Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Kulture - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Vepra e Guillaume Lejean “Voyages dans les Balkans 1857-1870” (Udhëtime në Ballkan) botuar nga
Editions Non Lieu, prezantohet më 2 shkurt 2012, në Paris nga shoqata kulturore franko-shqiptare “Shqipëria”. Bernard Lory, historian (pranë Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris) e merr fjalën. Bashkë me Marie-Thérèse Lorain, ai ka përgatitur këtë botim. Ka mbledhur dhe komentuar tekstet e Lejean-it, dhe ka shkruar pasthënien. Shkrimet, reportazhe kryesisht, janë nxjerrë nga “Revue des deux mondes” dhe “Bulletin de la Société de géographie” të cilat i drejtoheshin në atë epokë të mesit të shek. XIX një lexuesi të kultivuar, po edhe publikut të gjerë francez.
Ballkani Qendror dhe Lindor, njohja e popujve që ndodheshin nën kontrollin e Portës së Lartë dhe nën përgjimin e Fuqive të Mëdha që do të vendosnin një ditë për ndarjen e territoreve që lëshonte perandoria otomane, është destinacion i disa misioneve të Lejean-it.
Përmendet ky kuadër historik-politik sepse ndër kontributet kryesore të Guillaume Lejean-it njihet realizimi i hartave gjeografike të rajonit dhe në këtë drejtim puna e tij ka shërbyer si pikë referimi për gjeografët dhe historianët.
Me ekspeditat përgjatë trembëdhjetë viteve ai ka qëllim bërjen e hartës etnografike të Ballkanit dhe paralelisht njihet me popujt e Evropës orientale. Me gjithë paragjykimet që kishte pasur për Turqinë otomane, qytetërimin e tyre e admiron, Kostandinopojën, kur mbërrin aty e quan mrekulli të botës, e më anë tjetër, fikson në hartë Kurdistanin etnik.
Është thënë se harta etnografike e Turqisë evropiane hartuar prej tij ka pasur aq peshë
sa të merret në konsideratë për ndarjen e zotërimeve të perandorisë otomane. Bernard
Lory e kundërshton këtë pohim në pasthënien e “Udhëtimeve në Ballkan”. Të papërcaktuar qartë secili në kufijtë e vendit të vet, popujt dhe gjuhët e tyre në këtë rajon janë përzier.
Lory thekson se Guillaume Lejean krijoi një hartë të përafërt të cilën Élysée Reclus e rimori në
Géographie universelle.
Diskutimi i veprës së historianit dhe gjeografit francez është ende në fillime sepse “Udhëtime në Ballkan 1857-1870” doli nga shtypi në tetor 2011. Në një recension në revistën
Balkanologie, të dhjetorit të shkuar,
Nicolas Trifon, gjuhëtar dhe shkrimtar rumun, shkruan, kësaj here për konsideratat e stilit dhe besueshmërisë së teksteve të Guillaume Lejean-it:
“Si te shumica e bashkëkohësve të tij, formulat foshnjarake, gjykimet përgjithësuese me një ton superior për defektet dhe cilësitë e hamendësuara të racave në Ballkan, nuk mungojnë as në shkrimet e Lejean-it. Për shembull, për vllehët, ata të veriut të Danubit, rumunët, dhe jo ata të Maqedonisë, Epirit dhe Tesalisë, arumunët, që ai i quan (f. 372) vllehët e Jugut ose
zinzare.”
Secili studiues lexon në veprën e Lejean-it për atë pjesë të botës ballkanike që ka më të afërt. Çfarë vendi zë bota shqiptare në këto shënime këtë mund ta thotë Bernard Lory në takimin e 2 shkurtit.
Mbeten të panjohura (me gjithë fragmentet të përkthyera dhe të botuara në shtypin shqiptar nga Luan Rama), shënimet për Shqipërinë, “Voyage en Albanie et en Monténégro” botuar në vitin 1858, edhe këto në
Le Tour du Monde – Journal des Voyages. Përshkruan Shkodrën, Mbishkodrën, Mirditë dhe tipare të qëndrueshme të shqiptarëve, shoqëruar me gravura.
Jejean njeh përvojën pararendëse të balkanologëve, albanologëve, e diplomatëve seriozë si Ami Boué, Johann von Hahn, François Pouqueville.
Kur flasin për natyrën e shkrimit të tij mbi zakonet dhe kushtet e jetesës së popujve rumunë, bullgarë, shqiptarë, malazezë dhe mbi qytetërimin otoman dhënë në “Voyages dans les Balkans 1857-1870”, studiuesit përmendin cilësitë e Guillaume Lejean-it si vëzhgues.
Retorika që karakterizon vëzhgimet e udhëtarëve kur përshkruajnë tipin psikologjik të popujve të rajonit nën perandorinë otomane, thotë
Nicolas Trifon, nuk duhet të na pengojë që ta pranojmë faktin se, falë këtyre shkrimeve, Perëndimi nisi të njohë në thelb rajonin dhe banorët e tij të asaj epoke. “Duke kritikuar “ballkanizmin” i sajuar së jashtmi, duhet të kujtojmë edhe heshtjen që ka mbizotëruar për një kohë të gjatë mbi këto vende, për historinë e tyre, jetën e përditshme, traditat…” Trifon e quan ndershmëri intelektuale përgjegjësinë që tregon Guillaume Lejean për të qenë i saktë në përshkrimet e tij.
Ndërmjet udhëtimeve në Rajon, gjeografi që shërbeu nën regjimin perandorak të Napoleonit III, ndërmori ekspedita në disa vende afrikane, përgjatë burimeve të Nilit, por famë ndërkombëtare i dhanë rezultatet e gjurmimit të ekspeditave pushtuese të Aleksandrit të Madh në Azi dhe zbulimi i dy fushëbetejave të tij.
Bio
Guillaume Lejean (1824-1871) u ngarkua me mision nga qeveria franceze në vitet 1856-1870. Në disa muaj, në mënyrë të përsëritur ai përshkoi Ballkanin qendror dhe lindor, vargmalet që rusët më 1828-1829 i kishin quajtur të pakalueshme. Gëzonte mbështetjen e shkencëtarëve francezë, kolegëve gjermanë dhe austriakë. Pasioni për gjurmimin e territoreve Lejean e shfaq qysh me Bretanjën e tij të lindjes. Ai mbledh legjendat vendase, interesohet për historinë. Boton shkrime historike në moshën njëzetvjeçare dhe merret seriozisht me topografi. Punon për një hartë të Francës feudale. Në Paris, Lejean ndjek kurse të ndryshme në Collège de France. Më 1857 lë Parisin i ngarkuar me mision për studime gjeografike në Moldavi, Vllahi dhe Bullgari. Në kthim takohet me perandorin dhe deri në fund të regjimit të Napoleonit III, atij i besohen edhe pesë misione. Pas 1860-ës udhëton në Afrikë, përshkon Sudanin. Më 1862 emërohet zëvendës/konsull në Etiopi. Nga ky udhëtim dalin dy libra “Udhëtim në Abisini” dhe “Udhëtim përgjatë Nilit”. Më 1865, niset për në Azi. Misioni” të ndjekë itinerarin e Aleksandrit të Madh, të rizbulojë djepin e keltëve. Mbërrin në Kostandinopojë, kapërcen Azinë e vogël, viziton Mesopotaminë e lashtë, Afganistanin më vonë. Identifikon dy fushëbeteja të Aleksandrit. Ky udhëtim e bën të njohur ndërkombëtarisht. Kthehet më 1869 në Francë, i lodhur, me probleme shëndetësore. Vendoset në Bretanjë ku përpunon kujtimet për aventurat e tij të shumta. “Nisuni! Do të keni uri, do t’ju djegë etja. Do të hani çfarë nuk jua pret mendja, do të pini ujë nganjëherë me ngjyrën e bojës, e nganjëherë të absintit; vapa do t’ju përvëlojë, do t’ju kapin ethet e, me gjithë këto, ka të ngjarë, t’ia hidhni. Dhe kur të ktheheni në Evropë, nga gjithë vuajtjet s’do t’ju ngelet veç një kujtim, pothuajse lumturi do ta quaja unë”. Kështu e përkufizon ai natyrën e udhëtimit në toka të panjohura më 1867. Vdes më 2 shkurt 1871.