Publikuar me : 09.01.2012 Ne :
Sport - 43 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Xhek Preçetaj
Çmenduritë për dashurinë janë vërtet të pafundme. Një grua në Angli ka vendosur të martohet me të shoqin duke veshur një fustan nusërie i cili i dedikohet ekipit të Mançester Sitit. Nusja në këtë rast e ka bërë si një dhuratë për burrin e saj, duke qenë se ky i fundit është një tifoz i çmendur i Mançesterit. 38-vjeçarja Karen Bell ka vendosur që të paraqitet në altar jo si të gjitha nuset, me fustan të bardhë, por me një fustan të sajuar me ngjyrat dhe me stemën e ekipit.
Kjo gjë ka habitur dhe vetë dhëndrin. Simon u shpreh: “Kisha sakrifikuar koleksionin tim të bluzeve të ekipit të Mançester Sitit si shenjë dashurie ndaj Karenit. Por nuk do ta mendoja kurrë që ajo do t’i përdorte ato për të bërë një fustan nusërie. Kur e pashë, mbeta pa fjalë”. Ndërkohë në krahun tjetër Karen u shpreh për mediat angeleze: “Mendova se do t’i bëhej qejfi nëse e shihte fustanin dhe u gëzova shumë që arrita ta befasoj. Edhe pse më duhet ta pranoj që nuk ishte aspak e lehtë të krijoje këtë fustan.
Më është dashur të punoja për gjashtë net rresht që të arrija të përfundoja fustanin”. Ky gjest dashurie nuk i pëlqeu vetëm çiftit, por të gjithë tifozëve të ekipit. Pasi pas mbarimit të ceremonisë, çifti nuk u drejtua drejt restorantit apo muajit të mjaltit. Ata vendosën t’i bashkoheshin të gjithë tifozëve të tjerë në stadium për të parë ndeshjen e Mançester Sitit. Një ndeshje kjo e fituar nga Mançester Siti kundër Stok Sitit.