Fundviti, nuk do te kete shperblime per pensionistet, fondi rezerve i boshatisur
Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 31 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Emirjon Senja
Vendimi për mos shpërndarjen e shpërblimeve për pensionistët nuk çudit. Kjo jo për faktin se në buxhet mungojnë paratë, por se fondi rezervë i Këshillit të Ministrave nga i cili dalin shpërblimet është ezauruar muaj më parë nga qeveria. Ezaurimi i fondit rezervë pasqyrohet edhe në relacionin e buxhetit të vitit 2012. Por si është përdorur deri më tani Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave? Qeveria shpjegon vetë se deri në fund të shtatorit e ka prekur fondin rezervë me 27 vendime duke shpenzuar 1.6 miliardë lekë nga rreth 1.9 miliardë lekë nga sa është totali ose rreth 85 për qind të tij. Deri në fund të shtatorit, ekzekutivit i kanë mbetur edhe 300 milionë lekë, ndërkohë që për shpërblimin e pensionistëve nevojiten minimumi 1.4 miliardë lekë.
Për çfarë e ka përdorur qeveria gjithë këtë fond gjatë nëntë muajve të parë të vitit? Gjysma e fondit të shpenzuar (1.6 mld lekëve), ka shkuar për të shpërblyer punonjësit e policisë dhe Gardës së Republikës që shërbyen gjatë demonstratës së 21 janarit pranë godinës së Kryeministrisë. Krahas shpërblimit të tyre, qeveria ka përdorur këtë fond edhe për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve speciale në shërbim të gardës. Menjëherë pas demonstratës, qeveria u angazhua të blejë gaz lostjellës, pajisje të tjera për policinë, si dhe makina ujë hedhëse për shpërndarjen e turmës. “Rreth 54.2 për qind e fondit rezervë, ose rreth 904.3 milionë lekë i janë dhënë Ministrisë së Brendshme, nga të cilat përmendim fondet për shpërblimin e punonjësve të policisë së shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, të angazhuar në mbrojtjen e institucioneve të shtetit; fondet për blerje pajisjesh, mjetesh dhe materialesh speciale, në plotësim të nevojave të policisë së shtetit dhe të Gardës së Republikës”, – shpjegon ministria e Financave në relacionin e buxhetit të shtetit për vitin 2012.
Nuk ka “Gjel deti” për pensionistët këtë vit
Pensionistët në të gjithë vendin do të festojnë një Vit të Ri ndryshe këtë vit. Qeveria nuk do të shpërndajë gjatë ditëve të fundit të dhjetorit shpërblimin për moshat e treta siç ishte bërë zakon gjatë këtyre viteve. Vendimi i përfolur deri më tani, u zyrtarizua dje nga vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili theksoi se qeveria nuk ka mundësi ofrojë shpërblim fundviti për pensionistët, për shkak të mungesës së fondeve. “Deri më sot ne nuk kemi mundësi. Bëmë rritjen e pensioneve gjatë vitit, kurse në disa shtete të tjera kemi të bëjmë me ulje. Nuk patëm ulje, ndoqëm politikën e rritjes, ato shpërblime që përdorëm herë pas herë nuk do të jenë këtë vit”. Në këtë mënyrë, Bode ka justifikuar mungesën e shpërblimit këtë fundivit, pasi sipas tij pensionistët e kanë përfituar “Gjelin e Detit” nga rritja që ka aplikuar qeveria deri më tani tek pensionet.
Janë rreth 570 mijë pensionistë në të gjithë vendin, të regjistruar në listat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pjesa më e madhe e tyre përfitojnë pension pleqërie. Fillimisht gjatë viteve 2007-2008, qeveria shpërndau nga 5 000 lekë për çdo pensionist, shumë e cila përkon afërisht edhe me vlerën e një gjeli sot në treg, nga ku u nis edhe Kryeministri Berisha për t’a emërtuar shpërblimin si: Gjeli i detit për pensionistët.
Paratë për shpërblimin e pensionistëve merren nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, i cili për vitin 2011 ishte në shumën e 19 milionë dollarëve. Bashkë me fondin e kontigjencës për ruajtjen e Deficitit Buxhetor, fondi në përdorim të Këshillit të Ministrave ishte në shumën e 53 milionë dollarëve. Gjatë viteve të shkuara, qeveria kishte nxjerrë nga arka e saj rreth 14 milionë dollarë për t’ia shpërndarë pensionistëve. Por, nëse kursehet për pensionistët, qeveria nuk bën të njëjtën gjë kur vjen çështja për shpërblimin e kompanive të lobuese të saj. Pak javë më parë, ekzekutivi miratoi dhënien e një shpërblimi prej 20 milionë lekë nga Fondi Rezervë për kompaninë lotuese “Patton Bog’s”, e cila kujdeset për imazhin e qeverisë në botë.
Në korrik, qeveria miratoi një rritje 7 për qind për pensionet e fshatit dhe 5 për qind për pensionet e qytetit. E përkthyer në para, kjo rritje përkonte me 500 lekë për pensionistët e fshatit dhe 900 lekë për pensionistët e qytetit. Deri më tani, shpërblim fundviti kishte përfituar personat që marrin pension pleqërie, invaliditeti, familjar, pensione të posaçme. Shpërblime gjithashtu merrnin edhe veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që nuk përfitonin pension tjetër, trajtime të veçanta si punonjës të nëntokës dhe industrisë ushtarake, si dhe ish – ushtarakët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
I dyti vit pa shpërblim
Fillimisht, gjatë viteve të para të ardhjes në pushtet, qeveria Berisha miratonte një shpërblim prej 5 000 lekë në fundviti për pensionistët. Në vitin 2009, shuma u përgjysmua duke bërë që pensionistët të merrnin nga 2 500 lekë. Në vitin 2010, nuk u shpërnda asnjë lek. Qeveria nuk shpjegoi publikisht arsyen, ndërkohë që fondi rezervë i Këshillit të Ministrave sapo ishte prekur asokohe për blerjen e një makina të blinduar me vlerë 700 mijë dollarë si dhe ishte i dërrmuar nga shpenzimet gjatë përmbytjeve në Shkodër. Ky është i dyti vit që pensionistët nuk marrin më shpërblim për fundvit.
10 mijë lekë shpërblim për administratën
Të gjithë personat e punësuar në shtet do të përfitojnë një shpërblim prej 10 mijë lekësh në fund të vitit. Ministri i Financave, Ridvan Bode dha dje lajmin e keq për pensionistët dhe të mirin për punonjësit e administratës. Shuma në fjalë do të kalojë në llogaritë bankare të të gjithë punonjësve që i përkasin sektorit publik, siç janë infermierët, mësuesit, etj. “Për administratën do të jetë fondi që kemi përdorur çdo vit. Do të jetë një 10 mijë lekësh për çdo të punësuar”, – tha Bode. Në fakt, shuma që do të përfitojnë realisht të punësuarit është 9 mijë lekë pasi kur të hidhet në llogarinë bankare, ajo do të tatohet me 10 perqind. Qeveria ka hequr prej disa vitesh pagën e 13, e cila ishte dhënë vazhdimisht për të punësuarit në shtet duke e zëvendësuar atë me një shpërblim të përvitshëm. Përfitimi nga shpërblimi është të paktën katër herë më i vogël se paga mesatare nëse punonjësit do të vijonin të merrnin pagën e 13.
Por edhe në drejtim të shpërblimev,e ekzekutivi ka ndërmarrë disa ndryshime ligjore vitet e fundit duke ulur masën e përfitimit. Disa ndryshime të miratuara para një viti, ulën përfitimet për punonjësit e institucioneve shtetërore jo buxhetore. Fondi i pagave dhe shpërblimeve të këtyre të fundit vendoset tashmë nga vetë qeveria. Mjaft institucione publike si dhe ndërmarrje shtetërore apo gjysmë shtetërore ishin të pavarura në përcaktimin e nivelit të shpërblimeve për punonjësit. Masa e shpërblimeve në to përcaktohej nga organet kolegjiale drejtuese kryesisht duke u bazuar mbi situatën financiare të kompanisë. Rregulla edhe më të forta u vendosen për ndërmarrjet, të cilat dalin bilanc negativ dhe subvencionohen nga buxheti i shtetit. Në këtë rast është qeveria ajo që vendos për nivelin e pagave apo dhe modulet e shpërblimeve të punonjësve në fjalë.