Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Gjykata Kushtetuese, 3 anetare prej 18 muajsh pa mandat

Publikuar me : 25.10.2011 Ne : Politike - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Arben Rrozhani

 

“Nuk më duket aspak normale që një institucion kaq prestigjioz si Gjykata Kushtetuese punojnë gjyqtarët 18 muaj pas mbarimit të mandatit dhe nga ana tjetër nuk është zgjidhur, sepse sipas meje nuk do parlamenti dhe faktorët e tjerë”. Fehmi Abdiu, ish-kryetar I Gjykatës Kushtetuese i rikthehet temës së nxehtë të ripërtëritjes së përbërjes së gjyqësorit, i cili prej vitesh është nën trysninë e politikës. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” z.Abdiu përsërit faktin skandaloz se Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionimit të saj institucional, prej majit 2010, kur tre anëtarëve të saj u ka mbaruar mandati dhe nuk po zëvendësohen. Bëhet fjalë për gjyqtarët kushtetues  Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza, ndërsa emrat e rinj janë peng të krizës politike në vend. Aktualisht  në detyrë janë anëtarët Vladimir Kristo, Sokol Berberi, Vitore Tusha, Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedej, ky i fundit kryetar.

 

Z.Abdiu, ju ishit iniciator i tryezës së rrumbullakët të organizuar pak ditë më parë në Tiranë për të riparë ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Përse bëhet ky angazhim, ndërkohë që kemi probleme të tjera, siç janë bie fjala ndryshimet në kushtetutë?

Fillimisht dua të sqaroj nevojën dhe vlerën e tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Instituti për Studime Gjyqësore dhe Kushtetuese dhe Fondacioni Soros me ekspertë të të drejtës kushtetuese për të diskutuar për një studim lidhur me nevojën e amendimit, plotësimit dhe ndryshimit dhe përsosjes së ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i cili është miratuar në shkurt 2000. Ky ishte një ligj i mirë për mentalitetin e kohës, modern dhe si i gjykatave kushtetuese të vendeve të tjera. Gjykata e Strasburgut, ka tërhequr vëmendjen  për probleme të veçanta të këtij ligji dhe ka rekomanduar që të bëhen  ndryshimet përkatëse.

 

Kjo ka të bëjë me vendimmarrjen?

Po ka të bëjë me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë ligj, kur e miratuam prashikuam se në situata të veçanta, kur vendimmarrja ndahet me vota të barabarta, 4 me 4, ose 3 me 3, Gjykata shprehet për refuzim të kërkesës së kërkuesit që ka bërë kërkesën në gjykatë. Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar këtyë si një praktikë jo të dobishme dhe jo bashkëkohor, duke argumentuar zgjidhje të tjera, që të mos e rëndojnë kërkuesin, duke refuzuar kërkesën dhe të gjenden zgjidhje që në çfarëdo situate të paraqitet prapë në gjykatë. Pra mendimi është që kjo dispozitë ligjore duhet të riparohet, Gjykata të mos i refuzojë kërkesën kërkuesit, por ta pushojë gjykimin e çështjes, duke i dhënë mundësi kërkuesit që në çdo moment pas asaj kohe, kur plotësohet numri i gjyqtarëve tek, të ketë të drejtën e  riçeljes së kërkesës së vet, bile pa shumë shpenzime të tjera për të filluar nga e para.

Tani kur kërkohet përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, qëndrimet që kemi mbajtur 11 vite më parë në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, duhen parë me sy kritik. Ne në atë kohë jemi shprehur se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet t’i ekzekutojë qeveria, nëpërmjet hallkave që ajo krijon për këtë qëllim, ndërsa sot themi se kjo nuk është efektive, sepse qeveritë në Shqipëri nuk ka patur ndonjë dëshirë të madhe për të ekzekutuar vendimet e GJK-së. Madje, kanë bërë luftë për  të mos i zbatuar dhe nuk i njeh shumë prej vendimeve.

Disa mendime ishin se duhet prekur kushtetuta që të bëhet një ligj organik tërësor për Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa një mendim tjetër ishte se edhe vetë kushtetuta në lidhje me Gjykatën Kushtetuese duhet parë me një sy kritik, veçanërisht u tha se neni 134 i saj, për subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese mund të mos ketë qenë zgjidhja më e mirë për tu pranuar për ato problematika  mund të ishin gjetur zgjidhje të tjera, siç janë në kushtetuta të shteteve të tjera. P.sh, nuk është konsideruar e dobishme dhe e frytshme fakti se në grupimin e subjekteve kushtetuese që kanë të drejtë të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuerse për çdo lloj çështjeje të jetë edhe KLSH-ja, kur për fat të keq ky nuk ka arhur asnjëherë, përveç një kërkese bashkë me institucione të tjera, por edhe ajo lidhej me interesat institucionale të institucionit. Ose ka shumë pikëpamje që në grupin e subjekteve që kanë të drejtë të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese duhet të pranohet edhe Prokuroria e Përgjithshme, sepse është afër veprimtarisë së këtij institucioni, është aktiv dhe real dhe do të kontribuonte më shumë në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Ose shtetasit që duhet të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese edhe për probleme që ata pretendojnë për papajtueshmërinë e një ligji me kushtetutën siç ndodh në shumë vende, siç ndodh p.sh. në Gjermani me qindra raste kur qytetarët kërkojnë papajtueshmëri të një ligji me kushtetutën.

Nuk ju duket se jeni jashtë rrjedhave të kohës kur kërkohen prej dy muajsh ndryshimet kushtetuese?

Jo. Tryeza doli në përfundimin se Kushtetuta duhet të ndryshojë, dhe ky opinion është një argument plus pro atyre opinioneve që u shfaqën duke kërkuar amendimin e Kushtetutës. Në ato mendime që janë diskutuar, debati është fokusuar në shumë në ato çështje që kanë të bëjnë me kompetencat e presidentit, venitjen e figurës së kreut të shtetit. Ne kemi patur pikëpamjen se duke u kufizuar kompetencat e presidentit, dhe ai si faktor i unitetit, automtatikisht  janë goditur edhe institucionet kushtetuese që lidhen me kompetencat e tij si kryetar i shtetit. Është goditur autoriteti dhe prestigji i gjyqtarëve kushtetues, të cilët i dekreton presidenti dhe jep pëlqimin parlamenti.

Mjafton të kujtojmë këtu faktin se kandidaturat që paraqiti presidenti i republikës muaj më parë me shumë vonesë për Gjykatën Kushtetuese, sipas meje, nuk u vlerësuan me seriozitetin që kërkon kushtetuta dhe ligji, por u veprua me një qëndrim anadollak, që bie ndesh me konceptin kushtetues dhe me praktikën  kushtetuese për këtë problem, e cila thotë se presidenti dhe parlamenti duhet të bashkërendojnë punën për të zgjedhur kandidatura që plotësojnë performancën e domosdoshme dhe kriteret që kërkon kushtetuta dhe ligji. Por parlamenti ynë, kundër asaj që thotë ligji, është mjaftuar duke i kthyer kandidaturat e presidentit në rrugë administrative, nga një zyrtar i administratës së parlamentit që nuk ka asnjë të drejtë të komunikojë me presidentin e republikës, e aq më tepër që të kryejë një veprim të tillë.

Unë çuditem se si u pajtua presidenti i republikës me një qëndrim si ky, se si nuk reagoi, sepse ishte tregues i një konflikti kompetence i lindur mes presidentit që ka dekretuar X apo Y dhe parlamentit që num njeh as këtë dekretim dhe nuk vlerëson kandidaturat e paraqitura. Të më falë presidenti nëse i dukem i bezdisur, por mua qëndrimi tij i heshtur me duket se dëmton interesat e vendit dhe jo vetëm të institucionit të presidentit, sepse dëmton institucionet e pavarura kushtetuese. Ka ardhur koha që autoriteti i një gjyqtari kushtetues të mos lihet në dorë të një zyrtari dosido të parlamentit dhe të anëtarëve të komisioneve që i kanë trajtuar gjyqtarët kushtetuers si të jenë në bangën e të akuzuarve dhe jo sikur të ishin personalitete. Edhe BE-ja u shpreh i pakënaqur me emërimet e presidentit të republikës, nga ana e administratës së kuvendit.

Këto mua më duken skandaloze. Kjo është edhe arsyeja që sot, sipas pikëpamjes sime, ndodh ajo që nuk ndodh në asnjë vend të Europës, që 18 muaj të mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët unë i kam patur dhe i kam kolegë dhe për të cilët nuk kam asnjë lloj paragjykimi, vijojnë të gjykojnë si trupa tjetër, megjithëse u ka mbaruar mandati 18 muaj më parë. Mua nuk më duket aspak normale që një institucion kaq prestigjioz kaq i rëndësishëm që zë një vend shumë autoritar në shtet, siç u tha edhe në KE, aty punojnë gjyqtarët 18 muaj pas mbarimit të mandatit dhe nga ana tjetër nuk është zgjidhur, sepse sipas meje nuk do parlamenti dhe faktorët e tjerë.

 

Kujt i leverdis kjo gjendje?

Kjo u leverdis vetëm anarshistëve.

 

E kisha fjalën për institucionet…

Jo nuk flas për institucionet. Duke u lënë në dorë të kushtetutëbërësit, është lënë për të mos u zgjidhur kurrë.

 

Qeveria është komode me këtë gjendje?

Ky është një problem që ka të bëjë më shumë se me debate juridike, me vështrime pragmatiste. Pse jo mund të themi që sot qeveria ta ndjejë veten shumë komode me përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Vetëm për këtë parlamenti duhet të mblidhet, të bashkohen grupet politike, të krijohet grupi i nevojshëm të deputetëve që të miratojnë amendimin e kushtetutës dhe ta bëjnë.

 

Z.kryeministër ka thënë se nuk do të bëhen ndryshime kushtetuese…

Tani unë nuk dua të bëj debate dhe të flas me emra të përveçëm. Z.kryeministër ka vite që as s’më thërret në emrin tim dhe as unë në të vetin.

 

Po flas përtej marrëdhënieve personale

Përtej këtyre marrëdhënieve, them se mbase do të ishte mirë që edhe kryeministri që dikur nuk e ka njohur këtë kushtetutë kur është miratuar të mos shpejtohej kaq për këtë problem dhe tia linte kohës, ta linte këtë problem të hapur për të dëgjuar, vëzhguar, ndjekur, pse jo 2-3 qëndrime të ndryshme që mund të evoluonin prej këtij problemi. Por s’është asnjëherë vonë dhe as herët në një vend që të bëhen debate për kushtetutën, aq më tepër për një kushtetutë si e jona që u bë në ato kushte që u bë, 13 vite pas miratimit.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Deshton Reforma Zgjedhore, skadon dhe afati i BE-se

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 94 here.
Luis Tanushi Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga mbarimi i afatit të lënë nga Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule për përfundimin e reformës zgjedhore, palët ende nuk kanë gjetur konsensusin. Edhe pse është biseduar në nivel teknik, asnjë prej çështjeve nuk ka gjetur zgjidhje. Gazeta “Shekulli”, ka mundur të sigurojë procesverbalin e mbledhjes së fundit të Komisionit të Reformës Zgjedhore ku pas pesë orë debate, nuk u arrit asnjë rezultat. Në një moment...Lexo te gjithe artikullin »


» Berisha Numerimi elektronik, pengese temperatura dhe energjia elektrike
» Berisha Numerimi elektronik mund te deshtoje per shkak te temperatures dhe energjise elektrike
» Uollfarth Drafti i Kodit Zgjedhor, nje pune e shkelqyer qe duhet finalizuar
» Zgjedhja e presidentit, raundi i pare ne 30 maj
» Shqiperia heq vizat per kater shtete
» Ruci Po votoni kunder statusit. Patozi Ju kane kapur ethet presidenciale
» 1 muaj pa drita, banoret e Babrruse bllokojne rrugen
» Uollfarth, takim me Ramen ne seline roze
» Presidenti, Konferenca e Kryetareve diskuton sot per nisjen e procedurave
» Totozani Shtresave ne nevoje t’i behet trajtimi falas

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit