Publikuar me : 28.12.2011 Ne :
Kulture - 38 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

"Qeni andaluzian" foto nga filmi i pare surreslist i Luis Bunuel dhe Salvador Dali
Idlir Azizi
Në përgjithësi dhënia e çmimeve letrare karakterizohet nga subjektivizma, konsensualitet e ndonjëherë edhe kulisa.
Por çmimi letrar në Shqipëri është thjesht një falsitet.
Si një herë fitues i këtij çmimi, e përsëris me qetësi mungesën e besueshmërisë së tij.
Juritë e çmimeve letrare në Shqipëri janë edhe ato pjesë e një transparence të së keqes sonë shoqërore. Pra, në një shoqëri, ku e vetmja transparencë është akti i humbjes së skandalit; i bashkëjetesës me tejdukshmërinë e skandalit. Ne kemi një pasqyrë të futur në mish, ne shëtisim me të, por nuk shihemi dot në këtë pasqyrë shoqërore. Ose kështu kemi zgjedhur të bëjmë.
Në këtë tejdukshmëri, asnjë juri letrare shqiptare nuk e ndjen “logjike” të japë indikacione se kur mblidhet, mbi ç’baza krijohet e mbi çfarë kriteresh jep çmime.
Për të mos folur pastaj mbi cilësinë e besueshmërisë që ajo bart si juri.
Kjo besueshmëri e jurisë së çmimeve letrare në Shqipëri do jetë false, kushdo qoftë ajo juri. Thjesht sepse mekanizmi i ofrimit të çmimeve letrare në Shqipëri nuk ka pikë baze reale lidhur me industrinë e botim-prodhim-shitjes së librit.
Në kohën kur thuajse çdo autor në Shqipëri ka edhe shtëpi botuese, botuesit mirëfilli kanë filluar të mos ekzistojnë. Pra ne s’kemi fare botues, por vetëm shtypshkronja ose prerës librash, por jo zbulues e promovues Autorësh. Panairi i fundit i librit e tregoi në mënyrë bindëse këtë mos-ekzistencë.
Ofrimi i çmimeve letrare të vitit, as nuk ka ndikuar në tregun e librit, pra nuk ka rritur numrin e lexuesve për autorin fitues. As nuk ka nxitur kritikën e specializuar, letrare e konceptuale. Dhënia e këtyre çmimeve as nuk bazohet te ndonjë preferencë e lexuesve për autorin fitues, e as te ndonjë përpunim kritik që e vlerëson veprën e atij që do fitojë.
Arsyeja letrare pse x apo y autor është fitues çmimi letrar në Shqipëri as nuk është marrë vesh, dhe as do merret vesh kurrë.
Dhënia e çmimeve letrare të vitit në Shqipëri, as nuk vjen nga baza reale, as nuk hedh bazamente për ecurinë letrare e financiare të autorit. Kush i mban mend fituesit e këtyre viteve të fundit? Dhe sa kritikë lidhur me stilin, narracionin, apo ideologjinë e autorëve fitues doli në pah pas këtyre “fitoreve”?
Fituesi i çmimit Goncourt (për shembull) merr një çek simbolik me 10 euro. Por çmimi reflektohet me vëmendjen e tregut, dhe me interesimin e një lexuesi, që ndryshe nga ai shqiptar, ka mësuar të jetë relativisht i lirë, dhe që di të ndajë bindjet e veta si lexues nga presioni i bestsellerit planetar.
Dhënia e çmimeve letrare në Shqipëri në fakt nuk ka pikë kuptimi; dhe këtë e dimë të gjithë.
Si të dilet nga ky impas?
Shumë e thjeshtë: duke shtuar numrin e çmimeve letrare vjetore, për ta degjeneruar, për ta eklipsuar e diskretituar çmimin që jep shteti. Le të ketë p.sh çmime “Shekulli” etj.; biles me vlerë financiare dyfish apo trefish më të madhe se ai i shtetit. Kështu të paktën, bie poshtë pompoziteti fals dhe polemika shterpë që bëhet lidhur me dhënien e këtyre çmimeve.
Le të bëhet edhe numri i çmimeve letrare po aq i përhapur sa dhe dekorimi tip Qytetar nderi i Burrelit apo i Cërrikut.
Për aq sa nuk do ketë ende mundësi reale për juri tamam. D.m.th për juri që s’ka pse të jenë si Akademia suedeze, por për juri, zgjedhja e së cilës do të reflektonte realisht procesin e botimit, zbulimit e promovimit të autorëve vendas. Gjë që nuk ekziston aspak te ne. Shtimi i një Kadareje tjetër në trurin e lexuesit, apo bërja star letrar i një star-i televiziv apo deputeti, mund të jetë biznes (e se jo!), por nuk është as zbulim, as pretencë editoriale e mirëfillë.
Në këtë masakër të industrisë sonë të botimit, lexuesi është i persekutuari i radhës. E natyrisht në një shoqëri pa “dineiman”, çmimet letrare bëhen thjesht parada të lavdive të vockla klanore e joprofesionale, për një grusht të vockël me lekë.
Hije e sistemit të centralizuar
Ardian Vehbiu
Çmimet Kombëtare të Letërsisë i duam të jenë faktor në jetën kulturore shqiptare, në një kohë që ato janë katandisur tashmë në ritual magjik, për të evokuar një kohë imagjinare, kur të tilla procedura e kishin një rol të përcaktuar mirë brenda sistemit.
Çmimet nuk mund të funksionojnë veçse kur integrohen aktivisht në një komunikim kulturor i cili me Çmimet vetë nuk duhet aq të nisë, sesa të përmbyllet. Libri ka nevojë të reklamohet, të promovohet dhe pastaj të shitet; kritika letrare të shprehet më parë me recensione të thjeshta e joklienteliste, më pas me analiza më profesionale, në mediat e ditës dhe në revistat letrare, në TV dhe në Internet; autorët të shëtisin tregun dhe të marrin kontakt me publikun. Është një proces që, normalisht, përfshin autorë, botues, redaktorë, agjentë, shpërndarës, marketues, gazetarë, librarë, kritikë, biblioteka, grupe e klube leximi dhe që mishëron raportin e shoqërisë me librin në përgjithësi.
Përkundrazi, në rrethanat kur libri mezi qarkullon dhe i ofrohet lexuesit me çmim të kripur, kur informacioni për titujt e rinj është i plogët dhe sporadik; kur tregu i librit perceptohet si gjithashtu i kapur prej interesave të klaneve politike; kur libraritë operojnë si dyqane veglash bujqësore dhe bibliotekat përleshen me mykun dhe shkurtimet e fondeve; kur një palë revistash letrare nuk botohen dot, ndërsa një palë tjetër përfundojnë sakaq në karton; atëherë Çmimet Kombëtare të Letërsisë marrin ekzistencë vetëm në trajta të një lloj inercie, ose kulti
kargosh, të përthyer në shpresën se mund ta rikthesh qarkullimin e vlerave letrare edhe nëpërmjet një gjesti të vetëm autoritar, njëlloj siç rindërtojnë paleontologët një skelet të plotë dinosauri, nga një eshtër e vetme.
Sot për sot, Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë mbetje ose hije e sistemit të centralizuar të djeshëm, të cilit vjen dhe i rritet vlera simbolike e nostalgjike në atë masë që ky i sotmi dështon në përpjekjet e veta për t’u organizuar sipas ritmeve dhe logjikave të tregut. Atyre çmimeve u ka humbur tashmë edhe kuptimi, edhe prestigji, edhe autoriteti që mund të kenë pasur në krye dhe janë katandisur në gjeste të dobëta vetë-sugjestionuese, të cilat nuk kanë rol tjetër, përveçse të përligjin arsyen e administrimit të një kulture të cilën e ka zëvendësuar boshllëku.
Çmimet, jashtë ministrisë
Pirro Misha
Gjithnjë kam qenë i mendimit se ka ardhur koha që Ministria e Kulturës duhet ta kuptojë se askund në botë s’janë ministritë, pra s’është shteti ai që jep çmimet letrare, që përcakton pra se cilat janë vlerat më të shquara që ka prodhuar letërsia e një vendi gjatë një viti.
Forma e tashme e dhënies së çmimeve, ku është Ministria e Kulturës ajo që ngre Jurinë që jep çmimet, juri kjo që ndryshon për vit, në të vërtetë s’është veçse një vazhdimësi e praktikës që ndiqej në kohën e komunizmit.
Mendoj se mjafton që ministria të shohë përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste, duke kërkuar aty modalitetet që duhen adaptuar për çështjen e çmimeve vjetore. E them me siguri që s’ekziston më vend në Europë ku të jetë Ministria ajo që merr përsipër detyrën e dhënies së çmimeve. Vetëm duke e nxjerrë dhënien e çmimeve jashtë Ministrisë, pra dhe jashtë perceptimit të politizimit të pashmangshëm që në një mënyrë a një tjetër ka karakterizuar çmimet gjatë këtyre 20 vjetëve, duke krijuar struktura të qëndrueshme dhe, ç’është më kryesorja të besueshme për pavarësinë e tyre në raport me shtetin dhe politikën e momentit, çmimet kombëtar do të mund të rifitojnë prestigjin e tyre të munguar.
Sa për këtë të fundit, pra për të parë se ç’prestigj kanë çmimet tek lexuesi, mjafton të kryhet një provë e vogël por e rëndësishme. Kudo në botë një ndër efektet e rëndësishme të çmimeve është fakti që veprat e vlerësuara tërheqin vëmendjen e lexuesit, pra rritet dukshëm shitja e tyre. Tek ne prej vitesh kjo s’ndodh më.