Publikuar me : 14.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Petrit Ruka
Parapak ditësh në Galerinë e Artit, në Fier, u hap një ekspozitë me punime të Piktorit të Popullit, Vilson Kilica. Sikur kësaj fraze informative t’i heqësh emrin e Kilicës, mbetet të jetë një kronikë e zakonshme gazetarie. Një nga ato qindra njoftime rutinë për kaq e kaq ekspozita, të cilat, mu për faktin e thjeshtë të dendurisë të kalojnë anës veshit, pa të bërë përshtypje. Por kur dëgjon një emër kaq të njohur e të shquar të pikturës shqiptare, ndjen brenda vetes të të zgjohen një mori pyetjesh të dhembshura. Akoma pikturon mjeshtri? Akoma nuk i dridhet dora e nuk e ka mundur pleqëria? Si është e mundur?! Sepse është një gjë e rrallë dhe kaq e bukur.
Gjëja e parë që bën, në se je një adhurues i këtij arti magjik, është hapja e një faqeje informative për të mësuar moshën e tij dhetë dhe të mësosh se Kilica pak pak muajsh mbush plot 80 vjeç. Tetëdhjetë vjeç dhe boja e fresket e punëve që janë të varura në galerinë e Fierit, qytetit të tij të dashur, janë dy gjëra joforttëzakonshme në këtë botë. Punët janë të kohëve të fundit. Mjeshtri vijon të pikturojë ende pas 60 e ca vjetësh. Sepse punët e tij të para të vizatimit kanë këtë moshë. Të mbështjellë një valë e vetvetijshme dhembshurie për artistë të tillë që janë gurët e rëndë të historisë së gjallë të pikturës shqiptare e që nuk duan të ndahen prej pasionit, nga që ai është vetë jeta e tyre. Të atyre që e nisën nga hiçi këtë art dhe themeluan shkollën akademike të pikturës në këtë vend. Mjafton të dish, se më 1960, vetëm dy vjet pasi kishte ardhur me një diplomë të shkëlqyer (otliçno) nga Akademia e Leningradit, bëhet drejtori i shkollës së parë të lartë për pikturën në Shqipëri, (Instituti i Arteve Figurative)
Ai ishte ende një fëmijë, kur ulej pranë të dy dajave të tij, vëllezërve të nënës, që ishin ikonografë në Fier dhe shikonte magjinë e ngjyrave. Ishte akoma shumë i vogël për të ditur se rridhte nga një familje e madhe patriotike dhe se ishte nip i një burri të madh si Tonçi Kilica, që kishte ngritur flamurin në Fier më 1912 dhe kishte qënë Kryetari i parë i Bashkisë. Gati njëqind vjet më vonë, qyteti do ta derdhte në bronx këtë burrë për ta patur si një burim krenarie në mes të tij. Një xhaxha tjetër i babait, edhe ky kryetar bashkie, më vonë ishte dërguar prej Ismail Qemalit si diplomat i qeverisë së parë shqiptare nëBari, Itali. Vilsoni po rritej midis kësaj shkolle të madhe shqiptarie duke rënë në dashuri me vizatimin vit pas viti edhe prej vëllait të madh Janaq Kilicës, një nxënës i shkëlqyer, me prirje të theksuara vizatimi. Nuk kishte mbushur akoma 12 vjeç kur mësoi se Janaqi, kishte rënë dëshmor më 5 mars 1944 duke e shtuar gjakun e tij të kulluar prej 19 vjeçari në tablonë e madhe të lirisë dhe tek e kuqja e Flamurit të Çlirimit. Një fëmijëri dramatike përmes kobit të luftës dhe ëndrrave të mëdha të lirisë, që i piqnin para kohe fëmijët, i bënin më të fortë dhe më këmbëgulës. E dallon këtë menjeherë tek Vilsoni që ndërsa mbaronte shkëlqyeshëm shkollën 7 vjecare ditën, në kohën e lirë, i ndihmuar prej pedagogut të tij Pano Noçka që e ndihmonte për të ushtruar vizatimin, pregatiste me duart e tij dekoret e mëdha festive për qytetin.
Ëndrra e tij është bërë piktura, mbarimi i Liceut Artistik të sapo hapur dhe në vitin 1948 është aty si nxënës. Është me fat sepse ka pedagog një piktor të madh si Sadik Kacelin, që vjen prej shkollës franceze. Por edhe ai e shtyn fatin e tij përpara duke mbaruar shkëlqyeshëm dy vite shkollor në një vit kalendarik dhe duke rrëmbyer si trofe të rezultateve të tij të shkëlqyera një medalje ari në përfundim të Liceut.
Në po këtë vit Vilson Kilica merr rrugën si qindra student të tjerë drejt ish Bashkimit Sovjetik. Në shtator të vitit 1952 është student i Akademisë së Arteve “I. E. Rjepin” të Leningradit” (sot Shën Petërburg). Formimi i mirë në liceun artistik, vullneti dhe aftësitë krijuese individuale bëjnë që të dallohet menjëherë midis studentëve të vendeve të ndryshme. Shkolla e madhe e pikturës ruse është ajo që është, me tërë atë famë rrezëllitëse. Por në vitet e para punimet në pikturë, vizatimet e kompozimet e realizuara gjatë viteve të studimit i nënshtrohen fondit artistik metodik të Akademisë. Vetëm tre vitet e fundit studion në ateljen e profesor B. V. Ioganson (President i Akademisë së Arteve të Bashkimit Sovjetik). Aty ka më shumë liri krijuese për Kilicën dhe realizon disa punë me vlerë, që ende sot janë të denja për një piktor si ai. Njerën prej tyre, të titulluar “Studenti kinez”, e mban ende në fondin e saj galeria. Diplomën e mbron me një kompozim të madh (3×2) që titullohet “Të papunët”
Fundi i studimeve dhe kthimi në atdhe e gjen me një diplomë të shkëlqyer nga ato që rusët i quajnë otliçno. Vitin e parë punon si inspektor i Arteve Figurative në Ministrinë e Arsimit. Por Shqipëria ka nevojë të hap një shkollë të lartë për Pikturën dhe ai është drejtori i parë i Institutit të Arteve Figurative. Sot duket një gjë e thjeshtë, por në ato vite ai dhe shokët e tij e nisnin prej fillimit themelimin e një Akademie. Programe, tekste, leksione, organizim, metodika pune, gjithçka nga e para. Punë, telashe pa fund, mbledhje, dhembje koke, idealizëm dhe mbi të gjitha këto; dashuri, dashuri dhe bindje se po i shtojnë një pasuri të nderuar atdheut të tyre. Brez i çuditshëm idealistësh që punojnë në kushte që sot mund të quhen heroike.Potani kjo fjalë është harruar dhe gati ka dalë nga fjalorët dhe prej përdorimit. Një gjë e dhimbshme harresa, një plagë që duhet shëruar nga trupi i kulturës së nderimit, me të cilin çdo komb bën përpara.
Për dhjetë vjet rresht është drejtues i Institutit të Lartë të Arteve, duke ia dhënë vitet më të mira të jetës së tij arsimit të artistëve të ardhshëm. Më 1969 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.Popas katër vjetësh e përfshin ndëshkimi i planifikuar. Më 1973 përjashtohet nga organet drejtuese të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për pikëpamje liberale në drejtimin e saj. Është koha kur Pleniumi i katërt kërkon të rrafshojë e të përmbysë një frushullimë lirie që hapet diku përmes asaj vape ideologjike të padurueshme. Kthehet pedagog i thjeshtë sërish në Institut.Porënia nuk ka ardhur ende. Pas një viti përfundon mësues vizatimi në një shkollë 8 vjeçare në Fier. Merr me vete edhe familjen. Kohë dëshpërimi. Por pikërisht midis këtij dëshpërimi krijon disa nga punët e tij më të mira. “Gjyqi i Sinjës” dhe u “Kthefsh me lirinë.” Titujt duket sikur përkojnë me atë që ndodh brenda tij.
Më 1981 rikthehet pedagog në Istitutin e Arteve dhe drejton Atelien e Pikturës Monumentale. Pokëtë vit së bashku me katër bashkëpunëtorë realizon një vepër të madhe siç është mozaiku “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Kombëtar. Qysh prej 1969 kur merr në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative çmimin e parë në pikturë, (kompozim) ai është edhe tre herë të tjera fitues i Çmimit të lartë të Republikës. Për talentin dhe kontributin e tij të shquar më 1987 i akordohet titulli “Piktor i Popullit” dhe po këtë vit del në profesion të lirë.
Kjo është jeta e tij, ajo që duket dhe mund ta gjesh të shkruar diku tek ndonjë katalog a në ndonjë libër arti, po ajo tjetra, jeta tjeter e madhe e tij e botës së ngjyrave mbetet gjithmone e palexueshme deri ne fund. Ashtu siç ndodh gjithmonë me artistë të tillë të mëdhenj të figures, që shpirtin e tyre e kanë aty, në ato qindra e qindra punë, nëpër atë botën misterioze të linjave e të ngyrave të përziera në mendjen e tyre, qysh përpara se të shtrydhen prej tubetave e të prekin penelat që i presin përgjumshëm. Akoma më e vështirë bëhet kjo gjë kur ulesh e pret që “ta lexosh” Vilson Kilicën, këtë burrë fisnik me një modesti të lindur ndaj krijimtarisë së tij. Nuk të mbetet veçse ta kërkosh e t’ia gjesh karakterin në vetë pikturën e tij të mrekullueshme.
Si gjithë piktorët e brezit të tij, vepra e Vilson Kilicës mbizotërohet nga një përcaktim tematik i kërkesave ideore e politike të kohës. Dominon gjinia e kompozimit figural, por shquhet edhe për portretin dhe peizazhin.Nise vazhdon me një pikturë realiste por gjithandej e vëren tendencën për të qënë në kërkim, që shpesh për nga forma afrohet me artin modern europian të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Teknikë e thjeshtë në të pikturuar, por një mjeshtëri e lartë që e mjegullon detyrimin tematik të kohës. Gjithmonë i tërhequr nga vlera dekorative e pikturës dhe tejet shqiptar në ndjeshmërinë e skajshme ndaj fuqisë së ngjyrave të forta e me kontraste të skajshme, ashtu siç i gjen në tërë kulturën etnografike popullore shqiptare. Është po ajo preferencë e shpirtit shqiptar në këtë kah edhe tek piktura e Mjeshtrit. Preferenca e pikturimit të planeve të sheshta dekorative edhe në veprat e tij realiste i jep stilit të tij një individualitet të shquar.
Filozofia e pikturës te Kilica është e qartë dhe e thjeshtë duke qëndruar larg skemave të stisura dhe moderne sezonale. Koha vërtet i rinovon drejtimet dhe shijet artistike, por gjithmonë nuk e ndryshon dot po kaq shpejt formimin estetik të krijuesit. Kjo ndodh, sepse siç shprehet vetë “një vepër arti, sado modeste të jetë nga motivi apo përmbajtja, mbart brenda saj edhe një pjesë të filozofisë krijuese të autorit”.
Ajo që të emocionon te Kilica është çfarë shikon tek kjo ekspozië e sapohapur, e katërta për nga radha pas viteve 1990. Diçka e re, e freskët dhe mjeshtërore. Besnik i individualitetit të tij artistik e gjithmonë në kërkim të emocionit. Më pak portrete e kompozime, por me peizazhe të mrekullueshme plot dritë dhe sharm estetik. Aktiv, si të ishte ai djaloshi i dikurshëm i viteve të para, gjithmonë duke punuar, i bindur se nuk di të bëj gjë tjetër më të mirë në jetë, se sa ajo që është thelbi jetës së tij, ngjyra dhe drita që ka brenda në zemër. Si për të mundur e kompesuar një pikëllim të gjatë, të fshehur e të pashprehur në jetën e tij artistike, Kilica është vënë në garë me moshën e tij. E di që është fizikisht një moshë që tenton muzgun, po ai ka me çfarë ta sfidojë. Mund ta mbush me ngjyrat dhe dritën e botës së tij, që si për inat të viteve, në pikturën e Vilsonit bëhet gjithmonë më e praruar e më fisnike. Mjeshtër, mos harro të na ftosh në ekspozitën tjetër!