Publikuar me : 29.09.2011 Ne :
Politike - 35 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Matematikani dhe politikani Skënder Gjinushi analizon situatën në vend duke fajësuar mazhorancën dhe opozitën për krizën. Ai fajëson opozitën se nuk po bën aq sa duhet ndërsa mazhorancën që vjedh çdo gjë. Duke u fokusuar tek opozita, Gjinushi fajëson strategjitë e zgjedhura nga socialistët në dy zgjedhjet e fundit: Kastriot Islami ngatërron llogaritë elektorale me parashikimet për prodhimet bujqësore që bënin ish-kooperativat. Sa për sistemin zgjedhor , Gjinushi shprehet se ndarja e deputetëve sipas qarqeve po penalizon të majtën: “Sistemi s’duhet të jetë i tillë që të ndodhë që edhe pse fiton me votë popullore të humbësh me mandate apo që rezultati të varet nga ndarja e qarqeve apo qenia e tyre çift. Po të ishin Korça dhe Elbasani me numër tek deputetësh, e majta do të ishte në pushtet me rezultatin e 2009”.
Zoti Gjinushi, Opozita e Bashkuar ka zhvilluar disa mbledhje në të cilat ju nuk keni qenë i pranishëm. Cilat kanë qenë arsyet e mungesës suaj?
Mungesat kanë qenë të lidhura me angazhime të tjera dhe nuk janë të qëllimshme. Për sa i takon qëndrimeve, sigurisht që ka një qëndrim të ndryshëm ndaj zgjidhjes së krizës nga ana e PSD-së në raport me zgjidhjen apo me qëndrimin që po kërkohet t’i imponohet opozitës, e në veçanti PS. Vlerësojmë që po gabohet rëndë se në çdo lloj marrëdhënie, qoftë pozitë – opozitë, qoftë ndërinstitucionale, parimi i proporcionalitetit është baza e çdo veprimi. Çka do të thotë se nuk mund që të zgjidhësh krizën aktuale në situatën kur qeveria bëhet gjithnjë e më agresive dhe opozita gjithnjë e më e butë. Nuk mund të ketë zgjidhje të krizës dhe kthim në normalitet kur qeveria abuzon me gjithçka dhe opozita toleron në gjithçka, ose i imponohet të lëshojë në gjithçka.
Si duhet të zgjidhet kjo krizë sipas jush?
Vlerësojmë se kriza shqiptare është më e rënda që është kaluar në këto 20 vite. Ka të tëra simptomat e 96’-97’ për sa i përket keqqeverisjes, inkriminimit e arbitraritetit dhe kjo ndodh sepse është i njëjti protagonist. Kjo është një qeveri që nuk ka dalë nga vota e lirë dhe që nuk lejon votën e lirë. Për herë të parë në historinë e një demokracie, para këtij dështimi nuk kërkohet largimi shkaktareve, por tentohet të quhen njëlloj përgjegjës si mazhoranca dhe opozita. Si ai që vret dhe ai që vritet, si ai që dhunon institucionet dhe ai që denoncon dhunën duke bojkotuar, si ai që vjedh fondet e pasuritë publike dhe ai që kërkon ndëshkimin e hajdutit, si ai që vjedh votën dhe ai që s’e mbron dot. Nuk ka bashkëqeverisje në demokraci. Opozita nuk ofron alternativa se si duhet të qeverisë shumica, por alternativën se si do të qeverisë ajo vetë me largimin e kësaj shumice të dështuar. Ndërkombëtarët duhet të shqetësoheshin nëse opozita dhe pozita do të bëheshin bashkë, e jo kur përplasen, veçanërisht në një vend ku politika është e zhytur në korrupsion. Ne nuk mund të pranojmë të bëhet bashkëfajësi midis opozitës dhe pozitës. Përderisa kjo qeveri dështoi në këto 6 vjet në bërjen e reformave nuk mund të shpresohet më që të ecet më tej me të. Zgjidhje është vetëm largimi saj.
Në mbledhjen e fundit të opozitës është ngritur dhe një grup pune për reformën zgjedhore. Ju do të keni peshën kryesore, pasi do të bëni dhe përllogaritjen e shifrave të opozitës për zgjedhjet e ardhshme. Parashikimi juaj për zgjedhjet e 2009 doli dhe nga mediat u cilësuat si “profeci”. Si i parashikoni zgjedhjet e ardhshme?
Ne kemi ditur të parashikojmë zgjedhjet dhe nuk është vështirë të parashikosh zgjedhjet në Shqipëri. Madje kemi parashikuar një fitore të opozitës përfshirë këtu edhe koeficientin e manipulimit, si rezervë. Por tek ne problem është ruajtja e votës dhe pazari që bëhet me mandatet e fituara. Në fakt dhe në 2005 edhe 2009, opozita ka marrë shumicën e votave ne popull, por ka “humbur” vetëm prej lojës së LSI-së, e cila në 2005 e çau votën me qëllim që të humbnin kandidatët e majtë. Ndërsa në 2009 qartazi mandatet e majta i kaloi djathtas, pra bëri trafik deputetësh. Opozita fitoi bindshëm dhe më 8 maj çka e detyroi pushtetin të vjedhë votën në tavolinë. Tani vota vidhet qartazi. Vullneti i zgjedhësve në Tiranë u deformua me 250 vota të qelbura të Ristanit, të cilat u futën bodrumeve në kuti të shqyera. Më sa duket dhe Luli aty e ka nxjerrë krahun, duke shqyer kutitë.
Si mund të garantohen këto standarde dhe çfarë propozoni për zgjidhje?
Pyetja jonë është kjo, kush bëhet garant që vota nuk vidhet më në të ardhmen? Kurrkush! E vetmja garanci është: zgjedhje pa qeverinë e Saliut. U bë presion në 2007 nga BE dhe OSBE që opozita të hyjë në zgjedhje se garantohen standardet, dështuan. U tha në 2009 se me reformë konsensuale do të arriheshin standardet, dështuan. U tha në 2011 se përsëri do arriheshin standardet, përsëri dështim, madje u vodh haptas e në sy të ndërkombëtarëve. Kemi një raport të ODHIR. Disa, sidomos misioni i OSBE në Shqipëri, nuk kanë as kurajën ta lexojnë siç duhet këtë raport. Aty flitet hapur që është vjedhur. Nuk është fjalë goje që KQZ-ja ndoqi një procedurë tjetër. Procedurë tjetër do të thotë procedurë jashtë ligjit, joligjore. Për shkelje ligji, njerëzit shkojnë në burg. Ndërsa po vodhe vota, bëhesh kryetar bashkie. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga mënyra se si po kërkohet të zgjidhet kriza zgjedhore. Demokracia dhe diktatura ndahen vetëm nga vota e lirë. Zgjidhja e krizës fillon dhe mbaron me vendosjen e votës së lirë. Vota e lirë nuk mund të vendoset me një qeveri që vjedh. Nëse jemi të bindur që një qeveri vjedh, atëherë s’mund t’i besohen asaj zgjedhjet e ardhshme.
Po sistemi zgjedhor sa ndikon në rezultatet e koalicioneve?
Sigurisht që dhe sistemi ndikon në taktikat e rezultatet zgjedhore, por sistemet dhe taktikat vlejnë kur nuk vidhet vota. Shkallën e vjedhjes nuk mund ta parashikosh. Manipulimin e kemi futur, por deri tek vjedhja s’mundemi. Të gjithë e kanë të qartë që jo vetëm me këtë kod, por edhe me një kod shumë më të thjeshtë, me 3 nene, zgjedhjet mund të bëhen me standarde po të mos kesh qeveri hajdute që të vjedh votën.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare ju parashikuat që opozita do të merrte 65-68 deputetë pa LSI-në. Këto zgjedhje si i parashikoni?
Është herët për të bërë parashikime ndonëse në çdo rrethanë, pa manipulime, e majta është fituese. Por, e majta ka një problem historik: gabon gjithmonë në taktikat zgjedhore dhe ne këtë kemi paralajmëruar edhe në 2009. Pra PS për sa i përket taktikave zgjedhore, që nga 2001, ka vepruar vetëm në mënyrë të gabuar. Fatkeqësisht ajo taktikat i ndërton më shumë në funksion të reduktimit të aleatëve se sa të fitores mbi kundërshtarin. Rezultatet e ardhshme varen shumë nga fakti se sa PS do reflektojë mbi këtë taktikë të gabuar.
Çfarë nënkuptoni me taktikë zgjedhore?
Taktika zgjedhore është mënyra se si formohen aleancat dhe raportet që vendosen me aleatët si dhe sistemi që zgjedh si më të përshtatshëm. Që në 2001, ndonëse sistemi ishte në Kushtetutë, PS përdori taktikën e kandidatëve të pavarur në vend të bashkëpunimit me aleatët, me qëllim arritjen e një shumicë absolute socialiste. Absolutisht kjo është një nga sëmundjet e partive të mëdha, që kërkojnë jo vetëm fitore, por e kërkojnë edhe të vetme. Sigurisht që çdo parti ka të drejtë të fitojë dhe të shpresojë që të fitojë edhe e vetme, por jo në kurriz të te tjerëve e duke deformuar sistemin zgjedhor. Me votë le ta fitojë. Në 2005 u ligjërua Dushku gjerësisht dhe përsëri ishte një kompromis PS-PD me shpresë që t’ia fusnin njëri-tjetrit. PD-ja në 2005 nuk do të fitonte nëse s’do të kishte “Dushk”. Në 2009 u shpik “spanjolli”, por i kërcyer shqiptarëshe, pra i përshtatur në mënyrë të papërshtatshme. Dhe ky sistem kishte si qëllim reduktimin e partive të vogla, por rezultoi një autogol pasi u zgjodh me idenë për të kontrolluar aleatët, e ndërkohë favorizoi kundërshtarin. Pikërisht me “spanjollin” unë paralajmërova që fakti se ne hynim në dy grupime dhe fakti që PS kishte përsëri delirin e fitores e vetme, vinin në rrezik vetë fitoren e të majtës, siç ndodhi.
Në këto kushte të gjeografisë politike që ndodhet politika, siç e quajtët ju, cili do të ishte sistemi më i përshtatshëm?
Për sa kohë manipulohet vota dhe për sa kohë problem kryesor është ruajtja e votës dhe jo marrja e saj atëherë konkurrenca me kandidatë është më e mirë se sa konkurrenca me listë. Pra, sistemi gjerman që kishim ishte më i miri. Gjithashtu sistemi s’duhet të jetë i tillë që të ndodhë që edhe pse fiton me votë popullore të humbësh me mandate apo që rezultati të varet nga ndarja e qarqeve apo qenia e tyre çift apo tek, siç ndodhi me spanjollin tonë më 2009. Ne me rajone e mundëm PD-në 7 me 5, por me mandate dolëm 70 me 70. Po të ishin Korça dhe Elbasani me numër tek deputetësh, e majta do të ishte në pushtet me rezultatin e 2009. Pra, sisteme të tilla tekanjoze që kanë dhe aksidente patjetër që janë më pak të përshtatshëm. Në situatën që ndodhemi më i përshtatshëm do të ishte një spanjoll i përshtatur pa hile në kushtet e Shqipërisë, gjë që bëhet lehtë në këtë e kemi propozuar që në 2008-ten.
Për sa i përket marrëdhënieve me aleatët, duhen vlerësuar ato që janë apo të punohet për hapjen e koalicionit drejt partive të reja? Disa zëra në PS kanë thënë se një aleanca me LSI do të ishte e pranueshme si e keqja me e vogël për të rrëzuar Berishën.
Të tërë ata që flasin për aleancë me LSI-në nuk kanë hallin e fitores së të majtës por të LSI. Nëse LSI do të donte rrëzimin e Saliut, nuk e mbante atë në pushtet. PD-ja qeveris e vjedh vendin vetëm në saj të katër mandateve të trafikuara te LSI. Për pasojë, është vërtetë një utopi që të mendosh se LSI-ja është një faktor i rrëzimit të Berishës. Disa kërkojnë ta justifikojnë këtë me lojën e shifrave. Shifrat janë shumë të qarta. Kemi zgjedhjet e 2007 dhe 2011. Fitorja në 2011 pa LSI është e pakrahasueshme me fitoren tonë në 2007 me LSI. U fituan shumë më shumë bashki dhe u fitua më thellë. Ata që gjoja bëjnë llogarinë e shifrave sipas të cilës e majta fiton vetëm me LSI, e bënë këtë llogari dhe më 8 maj. Ata parashikonin një fitore të thellë të kandidatëve të PD dhe LSI, mblidhnin votat e këtyre dy subjekteve më 2007 e iu dilte se kandidatët e tyre në Elbasan, Durrës e Korçë do fitonin me plus 3-4 mijë vota, në fakt humbën me po aq minus. Këtë llogari të gabuar bëjnë dhe sot. Pastaj dihet se LSI e ka shitur tre herë të majtën, atëherë çfarë garancie ka që s’e shet përsëri.
Në bazë të zgjedhjet të 2007 ju në 2009 parashikuat një fitore me 2-3 deputetë si e majtë më shumë se mazhoranca, ndërkohë që duke pasur parasysh zgjedhjet e 8 majit, cili është parashikimi juaj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Meqë Sala luan me votën proporcionale në lokale edhe në 2007 e njëjta gjë ka ndodhur, ne fituam me kandidat ata me proporcionalin për këshilltar. Ndaj e ritheksoj se votë përcaktuese është vota për kandidatin, nuk është vota për këshilltarin. Me këtë rezultat të 2007 hymë në 2009 dhe nga -80 mijë vota që ishim në 2007 sipas proporcionalit morëm 50 mijë më tepër në zgjedhjet e përgjithshme. Për ne me rezultatin e 8 majit në zgjedhje parlamentare ne marrim mbi 78 deputet. Sipas Saliut me votat e këshilltarëve ai merr mbi 80 deputetë. Atëherë përse heziton ai për të kaluar në zgjedhje të parakohshme e me këtë rast le të sigurojë shumicën e cilësuar prej 84 vendesh duke shpëtuar prej opozitës bllokuese e destruktive???
Ky rezultat i përkthyer në mandate sa do të shkonte?
E majta do të kapte 80 deputetë dhe aq e vërtetë është kjo sa po të ishte e vërtetë se Sala kishte 140 mijë vota më shumë ai do të na kishte futur me kohë në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka budalla që të dalë gjoja në lokale shumë më mirë se opozita, e të mos futet në zgjedhje të parakohshme. Por, ai e di shumë mirë që e pret një humbje e thellë, pasi ai i mbështet të gjithë zgjedhjet mbi manipulimin që fillon nga manipulimi psikologjik. Meqenëse ky e vjedh votën atëherë tërë të lëkundurit e dredhëzat shkojnë pas tij, përshtaten. Prandaj Berisha në 2009 tregoi se ai manipulon dhe nuk e heton dot, ndërsa në 2011 se ai vjedh dhe nuk e ndal dot, madje vjedh dhe me bekimin e ndonjë ndërkombëtari siç është ky këtu i OSBE-së, që sa herë PD-ja vidhte votat e Tiranes ai bënte reklama birrash.
Në zgjedhjet e 2009 ka pasur një përllogaritje nga sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, i cili bindi dhe Partinë Socialiste që ky sistem do të sillte fitoren e opozitës…
Në 2009 u bë njëlloj si në 2001, 2005. Është e njëjta filozofi dhe e njëjta taktike dhe të njëjtët llogaritarë që ngatërrojnë llogaritë elektorale me parashikimet për prodhimet bujqësore që bënin ish-kooperativat. Mbi të gjitha këto llogari janë kompromentuar nga keqdashja. Ritheksoj, me merak kanë pasur se si të reduktojnë aleatët këta llogaritar se sa si të thellojnë e sigurojnë fitoren e opozitës.
Domethënë që patët një keqllogaritje?
Më saktë një oreks i gabuar. Prandaj urojmë qe në të ardhmen PS të tregohet po aq e prere dhe e rreptë ndaj PD sa është treguar ndaj aleatëve deri më sot. Opozita duhet të jetë më e prerë ndaj kësaj mazhorance, duhet të mbrojë të drejtat e veta sepse ajo është përfaqësuese e mbrojtëse e të drejtave të shumicës së popullsisë.