Familjaret e oficerit te SHISH- it Isai nuk kishte asnje arsye per t’u vetevrare,
Publikuar me : 26.10.2011 Ne :
Kronike - 85 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Foto ilustruese
Nga Lindita Çela
Një shtëpi dhomë e kuzhinë, me orendi thuajse modeste është gjithë çfarë ka lënë pas vetes oficeri i SHISH-it, Isa Çopa. Por pak minuta pasi të gjithë kanë nisur rrugëtimin për t’i dhënë lamtumirën e fundit duke i hedhur nga një grusht dhe mbi varr, shtëpia është më e zbrazët se kurrë. Aty janë njerëzit më të afërt të 49-vjeçarit, të cilin e kanë parë për së gjalli të hënën në mëngjes, e dje nuk kanë mundur t’i hapin as kapakun e arkivolit për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Ata mohojnë që Isa Çopa të ketë vetëvrarë veten. Një nga familjarët pranoi të na tregojë dje gjithçka që dinte për ngjarjen, por me kushtin e vetëm që të mos dalë me emër pasi i druhet paragjykimeve.
Kur ka qenë hera e fundit që e keni parë të gjallë Isai?
Të hënën në mëngjes. Është nisur si çdo ditë në punë dhe më pas, rreth orës katër të mëngjesit të ditës së djeshme, na thanë se duhet të bëhemi të fortë se Isai ka vdekur.
Kemi komunikuar me të të hënën?
Rreth orës 14-të ditës së hënë ka folur me të shoqen, Artën në telefon. Ajo sapo kishte mbaruar mësimin dhe i ka telefonuar për të ardhur bashkërisht në shtëpi se kështu bënin çdo ditë. Isai i ka thënë se ndodhej në zyrë se kishte punë. Por duke qenë se Arata ka qenë afër shtëpisë ka ardhur vetë dhe Isai i ka premtuar që do të vinte pak më vonë.
Çfarë ka ndodhur më pas?
Fillimisht Arta nuk i ka kushtuar vëmendje mos ardhjes së tij për drekë, por pasdite, rreth orës 17-18, ajo ka tentuar ta telefonojë, por numrat e tij i dilnin të fikur. Ajo nuk i ka kushtuar rëndësi dhe nuk është shqetësuar me arsyetimin se mos vijonte punën, apo kishte ndonjë mbledhje.
Kur keni filluar ju të shqetësoheni për mungesën e Isait?
Atëherë kur në telefonin e Ridit mbërriti një SMS nga nr i Isait. Mesazhi ishte shumë tronditës, dhe për një situatë normale thuajse ishte e pa imagjinueshme. Isa i kërkonte djalit që të bëhej i fortë dhe të ishte krenar për gjakun e tij. Menjëherë pas kësaj kemi tentuar ta telefonojmë sërish, por ishte e pamundur të kontaktoje me të sepse numrat ishin të fikur.
Çfarë keni bërë më pas?
Arta ka njoftuar njerëzit e saj ku ka shprehur dyshimin dhe frikën për mesazhin e dërguar. Kjo ishte e pazakonte për Isain dhe se ai tekst dukej si një amanet se sa një mesazh normal.
Në ç’orë ka ardhur kjo sms?
Duhet të ketë qenë ora 18 e 20 ose 18 e 30 minuta. Saktësisht nuk më kujtohet. Menjëherë pas këtij mesazhi kemi shkuar tek Drejtoria Rajonale e SHISH-it në Durrës, aty ku punon dhe Isa. Kur shkuam për të pyetur na thanë se ai sapo kishte ikur me makinën e tij. Kishte dalë nga zyra vetëm dhe askush nuk dinte ku kishte përfunduar.
Më pas shkuat në polici për të denoncuar zhdukjen e tij?
Jo, privatisht kemi kërkuar nëpër lokalet ku e dinim që frekuentonte Isai pasi kurrsesi nuk na shkonte mëndja për keq. Shpresonin se kishte ndonjë takim pune, apo emergjencë duhet ta kishte detyruar të mos lajmëronte në shtëpi. Megjithatë ai mesazh dërguar Redianit ishte shumë i dyshimit. Rreth orës 23 të natës jemi kthyer sërish në zyrën e Isait për të mësuar nëse kishin ato ndonjë informacion. Aty ishin dhe efektiva të policisë, të cilët na kanë marrë dhe pyetur për çfarë ne dinim për ngjarjen.
Më pas kur keni mësuar për vdekjen e Isait?
Ka qenë ora 4 e mëngjesit kur vëllai i Artës, ka ardhur në shtëpi duke thënë se duhet të bëheshim të fortë se Isai ka vdekur.
Një nga pistat që policia ka hedhur është ajo e vetëvrasjes. A kishte motive Isai të vetëvritej?
Jo. Absolutisht. Ai ishte një njeri shumë i qetë, i komunikueshëm, pa asnjë konflikt. Ishte tepër familjar dhe njeri shumë korrekt. Nuk abuzonte me asgjë. Ishte njeri shumë i ndershëm, kurrsesi nuk kishte asnjë motiv për të vrarë veten.
Ju mohoni që Isai të ketë vrarë veten?
Po. Deri të hënën në mëngjes nuk ka pasur asnjë shqetësim. Asnjë problem që ta çonte atë në akt kaq ekstrem. E vetmja gjë që dyshojmë është që puna e tij, me të cilën saktësisht asnjë prej nesh nuk dinte se me se merrej, të ketë qenë motivi i kësaj ngjarje kaq të tmerrshme. Është e vetmja gjë që çojmë ndërmend.
Ekspertiza: Viktima ka dëmtime në kafkë
Konkluzionet e ekpertizës mjeko-ligjore duket se do të jenë një nga provat kryesore të grupit të hetimit për të zbardhur ngjarjen e vdekjes së oficerit të SHISH-it. Trupi është karbonizuar tërësisht dhe për këtë arsye nuk ësjyë përcaktuar ende ora e vdekjes. Burime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, thanë dje për “Shekullin” se nga këqyrja paraprake e kufomës është konstatuar një karbonizimin në masën 80 për qind të trupit. Sipas këtyre të dhënave, janë identifikuar dëmtime të konsiderueshme të kafkës së viktimës, por që ende nuk mund të përcaktohen se këto dëmtime janë shkaktuar nga arma e zjarrit apo goditje më sende të forta.
Fqinji: Takimi i fundit me Isa Çobën
Fqinji i Isa Çobës rrëfen se për herë të fundit e ka parë viktimën rreth orës 17-të të ditës së hënë
Njeriu që e ka parë për herë të fundit gjallë, Isa Çobën është fqinji i tij, Rrushdi Shazivari. Ata janë shkëmbyer në rrugicat e lagjes në orët e pasdites dhe Shazivari tregon që Isai dukej i qetë.
Z. Ruzhdi, kur jeni takuar për herë të fundit me Isain?
Ishte ora pesë e pasdites, unë isha në oborr kur Isai kaloi në këmbë këtu. U përshëndetëm si zakonisht dhe në fakt unë zgjata bisedën se më bëri përshtypje se ishte në këmbë. E pyeta, çne që ishte në këmbë. Më tha se po shkonte për kafe në qytet, siç del zakonisht.
A vutë re ndonjë shqetësim të tij?
Jo, Ishte krejtësisht i qetë. Ju këdo që do të pyesni këtu për Isain do të flasin vërtetë fjalë të mira. Kishte një familje të rregullt dhe ishte njëri shumë i përkushtuar. Këtu në lagjen tonë kanë ndodhur dhe ngjarje të tjera të rënda, por se kjo gjëmë do i binte Isait është e pabesueshme. Isai ishte një njeri i mrekullueshëm, i lidhur me familjen dhe një njeri krejtësisht i ndershëm.
Ju z. Ruzhdi a jeni në dijeni të ndonjë problemit qoftë dhe familjar që mund të kishte Isai?
Jo, absolutisht. Madje ne kemi vite që jemi komshinj bashkë dhe kurrë nuk kam konstatuar qoftë dhe shqetësimin më të vogël, qoftë tek ai apo edhe tek familja. Janë një familje e mrekullueshme ku gjithsecili shikon hallin e vet. Kur e dëgjova lajmin e gjetjes së tij të vdekur u shokova, më pas dëgjova nga lajmet se dyshohet se ai ka vrarë vetën.
SHISH: SMS për djalin u dërgua kur ishte në zyrë
Në regjistrin e hyrjeve daljeve të degës së Shërbimit Informativ të Durrësit janë të regjistruara të gjitha lëvizjet e ditës së hënë që ka bërë në këtë institucioni Isa Çopa. Kështu referuar këtyre regjistrave nga oficeri i shërbimit të rojeve, mësohet se 49 vjeçari është paraqitur në punë si çdo ditë në orën 8 të mëngjesit. Më pas ka dalë nga zyra rreth orës 16-të për tu rikthyer pas pothuajse dy orës. Por moment i fundit që oficeri i lartë i SHIK-ut ka dalë nga godina ka qenë ora 19 e 20 minuta. Të paktën këto orare janë shënuar në regjistrin e rojës së shërbimit mbi hyrje-daljet e punonjësve të shërbimit informative të degës së Durrësit. Duke krahasuar orën e SMS-së për djalin (18.30) me orën kur ai është larguar nga zyra (19.20) rezulton se mesazhi të jetë dërguar në kohën kur Isai ishte ende në punë. Referuar këtyre informacioneve mësohet se pasditen e së hënës Isai ka dalë vetëm nga godina dhe është larguar me makinën e tij, që ka qenë e parkuar përballë institucionit.
Familja
Isa Çopa kishte një familje nga më të nderuarat në lagjen e tij. I biri Redi është një talent i rrallë në shkencat ekzakte. Ai ka fituar shume vende të para në konkurset e matematikës në olimpiadat e vendit si dhe ato ndërkombëtare. Bashkëshortja e tij, Arta është mësuese shume e respektuar dhe e njohur si një metodiste e mirë e përgatitjes së nxënësve.
Hetimi
Gjatë hetimit ka rezultuar se: Çopa, rreth orës 16.30, ka shkuar në banesën e motrës së tij ku ka marrë një bidon plastik 5-litërsh, i cili mendohet ti ketë shërbyer për transportimin e lëndës djegëse të përdorur më pas prej tij. Rreth orës 18.30 ky shtetas i ka dërguar 1 SMS lamtumire djalit të tij dhe më pas ka humbur kontaktet me familjarët.
Familja
“Deri të hënën në mëngjes nuk ka pasur asnjë shqetësim. Asnjë problem që ta çonte atë në akt kaq ekstrem. E vetmja gjë që dyshojmë është që puna e tij, me të cilën saktësisht asnjë prej nesh nuk dinte se me se merrej, të ketë qenë motivi i kësaj ngjarje kaq të tmerrshme. Është e vetmja gjë që çojmë ndërmend”
Prokuroria
Hetimet e ngjarjes i janë besuar prokurorisë së Durrësit pasi është klasifikuar si vetëvrasje. Nga të dhënat e para dyshohet se viktima i ka vënë flakën makinës dhe më pas mund të ketë qëlluar vetën për të mos ndjerë dhimbjet e djegies. Sipas hetuesve, Çopa kishte shfaqur shenja depresioni
Vetëvrasja e dyshimtë e oficerit të “SHISH”
Dyshohet se viktima i ka vënë flakën makinës dhe më pas ka qëlluar vetën për të mos ndjerë dhimbjet
Oficeri i SHISH Isa Çopa është gjendur i goditur me një plumb në kokë dhe i djegur në makinë. Policia: Është vetëvrasje
Nga Mark Brunga
Një oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror është gjendur i vrarë dhe i djegur brenda një makine në orët e para të ditës së djeshme në Durrës. Viktima është Isa Çopa nga Durrësi. Prej vitesh ai drejtonte sektorin e mbikëqyrjes të të huajve. Policia deklaron se të gjitha provat të shpien drejt një vetëvrasjeje dhe nga ana tjetër pohon zyrtarisht se po hetohet edhe pista e vrasjes. Sipas policisë, Çopa ka spërkatur makinën me benzinë dhe i ka vënë flakën, por duke mos duruar dhimbjet, ai ka qëlluar veten me pistoletën e shërbimit.
Gjithçka ka nisur rreth orës 18.30 të ditës së hënë kur në telefonin e djalit të viktimës, Redi Çopa ka mbërritur një sms nga i ati me tekst: “Bëhu i fortë, ji gjithmonë krenar, mbështetu tek nëna jote. Besoj se ti do të dish ta çash të ardhmen vetë”. Ai ka tentuar të flasë me të atin, por telefoni rezultonte i fikur. Menjëherë ka kontaktuar me të ëmën dhe të dy kanë provuar që të lidhen me Isain. Për orë të tëra telefoni i tij ka rezultuar i mbyllur. Me afrimin e natës familja ka njoftuar policinë dhe kolegët e punës të Isa Çobës për zhdukjen e tij.
Pak pas mesnate policia është njoftuar për një makinë që po digjej në zonën e njohur si “Ish Reparti Ushtarak në Currila”. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka parë se bëhej fjalë për një automjet tip Opel Corsa ngjyrë vishnje me targa të Tiranës, makinë e njëjtë me atë që kishte Isa Çoba. Brenda në makinë ndodhej një person i vrarë. Rreth orës 04.00 policia ka saktësuar zyrtarisht se njeriu i vrarë dhe i djegur në makinë ishte Isa Çoba.
Pranë makinës policia ka gjetur një bidon pesë litërsh në të cilin ka pasur benzinë. Ndërkohë brenda makinës ka gjetur pistoletën e shërbimit të Çobës, “Makarov” dhe një gëzhojë. Tavani i makinës kishte një vrimë. Makina ishte e djegur në një xhep rruge të rrethuar me shkurre, i cili ishte i vështirë të dallohej nga larg. Arma kishte dy fishekë të dëmtuar në karikator, të cilët kishin shkrirë nga zjarri.
Në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se automjeti tip Opel Corsa ishte i djegur plotësisht dhe se brenda automjetit u gjetën: 1 armë zjarri (pistoletë Makarov, që rezultoi të jetë arma e tij e shërbimit) dhe 1 gëzhojë. Po kështu në tavanin e autoveturës u konstatua një vrimë dalëse e shkaktuar nga qitje me armë.
Ne vendin e ngjarjes, përveç policisë kanë shkuar edhe oficerët e Shërbimit Informativ të ardhur nga Tirana. Ata thanë se kolegu i tyre Çopa ka qenë edhe ne gjendje depresive pasi ka pasur presione për ta hequr nga puna. Ata shpjeguan se punonte në një sektor që nuk mund të ketë pasur konflikte me njerëzit për shkak të detyrës. Ndërsa policia ka deklaruar: “Tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme çon në konkluzionin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje”.
MESAZHI: “Bëhu i fortë, ji gjithmonë krenar, mbështetu tek nëna jote. Besoj se ti do të dish ta çash të ardhmen vetë”.