Publikuar me : 11.11.2011 Ne :
Kronike - 35 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Ekspertët kriminalistikë të policisë shkencore kanë zbuluar dy gjurmë gishtash në zyrën e provave brenda ambienteve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku janë vjedhur 50 mijë lekë të reja dhe 300 euro, të cilat i përkisnin dy të dënuarve. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë grupit hetimor, sipas të cilëve, tashmë është përjashtuar nga këto gjurmë vetëm magazinierja e këtij institucioni, e cila kishte edhe çelësin e derës së zyrës së provave, duke lënë dyshimet ndaj punonjësve të tjerë. Por zbulimi i gjurmëve të gishtave dhe hetimi i ngjarjes kanë hedhur dyshime të forta që nga kjo zyrë mund të jenë hequr ose manipuluar prova për persona që janë në proces gjyqësor. Heqja ose ndërrimi qoftë i vetëm një fijeje floku mund të shpëtojë një të pandehur nga dënimi i rëndë. Dyshimi më i fortë është tek “vjedhja” e një materiali të përgjuar.
“Nga këqyrja e zyrës së ruajtjes së provave në katin e dytë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda janë gjetur dhe fiksuar dy lloj gjurmësh gishtash, të cilat janë dërguar për krahasim në Laboratorin e Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme. Këto gjurmë, do të verifikohen dhe krahasohen me gjithë punonjësit e administratës së kësaj gjykate. Personi i vetëm që tashmë është përjashtuar nga hetimi i çështjes, është vetë magazinierja e këtij institucioni, e cila kishte edhe çelësin e derës hyrëse të zyrës së ruajtjes së provave. Shumë shpejt, këto gjurmë do të identifikojnë edhe personin që mendohet se mund t’i ketë grabitur parat e të dënuarve që ndodhen në këtë zyrë”,- thanë burimet pranë grupit hetimor. Nga ana tjetër, i çuditshëm është fakti se në asnjë rast tjetër, prokurorët e çështjes nuk dorëzonin para cash në Gjykatë, ku administroheshin provat, por vetëm mandatin e depozitimit në bankë e cila renditet në cilësinë e provës materiale.
Ndërkaq, gjatë paradites së djeshme prokurori i çështjes Zeqir Hodaj, ka marrë në pyetje në zyrën e tij kancelarin e kësaj gjykate dhe një punonjës të administratës. Këta dy persona kanë dhënë shpjegimet e tyre për faktet që ata dinin për ngjarjen, duke mohuar se kanë dijeni për personin që ka kryer vjedhjen. Dyshohet se kjo vjedhje është kryer kohë më parë, jo këto ditët e fundit kur edhe u zbulua ky skandal nga magazinierja e zyrës së provave. Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme ekspert dhe hetues të policisë kanë vazhduar me inventarizimin e të gjitha provave që ndodhen aty.
Burimet thanë për “Shekullin se aty mund të jenë vjedhur edhe prova të tjera materiale, si përgjime të një dosje të trafikut të drogës. Por, ky dyshim ende nuk është konfirmuar nga zyrtarët e institucionit të drejtësisë apo policisë dhe prokurorisë. Sipas këtyre të fundit, ende nuk ka përfunduar inventarizimi i të gjithë provave, por, deri më tani nuk rezulton se është vjedhur ndonjë CD-i me përgjime apo provë tjetër materiale. “Në përfundim të inventarizimit do të konstatohet nëse ka prova materiale të vjedhura apo jo, por, deri tani rezultojnë se janë marr vetëm 50 mijë lekë dhe 300 euro”,- thonë zyrtarët të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe organit të akuzës.
Si u zbulua
Vetëm pak ditë më parë babai i një të dënuari i kërkoi kryesekretares t’i vërë në dispozicion shumën prej 50 mijë lekëve të reja të djalit të tij, që gjykata kishte vendosur t’ia kthente familjarëve. Në momentin që magazinierja kishte hyrë për t’i marr ajo kishte konstatuar vjedhjen, çka bëri që kryetarja e komanduar e kësaj Gjykate gjyqtarja Etleva Deda të bëjë kallëzim penal në polici. Masa tjetër e marrë prej saj ishte ulja në detyrë e një punonjës të administratës të gjykatës. Nga ana tjetër pritet që me urdhër të Ministrit të Drejtësisë të merren masa administrative për përgjegjësit e dyshuar për këtë vjedhje.