lidhen me energjinë dhe kryesisht me situatën financiare të KESH. Duke parë situatën e krijuar në sallë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u kërkoi deputetëve që në interpelancat e tjera pyetjet të dërgohen paraprakisht dhe në seancë plenare të jepen edhe përgjigjet. Madje kryetarja e Kuvendit kërkoi që ky propozim të përfshihet edhe në ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.