Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Festivali i 50-te i Kenges ne Radio-Televizion, nje lengate dashurie

Publikuar me : 29.12.2011 Ne : Kulture - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Jorida Pasku

Festival i 50-të i Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar nisi me këngë të nostalgjisë menjëherë pas reklamave që do t’i fiksoheshin spektatorit në mendje si një refren i bezdisshëm ku pyetet: “Si do të ishte jeta pa lavatriçe?”, “Si do të ishte jeta pa makinë?” e ku konstatohet që “Bukuria është talent dhe talenti bukuri”, më tej me slogane të kompanive të tjera publicitare. 70 fëmijë, nën drejtimin e dirigjentit Kujtim Alia, u ngjitën në skënën e festivalit që mbahet edhe sonte, ora 20.00, në Pallatin e Kongreseve, për t’i kujtuar publikut këngët: “Dhuratë për ditëlindje”, “Në pragun e vegjëlisë” dhe më të afërtat në kohë “Fatit i besoj”, “Nuk mundem pa ty” etj. Jemi në jubileun e 50-të dhe në të gjitha T-shirtet e verdha dhe jeshile që fëmijët mbanin veshur shkruhej: Festivali i 47-të i Këngës, Shkodër apo Festivali i 49-të i Këngës. Po i 50-ti? Duket sikur fëmijët kishin marrë me vete ato që kishin veshur në aktivitetet e kaluara. Kjo nuk ishte e vetmja ‘mungesë vëmendjeje’ e festivalit.

 

Gjithçka në dorë të RTSH-së

I veshur me kostum të zi cacharel, aktori Nik Xhelilaj e nisi me natyrshmëri dhe i çlirët prezantimin e natës së parë, një natyrshmëri që me kalimin e orëve u kthye në shkujdesje. Ndryshe nga viti i kaluar, prezantuesit e sivjetshëm, Niku bashkë me dy partneret, Hygerta Sakon (Miss Shqipëria në vitin 1995, prezantuese spektaklesh) dhe Enkeleida Zeikon (Prezantuese emisionesh sportive), u treguan të kujdesshëm, të përmbajtur dhe nuk dolën jashtë skenarit të përgatitur nga Edlira Birko dhe Pandi Laço. Partneret u përpoqën të vazhdonin kështu deri në fund, ndërsa Niku hera herës harronte që po prezantonte një festival.

Këtë vit RTSH vendosi t’i kyçte dyert. Afroheshin në prova vetëm këngëtarët që interpretonin dhe iknin pa dëgjuar tjetrin, krijuesit, organizatorët dhe stafi i televizionit dhe radios. Asnjë gazetar veç atyre të televizionit mëmë nuk u lejua të kapërcente pragun e Pallatit të Kongreseve. Vetëm ata ndiqnin provat, vetë ata bënin emisione nga ato që mëtonin të tregonin për nivelin në vite por gjithmonë e më shumë shkonin te kujtimet e një grushti personash, e më tej minuta të tëra transmetim për teknikën që do bënte të mundur ‘live’-in total.

Po ashtu dy prezantueset u nxorën nga gjiri i Televizionin Publik Shqiptar, Hygerta prezantuese e emisionit të mëngjesit “Jo vetëm kafe”, kurse Enkeleida prezantuese e rubrikës sportive po aty. Natyrshëm këngëtarët toknin duart, rrihnin shpatullat, përqafoheshin dhe i shkelnin syrin drejtorit artistik Shpëtim Saraçi. Ishte krijuar me kohë kjo atmosferë, që edhe Nikut i voliti. Ai ndihej si në shtëpi. Në fillim shkëmbeu komplimenta me koleget që “i kishte shumë xhan”, komplimenta për nivelin e profesionalizmit në punën e tyre, për shkëlqimin e tyre të jashtëm, fjalë të fryra që u bënë të udhës edhe për t’ua thënë këngëtarëve në prezantim si: “Je bërë yll sot”, “Je më i ri se kurrë dhe po aq shumë shik”, “Je shumë e bukur, e mrekullueshme, shumë e mirë”. Niku kryesonte me “spontanitetin”. Jo një herë, kërkonte aprovim për ato që thoshte nga aktori Ndriçim Xhepa, pjestar i jurisë së festivalit, dhe i drejtohej ashtu thjesht “apo jo profe?”, sikur të ishte kudo veç jo para një publiku. Nga goja e tij u dëgjuan edhe aforizma të tipit: “Bëhu artist se rron gjatë”. Duke i lënë gjithë sa u thanë mënjanë, mjaftonte komunikimi i aktorit prezantues me kolegen Elda Koçi që rrinte në hollin ku prisnin këngëtarët, për t’i vënë vulën gjithçkaje. Niku jo njëherë insistoi që ajo duhet t’i maste temperaturën këngëtarëve (me temperaturë kupto tensionin që shkaktojnë emocionet) dhe ajo insistonte se nuk kishin temperaturë, këngëtarët ishin çliruar dhe ajo ishte ngarkuar, prezantuesi vazhdonte insistonte, ajo nuk luajti nga e saja. Duhej edhe ndërhyrja e Sakos, për të bërë një saktësim sado të vogël, që djaloshi të reagonte me fjalët: “Hë më korigjo edhe ti tani…” dhe kjo mënyrë komunikimi vazhdoi edhe natën e dytë.

 

 

Një lëngatë dashurie

Në natën e parë e të dytë të festivalit u prezantuan 28 këngë të krijuesve të rinj e me përvojë. Nata e mbrëmshme ishte retrospektiva e këngëve fituese në vite kurse sonte, ora 20.00, këndojnë 20 finalistët. Zemra të bëra copë, të boshatisura, lot që me zor fshihen, dhimbje që s’durohet, lutje për t’u ndalur, për të zgjuar një tjetër ëndërr, për të mbytur trishtimin, për t’u afruar, për të qarë, asaj nuk i mbetet asgjë tjetër për të jetuar, tani dorëzohet e pastaj betimet dhe premtimet derdhen lumë. Dashuria, si çdo vit tjetër, ishte në qendër të vëmendjes së autorëve të teksteve edhe kësaj here. Dhimbja kulmonte në këngën e Rona Nishliut edhe pse këngëtarja e ardhur nga Kosova kishte dalë nga ‘burgu’ i dashurisë me këngën “Suus” muzikë të Florent Boshnjakut, tekst të sajin.

Dashuria. Vetëm ajo i kishte frymëzuar më së shumti krijuesit e këtij festivali. A thua që në vend nuk ndodh asgjë veç dashurisë. Madje edhe misioni nuk ishte kryer deri në fund se edhe dashurisë iu këndua me fjalë të varfëra, të zakonshme, që vrasin veshin, nuk lejojnë shijimin e muzikës. Veçojmë pak këngë ku i këndohej jetës, ajo e kënduar nga Marjeta Billo “Vlen sa një jetë” me muzikë të Klodian Qafokut, tekst të Arben Dukës, me nota optimiste për njeriun që e do jetën dhe po ashtu ajo e Altin Gocit “Kthehem prapë”, muzikë të vetë këngëtarit dhe tekst të Klod Shehut. “Për ku nxiton o jeta ime/ ngadalë se nuk po të ndjek dot/ma jep prapë dorën ti, përqafomë si atëherë/ hajt ecim e të vazhdojmë”. Janë vargjet e këngës “Oh… jeta ime” me muzikë të Lejla Agollit, të shkruar nga Frederik Ndoci, që japin shembullin e një teksti që ngacmon njeriun deri edhe në vetëdijen e tij, në frikën nga vdekja, ankthin për të vazhduar, por sërish autori të tregon se në këtë përballje fiton padyshim jeta. Më vete rrinte “Kristal” i Sokol Marsit, muzikë të Elton Dedës, e kënduar po nga Deda, një meditim i ndjerë për dashurinë e shkuar. Të tjera këngë ranë në sy për muzikën, por largoheshin shpejt nga mendja për arsye se ishin të rrallë ata këngëtarë që u kujdesën për diksionin. Fjalët nuk vinin të qarta dhe zor të mbeteshin në kujtesë më shumë se 2-3 vargje.

Çdo vit bie në sy varfëria e tematikave po edhe e këngëve. Krijuesit e teksteve, të njëjtët çdo vit, sikur janë lodhur me festivalin dhe tani mund të presim vetëm shkreti, shkreti, shkreti.

 

Shifra, Shifra, Shifra

Me përsëritjen e shifrave herë pas here sikur duhej të tregohej se ishte bërë një punë kërkimore në fondin e muzikës në vite që ruhet në Radio-Televizionin Shqiptar. Shifra pa fund lodhnin dhe shkaktonin bezdi të spektatori. Në afro 3 orë festival u dëgjua që në 5 dekada janë kënduar 1342 këngë, kanë marrë pjesë në vite 197 këngëtare femra dhe 115 meshkuj (shtysë për të hapur debatin mes prezantuesve ‘kush janë më cilësorë femrat apo meshkujt këngëtarë’), 32 këngëtarë nga Kosova kanë marrë pjesë pas viteve ‘90, 37 kantautorë, 17 dirigjentë ku kryeson Ferdinand Deda me 38 festivale, 50 meshkuj prezantues në festival. Poeti që ka shkruar më shumë është Jorgo Papingji me 58 tekste këngësh, këngëtari më i vogël që ka marrë pjesë në festival para ‘90-ës është David Tukiçi, vetëm 13 vjeç, kurse pas ‘90-ës Goldi Halili në të njëjtën moshë, po ashtu këngëtaret femra që kanë marrë më tepër pjesë ishin Ema Qazimi dhe Irma Libohova (21 herë)… Sikur të mos mjaftonin shifrat që përsëriteshin, duhej edhe që këngëtarëve pa përjashtim t’u bëhej test për kujtesën. Shkuan aq larg parashikimet në llogaritje sa u pyetën të rinjtë nëse do merrnin pjesë në festivalin e 70-të të këngës?! Kjo ishte nostalgjia e natës së parë. Ndoshta organizatorët do kujtojnë siç duhet njerëzit që e krijuan atë në vitin 1962. Ky vit u prek përciptazi në natën e parë nëpërmjet një interviste të shkurtër të realizuar me udhëheqësin e parë artistik të festivalit, Abdulla Grimci, që jeton në Itali, gëzon shëndet të plotë edhe pse i ka kaluar të 90-tat. Grimci i kujtoi të pranishmëve në festival se dikur në aktivitet merrnin pjesë kompozitorë krijues dhe kishte disiplinë të rreptë. Festivali i parë nuk pati fitues. U prezantua nga Luigj Gurakuqi dhe Margarita Xhepa dhe Vaçe Zela u shpall këngëtarja më e mirë e festivalit me “Fëmija i Parë”. Muzikën e këngës e krijoi Grimci, tekstin Dionis Bubani

Një moment u kujtuan edhe krijuesit që nuk janë më, u përmendën emra dhe dolën në ekran fotografitë dhe nostalgjia e natës së parë mori fund këtu.

 

Gabimet me ‘live’-in

Në këtë festival vëmendja u përqendrua te interpretimi ‘live’. Në emisionet e TVSH-së u panë më tepër se një herë aparaturat e kushtueshme që do siguronin një festival të gjallë. Logjika të çonte që shpenzimet kishin shkruar vetëm te teknika po të shihej skenografia e thjeshtë, pa ekrane, pa prozhektorë verbues. U realizua nga Bashkim Zahaj.

Megjithatë, përsëri mikrofonat ishin me defekt. Kush ka qenë të paktën njëherë në prova, kujton ankesat e këngëtarëve që nuk gjejnë qetësi sepse nuk dëgjojnë veten. Edhe kësaj here problemi nuk mori rrugën e zgjidhjes.

Mjaftonte pak t’i largoheshin këngëtarët atij dhe zëri humbiste. I ndodhi këngëtares Samanta Karavella që duke tentuar t’i jepte më tepër zë refrenit të këngës, nuk u dëgjua për një çast. Më keq i ndodhi Evans Ramës që sapo kishte filluar këngën iu desh ta ndërpriste. Megjithatë Rama e vazhdoi këngën “edhe një herë”.

Si dikur në këtë festival ishin edhe zërat e dyta. Këngëtarë të muzikës së lehtë dhe asaj klasike rrinin në fund të skenës dhe i dhanë bukuri interpretimit ‘live’, ashtu si edhe një bend i vendosur në të djathtë të skenës.

 

Spektakli dhe veshjet

Siç u tha në krye të herës, spektakli nuk ishte ndër prioritetet e festivalit. Në dy net interpretuan Eddy Wata dhe Catherine Ellis.

Këngëtarët ishin më së shumti të vetëm në skenë, nuk kishte performanca. Ishte hequr dorë nga ngjyra e zezë, festivali u çel. Binte në sy vetëm fakti që konkurrentët meshkuj paraqiteshin më spotivë të veshur me xhinse dhe këmisha me figurina apo shkrime. Bojken Lako nuk heq dorë nga stili i tij në muzikë dhe veshje. Në grupin e tij ishin shtuar ekstravangantët. Ai vetë ishte veshur me pantallona lëkure, ndërsa e reja që e shoqëronte binte në dy me dantellën e zezë të veshjes. Në krehjet e këngëtareve dominonin përshkallëzimet, gërshetat, ondet e derdhura.

 

 

Juria

Këngët fituese vlerësohen sonte nga drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit Zhani Ciko, muzikologia Zana Shuteriqi, kitaristi Edmond Xhani, kompozitori Aldo Shllaku (Xhani dhe Shllaku jetojnë dhe punojnë në Amerikë), aktori Ndriçim Xhepa, kryeredaktori i gazetës “Panorama” Robert Rakipllari dhe kantautori Redon Makashi.

Këngët që konkurrojnë sonte: “Këngën time merr me vete” e kënduar nga Bashkim Alibali,  “Zgjomë një tjetër ëndërr” Samanta Karavella, “Mbi çdo iluzion” Endri dhe Stefi Prifti, “Suus” Rona Nishliu, “Më kërko” Rudina Delia, “Vlen sa një jetë” Marjeta Billo, “Aty ku më le” Hersi Matmuja, “Kthehem prapë” Altin Goci, “Kristal” Elton Deda, “E para ëndërr” Toni Mehmetaj, “Personale” Dr. Flori, “Mbi yje” Kamela Islamaj, “Oh…jeta ime” Frederik Ndoci, “Bojken Lako & Sam” Bojken Lako, “Më lër të dua” Mariza Ikonomi, “Pa ty…asnjë sekond” Iris Hoxha, “Ajër” Saimir Braho, “Lulet mbledh për hënën” Xhensila Myrtezaj, “Mijëra vjet” Elhaida Dani.

Sipas titujve të këngëve të mësipërme po renditen edhe kompozitorët përkatës: Bashkim Alibali, Gent Myftaraj, Voltan Prodani, Florent Boshnjaku, Luan Zhegu, Klodian Qafoku, Shpëtim Kushta, Altin Goci, Elton Deda, Edmond Zhulali, Dr. Flori, Alban Male, Lejla Agolli, Bojken Lako, Sokol Marsi, Edmond Rrapi, Ilir Dangëllia, Genti Lako, Endri Sina




 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 65 here.
Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP“Proces 2012” është ekspozita që çelet sot në orën 11:00 në Galerinë FAP. Më punime të realizuara nga studentët e Atelierit të Tekstilit dhe të Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve në Tiranë.   Lexo te gjithe artikullin »


» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor
» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit