Gjyqi i bandes shqiptare ne Nju Jork, denohen 2 kreret. Almir Rrapo rrezikon burgim te perjetshem
Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Kronike - 77 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Një gjykatë federale në Nju Jork ka shpallur fajtorë dy vëllezër shqiptarë për një seri akuzash, mes të cilave krijimi dhe drejtimi i organizatës kriminale. Bëhet fjalë për Bruno dhe Saimir Krasniqin, të cilët gjykata Federale e Manhatanit i shpalli fajtorë për shantazh, vrasje, tentativë vrasjeje, pengmarrje, trafik narkotikësh, vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe akuza të tjera.
Në faqen zyrtare të FBI- së janë paraqitur detaje të gjyqit dhe dënimeve të dhëna
ndërkohë që është bërë e ditur se dy vëllezërit janë pjesë e një bande shqiptarësh që vepron në SHBA veçanërisht në Nju Jork.
Prokurori i çështjes, Preet Bharara, theksoi gjatë gjyqit se: “Bruno dhe Saimir Krasniqi kanë drejtuar një nga organizatat kriminale më të pamëshirshme që kanë vepruar kohët e fundit në Amerikë. Brenda gjashtë muajsh, ata bënë dy vrasje, dy rrëmbime, dy vjedhje të ngarkesave të drogës etj”
Prokurori deklaroi se anëtarët e bandës kriminale, e njohur ndryshe si “Organizata Krasniqi”, janë fajtorë për vrasjen e Erion Shehut në vitin 2005 dhe Erenik Grezhdës në vitin 2006. Sipas prokurorit, Erion Shehu ishte anëtar i një grupi rival të “Organizatës Krasniqi” dhe në bazë të hetimeve të deritanishme në vrasjen e tij ka qenë i pranishëm edhe Almir Rrapo.
Gjatë fjalës së tij, prokurori falënderoi drejtësinë shqiptare për ekstradimin e menjëhershëm të Rrapos në Amerikë. Ai theksoi se para arrestimit, Almir Rrapo punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme shqiptare.

Almir Rrapo
Dy vëllezërit shqiptarë u shpallën fajtorë dhe për rrëmbimin e një tjetër shqiptari, Neritan Kocareli, edhe ky pjesëtar i një bande rivale, si edhe për vrasjen e Erenik Grezhës, i cili në fakt ishte anëtar i bandës së tyre.
Në pengmarrjen e Kocarelit dyshohet se ka marrë pjesë Almir Rrapo. Në bazë të ligjeve amerikane, dy vëllezërit Krasniqi rrezikojnë dënimin me nga dy burgime të përjetshme.
Nga A. Shëmbitraku