Gjykata konfiskon pasuri te paligjshme, pronaret nuk e provuan pastertine e tyre
Publikuar me : 01.12.2011 Ne :
Kronike - 87 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj / Dashamir Biçaku
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka konfiskuar gjatë ditëve të fundit pasuritë e katër personave të akuzuar dhe dënuar për vepra të ndryshme penale. Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, gjyqtari Brahimllari, pas konfiskimit të kësaj pasurie ngarkon zyrën e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave në Tiranë për administrimin e tyre dhe i kërkon Zyrave përkatëse të Përmbarimit të ekzekutojnë këto vendime. Gjyqtari Brahimllari, ka kaluar në pronësi të shtetit një makinë të llojit “Daimler Chrysler Mercedes Benz” të viti 2006 që ndodhej në pronësi të Emin Genicës babait të Sokol Genicës i akuzuar dhe i dënuar nga autoritetet italiane për trafik droge. Është sekuestruar një Hotel gjashtëkatësh dhe të gjitha pajisjet që ndodhen brenda saj, të ndërtuar në sipërfaqe 600 metër katror, por që në total ka 2296 metër katror shfrytëzim që ndodhej në pronësi të të dënuarit për trafik droge Alket Hatija në qytetin e Durrësit. Si dhe janë konfiskuar tetë llogari bankare të vëllezërve Ymer dhe Adem Dakolli me një vlerë prej rreth 185 mijë euro dhe rreth 37 milionë lekë të reja, si dhe prona të paluajtshme me një sipërfaqe prej 3370 metër katror. Vëllezërit Dakolli akuzohen për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”.
Genica
Në vendimin e saj gjykata kalon për llogari të shtetit pasurinë e personit Emin Veli Genica. Bëhet fjalë për një makinë tip “Daimler Chrysler”, ngjyrë gri, vit i prodhimit 2006, me targa “FR 8888 C”, e blerë prej tij me kontratën e datës 5 Qershor 2007.
Hatija
Vendimi për Konfiskimin e pasurisë të personit të dënuar Alket Hatija të “Bar-Restorant-Hotel”, me 5+1/2 kat ku përfshihet: Kati përdhes “Bar-Restorant” me sipërfaqe 511m2; Kati i I-rë; II-të; III-të dhe i IV-t me sipërfaqe prej 366 m2 secili kat, si dhe Kati i V-stë, papafingo e papërfunduar, me sipërfaqe 321 m2; sipërfaqe totale ndërtimi e konfiskuar është 2296 m2. Objekti i konfiskuar është në gjendje pune si”Bar-Restorant-Hotel” dhe konfiskohet së bashku me të gjitha pajisjet dhe aksesorët që ndodhen në mjediset e konfiskuara. Pasuria e konfiskuar, ndodhet e ndërtuar në pronën e të paditurit Alket Hatija, në truallin me sipërfaqe 600 m2, në zonën kadastrale nr.8518, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës. Pjesa e pasurisë “Bodrum-Disko” me sipërfaqe 282, që gjendet në katin (-1), përjashtohet nga konfiskimi dhe mbetet pronë e të paditurit Alket Hatija.
Dakolli
Vendimi i gjykatës për Konfiskimin e pasurive të të paditurve Ymer Dakoli dhe Adem Dakolli përfshin konfiskimin e llogarive bankare së bashku me interesat e arrira ditën e ekzekutimit të këtij vendimi. Më këtë rast gjykata ka konfiskuar paratë që ka gjetur në tetë llogari bankare me vlerë rreth 185 mijë euro dhe 37 milionë lekë të reja. Ndërkohë Ymer Dakoli dhe Adem Dakollit u janë konfiskuar edhe 1765 metra katrorë arë dhe pasuria ndërtesë 3-katëshe, “Bar-Restorant “Advin”, e ndodhur në Komunën Lekaj, fshati Harizaj, e ndërtuar mbi pasuritë e sekuestruara tokë arë me sipërfaqe 1000 m2 dhe sipërfaqe 625m2. Me vendim gjykate është urdhëruar ti kthehet v lera monetare prej 231.811 lekësh të reja.
Llogaritë bankare të Dakolli
Llogari bankare e çelur në emër të shtetasit Ymer Adem Dakoli, në shumën 20.660 euro
Llogari bankare e çelur në emër të shtetasit Ymer Adem Dakoli në shumën 5.486.100 lekë të reja
Konfiskohet shuma prej 5.254.289 lekë.
Llogari bankare e çelur në emër të shtetasit Ymer Adem Dakoli, në shumën 15.000.000 lekë të reja
Depozitë me afat në emër të shtetasit Adem Dakoli, në shumën 11.000.000 lekë të reja
Llogari bankare e çelur në emër të shtetasit Adem Dakoli, në shumën 100.500 euro
Llogari bankare e çelur në emër të shtetasit Ymer Adem Dakoli, në shumën 176.465 lekë të reja
Llogari bankare e çelur në emër të shtetasit Ymer Adem Dakoli, në shumën 63.767 euro
Sekuestrohen pronat e ish-kryetarit të Sindikatave
Prokuroria dhe policia e Tiranës kanë sekuestruar dje pronat e ish-kryetarit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Valer Xhekës. Sekuestroja është vënë pasi është marrë edhe miratimi i gjykatës. Bëhet fjalë për një grup pronash të cilat valer Xheka i ka marrë nga sindikatat në mënyrë të jashtëligjshme dhe më pas i ka kaluar në emrin e tij. Prona ishte dhënë me qera dhe prokuroria ka sekuestruar edhe të ardhurat e fituara nga qeraja.
Lajmi u bë i ditur dje në mesditë nga Policia e Shtetit, e cila tha se në total i bllokoi Xhekës një sasi prej 278.8 mijë dollarësh, 98 mijë euro, si dhe 400 mijë lekë të reja. Veç vlerave monetare, policia tha se i kishte bllokuar ish- kryesindikalistit, një sipërfaqe trualli prej 6900 metrash katrorë, si dhe tri ndërtesa me një sipërfaqe prej 1800 metra që ndodheshin në sipërfaqen e mësipërme të truallit. Policia tha se sekuestrimi i pronave të ish- kreut të BSPSH-së, nga viti 1993- 2000, u bë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Kryeqytet. Pronat dhe llogaritë bankare të sekuestruara sipas policisë mësohet se janë në emër të të afërmeve dhe pjesëtarëve të Familjes së Xhekës.
“Deri në këto momente, është bërë sekuestrimi i një sasie prej rreth 278.8 mijë USD, 98 mijë Euro dhe 400 mijë lekë të reja. Po ashtu janë sekuestruar 3 ndërtesa me sipërfaqe 1.800 metra katrorë dhe një sipërfaqe trualli 6909 metra katrorë në Tiranë”,- tha policia në deklaratën e saj. Hetuesit thanë se kanë zbuluar gjatë veprimeve të tyre se Xheka gjatë kohës që drejtonte BSPSH-në, nëpërmjet “shpërdorimit të detyrës”, duke kryer mashtrime dhe “falsifikimit të dokumenteve”, kishte mundur të përvetësonte në mënyrë të paligjshme shtypshkronjën “11 Shkurti”. Pikërisht sipërfaqja prej 6900 metrash katrorë, si dhe tri objektet një ndërtesë njëkatëshe, një dykatëshe dhe një trekatëshe me sipërfaqe 1.800 metra katrorë, që ishin mbi sipërfaqen e truallit, prej 6900 metrash, në zonën e Kodrës së Priftit, ishin përvetësuar në mënyrë të kundraligjshme nga Xheka.
Skema që kishte përdorur Xheka për të marrë pronat përfshinte vjehrrin dhe disa të afërm të tij. Ai ia kishte dhënë atyre këtë pronë dhe i kishte ndihmuar për të nxjerrë certifikatën e pronësisë. Më pas, familjarët ia kthenin atij pronën përmes një akti dhurimi. Në këtë mënyrë prona është regjistruar në hipotekë në emër të Valer Xhekës. Policia tha se Xheka është aktualisht nën hetim për akuzën e “pastrim i produkteve të veprës penale”. Fakti që vjedhja e pronës ka ndodhur shumë vite më parë ka ndihmuar 61-vjeçarin Valer Xheka që ti shpëtojë hetimit për këtë krim, por jo që të mbajë pronën.
278.8 mijë USD, janë gjetur nga hetuesit në llogaritë bankare të Valer Xhekës, ish- kreu i BSPSH-së.
98 mijë euro, u gjetën nga policia në llogaritë bankare të ish- kryesindikalistit, i marrë nën hetim nga prokuroria
400 mijë lekë të reja, iu gjetën Xhekës, në llogari bankare, veç sasisë së eurove dhe dollarëve që kishte në to.
3 ndërtesa me sipërfaqe 1.800 metra katrorë, i sekuestroi Policia dhe Prokuroria Xhekës me vendim të Gjykatës së Tiranës
6909 metra katrorë në Tiranë, është sipërfaqja e truallit të përvetësuar nga Xheka, në vitin 2000. Në këtë truall ndodhej edhe godina e ish- shtypshkronjës “11 Shkurti”.