Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Fqinj me mbretin

Publikuar me : 11.11.2011 Ne : Kulture - 50 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli


Elsa Demo


Shkencëtarët nuk kanë ndonjë konsideratë për oral history, por ajo nuk mund të injorohet si burim për njohjen e subjekteve. “Mërgimi mbretëror” i Neil Rees (përkthim i Xhevat Lloshit) që prezantohet sot në Muzeun Historik Kombëtar është bazuar në intervistat dhe kujtimet e njerëzve që kanë jetuar në të njëjtin vend me familjen mbretërore të Shqipërisë e mërguar në Luginën e Temzës dhe në Çilterns të Anglisë, 1940-1946.

Është botim i Court of King Zog Research Society, në Angli. I kushtohet familjes së Muharrem Gjokës, truprojës besnik të mbretit Zog, mikeshës besnike të mbretëreshës Geraldinë, Rosemary Trasenster dhe banorëve të qendrave Frieth, Lane End dhe Marlow që dëshmuan për Rees.

Historia e mërgimit të Ahmet Zogut që zë fill në Follorinë të Greqisë, të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, dhe vazhdon për trashëgimtarët edhe pas vdekjes së tij në Francë më 1961, është po aq e çuditshme dhe edhe më e panjohur se koha e mbretërimit të tij.

 

Zoti Rees, kohën e mërgimit të Zogut në Angli historianët e quajnë periudha e dëshpërimit. Çfarë thotë kërkimi juaj?

Në fakt koha e dëshpërimit të tij fillon kur ai lë Shqipërinë. Lufta ishte gjithkund. Ai mërgon fillimisht në Greqi, Turqi, e më pas nis udhëtimin përmes Evropës Lindore e Qendrore, Rumani, Poloni, Skandinavi, ndalon në Francë. Pak përpara se gjermanët të hyjnë në Francë ai largohet drejt Anglisë, në Londër. Nuk vonon bombardimi i Londrës dhe familja mbretërore zhvendoset në vilën e një fshati të vogël që ndodhet pranë vendit ku jetoj unë. Vendasit tregojnë histori dhe unë nisa t’i mbledh këto rrëfime për familjen mbretërore që vinte nga Shqipëria.

 

Pra ju bazoheni në dëshmi të gjalla.

Kam bërë edhe kërkime në arkiva, por nuk kisha qëllim që libri të merrte këtë drejtim. Sigurisht që jam konsultuar me arkivat mbi marrëdhëniet diplomatike britanike me Mbretin Zog. Pjesa më e mirë këtij libri bazohet në intervista me anglezë që kanë njohur familjen mbretërore. Ose njerëz të tyre të afërt prej të cilëve sigurova fotografi e dëshmi të cilat i paraqes në këtë botim.

 

Ju e shkruat këtë histori sepse ai ishte një mbret në mërgim apo sepse kishit takuar këta njerëz?

Unë jetoj në një zonë që ndodhet midis Londrës dhe Oksfordit e cila quhet Çiltern Hills dhe ku kanë jetuar shumë refugjatë gjatë luftës. Libri e ka zanafillën te interesimi për historinë lokale të Buckinghamshire-it. Më 2007 bëra një vizitë në Shtëpinë Parmur, ndërkohë që po bëja kërkime për të mërguarit e krahinës dhe zbulova se ajo kishte qenë shtëpia e mbretit Zog të shqiptarëve. Nisa kërkimin. Nuk mund të them se ky libër është nisur nga perspektiva mbretërore.

 

Mbreti ishte pranuar të strehohej në Londër me cilësinë e qytetarit të thjeshtë dhe me kushtin për të mos ushtruar veprimtari politike. Si rridhte jeta praktike në qytet, fillimisht në një hotel, Hotel Ritz?

Qëndrimi i tij në Londër kaq qenë shumë i sikletshëm, situata shumë e pafavorshme. Udhëheqës, apo elita evropiane në mërgim në Londër kishin favore e privilegje të domosdoshme, ndërsa Mbreti Zog e gjitha çfarë kishte, ishte dija e tij për Shqipërinë dhe asnjë shans për ta ndihmuar nga distanca vendin e pushtuar.

Për kohën që jetuan në Ritz, mikesha e mbretëreshës Geraldinë, Rozmaria, mban mend që i kishte bërë vizita shpurës së mbretit Zog, e cila jetonte në katin e sipërm të hotelit, ndërsa shpesh flinin në banjat e grave në qilaret, të cilat ishin kthyer në strehim kundër bombardimeve.

 

Në Ritz rojet personale të armatosur, janë përshkruar në tekste të historisë si malësorë shqiptarë që vinin nga zonat matjane të mbretit. Keni rrëfime për këtë anë të mënyrës së shpurës?

Truprojat ishin të armatosur edhe pse ligji nuk e lejonte. Askush nuk bëri ndonjë akt të  kundërligjshëm. Flisnin gegërisht, kishin mësuar pak frëngjisht e pastaj pak anglisht. Ata nisën të zënë miqësi me vendasit. Nga një dëshmi e Teri Cooper-it, truprojat shkaktonin shqetësim netëve duke patrulluar nëpër korridoret dhe shkallët e hotelit. Ata e kishin zakon të mblidheshin te Lyon’s Tea Rooms, ku dy prej tyre zunë dashnore angleze, ndërsa Muharrem Gjoka gjeti partneren e vet Mary Ëard.

 

Kur lëvizën në vilën Parmur që shohim në foton e kopertinës, ishte e vështirë për mbretëreshën Geraldinë të përballonte punën në kopsht dhe ushqimin e suitës, sadoqë e përgjysmuar.

Po njerëz të ndryshëm dëshmojnë për këtë. Edhe Adila, motra e mbretit Zog, merrej me gatimin. Mbretëresha Geraldinë bëri shumë miq vendas. Fliste anglisht shkëlqyer, ndërsa mbreti Zog përdorte përkthyes. Shpesh ishte mbretëresha që përkthente për të.

Ndonëse më vonë Geraldina mësoi shqipen, ata me njëri-tjetrin flisnin gjermanisht. Princi Leka u rrit duke folur shumë gjuhë: frëngjisht me dy dadot zvicerane, shqip me të atin dhe me shqiptarët e tjerë, anglisht me të ëmën, kujdestarin anglez dhe shokët vendës.

 

Cili është momenti më i rëndësishëm i mërgimit në Britani?

Është e vështirë ta thuash sepse ne e shohim situatën pasi ka ndodhur gjithçka, kurse ata që e kanë jetuar nuk e dinin ç’do të ndodhte nesër, pas një muaji. Mbreti kishte tërhequr me vete motrat dhe nipërit, dhe njëherësh ai përpiqej të bënte diçka për Shqipërinë. E ndërsa luftës po i vinte fundi, dhe mendohej që pikërisht tani do të ishte i dobishëm për vendin e tij, nuk ndodhi kështu. Momenti më i vështirë duhet të ketë qenë 11 janari i vitit 1946, kur Shpallet Republika Popullore e Shqipërisë dhe hiqet monarkia. Gjithë puna që bëri kishte shkuar kot. Atëherë largohet menjëherë për në Aleksandri, ku i kishte ofruar mikpritjen mbreti Faruk i Egjiptit.

 

Atëherë, gjen kuptim ky titull i librit tuaj “mërgimi mbretëror”?

Ishte e nevojshme të ndiqej kjo logjikë me titullin sepse Mbretin Zog askush nuk do ta njihte në Angli. Ne kemi një familje mbretërore të mrekullueshme në Angli dhe njerëzit i pëlqejnë librat për të. Prandaj unë përdora një titull për të intriguar anglezët. Ndoshta për shqiptarët nuk është kështu.

 

Ju e vazhdoni historinë edhe pas vdekjes së Zogut, dhe pas mërgimit në Egjipt.

Unë kam dashur të tregojë jo vetëm historinë e familjes mbretërore po edhe të atyre që erdhën me të. Pas vdekjes së mbretit ata jetuan në Angli dhe fëmijët e tyre jetojnë akoma aty… Më pëlqejnë historitë që rrëfehen nga njerëzit sepse ata janë burime të gjalla e prej tyre gjithnjë do të dalë diçka e re, gjithnjë do të nxjerrin nga sirtari një foto, një kartolinë, një letër. Unë mbaj me vete një skaner në makinë. Sepse mua më pëlqejnë historitë e ilustruara. Ato tregojnë si kanë jetuar, ku kanë jetuar njerëzit, ata që e bëjnë historinë të vërtetë. Ky nuk është libër politik, ai vështron historinë shoqërore të mbretit Zog, të familjes dhe të rrethit të tij, e rrjedhimisht, edhe zanafillën e bashkësisë shqiptare në Angli… Ka gjasa që shumë rrëfime të tjera nuk i kam zbuluar gjatë hulumtimeve dhe ndoshta kam bërë disa gabime. Por asgjë në këtë libër nuk është dhënë për të fyer njeri, prandaj në rast se ka gabime, ato nuk janë bërë me qëllim dhe e pranoj përgjegjësinë time. Librin e kam shkruar nga kënaqësia që të jep gjurmimi i një historie lokale interesante. Është një projekt i papërfunduar dhe të dhëna të reja ose ndreqjet mund të përfshihen në rishikimet e ardhme.

 

Autori

Neil Rees-i ka lindur në Aylesbury dhe sot banon në Chesham, Bucks. Punon në gjuhësinë kompjuterike dhe interesohet për historinë lokale, veçanërisht për historinë shoqërore të të mërguarve nga koha e Luftës. Është ligjërues i rregullt në shoqatat

për historinë lokale. Më 2005 ka botuar një libër për qeverinë çekosllovake në mërgim në Londër dhe në Buckinghamshire. Aktualisht është sekretari i Shoqatës Kërkimore të Oborrit të mbretit Zog.

 

Dëshmi në “Mërgimi mbretëror” i Neil Rees

Familja e mbretit Zog ishin myslimanë, por mbretëresha Geraldinë ishte katolike e patundur. Veç kësaj, shumica e shërbëtoreve austriake e zvicerane, gratë franceze e belgjiane të zyrtarëve të mbretit Zog dhe disa prej shqiptarëve gjithashtu ishin katolikë, ndër ta edhe dama shoqëruese e mbretëreshës Geraldinë, Selma Zavalani. Të dielave mbretëresha Geraldinë dhe katolikët e tjerë shkonin të dëgjonin meshën në kishën katolike aty afër në Farm Street, Mayfair, Londër Ë1. Kjo ishte kishë jezuite dhe pranonte rrëfimet në shumë gjuhë europiane për mërgatën europiane në Londër. Kur

po ktheheshin nga mesha me gjyshen amerikane më 3 shtator 1940, ato dëgjuan të parën sirenë të alarmit ajror. Kur ra një bombë në Pikadilli, që hapi një krater të madh afër hotelit Ritz, shumica e familjes mbretërore iku në Chelsea, por mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë qëndruan aty.

 

Në Kinema

Mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë u pëlqente të shihnin filma. Shpesh shkonin në kinema: ose në kinemanë e Sunninghill-it, ose në Hermitage në Askot, ku siç e kujton Joyce Sheppard-i, i shoqi punonte mbrëmjeve dhe i duhej të mbante një uniformë kur vinte mbreti Zog për vizitë.

 

Kalimi në Shtëpinë Parmur

Mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë e lanë Sunninghill-in dhe kaluan në Shtëpinë Parmur në nëntor 1941… Mbreti Zog e përmirësoi shtëpinë Parmur, instaloi rrymën elektrike, bëri një kuzhinë te re dhe banjat e brendshme. Mbreti Zog ishte shtatgjatë dhe bëri një banjë të madhe për vete në njërën nga banjat e katit të sipërm. Kjo banjë mbeti në shtëpi dhe quhej “Banja e mbretit Zog” derisa e hoqën në maj 2008. Brian Newell nga Burnhami e kujton se si kishte shkuar si nxënës elektricist për të ndihmuar që të instaloheshin furrat dhe më në fund u detyrua të luante me princin Lekë, që ai të mos hynte ndërkohë në kuzhinë.

 

Mbajtja e shtëpisë

Phyllis Gordon-Spenceri kujton që princesha Adile: “ishte një zonjë e madhe shtëpie, por ndërsa motrat [e tjera] të mbretëreshës dhe të Zogut ishin shkolluar në Francë dhe në Angli e mbanin veshje luksi të Parisit, [ajo] gjithnjë mbante një fustan pëlhure të thurur ngjyrë të zezë, ndërsa flokët i lidhte fort prapa si një xhufkë mbi kokë. Por njeriu nuk mbetej aspak në dyshim se çfarë ndikimi kishte ajo mbi familjen, ndërsa e bënte vetë gjithë pazarin dhe gatimin. Ishte si një copë e vërtetë nga jeta ballkanike, që kishte ardhur në Çilterns!” Shumë veta në Frith kujtonin se ajo ishte e ëma e Zogut.

 

Familja Cripps

Mbreti Zog e mori me qira shtëpinë Parmur nga familja Krips dhe ata qenë ndër të parët vizitorë. Fred Kripsi, që banonte në Fermën Moor në Lane End, ka shkruar për vizitat te mbreti Zog: “Kur i vajta për vizitë, nuk gjeta atje një nga krerët kaçakë që më kishin thënë se do të hasja, por një burrë të zgjuar, të mirinformuar, shumë të sjellshëm dhe të respektueshëm. ‘Nuk kam të drejtë’, më tha, ‘të rri në shtëpinë tuaj. Ju lutem të vazhdoni ta quani Parmurin si shtëpinë tuaj, ndonëse më është dhënë leja ta përdor.’ Ai fliste

frëngjisht, sepse nuk dinte mirë anglisht. Ishte një mysliman i prerë… por nuk ishte mendjengushtë: të parën gjë që kishte bërë kur kishte ardhur në Parmur, kishte qenë porosia për t’i sjellë një shishe shampanje. Unë u bëra mik mjaft i ngushtë me Zogun dhe veja ta shihja mjaft shpesh. Mësova se ai dinte shumë gjëra lidhur me atë që po ndodhte në Europë, sidomos për Gjermaninë. Ishte e qartë se ai dhe mbretëresha e donin shumë njëri-tjetrin dhe po kalonin një farë muaji të mjaltit në Parmur.”

 

 

Vdiq mbreti, rroftë mbreti!

Mbreti Zog vdiq në spitalin Foch, në Suresnes afër Parisit më 9 prill 1961. Mbretëresha Geraldinë kujton: “Atë pasdite kur im shoq, mbreti Zog i Shqipërisë, vdiq në një klinikë në Suresnes të Francës, e shtrinë në një sallë të vogël. U ndezën qirinjtë në krye të arkivolit dhe im bir me të tjerë njerëz bënë rojë pranë mbretit të vdekur. Unë me motrën vajtëm në një bujtinë vendëse, ku që më parë kishim rezervuar dhomat. Isha e mbaruar

fare, sepse rrallë isha larguar nga shtrati i tim shoqi gjatë pesë javëve të lëngimit të tij.”

Varrimin e organizoi nipi i mbretit Zog, Skënder Zogu.

Mbreti Zog u varros në Parcelën 89 të Varrezës së Parisit Thiais. Më vonë aty afër janë varrosur anëtarë të tjerë të familjes së tij dhe mbështetësit besnikë.

 

Pastroje me Zog

Qëlloi që në Angli, më 1910-ën, u ngrit një kompani e quajtur Zogu sh.p.k. për të shitur pastruesin e njollave Zog. Kompania e kishte qendrën në Sheshin Soho, nr. 12a, në Londër dhe më pas në Rrugën Middlesex, nr. 6a në Londër.

 

Blerja dhe likuidimi i Zogu sh.p.k

Zogu sh.p.k u ble nga Vëllezërit Lever sh.p.k. në shkurt 1923. Leverët e kaluan prodhimin në fabrikën që ndodhej në Port Sunlight. Shoqëria u likuidua në dhjetor 1923. Më 1926 u formua një shoqëri tjetër, që përdori po atë emër dhe më 22 prill 1926 mori markën tregtare e zellin për biznesin. Qe një përkim që u shpall Mbretëria e Shqipërisë me mbretin i cili e kishte emrin Zog. Ndonëse ky ishte emër i nderuar në Shqipëri, në Britani shkaktonte humor.

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 65 here.
Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP“Proces 2012” është ekspozita që çelet sot në orën 11:00 në Galerinë FAP. Më punime të realizuara nga studentët e Atelierit të Tekstilit dhe të Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve në Tiranë.   Lexo te gjithe artikullin »


» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor
» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit