Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Kronike - 35 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që ndodhen në ndërtesën e kryeministrisë janë kopjuar dhe më pas fshirë nga punonjës të Gardës së Republikës dhe administrata e Këshillit të Ministrave mesnatën e datës 22 Janar. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët i referohen raportit përfundimtar të ekspertizës së serverit qendror të kryer nga ekspert të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).
Sipas këtyre të dhënave, dyshohet se në pamjet filmike të cilat tashmë nuk rikuperohen më, janë filmuar personat konkretë, të cilët qëllonin me armë zjarri në drejtim të demonstruesve pasditen e datës 21 Janar 2011 para dhe anash ndërtesës së kryeministrisë. Për këtë fakt, sipas dyshimeve, mendohet se një nga drejtuesit e Gardës së Republikës dhe administratës së Këshillit të Ministrave kanë urdhëruar kopjimin e tyre dhe më pas fshirjen nga serveri qendror të këtyre pamjeve, duke riformatuar memorien qendrore. Në këtë formë e vetmja kopje e filmimeve ndodhet në duart e atij që ka urdhëruar fshirjen.
“Në raportin që prokurori amerikan ka sjellë me valixhe diplomatike thuhet që është konstatuar se ka ndërhyrje në serverin qendror të kamerave të sigurisë. Kjo ndërhyrje konsiston në kopjimin dhe më pas fshirjen, që ka ndodhur rreth orës 01:00 të mesnatës duke u gdhirë data 22 Janar. Një person i specializuar ka nisur procesin e kopjimit dhe fshirjes në orën 01:00 dhe ka vazhduar deri në mëngjes. Edhe agjentët e FBI-së, këto pamje nuk kanë arritur të rikuperojnë, çka ka bërë që të fillohet procedim penal për personat përgjegjës të turnit, pasi dyshohet se ky veprim është kryer nga një ekspert i fushës së teknologjisë kompjuterike, inxhinier i IT-së”,- thuhet nga burimet e Prokurorisë së Përgjithshme, referuar raportit të FBI-së. Për këtë fakt, hetues të Task-Forcës kanë marrë në pyetje tashmë dy inxhinierët e IT-së, njëri punonjës pranë kryeministrisë dhe tjetri i Gardës së Republikës. Të dy këta persona kanë mohuar se kanë ndërhyrë në serverin e kamerave të sigurisë, por, në ditët në vazhdim pritet që hetuesit të çështjes, t’i marrin sërish në pyetje këto dhe persona të tjerë për këto fakte.
Këto veprime, sipas burimeve, do të kryhen sapo raporti i ekspertëve të FBI-së të përkthehet dhe të administrohet në dosjen hetimore, ku personat e dyshuar po hetohen për kryerjen e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Nga ana tjetër, duke iu referuar raportit të FBI-së për orën e fshirjes së materialeve filmike nga serveri qendror që ndodhej në zyrën e vrojtimit të kamerave të sigurisë, është konstatuar se në këtë kohë prokurorët dhe hetuesit ndodheshin në oborrin e kryeministrisë në mbledhje të provave. “Po atë natë është kontaktuar me Komandantin e Njësisë II që kishte për detyrë sigurimin e ndërtesës së kryeministrisë që t’i vini në dispozicion prokurorisë regjistrimet e kamerave të sigurisë. Përveç këtij Komandanti, prokurorët dhe hetuesit kanë kontaktuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja duke i kërkuar që të vërë në dispozicion të hetimit pamjet filmike. Gjatë kohës së mbledhjes së provave, është përsëritur kërkesa për pamjet filmike dhe zyrtar të kryeministrisë janë shprehur se nuk punojnë prej kohësh kamerat”,- thuhet nga prokuroria. U desh ardhja e prokurorit amerikan, që zyrtar të kryeministrisë dhe Gardës së Republikës, t’i vënë në dispozicion serverin qendror e kamerave të sigurisë, ku përveç se u konstatua se punon, u vërejt edhe ndërhyrja që ishte kryer në të.
FBI ka identifikuar armët që vranë dy protestues
Ekspertët e FBI-së, mësohet se përveç ekspertizës së serverit të kamerave të sigurisë së kryeministrisë, kanë përfunduar raportin krahasues e balistike edhe për armët, gëzhojat dhe predhat e gjetura në trupat e viktimave Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Sipas këtij raporti që ndodhet në zyrat e përkthimit, është identifikuar pistoleta nga e cila kanë gjetur vdekjen dy demonstruesit e 21 Janarit përball portës kryesore të kryeministrisë, mes bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Në ditët në vazhdim, mësohet se me administrimin e përkthimit të raportit të FBI-së, prokurori të rimarr në pyetje të gjithë efektivët e Gardës së Republikës që prej një viti janë në hetim për pasojat e demonstratës së 21 janarit. Tashmë, prokuroria ka identifikuar armën që ka vrarë Nikën dhe Myrtën, por, në ditët në vazhdim do të bëhet rakordimi i numrit të armës me regjistrin e armëve të Gardës së Republikës, ku ndodhen të shënuara emrat e personave që ditën e demonstratës kishin në përdorim armët së bashku me numrat e tyre.
Prokuroria: Po hetojmë edhe organizatorët e opozitës
Grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit, i cili po heton organizatorët e demonstratës së 21 Janarit, edhe pse pak ditë më parë konfirmuan se “nuk kishte grusht shteti” ajo që ndodhi pranë kryeministrisë, këto ditë pas thirrjeve të vetë kreut të qeverisë se do të ketë hetimi për organizatorët dhe sugjerimit të Ambasadorit të SHBA-së në vend, që të procedohen edhe persona nga opozita, Prokuroria e Përgjithshme ka ndryshuar qëndrim. Pritet që në ditët në vazhdim, krahas veprime procedurale për vrasjet e 21 janarit, do të ketë edhe të reja për organizatorët e opozitës për demonstratën, duke ngritur akuza ndaj tyre për “thirrje publike për veprime të dhunshme”.