Publikuar me : 04.12.2011 Ne :
Politike - 96 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Intervistoi: Denis Dedej
Beqja: Si duhen lexuar rezultatet e votimit për strukturat e PS-së
Sekretari për Programin Politik në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, vlerësoi dje se rezultati i votimit duhet lexuar me shumë vëmendje nga të gjithë, sidomos ata që u votuan. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, një prej zyrtarëve të lartë socialist tregon se një shumicë dërmuese ndodhet në lidership se dimë të dallojnë rivalitetin normal politik nga shpërdorimi i lirisë individuale në kurriz të respektit për bashkëjetesën kolektive. Sipas tij, tejkalimi me lirinë individuale vazhdoi edhe në Asamblenë Kombëtare kur dy – tri vetë nuk morën pjesë në votim edhe pse ishin prezent në pjesën e parë të mbledhjes së asamblesë.
Zoti Beqja, kryesocialisti ju ka besuar detyrën e sekretarit të Programit Politik, ndërsa Asambleja Kombëtare ju votoi

Ilir Beqja
duke ju përkrahur me rreth 80 perqind të votave. Si jeni ndjerë pas gjithë këtij procesi?
Çdo detyrë është njëherësh edhe vlerësim, edhe përgjegjësi. Është edhe moment i veçantë në karrierën profesionale apo, aktualisht në rastin tim, në karrierën politike. Për rrjedhojë jam i ndjerë i vlerësuar që midis shumë shoqesh dhe shokësh të mundshëm, kryetari Rama vlerësoi se detyrën e sekretarit të Programit mund ta kryej unë, si pjesë e ekipit të sekretariatit të Partisë Socialiste. Jam i bindur se Rama se në përzgjedhjen e formatit të sekretariatit dhe të ekipit të sekretarëve ka pasur parasysh çfarë Partia Socialiste duhet të bëjë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Unë ndjehem i kënaqur, sepse, me sa duket, puna ime 4-vjeçare si nënsekretar i programit ka qenë e tillë sa kryetari Rama mendon se mund ta çoj më tej këtë detyrë. Rezultati i votimit është edhe vlerësim, edhe përgjegjësi. Pavarësisht se nuk ishte konkurrencë e drejtpërdrejt, 3/4 anëtarëve të asamblesë gjykuan se unë mund ta kryej detyrën e sekretarit për programin. Shumë prej atyre që më votuan u caktuan nga asambleja edhe për të drejtuar grupet tematike për çështjet e programit. Por, detyra është edhe përgjegjësi. Është edhe ngarkesë. Unë jam shumë i motivuar për ta realizuar me sukses këtë detyrë.
Cila do të jetë detyra dhe sfida juaj e ardhshme në një prej pozicioneve të rëndësishme në PS?
Detyra është përgatitja e programit elektoral të partisë për zgjedhjet e ardhshme. Ky program do të ketë në vetvete edhe pjesën përbërëse të programit të ardhshëm qeverisës. Baza e nisjes është shumë e mirë. Është programi i 5 nëntorit 2011. Por, tashmë sfida është që programi elektoral duhet, jo vetëm të jetë po aq i mirë sa programi politik, por duhet të jetë program fitues. Që të jetë po aq i mirë sa programi i 5 nëntorit e ndjej detyrim ndaj atyre socialistëve që më kanë votuar si anëtar asambleje dhe si sekretar për programin. Që të jetë fitues është detyrim për Shqipërinë. Vendi ndodhet në një tatëpjetë rrënimi ekonomik dhe demokratik, prandaj jemi të bindur se duhet një rilindje për Shqipërinë.
Nga kjo rilindje do të mund të përfitojë çdo shqiptar, edhe ata që nuk do të votojnë për ne. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare u miratuan edhe një listë minimale tematikash ku do të përqendrohet puna për detajimin dhe shtjellimin e programit. Kjo listë do të plotësohet në ditët në vijim, në mënyrë që në fillim të janarit të kemi formuar grupet e punës për çdo çështje dhe të kemi hartuar axhendën e punës të çdo grupi.
Si do t’i vlerësonit punimet e Asamblesë Kombëtare në të cilën u zgjodhën strukturat e reja?
Punimet e Asamblesë ishin serioze, korrekte nga pikëpamja staturore, demokratike dhe produktet ishin të pjekura. Ashtu siç di të bëjë Partia Socialiste dhe siç nuk di të bëjë asnjë parti tjetër politike në Shqipëri. Ne treguam se në drejtim të përmirësimit të funksionimit të partisë, të analizës serioze konsolidimit të demokracisë së brendshme jemi në garë të vazhdueshme, edhe pse, për fat të keq të demokracisë shqiptare, vetëm me veten tonë. Ngritja e Këshillit Politik dhe Komitetit të Përfaqësimit të Territoreve ishin edhe reflektim i çfarë ka munguar deri tani. Rezultati i votimit duhet lexuar me shumë vëmendje nga të gjithë, sidomos ne që u votuam.
Votimi tregoi se në shumicë dërmuese jemi aty sepse kemi përqafuar një program, se dimë të dallojmë rivalitetin normal politik nga shpërdorimi i lirisë individuale në kurriz të respektit për bashkëjetesën kolektive, se dimë të pranojmë gabimet dhe të mos biem në përsëritje të tyre. Megjithatë tejkalimi me lirinë individuale, sipas mendimit tim, vazhdoi edhe dje kur dy – tri vetë nuk morën pjesë në votim edhe pse ishin perezent në pjesën e parë të mbledhjes së asamblesë.
Po eksperimentimin e numërimit elektronik si do ta konsideroni?
Numri elektronik ishte shprehje e vullnetit politik të PS për të përmirësuar çdo proces votimi në Shqipëri. Makina e zgjedhur për të eksperimentuar nuk ishte një makinë krejt e përshtatshme për të lexuar një vullnet zgjedhësish. Ajo makinë përdoret në Tiranë për të lexuar optikisht testime studentësh, ku, siç dihet, për të dhënë një përgjigje duhet të zgjedhësh midis disa opsioneve dhe të shënjosh në një vend të caktuar. Në zgjedhjet e Kryesisë, makina ishte instruktuar të lexonte optikisht shenjat e vendosura brenda kutive të përcaktuara.
Por, ashtu si në votime të përgjithshme, ka një vlerësim të dytë për ato raste kur zgjedhësi nuk respekton kutinë, por vullnetin e tij e shpreh qartë. P.sh. përbri emrit shkruan “Po” apo “Jo”. Këtë rast makina në fjalë, jo vetëm nuk ishte instruktuar të lexonte shenja jashtë kutisë, por nuk kishte ndonjë një “sirtar” të veçantë ku të depozitoheshin fletët ku kishte shenjë jashtë kutisë, që më tej syri njerëzor të lexonte vullnetin e votuesit. Në vende të ndryshme të botës, kjo infrastrukturë zgjedhore përdoret me sukses prej shumë vitesh. Kjo është ajo çfarë ndodhi dhe, prandaj, unë nuk pajtohem me ato zëra që spekulonin se votimi elektronik dështoi.
Një prej vendimeve të asamblesë ishte dhe ngritja e 21 grupeve të punës për të punuar me programin politik. Cila do të jetë detyra konkrete e tyre?
Grupet e punës po do të punojnë për të hartuar programin elektoral e qeverisës të PS për heshtjet respektive. Për të vjelë mendimin më të mirë profesional në vend, për të mësuar nga eksperiencat më të mira ndërkombëtare dhe për t’i harmonizuar me realitetin shqiptar dhe parimet politike të programit të 5 nëntorit. Më tej këto grupe pune do të kenë edhe detyrën të shpjegojnë para shqiptarëve propozimet konkrete të programit të PS-së për çështje të ndryshme me interes për grupime apo shtresa të caktuara. Këto grupe do të bashkëpunojnë edhe me aleatët për të përputhur interesat e PS-së me ato të partive të tjera të koalicionit tonë.
Kryetari i grupit për Energjinë, Andis Harasani, lajmëroi se nuk mund të pranojë detyrën për arsye të planeve të tjera. A keni një koment për këtë?
Çështjet e energjisë janë shumë të mprehta për Shqipërinë. Qoftë burimet energjitike, qoftë infrastruktura e transmetimit, qoftë miradministrimi i partneritetit publik – privat, qoftë tarifimi i rregulluar, qoftë kostoja e konsumatorit, qoftë liberalizimi i tregut. Në hartimin e pjesës së programit për këtë çështje ka shumë punë për të bërë. Zoti Harasani është njohës i mirë sektorit të energjisë. Edhe në periudhën e fundit ai ka bërë prononcime publike për energjinë jo vetëm të përgjegjshme politikisht, por edhe përmbajtjesore. Ju po thoni që ka plane të tjera. Uroj që të jenë në funksion të fitores së ardhshme të PS. Në përballjen me Sali Berishën kemi nevojë për votën dhe kontributin e kujtdo që pranon se vendit i lypet një tjetër qeverisje. PS është partia më e madhe në Shqipëri dhe forca më progresive në 20 vjet dhe ka treguar se ka burime të pashtershme.
********

Andis Harasani
Harasani: Nuk dua të pranoj detyrën e ofruar nga Rama
Një ditë pas zgjedhjeve të strukturave të Partisë Socialiste, ish-sekretari për Programin Politik, Andis Harasani, nuk ka pranuar të jetë pjesë e një prej grupeve të punës për shtjellimin e programit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputeti socialist ka shprehur pakënaqësitë e tij për zgjedhjen e strukturave duke deklaruar njëkohësisht refuzimin e përgjegjësisë që iu caktua nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
I zgjedhur socialist, përmes rrjetit social “Facebook” është shprehur: “Të dashur miq, për arsye të planeve të tjera, duke falënderuar për besimin nuk mund ta pranoj detyrën e ofruar nga ana e Asamblesë së PS. I uroj suksese të gjithë të votuarve”. Një prej kritikëve të kreut aktual të Partisë Socialiste ka sqaruar më pas për mediat se pse është kundër propozimit të kreut të opozitës.
“Të mendosh që unë duhet të kem një post për të ndihmuar Partinë Socialiste për energjinë është njësoj si t’i ofrohet Edi Ramës për të ndihmuar në zhvillimin e qyteteve, në një kohë që ka 11 vjet eksperiencë si kryetar i një qyteti. Nuk kemi as unë as Rama nevojë për të kontribuar në poste në fushat ku kemi kontribuar për shumë vite. Qëllimi im dhe qëllimi i gjithë Partisë Socialiste me përjashtim të disa figurave është largimi i kësaj qeverie një orë e më parë dhe nuk ka nevojë për poste apo për ndarje karamelesh për të bërë këtë luftë opozitare”, – sqaroi Harasani. Anëtarja e rizgjedhur e Kryesisë komenton penalizmin e Islamit dhe Harasanit, të cilët mbetën jashtë strukturave drejtuese.
************

Mimi Kodheli
Kodheli: Një familje e madhe ka edhe debat, por edhe rregulla loje
Intervistoi: Denis Dedej
Anëtrja e rizgjedhur e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, e cila rezultoi si një ndër tre figurat më të mbështetura nga Asambleja Kombëtare komenton zhvillimet më të fundit në selinë rozë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ajo sqaron gjithashtu se modeli i ri i organizimit vjen si nevojë e përshtatjes me programin e ri politik që kryetari Rama shpalli në Kongresin e fundit të PS. Zyrtarja e lartë socialiste komenton dhe mbetjen jashtë strukturave drejtuese të dy deputetëve Andis Harasani dhe Kastriot Islami.
Zonja Kodheli, ju jeni rizgjedhur në Kryesinë e PS-së dhe keni marrë 147 nga 210 vota, duke u renditur si një ndër tre personat më të votuar në Asamble. A keni një koment për këtë?
I falënderoj të gjithë anëtarët e Asamblesë së PS të cilët me votën e tyre më falën besim dhe më mbështetën në rizgjedhjen time në Kryesinë e PS. Këtë gjë e konsideroj një privilegj, por pa dyshim edhe një përgjegjësi më të madhe ndaj atyre që kanë votuar për mua e më shumë akoma, ndaj të gjithë anëtarëve të thjeshtë të partisë, prej të cilëve të gjithë ne kemi dalë.
Në zgjedhjen e Kryesisë nuk pati shumë surpriza, pasi të gjithë ata që ishin u rikonfirmuan. Por kjo strukturë u zgjerua me prurje të reja. Si do ta vlerësonit këtë proces?
PS ka qenë dhe është një parti e hapur ku nuk kanë munguar prurjet e reja në çdo shkallë të hierarkisë dhe në te gjitha dimensionet. Ne mundohemi që dita ditës t’i japim familjes sonë të madhe politike, dimensionin e konkurueshmërisë, të ballafaqimit të ideve, të sjelljes së eksperiencave të reja dhe të entuziazmit që kërkon puna me të cilën merremi, në mënyrë që të mund të menaxhojmë sa më mirë energjitë dhe potencialet tona, me qëllim mbërritjen e rezultateve të dëshiruara. Ndaj këtë proces e vlerësoj realisht si një ndër më pozitivët.
Një prej ndryshimeve që sollën dhe punimet e asamblesë, ishte ndryshimi i modelit të organizimit. Kjo do të thotë se deri më tani gjërat nuk funksionin siç duhej apo ishte i nevojshëm ristrukturimi?
Dialektika na mëson se gjërat janë gjithmonë në evoluim, ndaj e shikoj mëse të domosdoshme nevojën e vlerësimit të tyre nga ky këndvështrim. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ndodheshim përballë një problemi të madh ose surprizë të pakëndshme. Modeli i ri i organizimit vjen si nevojë e përshtatjes me programin e ri politik që kryetari Rama shpalli në Kongresin e fundit të PS. Viti që vjen është viti i shtjellimit të çdo pjese të këtij programi me qytetarët dhe në çdo cep të territorit shqiptar. Por është edhe viti i plotësimit të prioriteteve europiane si dhe i përmbushjes sa më mirë të detyrimit tonë përpara qytetarëve për t’i dhënë fund abuzimit me zgjedhjet dhe fenomenit bajat të vjedhjes së votës.
Ndërsa kryesocialisti Rama vlerësoi asamblenë për votimin e zërave ndryshe si Malaj dhe Blushi, dy socialistë të tjerë Islami dhe Harasani mbetën jashtë strukturave drejtuese. A mendoni se ky penalizim erdhi për shkak të qëndrimit të tyre?
Nëse duam të luftojmë varfërinë, korrupsionin, papunësinë, të gjithë të keqen që i ka zënë frymën Shqipërisë, këtë duhet ta bëjmë bashkë, si një familje e madhe ku ka unitet, ka edhe debat, por ka edhe rregulla loje. Është vendim i gjithsecilit pastaj nëse kërkon të dalë jashtë këtij formati.
Në garën për Kryesinë e PS-së ka pasur një garë të fortë. Por, lideri i PS-së kërkoi mirëkuptimin e të gjithë atyre që nuk do të jenë pjesë e saj. Për të, problemi i socialistëve nuk janë rivalitetet, por problemi është i të jetuarit keq të tyre. Do të vazhdojë ky problem në PS?
Cili problem? Problemet sot i ka vendi ynë i dashur, i cili deformohet për çdo ditë e më shumë sa herë që kushdo që qeveris këtë vend nuk mendon si shqiptar dhe për Shqipërinë, nuk punon si shqiptar dhe për Shqipërinë, nuk ëndërron si shqiptar dhe për Shqipërinë.
Cila do të jetë sfida e ardhshme politike e Kryesisë dhe roli që do të luajë në politikbërjen e aksionit politik të PS?
Viti që vjen është një vit që besoj do të mbahet mend gjatë në histori, jo vetëm pse përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, por edhe pse është një vit i sfidës europiane dhe mbase edhe pse do të jetë një vit i vështirë në këndvështrimin e krizës globale ekonomike. Për të qenë më konkrete mund të them se ky vit do të jetë për të gjithë ne e aq më tepër për drejtuesit e lartë politik të PS, një vit i reformës zgjedhore, i reformës parlamentare dhe padyshim i asaj shtet-ndërtuese. Sfida jonë e ardhshme është pa as më të voglin dyshim, çuarja e forcës tonë politike në fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013, nëpërmjet një procesi realisht demokratik, me qëllimin fisnik të qeverisjes së vendit më mirë dhe më drejtë.
**********

Eglantina Gjermeni
Gjermeni: Si e prita zgjedhjen si anëtare e Kryesisë së PS-së
Intervistoi: Denis Dedej
Pjesëtarja më e re e Kryesisë së Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, sqaron mënyrën se si e ka pritur zgjedhjen në një prej strukturave më të larta të selisë rozë. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, deputetja socialiste komenton punimet e Asamblesë Kombëtare dhe rolin që do të luajë Kryesia në politikbërjen e aksionit politik të PS-së.
Zonja Gjermeni, ju jeni zgjedhur ditën e djeshme për herë të parë si anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Si e keni pritur këtë, duke qenë se jeni një ndër më të votuarat?
Besim, vlerësim, përgjegjësi dhe sfidë – këto janë për mua disa nga ndjesitë që kam si e zgjedhur në Kryesinë e Partisë Socialiste. Padyshim, që më vjen shumë mirë që u votova, kjo më bën të ndjej më shumë përgjegjësi dhe falënderim për të gjithë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Dua të përmend këtu se, që në momentin e propozimit të emrit tim si kandidate për kryesi nga kryetari i PS, Edi Rama, u theksua rezultati i zgjedhjeve të 8 majit nga Njësia 5. Një mirënjohje dhe falënderim për të gjithë qytetarët e Njësisë 5 që mbështesin dhe votojnë Partinë Socialiste, si dhe strukturat e Partisë Socialiste në këtë njësi për mbështetjen dhe angazhimin maksimal.
Diçka tjetër që dua të them në mënyrën më të sinqertë të mundshme është që të gjitha gratë kandidate për kryesi, (dhe jo vetëm ato), fare mirë mund të ishin anëtare të Kryesisë. Padyshim, që këtë e them edhe për burrat që u kandiduan. Partia Socialiste ka potenciale të mëdha, qoftë brenda anëtarësisë së saj, por edhe simpatizantë e mbështetës, si e tillë është një parti me burime njerëzore dhe intelektuale, që gjithmonë ofron mundësi për angazhim dhe kontribut të gjithsecilit/ës.
A keni një koment për mbledhjen e parë të Asamblesë Kombëtare dhe procesin zgjedhor të saj?
Asambleja Kombëtare në mbledhjen e saj të parë, për mendimin tim tregoi se Partia Socialiste di të shikojë përpara, ka vend dhe hapësirë për kontribut të të gjithëve, sepse vetëm kështu mund të arrihet një fitore në zgjedhjet e ardhshme. Vlerësoj, mesazhin që u theksua nga kryetari i PS lidhur me punën në terren dhe takimet me qytetarët, duke maksimizuar mbështetjen e tyre. Lidhur me procesin zgjedhor në Asamble, ajo që mund të them me siguri është që u votua me votim të fshehtë dhe të lirë. Procesi i votimit ishte transparent, në prani të mediave dhe të gjithë anëtareve të Asamblesë dhe u drejtua nga një komision juristësh me përvojë.
Kreu i PS-së në fjalën e tij vlerësoi se problemi i socialistëve nuk janë rivalitetet, por problemi është i të jetuarit keq të tyre. Mendoni se kjo e “keqe” do të zhduket pas votimit të djeshëm?
Ashtu siç thashë më sipër, Partia Socialiste ka burime njerëzore dhe intelektuale të mëdha, të cilat mund të krijojnë dhe rivalitete, mendime ndryshe, diskutime, debate, të cilat unë deri diku i quaj normale dhe që i shërbejnë demokratizimit të partisë. Mendoj që PS është më demokratikja ndër partitë politike në Shqipëri, por sërish procesi i demokratizimit është i vazhdueshëm. Demokratizimi i jetës së Partisë Socialiste, kontaktet e vazhdueshme me strukturat dhe qytetarët e thjeshtë, diskutimet dhe debatet janë një proces që duhen përsosur vazhdimisht duke e forcuar atë si institucion. Besoj se votimi i djeshëm dha mesazhin e qartë se duhet të jemi të gjithë bashkë për të dhënë një model qytetarie, respekti për njëri-tjetrin, bashkëpunimi, duke modeluar vlera dhe qëndrime europiane të cilat shpeshherë mungojnë në mjedisin politik.
Pas zgjedhjeve të Kryesisë së re, cila do të jetë sfida e ardhshme politike e saj dhe roli që do të luajë në politikbërjen e aksionit politik të PS?
Procesi i diskutimit të programit të Partisë Socialiste të prezantuar në Kongresin e 5 nëntorit me strukturat organizative të PS, si edhe me qytetarë është padyshim sfida e parë, të cilën unë e konsideroj të një rëndësie të veçantë. Procesi i pasurimit, përmirësimit, marrjes së mendimeve apo sugjerimeve lidhur me çdo çështje të programit, me qytetarë, profesionistë apo grupe interesi, do të jetë një proces real, gjithëpërfshirës edhe i hapur. Kthimi i këtij programi në një program qeverisë, i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve shqiptarë, do të jetë pjesë e aksionit politik të Partisë Socialiste.
Debati në parlament, lufta politike ndaj keqqeverisjes, kontaktet vazhdueshme i shikoj si elementë thelbësorë të luftës politike. Konsiderimi i periudhës së tanishme deri në zgjedhjet e 2013, si një proces intensiv pune nga të gjitha strukturat e Partisë Socialiste dhe koordinimi i mirë i të gjitha përpjekjeve, mendoj se do të jenë një sfidë tjetër për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.