Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Feja dhe sfidat e modernitetit…

Publikuar me : 09.01.2012 Ne : Kuriozitete - 53 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Gëzim  TUSHI 

Koha moderne në shoqërinë shqiptare duket se i ka lëvizur edhe “gurët e fesë” dhe peshën e institucioneve të besimit fetar tek njerëzit tanë. Nuk është fjala këtu për të bërë nihilistin. Por ndërkaq nuk mund të jemi aq fondamentalistë sa të mos kuptojmë sociologjikisht atë që po ndodh me fenë dhe besimtarët e saj, me lidhjet, raportet dhe marrëdhëniet e ndryshuara midis tyre. Kjo nga që zhvillimi dhe moderniteti social në shoqërinë shqiptare po ndikon në atë që sociologët e fesë e kanë quajtur si “proces rithemelimi” të fesë dhe besimit fetar. Në të njëjtën kohë dhe paralelisht me të është duke ndodhur procesi paralel i “ripërshtatjes individuale” të njeriut besimtar ose laik me fenë, pushtetin dhe autoritetin moral të saj. Padyshim jetojmë në kohë modern që favorizon dukshëm individualizmin dhe marrëdhëniet e personalizuara të njeriut me besimet individuale dhe jo aq shumë “bashkësitë” organike apo të sajuara të kohës së shkuar. Njerëzit në shoqërinë tonë janë të prirur të besojnë, por duke qënë vendosmërisht të orientuar drejt progresit dhe zhvillimit. Ndaj nuk mund të mohojmë se jetojmë në kohën kur tenton të bëhet sunduese ideja se “E drejta shekullare dhe racionalizmi politik përbëjnë instrumente premtues për atë që kërkon emancipim”. (Buruma, Margali, “Oksidentalizmi” f 35)

Në sociologjinë e sotme analiza për raportet e fesë me veten dhe njeriun janë bërë cështje me rëndësi. Natyrisht sociologjia nuk merret me përmbajtjen e dogmës fetare të asnjë feje, por ne nuk mund të jemi indifferent dhe të mbyllim sytë me atë fenomen që studiuesi i njohur Oliver Roy e konsideron dhe e sintetizon me konceptin e “fetarisë”. Që në kohën e sotme në esencën e vet ka të bëjë me mënyrën se si e ndërton besimtari i sotëm raportin individual me fenë që beson. Problemi është se zhvillimi në shoqërinë shqiptare ka sjellë pasoja jo vetëm në këto raporte të ndryshuara të fesë me veten dhe njeriut besimtar me të, por dhe të shfaqjes së një krize të referimit kulturor ndaj fesë. Megjithë qëndrueshmërinë e gjatë të dogmës fetare dhe militantizmin e njohur të besimtarëve edhe feja nuk mund të shpëtontë nga andrralllat e modernitetit dhe nevoja e ridimensioneimeve të duhura për t’u përshtatur më mirë me imperativat e ndryshuara të kohës, me natyrën e modernitetit social dhe prirjen e marrëdhënieve individualiste dhe relacioneve të personalizuara të njeriut të sotëm, të cilat jo gjithnjë janë aleate dhe në favor të konsolidimit të fesë dhe besimeve fetare.

Prirja laike dhe atomizuese e shoqërisë shqiptare nuk është shumë e favorshme për trajtimet dogmatike dhe organizimet holiste të fesë. Sociologët e fesë dhe mendimtarët modernë të saj, e kanë kuptuar këtë prirje të zhvillimit të shoqërisë dhe ndryshimet që ka pësuar natyra e njeriut. Ata kanë filluar të bëjnë llogari të impakteve të tyre në raportet e forces së fesë dhe marrëdhëniet me njeriun besimtar. Universalisht duke parë vështirësitë e raporteve dhe marrëdhënieve klasike të autoritetit të fesë në raport me shoqërinë dhe individin, duket se edhe në shoqërinë tonë brenda grupimeve kryesore të feve monoteiste kanë filluar lëvizjet dhe revizionimet doktrinare, që janë të natyrshme të ndoshin si kusht për ta bërë dogmën më të besueshme, më aftër tipologjisë së shoqërisë dhe interesave të njeriut modern.

Natyrsisht pa lëvizuar gurët themletarë të doktrinave në botën modern ka filluar lëvizja për të krijuar “identitete të reja” fetare më fleksibile, më moderne dhe më afër impertivave të kohës dhe natyrës së paqëndrueshme të njeriut të sotëm. Prirja për të ngritur “nënkultura fetare”, pa cënuar identitetin e origjinës janë përpjekje pozitive për modernizimin e fesë, për ta sjellë atë afër kohës dhe interesave të zhvillimit social, duke u larguar edhe ata nga kokëfortësia doktrinariste dhe këmbëngulja metafizike, që nuk e qëndron dot as shënjtëria e fesë.

Sociologët e fesë kanë filluar të gjurmojnë këto lëvizje dinamike dhe dialektike të fesë që janë element pozitivë të përpjekjeve për të qënë kompatibile me kohën, për t’i shërbyer më mirë nevojave sociale të shoqërisë. Sidomos vakumeve dhe boshllëqeve shpirtërore të individit. Kjo përpjekje qoftë “revizionuese” apo “revolucionarizuese” (nuk kanë rëndësi termat që tregojnë shkallën e revizionimit apo thellësinë e ndryshimit), tregon se era liberale nuk mund të lërë pa ndryshuar dhe reformuar edhe institucione të tilla sociale konservatore sic janë ato të fesë. Kjo nuk është shënje dobësie por force. Sepse pa ndryshuar, pa u përshtatur me kohën, nivelin e zhvillimit social dhe precedentët e zhvillimit të përshpejtuar kulturor të individit, feja do të rrudhet, do të humbasë terren social dhe autoritetin e duhur ndaj njerëzve besimtarë.

Ndryshimet që po ndodhin sot në shoqërinë tonë janë akoma apo duken timide dhe të drojtura. Sepse ende nuk po reflektohet sa e si duhet urgjenca e ndryshimeve dhe përshtatjeve konceptuale dhe kontekstuale të fesë, të cilat sipas mendimit tim janë ndryshime që në të ardhmen nuk do të jenë vetëm kalimtare dhe të përkohshme. Në se do të qëndrojë kështu raporti i fesë me veten dhe relacionet e saj me besimtarët, kam frikë se nuk është e largët dita që ajo të ndjejë dhe pranojë edhe krizën kulturore të doktrinave të saj dhe njëherësh të shoqëruar me zgjerimin e përshpejtuar të laicizimit dhe shekullarizmit. Që në kohën e sotme nuk janë aq shumë aleat të saj. As prirja modern e shoqërisë shqiptare nuk është aq shumë favorizuese për autoritetin e fesë, në se ajo nuk bindet për nevojat e ndryshimeve konceptuale, kulturore dhe marrëdhënieve kontekstuale të saj. Ndryshimi i bazës kulturore dhe ndërtimit të marrëdhënieve mbi bazën e kohës së re, nuk është as dëmtim i autoritetit doktrinar as asimilim i trojeve të natyrshme të fesë dhe institucioneve të saj.

Përkundrazi është një proces progresiv i abdejtimit të domosdoshëm të fesë me kohën, imperativat sociale dhe motivet jetike të njeriut modern. I cili tashmë nuk është më aq periferik sa të mbesë i fanatizuar në strukturat me substrat të thellë konservator, që nuk kuptojnë kohën dhe nuk pranojnë ndryshimin e duhur. Feja dhe institucionet fetare janë të domosdoshme. Ato janë institucionet fondamentale dhe më omnipotenete, që mund të ndikojnë në kohezionin e prishur social të shoqërisë shqiptare dhe përmirësimin e shpirtit të shprishur të njeriut modern nga konsumi, paraja, egoizmi, individualizmi dhe seksualiteti. Është e vërtetë që moderniteti ka favorizuar njeriun modern që është laik dhe jo rrallë pa “dimension shpirtëror”. Në shoqërinë tonë po shtohen njerëzit e “zhveshur nga shpirti”. Sepse sic thonë sociologët e modernitetit “Besimi i verbër te forcat e tregut e ka kthyer lakminë në një dogmë, me pasoja shpesh katastrofike”.

Këto edhe të tjera arsye sociale janë ato që e detyrojnë fenë dhe institucionet e saj në shoqërinë tonë që të rishikojë pozitën dhe eficiencën në raport me shoqërinë. Sepse jetojmë në kohë të reja kur kanë ndryshuar raportet e fesë me shoqërisë dhe të njeriut me “hyjnoren”. Kjo është një gjë e madhe që duhet llogaritur me të gjithë kostot e veta. Ndoshta duhet vlerësuar procesi masiv, i zgjeruar integral të cilin Maks Veberi e konsideroi si fillimin e procesit të “c’magjepsjes së madhe” të shoqërisë. Me sa duket nuk jemi as në fillimin por as në fundin e ndikimit vendimtar të fesë në shoqëri. Por që pozitat dhe autoriteti i saj në kohën tonë ka lëvizur, kjo është e padyshimtë. Po dominojnë në mënyrë të dukshme prirjet e njeriut për më shumë marrëdhënie sociale, kulturore, politike mbi ato fetare. Këto janë kategoritë më imperative të organizmit të jetës dhe orientimit të intelektit të njeriut laik. Njeriu i kohës modern po përpiqet vetë të ecë duke besuar tek vetja, duke e marrë mbi vete përgjegjësinë laike të organizimit të tipologjisë së jetës së vet, pa patur shumë nevojë për ndërmjetësime të tjera. Kjo situatë e disfavorizon peshën dhe autoritetin e fesë në shoqërinë e sotme.

Por ndërkaq jeta e sotme në shoqërinë tonë është e mbushur me njerëz arrogantë dhe egoist, që janë materialistë, efikas dhe të sukseshëm nga ana materiale, por që kanë mangësi shpirtërore nga që nuk kanë mekanizmin individual të lidhjes me fenë apo të ndërtimit të një lloj “fetarie të re”, moderne por të domosdoshme. Kjo është ajo që na duhet. Madje tani dhe sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të ndalim këtë shkretim dhe degradim shpirtëror të njeriut të kohës sonë. Por që ta bëjnë këtë rol nuk duhet të ngulin këmëbë që njeriun modern dhe besimtar jo ta trajtojnë si qënie infantile. Që edhe pse është besimtar nuk mund të jetë skeptik ndaj mungesës së ndryshimeve dhe një farë konservatorizmi këmbëngulës doktrinar të fesë. Ndihet nevoja për riformulime që nuk cënojnë identitetin dhe që ka mundësi të rritin më shumë autoritetin e fesë, besimeve dhe institucioneve fetare në Shqipëri.    Kjo është dialektika e jetës e përplasjes së prurjeve të modernitetit që e bën problematic praninë e njeriut pa dimension shpirtëror. Feja e modernizuar ka shumë mundësi të luajë rolin e saj në këtë  betejë ekzistenciale të përplasjes së koncepteve të njeriut, të ndërtimit të mekanizmave për t’u përballuar me problemet e thella, tejet të ndërlikuara të “botës së jetës” moderne. Mbase po të punohet ndryshe mund të mbrimë në synimet e mira të besimit fetar, në mënyrë që sa më shumë shpirtëror të bëhet njeriu, aq më shumë racional do të jetë. Kjo është formula që feja të ndikojë në mundësinë që emancipimi social në shoqërinë tonë të mos cojë në zbehjen e mëtejshme të spiritualizmit…

 




 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Bashkemoshatareve te mia

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 95 here.
Julian Hoxhaj Lot, dhimbje, ulërima, nëna që vajtojnë,baballarë që qajnë në heshtje, pedagog që ulin kryet, studentë që bisedojnë me njëri-tjetrin dhe qajnë në heshtje, gazetarë që transmetojnë pa reshtur, politikanë dhe personalitete që pasojnë, qytetarë që vijnë të heshtur dhe përloten kur kalojnë para fotografive të 11 engjëjve të vendosura në hollin e universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’. Ndoshta kjo ishte hera e parë që kur ky universitet është...Lexo te gjithe artikullin »


» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret
» Pse tremb vota e emigranteve?
» Eksperience me nderkombetare
» Shqiptaret si faktor stabiliteti

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit