Publikuar me : 28.11.2011 Ne :
Kronike - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Flamur Vezaj
TIRANË- Gjyqtarja Elbana Lluri, ndryshe nga të gjithë kolegët e saj që kishin vendosur pezullimin e shqyrtimit të padive civile deri në përfundim të procesit penale ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, ka vendosur që “shkaktarët” e kësaj tragjedie të dëmshpërblejnë me 20 milion lekë të reja familjarët e të ndjerit Endri Dvorani, që humbi jetën nga shpërthimi i “fabrikës” së demontimit të municioneve.
Ishte kjo gjyqtare, e cila brenda 13 seancave gjyqësore, shqyrtoi padinë civile të familjarëve të ish-magazinierit të punishtes së Gërdecit dhe vendosi që palët e paditura Ministria e Mbrojtjes, ndërmarrja “MEICO”, shoqëria “Albademil” dhe kompania amerikane “Southern Ammunition Company INC” (SAC), t’i paguajnë solidarisht paditësve shumën prej 20 milion lekë të reja. Kjo shumë, sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që në ditët në vazhdim pritet të zbardhet i arsyetuar, është bazuar mbi akt-ekspertimin vlerësues të dëmeve nga eksperti A.Bakiu.
Ky i fundit, mësohet se ka arritur në konkluzionin se, të paditurit Ministria e Mbrojtjes, ndërmarrja “MEICO”, shoqëria “Albademil” dhe kompania amerikane “SAC” solidarisht duhet të paguajnë shumën prej 20 milion lekëve të reja paditësve. “Kjo shumë, do të paguhet si shpërblim të dëmit pasuror në formën e shpenzimeve për ushqim dhe jetesë për të gjithë paditësit, dy fëmijët e të ndjerit (A.D.; D.D.), bashkëshortja (M.D.) dhe dy prindërit e të ndjerit (K.D.; M.D.). Si dhe në formë të shpërblimit jo pasuror për të gjithë paditësit për cenimin e të drejtës Kushtetuese dhe ligjore të pësuara nga vdekja e menjëhershme dhe e dhunshme e të ndjerit Endri Dvorani për shkak të faktorëve të jashtëm të shpërthimeve dhe zjarrit masiv në Gërdec”-thuhet ndër të tjera në përfundimin e ekspertimit të A.Bakiut, që pritet të renditet edhe në arsyetimin e vendimit të gjyqtares Lluri.
Nga ana tjetër, paditësit në kërkesë padinë e tyre, të dorëzuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë më 17 Mars 2011, ndër të tjera në total kërkonin që togat e zeza të urdhërojnë “shkaktarët” e tragjedisë së Gërdecit të paguajnë në formë dëmshpërblimi shumën prej rreth 18 milion lekë të reja. Shumë kjo, që me shqyrtimin gjyqësor u ndryshua edhe nga vetë paditësit, pasi në seancën e pestë gjyqësore, paditësit bënë shtimin e kërkesë padisë, duke paditur edhe kompaninë amerikane “SAC” në këtë proces civil.
Vendimi i gjyqtares Lluri, është i pari i këtij lloji, edhe pse para kësaj padie të familjarëve të të ndjerit Dvorani, shumë familjarë të viktimave apo të dëmtuar e gjymtuar nga tragjedia e Gërdecit kanë paditur civilisht institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjen MEICO e kompaninë “Albademil” e “SAC”, por, paditë e tyre janë pezulluar deri në pritje të vendimit penal ndaj 29 të pandehurve të kësaj ngjarje. Proces gjyqësor ndaj 29 të pandehurve tashmë ndodhet në fazën e pretendimeve përfundimtare të mbrojtjes, pasi prokurorët e çështjes kanë përfunduar duke kërkuar dënimin e të gjithë të pandehurve të këtij procesi me burg e gjoba të ndryshme.
Sipas të dhënave të siguruara nga togat e zeza, mësohet se ish-magazinieri i punishtes së demontimit në Gërdec i ndjeri Endri Dvorani është vëllai i anëtarit të Gjykatës së Lartë Adrian Dvorani, i cili së fundmi drejton pesëshen gjykuese në procesin penal ndaj zv/kryeministrit Meta.
Shifrat e tmerrit të Gërdecit
Më 15 Mars 2008 ish-reparti i tankeve në Gërdec, që ishte përshtatur si punishte për demontimin e municioneve të lehta dhe të rënda nga shoqëria shqiptare “Albademil” e kontraktuar nga kompania amerikane “Southern Ammunition Company INC” (SAC) shpërtheu, duke sjell vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerë të gjymtuar. Shkaku i shpërthimit, sipas hetimeve të prokurorisë, ka qenë shkëndija e zjarrit e ardhur nga saldimi i një karroce hekuri që shërbente për transportimin e barutit, e cila nga nxehtësia ka shkaktuar zjarr në barutin që ishte hedhur në tokë. Më pas, ky zjarr është shpërndarë duke arritur edhe në magazinën (tunelet ku strehoheshin tanket dikur) ku ishte grumbulluar mbi 700 tonë barut i cili eksplodoi duke sjell pasoja të rënda për shëndetin dhe dëme të mëdha materiale.
Kabllogrami amerikan për djalin e kryeministrit
Kabllogrami sekret i Ambasadës Amerikane të Tiranës i datës 20 qershor 2008, i bërë publik nga WikiLeaks, përcjell detaje të rëndësishme për tragjedinë e Gërdecit, të cilat ajo i ka siguruar pas një takimi që ambasadori Ëithers ka zhvilluar me Shefin e Shtabit, Luan Hoxha me kërkesë të këtij të fundit.
“Në një klimë politike të nxehtë, shefi i Ushtrisë, Luan Hoxha kërkoi të takohej me ambasadorin për të folur rreth shkarkimit nga detyra, bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme, përfshi pikëpamjet dhe faktet rreth Gërdecit”, shkruhet në hyrje të kabllogramit.
Në këtë takim gjeneral Hoxha ka treguar ngjarjen, sipas versionit të tij, për atë që ndodhi më 15 mars 2008. Gjatë gjysmës së projektit në dhjetor 2007, presioni mbërriti përmes telefonit nga një djalë i ri, i cili më pas sipas Luan Hoxhës, u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit. Dëshmia e Hoxhës thotë se pas telefonatës u vijua me dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa patur asnjë vonesë.
Gjithnjë, sipas kabllogramit, gjeneral Luan Hoxha është pyetur nga ambasadori Ëithers nëse këtë informacion ia ka përcjellë Prokurorisë, ai është përgjigjur “Po” dhe se ia ka paraqitur të gjithë dokumentacionin prokurorëve, por jo atë pjesë për djalin e kryeministrit, pasi për Hoxhën ishte jo e sigurtë që të fliste.
Që hetimi të jetë i sukseshëm ka sugjeruar ambasadori Ëithers, atëherë ata që e dinë të vërtetën duhet të flasin. Zoti Hoxha gjatë bisedës ka pranuar që në interes të drejtësisë ai duhet të flasë, por nuk ka konfirmuar nëse do ta bënte një gjë të tillë. Gjithashtu Hoxha ka pohuar se janë edhe shumë të tjerë që e dinë këtë informacion.
Duke komentuar deklarimet e Luan Hoxhës ambasadori Ëithers thotë:
“Ky është incidenti i dytë kur një zyrtar, i shpreh shqetësim i rrethuar nga frika për jetën dhe profesionin në mënyrë konfidenciale një ambasadori. Rasti i parë është ai i nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Disa prova të tjera mbështesin versionin e ngjarjeve të përshkruara nga Luan Hoxha. Si shef i ushtrisë marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura, sikurse në marrëdhëniet tona, ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij.
Sipas të dhënave publike, prokurorja e përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj përtej nga ushtrisë në vetvete dhe Mediut kjo mbase provat e kanë çuar në atë drejtim deri më tani. Nëse versioni Hoxhës përmban elementë të vërtetë – shkruan Ëithers – mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse kryeministri ka avancuar më përpara sulmet konstante në institucionet e pavaruara pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar duke ngritur pikëpyetje për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n”.
Zvarritjet e procesit të Gërdecit
Zvarritjet e natyrës proceduriale të provokuara nga pala e paditur në çështjen gjyqësore lidhur me Gërdecin kanë bërë që gjyqi të jetë kilometrik, por tani ka mbetur fare pak: mbrojtja do të thotë fjalën e vet përfundimtare dhe pastaj trupi gjykues do duhet të shpallë vendimin. Prokurorisë iu deshën më shumë se 10 ditë për të lexuar përfundimet e veta voluminoze (vonesa nuk ka të bëjë me volumin e hetimit), por ia dolën të japin pretencën. Siç pritej, prokurorët kanë kërkuar dënimet maksimale për ata që janë parë si përgjegjës kryesorë të tragjedisë që ndodhi në Gërdec, ku mbetën të vdekur 26 vetë e të plagosur dhjetra të tjerë.
Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Ylli Pinarin, Dritan Minxhollin dhe Mihal Delijorgjin. Për të akuzuarin tjetër Sokol Ngjeci, prokuroria ka kërkuar masën e dënimit me 23 vite burg, kurse për Luan Hoxhën 8 vite burg. Po kaq vite burg është kërkuar edhe për të akuzuarin Shpëtim Spahiu, Shkëlzen Madani e Dashnor Çaushi; 7 vjet burg për Ardian Mullain, 6 vjet burg për Zija Bajën dhe 4 vjet burg për Agim Lalën.
Krahas këtij procesi në rrugë gjyqësore ka patur dhe një proces mediatik, në qendër të të cilit është kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe djali i kryeministrit Shkëlzen Berisha. Hetimet e prokurorëve nuk arritën deri tek këta dy emra.
Dënime po aq të ashpra sa pretenca?
Publiku shqiptar masivisht nuk beson se vendimet për Gërdecin do jenë po aq të ashpra sa ç’ka kërkuar në pretencë prokuroria. Sondazhit online: “Prokurorët u kanë dhënë dënimin maksimal të pandehurve për “Gërdecin”. Besoni se gjyqtarët do jenë njësoj të ashpër?” 1410 lexues I janë përgjigjur si më poshtë vijon: PO, vetëm 11 perqind dhe JO 89 perqind