Publikuar me : 15.12.2011 Ne :
Politike - 63 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Liljana Baku, gjyqtarja që dha vendimin e djeshëm
Flamur Vezaj
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje konfiskimin e pasurive me vlerë mbi 2.5 milionë euro të dy vëllezërve beratas dhe të afërmve të tyre. Paratë ndodhen në shtatë llogari bankare në emër të dy vëllezërve Aleksandër e Sokol Shehu, kunatit të tyre Can Murataj, mikut Fatos Zeka dhe të afërmve të tyre. Gjyqtarja Liljana Baku, pas shqyrtimit të çështjes në disa seanca gjyqësore, vendosi që pasurinë e bllokuar t’ia kalojë shtetit pasi avokatët dhe familjarët e të dyshuarve për trafik nuk arritën ta justifikojnë. Prokurori i çështjes, Adnan Xholi, kishte kërkuar konfiskimin e pasurisë ndërsa mbrojtja pretendoi se shuma prej 2.5 milion euro është siguruar nga ardhurat e ligjshme dhe nga bizneset e tyre në Shqipëri e Greqi.
Shkaku që vëllezërve Shehu dhe miqve të tyre iu bllokua kjo pasuri është bërë një procedim penal i nisur nga autoritetet greke në vitin 2006. Ata akuzohen për “krijimit të organizatës kriminale”; “trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim ushtrimin e prostitucionit” dhe “pastrimit të parave”, të gjitha këto në bashkëpunim. Pas nisjes së hetimit nga pala greke, këta të fundit i kërkuan autoriteteve shqiptare verifikimin e pasurisë së tyre. Bazuar në këtë kërkesë, njësia Task-Forcës e prokurorisë së Tiranës, nisi një hetim për pastrim parash ndaj të dyshuarve Shehu dhe të afërmve të tyre. Disa muaj pas hetimit, Task-Forca identifikoi dhe bllokoi disa llogari bankare të vëllezërve Shehu dhe të afërmve të tyre në Shqipëri. Pas bllokimit, dosja i kaloi Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në bazë të ligjit “Antimafia” vendosi sekuestrimin e tyre, duke iu nënshtruar një procesi gjyqësor. Gjatë këtij procesi, familjarët e vëllezërve Shehu nuk arritën të bindin Gjykatën që parat që ndodheshin në llogarit e tyre bankare janë të ardhura të siguruara në rrugë legale.
Vëllezërit Shehu, 12 mijë euro në ditë nga prostitucioni
Sipas dosjes që “Shekulli” ka siguruar një kopje, dy vëllezërit Shehu përfitonin rreth 12 mijë euro në ditë nga aktiviteti i tyre kriminal. Këto para ndaheshin me një grup mafioz nga lindja. Bashkëpunëtorët e tyre sillnin edhe femrat që shfrytëzoheshin për prostitucion në qytete të ndryshme të Greqisë. “Nga llogaria bankare e shtetasit Cen Murataj (kunati i dy vëllezërve Shehu) ka pasur disa transaksione, depozitime dhe me pas transferime, në shuma prej mbi 10 mijë eurosh, në drejtim të disa shtetaseve të huaja femra, në qytetin e Athinës, Greqi”,- thuhet në dosjen e prokurorisë, duke iu referuar se ishin pagesat për femrat që shfrytëzoheshin për prostitucion.
Prokuroria zbulon prona të të akuzurave
Mësohet se në emër të të dyshuarve Aleksandër dhe Sokol Shehu, familjarëve të tyre dhe personave të lidhur me ta, konkretisht Can Murataj (kunati) dhe Fatos Zeka (lidhje shoqërore), rezultojnë edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. “Në emër të dy vëllezërve beratas Shehu dhe të afërmve të tyre rezultojnë edhe dy apartamente në Tiranë, një truall me sipërfaqe 4.100 metër katrorë në fshatin Muçaj të Vlorës, ku është ngritur një pikë karburanti. Po kështu ata kanë një lokal në Berat dhe një kompani me emrin “Shehu” sh.p.k, e cila e cila është në aktivitet tregtar. Në këtë shoqëri ortak i vetëm dhe administrator është Aleksandër Shehu, dhe ajo ka si objekt tregtinë me pakicë dhe shumicë të karburanteve, bar-kafe, import dhe eksport etj. Për kunatin e Shehut, Can Muratajn, akuza ka siguruar të dhënat se figuron i regjistruar si subjekt tatimor në Tiranë në fushën e “shërbimeve telefonike”. Për këto prona dhe shoqëri, ende nuk ka një vendim sekuestrimi apo bllokimi, pasi nuk është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm që të vërtetojë dyshimet e ngritura, se ato janë ngritur me para të “pista”,- thuhet në dosjen e prokurorisë.
U konfiskuan
Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 2.900 lekë
Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 967 lekë
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 507 mijë euro
Llogaria bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 519 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 550 mijë euro
Llogari në euro, në emër të Sokol Shehut dhe Fatos Zekës, verifikuar me 21 maj 2009 me 522 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Can Muratajt, e verifikuar me 21 maj 2009, me 500 mijë euro