Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Kronike - 76 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Një ish-punonjëse e Albtelekomit është arrestuar pas tetë vitesh për një vjedhje që kishte kryer së bashku me të shoqin aksioner në një kompani “Call Center” në kryeqytet. Dëmi i shkaktuar shtetit, sipas burimeve të policisë dhe sipas procesit gjyqësor kapte shifrën e rreth 6.4 milionë lekëve të reja. Vojsava Nuraj, 65 vjeç, banuese në Tiranë, u arrestua nga komisariati i policisë nr.3, në kryeqytet me akuzën e vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës. Për këtë akuzë, Nuraj, ishte shpallur në kërkim nga policia që prej vitit 2006, kohë në të cilën ndaj saj gjykata e Tiranës kishte nxjerrë një vendim arresti dhe autorizonte prokurorinë të nxirrte një urdhër për ekzekutimin e këtij vendimi. Sipas vendimit të gjykatës, vjedhja ka ndodhur në vitin 2004. Vojsava Nuraj, është gjykuar në mungesë ndërsa Roland Makashi ka qenë i arrestuar.
Historia nisi pas marrëveshjes midis dy kompanive telefonike, Albtelekomit dhe “Call Center” për thirrjet që do të kryheshin nga “Albtelekomi” drejt “Call Center”. Ndarja e parave për këto thirrje do të ishte 80 me 20 për qind në favor të “Call Center”. Drejtoria e Tranzitit, ku ndodhej një server që administronte thirrjet, duhej të mblidhte të gjitha telefonatat e kryera e më pas ato dërgoheshin të faturuara në formë të printuar në departamentin e Interkonjeksionit.
Aty faturat kontrolloheshin dhe pasi verifikoheshin ato të ardhura nga Drejtoria e Tranzitit te “Albtelekomi” dhe “Call Center”, bëhej më pas edhe faturimi. Vosjava Nuraj, punonte prej kohësh në këtë departament, dyshohej se kishte abuzuar, duke faturuar më tepër thirrje dhe para nga sa duheshin në favor të Call Center. Aktiviteti u zbulua nga një punonjëse e Albtelekomit, pasi vuri re se ndryshime dhe diferenca në thirrjet dhe pagesat që përfitonte kompania “Call Center”, kundrejt Albtelekomit. Pas kryerjes së auditimit, u zbulua abuzimi më i plotë dhe Nuraj, u mor e pandehur me akuzën e “korrupsionit aktiv”, të kryer nga persona që kryejnë funksione publike, si dhe të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. D. Biçaku