Publikuar me : 11.08.2011 Ne :
Politike - 151 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Prof. flora Hanelli duke folur për "Shekulli"-n
Prof.Flora Osmani është pedagogia që gjatë fushatës elektorale i kërkoi Lulzim Bashës të mos bënte fushatë në sallat e leksioneve të Fakultetit të Inxhinjerisë duke e quajtur Vrasës të 21 janarit dhe Maskara. Por para kësaj, znj.Osmani është një nga profesoret më të nderuara të stafit akademik shqiptar, me një eksperiencë 30 vjeçare në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit, Matematikë.
Në intervistën e mëposhtme me Shekullin, kemi ndarë me profesore Florën disa nga shqetësimet e lexuesve tanë lidhur me zgjedhjet në Tiranë dhe situatën që ka pasuar.
Prof.Flora, pas përfundimit të numërimit të votave të Tiranës, pasuan dy muaj e ca përpjekje që e përmbysën këtë rezultat me vendime e procedura. Ju a e keni ndjekur të gjithin këtë proces?
Të gjithin. Me pak përjashtime, disa nga ato seancat që zhvilloheshin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Sepse më dukej vetja sikur isha futur në një bordello. Ndaj dhe nuk mund ta ndiqja dot.
Vendimet e marra nga KQZ e Kolegji Zgjedhor, falë të cilave Lulzim Basha është sot kryetar i Bashkisë së Tiranës, si i gjykoni?
I gjithë ai ritual dy mujor, ishte përvers nga fillimi deri në fund. Dhe kjo jo vetëm për mua por për të gjithë njerëzit që e panë. Ishte një sulm i paprinciptë, jashtë çdo limiti mbi vullnetin e qytetarit, maskuar me slloganet e pështira për votën e qytetarit. Por e mira e gjithë kësaj është që triumfoi kulti i votës. Ato 10 vota në fakt janë shumë më shumë dhe bëjnë diferencën. Ato 10 vota duhet të kthehet në bindje për të gjithë njerëzit që duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre civile të votës, në mënyrë që të jenë vendimarrës realë për fatin e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Vendimet e Kolegjit Zgjedhorë nuk ishin gjë tjetër veçse një grabitje e Bashkisë së Tiranës. Do të hyjë në histori si e tillë dhe vetëm e tillë, si kusari. Por fitorja reale ishte e shkëlqyer dhe më e bukur nuk kishte ku të shkonte për Edi Ramën. Më saktë, për qytetarët e Tiranës. Kam qenë vetë komisionere dhe të betohem që nuk kishte kohë për të ndenjur. Njerëzit e kuptuan të gjithë skemën, të gjitha intrigën dhe vrapuan në qendrat e votimit, – nuk kishte kohë, po të them minutë të lirë, – dhe e ç’bënë atë operacion masakër. Nuk jam optimiste e tepruar por për mua kjo gjë që bëri populli i Tiranës ndrit në të gjithë këtë bordellizëm. Pra ndriti ky kult i votës. Dhe besoj se njerëzit do ta rrëmbëjnë do ta kapin fort këtë. Aq mirë sa e kuptuan intrigën dhe iu kundërvunë asaj, po aq mirë do të shfrytëzojnë edhe më shumë të drejtën e tyre për vetëvendosje.
E keni fjalën për zgjedhjet e ardhshme?
Unë besoj se zgjedhjet do të jenë të parakohshme, madje shumë shpejt.
Si e parashikoni të ardhmen e afërt të L.Bashës në atë post? Si qytetare e Tiranës, çfarë prisni?
Ky me procedurë vodhi një buxhet shteti dhe shpëtoi lëkurën deri në X moment. Po me procedurë sulmoi integritetin territorial të Shqipërisë por nuk ia arriti dot se këtu ka njerëz që e duan dhe e mbrojnë këtë vend. Bytha zjarr do t’i marrë në atë karrige, këtu do të jemi. Ai është kryetar i atyre që erdhën për të mundur dhe sfiduar vullnetin real të popullit të Tiranës. Nuk pres asgjë nga ai. Për mua ai është krejtësisht idiot nga pikëpamja intelektuale është krejtësisht i mbaruar, thjesht një tjetër mjeshtër i gënjeshtrës. Por Tirana nuk është ndikuar kurrë nga gënjeshtra. Nuk verbohet Tirana. Tirana ka një kualitet njerëzish që në fund e mund çdo lloj gënjeshtre, falsiteti, ndyrësire. Prandaj sollën ardhacakët, katundarët, apo edhe kosovarë për të mundur vullnetin e këtij populli. Megjithatë kurrë nuk do ia dalin dot. Dhe në fakt nuk e mundën dot. Ndaj ky vend u shndërrua për dy muaj në bordello. Për mua, ato që ndodhën në KZQ e Kolegj ishin një luftë kundër Tiranës.
Dmth, ju nuk e shikoni të gjatë administrimin e Bashkisë kështu siç u vendos me vendime Kolegji dhe ‘me procedurë’?
Unë qofsha gabim, por Tirana do të kalojë dhimbje shumë të mëdha nëqoftëse ky do të lihet në krye të Bashkisë së Tiranës. Të thashë bindjen time që atij do t’i marrë bytha flakë në atë karrike. Unë besoj se së shpejti do të ketë ndryshime shumë të mëdha. Nuk e kapërdin dot as Tirana e as Shqipëria kusarinë live 24 orë për dy muaj.
Por PS dhe lidershipi i saj duket sikur janë pajtuar përfundimisht me këtë që ndodhi…
Opozita ka pjesën e saj të përgjegjësisë për këtë. Më kryesorja është që e çoi popullin në zgjedhje pa siguruar listat, pa bërë verifikimin derë më derë të gjithë votuesve. Ditën e votimit, vëllai i Bogdanit u tmerrua kur unë merrja me shënime karakteristikat e votuesve të dyshimtë, mbaja shënim numrin e kartës së identitetit dhe letërnjoftimit, sepse ata nuk figuronin asgjëkundi banorë të Tiranës. Ky ishte mekanizmi i të gjithë manipulimit të zgjedhjeve në Tiranë. Shtimi i numrit të votuesve. Kjo është përgjegjësi e opozitës. Nuk mund të përdoret populli si dele, të çohet të votojë, ta japë votën me shpirt dhe të lihet të manipulohet kështu. Kjo është përgjegjësi. Përgjegjësi shumë e madhe. Unë e vë gishtin tek i gjithë stafi juridik i PS, totalisht tutkun për mendimin tim.
Prof.Flora, që të jemi më të qartë.. Ne na duket sikur e vetmja ofertë që PS ka për qytetarin opozitar është ajo e “duroni edhe këtë herë”. Në vend të trupëzonte politikisht zemërimin popullor, opozita u fut në një spirale procedurash për Tiranën dhe tani na mbetet vetëm të vazhdojmë të shohim si tund gishtin Berisha me refrenin “ligji dhe vetëm ligji”. Të krijohet përshtypja se në Shqipëri, në vend që gjykatat të ishin krijuar në funksion të popullit, është populli ai që qenka krijuar në funksion të gjykatave. Dhe duket sikur lidershipi i PS ngurron vazhdimisht duke ngatërruar respektin ndaj ligjit me nënshtrimin ndaj rregjimit. Duhet të vazhdojmë edhe më të “durojmë”, siç sugjeron lidershipi i sotëm i opozitës?
Për mua demokracia është VOTË. Jam me shumë shpresë përderisa këtë e kuptuan edhe banoret e komunes Kolsh në rivotimin që bënë. E nëse demokracia është votë, do të duhej që opozita të printe shqiptarët me kuç e me maç, në mbrojtje të verdiktit të përdhosur të sovranit. Dhe duhej ta kishte bërë këtë për dy muaj rresht gjatë shfaqjes më të turpshme që më kanë parë sytë e që mund të më merrte mendja. Vota u tjetërsua, këtë s’e luan as topi i shqiptarëve e as topi i kodoshëve ndërkombëtarë. Nëse opozita përmjeret në demo-leshin e procedurës, vaftë në esfel. Në histori unë jam ithtare e reformatorit të madh Martin Luther. Besoj fort tek njerëzit e thjeshtë. Besoj tek ushtrimi i sovranitetit të tyre në të gjitha mënyrat. Padyshim që opozita duhet të garantojë këtë sovranitet real e jo të futet nëpër kurthet e procedurave të një duhme klientësh të qeverisë.
NGJARJA
Kush është Flora Osmani dhe ç’ndodhi në 2 maj në Fakultetin e Inxhinierisë
Flora Osmani (52 vjeçe), pedagoge Inxhinierisë së Ndërtimit, në fakultetin me të njëjtin emër në Tiranë. Një nga zërat më aktivë të fakultetit ku jep mësim prej rreth 25 vjetësh. Ishte pedagogia më aktive gjatë grevës dy mujore të universiteteve në vitin 2004, kur protestohej kundër vendimeve të qeverisë së drejtuar nga Fatos Nano për kufizimin e autonomisë universitare dhe ku kërkohej rritja e rrogave, përcaktimi i statusit të profesorit dhe përmirësimi i ambienteve dhe kushteve nëpër auditorë. Në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 garon në zonën elektorale 94 të Vlorës, nën siglën e Partisë Lidhja e Blertë Shqiptare, Emri i saj u vu në qendër të vëmendjes së opnionit public për qëndrimin që mbajti ndaj kandidatit të PD-së, për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha, në 3 maj 2011, kur ai kishte zaptuar fakultetin për një takim electoral. Në një sallë të mbushur me njërëz të sjellë nga kandidati Basha Osmani e ndërpreu ligjërimin e Bashës, duke iu drejtuar me fjalët: “Vrasës!”. Ndërhyrja e Osmanit u bë ndërsa ish-ministri I brendëshëm sapo kishte thënë se: “do zgjidhim problemet e Tiranës, se do tu rrimë problemeve në kokë etj”. Në këtë moment pedagogia është ngritur dhe ka thënë: “Në krye ke qenë, pse nuk i ke zgjidhur problemet? Pse nuk kemi rend, pse nuk kemi qetësi, ke qenë ministër i brendshëm..”. Mes duartrokitjeve të studentëve, shoqëruesit e kandidatit të PD-së, tentuan t’i presin fjalën, por pedagogia, iu drejtua Bashës me thirrjen: “Ti je vrasës dhe maskara”, duke e akuzuar atë direkt për fëmijët jetimë të 4 të vrarëve të 21 janarit.
Videoja mund të shihet në www.youtube.com/watch?v=fz3b80smJF0
EDITORIAL
E keqja zhbëhet vetëm duke i dalë përballë
Flora Hanelli u bë personazh i medias shqiptare në majin e këtij viti pasi reagoi spontanisht, e zemëruar si qytetare dhe e fyer në inteligjencën e saj kur e kishin futur me dhunë në një klasë ku duhet të dëgjonte gënjeshtra, rrethuar nga badigardët dhe trupa shëtitëse që shoqëruan në fushatë kandidatin e PD.
Shpërtheu dhe zhbëri për 5 sekonda atë që rregjimi kishte tentuar ta bënte për 5 javë, fushatën e montuar elektorale me “profil paqësor” të ministrit të brendshëm të 21 janarit. Maska e dyllit ra nga fytyra e tij sapo një zonjë i kujtoi se ka lënë dhjetë fëmijë jetimë. Tirana humbi asokohe një takim të qetë elektoral, por fitoi një qytetare të rëndësishme të saj, ndoshta qytetaren më të rëndësishme të kësaj fushate.
Në këtë qytet, njeriu që u bë qytetar i parë i tij, është në akuzë për vrasje politike. Milionat e pushtetit u angazhuan ta pastrojnë gjakun nga duart e tij, por mjaftoi një njeri i lirë për ta bërë të duket e rreme liria e ofruar nga një pushtet i dhunshëm.
Me gjestin e saj prof.Flora i vuri notë kaluese një shoqërie, e cila po mbeste në klasë në provimin e demokracisë. Bën mirë opozita e këtij vendi ta kuptojë si rreh zemra e një populli të fyer. Zysh Flora na dëshmoi jo vetëm se kurajoja nuk ka vdekur, por mbi të gjitha na provoi se e keqja zhbëhet vetëm duke i dalë përballë.
SHKRUAN PËR PROF.FLORA OSMANI
MERO BAZE
Flora Hanelli është një pedagoge e sertë matematike, që bashkë me burrin e saj mbahen mend gjatë nga studentët që mbarojnë inxhinierinë në Tiranë. Unë vetë jam një student i tyre dhe ende më del në gjumë provimi me Hanellin. Memoria e fortë për ta, ka të bëjë me faktin se ishin të rreptë, të drejtë dhe të pakompromis.
MUSTAFA NANO
Ishte hera e parë që Lulzim Bashës i thanë “vrasës” në publik. Do duhej të kish ndodhur ditë për ditë e gjithë ditën e ditës, por kjo nuk ndodhi. Ashtu si nuk ka ndodhur që të ketë dalë një njeri për t’i thënë në sy Sali Berishës të njëjtën gjë. Më në fund doli një grua, një pedagoge e Universitetit të Tiranës, dhe e bëri.
PREÇ ZOGAJ
Një “Florë” do t’i dilte patjetër përpara një ditë prej ditësh. Kjo nuk do të pushojë derisa të bëhet drejtësia. Do të dalë patjetër “Flora”. Për t’i treguar 4 baballarët e vrarë me 21 janar. “Flora” është thirrja plot jehonë kundër politikës së inskenimit, që ka krijuar një hendek të jashtëzakonshëm midis politikës që bën si t’i teket dhe popullit
Bisedoi: Lindita Çela