Publikuar me : 17.12.2011 Ne :
Sport - 99 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Shpresat e futbollistëve dhe stafit të Tiranës për zgjidhjen e problemeve të tyre financiare janë mbushur vetëm me premtime të reja. Bardheblutë janë pritur në Bashkinë e Tiranës nga titullari i këtij institucioni Lulzim Basha, njëkohësisht dhe nismëtari i këtij takimi. Për shkak të tejzgjatjes së ngërçit financiar, kryetari i bashkisë së kryeqytetit ka dashur t’i sigurojë personalisht të gjithë futbollistët dhe stafin se zgjidhja e problemeve të tyre është fare e afërt.
Në tratativa për gjetjen e bazës ligjore për trasferim fondesh nga buxheti i bashkisë në xhepat e futbollistëve, Basha ka gjetur sërish mirëkuptimin e ish-presidentit Refik Halili, për të paguar rrogat e muajit tetor dhe ka premtuar se detyrimet e tjera do të shlyhen para mbylljes së këtij viti kalendarik. Një tjetër premtim i Bashës ka qenë miratimi së shpejti i fondi prej 80 milionë lekësh për klubin e futbollit në buxhetin e ri të bashkisë.
Në këtë takim është bërë edhe prezantimi i drejtorit të ri të klubit të futbollit, Sali Tagani, i cili ka siguruar se shumë shpejt, Tirana do të krijojë një model të ri drejtimi ekonomik, sipas eksperiencave më të mira ndërkombëtare.
Në gjithë këtë tablo, nuk mund të vihet në dyshim vullneti i drejtuesve të bashkisë dhe njëkohësisht pronares 100 perqind të shoqërisë aksionere, mbi të cilën funksionon prej dy muajsh klubi i futbollit Tirana, por skepticizmi dhe dyshimi i një pjesë të futbollistëve bardheblu, qëndron në faktin së afërsisht të njëjtat premtime kryetari i bashkisë i pati bërë edhe në vigjilje të sfidës së luajtur në “Qemal Stafa” kundër Skënderbeut, tregues se zgjidhjet e lehta dhe të shpejta mungojnë dhe se të gjithë ata që presin shpërblimin për mundin e tyre, do të mund të flenë të qetë se e ardhmja financiare është e sigurtë vetëm ditën që bashkia do të nxjerrë në treg aksionet e klubit të futbollit dhe ofertës do të mund të përgjigjen pozitivisht me dhjetëra ose më mirë me qindra biznesmenë që do të investojnë si aksionerë në klubin më të mirë të futbollit në Shqipëri.