Publikuar me : 31.01.2012 Ne :
Kronike - 89 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
Filiali i një banke të nivelit të dytë u grabit dje pasdite në kryeqytet nga persona të armatosur, të cilët kanë kërcënuar se do të qëllonin nëse nuk i jepeshin paratë nga punonjësit e bankës. Zyrtarët e bankës i kanë thënë policisë se janë grabitur rreth dy milionë lekë të vjetra, por hetuesit mendojnë se shifra e vërtetë nuk është kaq. Disa minuta pas ngjarjes policia shoqëroi disa persona disa persona dhe ngriti dyshime konkrete mbi së paku dy prej tyre, por ende nuk ka ndonjë veprim konkret. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:45, në rrugën e Dibrës, kur një person i maskuar me kapele me syze dhe mjete të tjera maskuese hyri i armatosur me pistoletë në bankë ndërsa bashkëpunëtori i tij priste jashtë në një motor.
Hetuesit e policisë thanë se dje hyrja e personit me armë në dorë në mjediset e bankës ka shkaktuar panik tek punonjësit e saj. Ai ka treguar armën dhe ka bërtitur: “Askush të mos lëvizë, kjo është një grabitje me armë”. Sipas hetuesve, ai ka shkuar tek sporteli dhe ka kërkuar paratë që ndodheshin në arkë në atë moment. “Më jepni shpejt paratë që keni në sportel, zbrazini arkat shpejt,- mësohet të ketë thënë grabitësi i bankës teksa mbante pistoletën në dorë.
Sipas hetuesve, autori mundi të hynin në ambientet e bankës në momentet kur po përfundonte orari zyrtar i punës aty, ndërsa doli që andej me një qese në të cilën kishte edhe sasinë e parave të vjedhura. Sapo ka dalë nga banka, grabitësi ka hedhur në tonë mjetet me të cilat ishte maskuar dhe ka shkuar tek bashkëpunëtori i tij, i cili e priste vetëm pak metra më larg me një motoçikletë të vogël. Policia tha se në vendin e ngjarjes, vetëm pak metra larg derës, gjeti maskën e grabitësit.
Policia pasi mbërriti në adresën e bankës vetëm pak momente pas ngjarjes duke nisur hetimet. Fillimisht hetuesit morën dëshmi të punonjësve të bankës, të cilët dhanë një përshkrim fizik, të autorit të krimit, ndërsa dëshmitarë të ndryshëm përshkruan personin tjetër që e ndihmoi pas krimit, për t’u larguar. Nga veprimet e kryera nga policia, është mësuar prej tyre bazuar në deklarimet e punonjësve të bankës se shuma e grabitur arrinte në dy milionë lekë të vjetra. Kjo është një shifër standarde tashmë që thuhet nga hetuesit në të gjitha rastet, duke bërë të vështirë të besosh se në çdo grabitje vidhen 2-5 milionë lekë të vjetra e ndonjëherë më pak. Hetuesit thanë se nuk kanë gjetur gjurmë, ndërsa po kërkojnë persona të dyshuar me përmasat fizike të atyre grabitën bankën. Deri dje në mbrëmje, policia tha se kishte shoqëruar shtatë persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë. Ndërkaq policia tha se ka marrë më tepër se 15 dëshmi të punonjësve të bankës dhe të personave të ndryshëm që kishin dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Statistikat e 2011
Vjedhje me armë, ndodhur 37, zbuluar 29 ose 72.9 perqind, në krahasim me vitin 2010 evidentohen 22 vepra me shumë. Forca zbuluese është rritur 31 perqind më shumë.
Vjedhje dhunë, ndodhur 48, zbuluar 17 ose 35.4 perqind, në krahasim me vitin 2010 evidentohen 15 vepra me pak. Forca zbuluese është e njëjtë.
Vjedhje me armë, pasojë vdekje, ndodhur 1, zbuluar 1 ose 100 perqind. Vitin e kaluar ka ndodhur 1 vepër e cila nuk është zbuluar.
Shtimi i vjedhjeve, rregullat e reja që kërkon BSH nga bankat
Shtimi i grabitjeve në banka dhe në zyrat e këmbimit valutor kanë detyruar Bankën e Shqipërisë të rimarrë në konsideratë rregulloren për masat e sigurisë nëpër banka. Në sistemin e parashikuar nga rregullorja e Bankës së Shqipërisë parashikohet mbrojtja nëpërmjet teknologjisë siç janë për shembull kamerat dhe sendoret, por edhe me personel siç janë rojet private por edhe punonjësit e filialit të bankës). Më poshtë, disa nga rregullat që kërkon Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë:
Kamerat dhe serveri
Godinat e bankave duhet detyrimisht të pajisjen me telekamera që filmojnë në mënyrë të pandërprerë sipërfaqen e jashtme të tyre, zonën e klientit, por edhe sportelin. Filmimet ruhen në një server të posaçëm që ndodhet i fshehur brenda godinës, në një vend të ndryshëm me atë ku qëndron kasaforta.
Butoni i sinjalit
Banka duhet të vendose disa butona të sinjalizimit të vjedhjeve në vende të ndryshme të saj. Është e detyrueshme që butonat të jenë në afërsi të punonjësit që merret me sigurinë e filialit të bankës. Një tjetër buton është tek drejtuesi i filialit të bankës. Në momentin e rënies së alarmit, policia dhe agjencia që merret me ruajtjen e sigurisë së bankës, marrin automatikisht sinjalin nëpërmjet telefonit, i cili është i konfiguruar për kryerjen e këtij veprimi.
Roje private dhe të bankës
Ruajtja fizike realizohet nga rojet, që në ambientet e jashtme janë punonjës të kompanive private të sigurisë, ndërsa brenda janë punonjës të bankës. Për sa i përket rojeve private, bankat janë të detyruara të paraqesin pranë Bankës së Shqipërisë do fillim viti kontratën e lidhur me Agjencitë e Sigurisë Fizike.
Zyrat e Valutës
Përsa i përket zyrave të këmbimit valutor, është e detyrueshme që ato të vendosen në zona të cilat janë lehtësisht të arritshme nga organet e ruajtjes së rendit, ndërsa duhet që të kenë të ndarë pjesën e sportelit me atë të klientëve. Për këto të fundit është e detyrueshme edhe vendosja e kasafortës.
Vendi i kasafortës
Kasaforta duhet të jetë e vendosur në një ambient të rrethuar me material të fortë, larg syve të publikut. Në rast të mungesës së ambienteve të posaçme të vendosjes së kasafortës, rregullorja lejon mbajtjen e saj në zonën kur qëndrojnë arkëtaret, por me kushtin që të jetë e mbuluar me mur tulle, me derë të veçantë dhe çelës. Kasaforta duhet të jetë me peshë jo më të vogël se 600 kilogram si dhe të ketë mbyllje me çelës me kode të kombinuara që posedohen nga persona të ndryshëm të autorizuar nga banka.