Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Sport - 29 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Federata Shqiptare e Futbollit do të krijojë një Komision Etike që do të merret me procedurën e shqyrtimit dhe vlerësimit të informacioneve që mbërrijnë nga UEFA lidhur me dyshimet për trukime të ndeshjeve të skuadrave shqiptare. Ky Komision, anëtarët e të cilit do të miratohen nga Asambleja e Zakonshme e FSHF-së (që do të zhvillohet më 22 shkurt 2012 në Shkodër), do të funksionojë mbi bazën e një rregulloreje të posaçme, që do të quhet Kodi i Etikës së FSHF-së.
Ky komision do të shqyrtojë çështje të tilla, si: përfshirja e zyrtarëve, lojtarëve, trajnerëve etj, në marrje ryshfetesh, përfshirja në baste dhe trukime ndeshjesh, konflikti interesi, diskriminimi etj… Si do të funksionojë? “Përcaktimi i procedurës së shqyrtimit dhe vlerësimit të informacioneve të sjella nga UEFA lidhur me dyshimet për ndeshjet e trukuara.
Deri në përcaktimin e Komisionit të Etikës, informacionet e sjella nga UEFA lidhur me dyshimet për ndeshje të trukuara, pasi të bëhet seleksionimi i tyre sipas nivelit të dyshueshmërisë se trukimit 1, 2 apo 3, ku pa dyshim niveli 3 është ai më i larti, do të kalojnë në Komisionin e Disiplinës, i cili do të ngarkojë Inspektorët e Disiplinës për të hetuar lidhur me këto informacione. Raporti i tyre do të shqyrtohet nga Komisioni i Disiplinës, i cili më pas do të marrë vendime”, thuhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.