Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Sport - 79 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Endi Tufa
U mendua se do të ishin ndeshjet e para, por kanë kaluar 9 deri më tani nga ky sezon dhe Teuta ka shansin për të zhveshur statusin e surprizës dhe për të marrë një pamje më serioze, atë të pretendentes e rivales së fortë për këdo skuadër të superiores. E filluan duke mundur Tiranën në “Qemal Stafa” dhe u duk një rastësi. Por deri në fundjavën e sapombyllur durrsakët kanë 7 fitore nga 9 ndeshje dhe vetëm një herë kanë provuar shijen e humbjes, atë me Vllazinë 3-1 në “Loro Boriçi”. Për herë të parë, presidenti i skuadrës durrsake, Edmon Hasanbelliu, tregon gjithçka ka ndodhur me ekipin e tij i cili tashmë është shndërruar në rrezik potencial për këdo.
Edhe pse kanë kaluar 9 javë, ju konsiderojnë si skuadra surprizë që komandon Superligën, ju si e shihni ekipin tuaj?
Shpesh e dëgjoj që na konsiderojnë surprizë, por unë nuk e shoh kështu. Që në momentet e para kur vendosëm të ndërtojmë skuadrën, rreth muajit qershor, kishim si synim zonën UEFA. Ky është objektivi ynë. Megjithatë, nëse ia dalim të shpallemi kampionë, nuk është ndonjë çudi.
Krahasuar me skuadrat e mëdha të kampionatit, ku e rendisni Teutën?
Nuk e kuptoj përse disa skuadra, si: Skënderbeu, Flamurtari, Kastrioti apo Tirana, konsiderohen si emra të mëdhenj. Ndoshta Tirana është e madhe si kryeqytet, por si skuadër nuk shoh ndonjë diferencë me tonën. Ne kemi luajtur me Tiranën kemi fituar, kemi fituar edhe me Flamurtarin. Ato janë pa dyshim skuadra të forta, por edhe ne nuk jemi surprizë, jemi të barabartë. Megjithatë, tani është fillimi deri në fund të shohim se kush do ta meritojë të shpallet kampion.
24 vjeç është mosha mesatare e formacionit durrsak. A mendoni se këta lojtarë janë të pjekur apo kanë përvojën aq sa për të luftuar për titullin deri në fund?
Edhe sa i përket lojtarëve tanë, të gjithë i konsiderojnë të rinj, ndoshta me moshë janë 23 apo 24 vjeç, por ata u bënë vite që luajnë. Kemi Çotën për shembull, ai ka ardhur nga ekipet zinxhirë të Torinos, ka qenë edhe pjesë e ekipit të moshave të kombëtares. Ai nuk quhet më i ri. Të ri kemi marrë nga Lushnja Pepën, lojtar me të ardhme. Kemi gjithashtu Tahirin, lojtar i ekipit shpresa të Maqedonisë. Kemi Veliajn, lojtari i përfaqësueses. Pastaj kemi Shetën, lojtar me përvojë, Jakupi, Osmani dhe thuajse të gjithë, se nuk po i përmend të gjithë, por nuk mund të quhemi më skuadër e re apo pa përvojë.
Sa kanë ndikuar dy drejtuesit kryesorë të skuadrës suaj të këtij sezoni, trajneri Lika dhe drejtori teknik Starova?
Dua të falënderoj të dy drejtuesit se janë pjesa kryesore e këtij suksesi, si Hasan Lika, ashtu edhe Sulejman Starova. Dy drejtues shumë të mirë e që kuptohen me njëri-tjetrin, por nuk mbetet më pas edhe Salillari, shefi i klubit dhe përgatitës atletik. Të tre këta emra janë pikat kyçe të këtij suksesi dhe padiskutim harmonia mes tyre.
Edhe pse jemi në vitin 2011, ka ende në kampionatin shqiptar “president-trajnerë” të cilët ndërhyjnë tek teknikët e tyre. Ju a keni ndërhyrë ndonjëherë në formacion?
Unë kam kaq vite që jam president, nuk mund të them që ndërhyj, por ama debatoj si me Likën edhe me Starovën. Pas çdo ndeshjeje debatojmë, por si shokë ama, dhe jo si president. Kjo është në të mirën e skuadrës.
Teuta ka shënuar vetëm 11 gola e ka pësuar 4 në 9 ndeshje kampionat. A ju duken mbrojtës drejtuesit e skuadrës suaj?
(Qesh) Shpesh ua them dhe unë. Si president që jam, më pëlqen të bëhen shumë gola e të dhurohet spektakël, por ata kanë mënyrën e tyre, që ka funksionuar. Ata fitojnë me këto skema që kanë dhe në njëfarë mënyre ma kanë mbyllur gojën.
Është për të ardhur keq, por në disa stadiume vazhdohet goditet me sende të forta e shihen skena dhune, ndërkohë në “Niko Dovana” gjithmonë ndeshjet janë zhvilluar model…
Mund të them që problemet në disa stadiume i bëjnë pjesëtarët e stafet drejtuese të klubeve. Janë disa rrethe, kryesisht të vogla, që shkaktojnë këto probleme. Unë do të doja t’i bëja thirrje këtyre drejtuesve të menaxhojnë situatën e të mos bëhen palë me tifozët, pasi në këtë mënyrë nuk luhet. Ne e kemi pasion futbollin dhe po u bë dhunë, nuk shohim më asgjë, nuk na jepet ajo kënaqësia që duam.
A do ta mbani vendin e parë deri në fund?
Kemi pa diskutim dëshirë që ta mbajmë vendin e parë dhe dua të theksoj që edhe po e mbajtëm, nuk është ndonjë cudi. U bëra 12 vite që e drejtoj këtë skuadër e nuk kemi arritur asnjëherë të shpallemi kampion. Pse mos ta bëjmë në këtë sezon? Ne, në njëfarë mënyre, jemi si Dortmundi në miniaturë. Nuk kemi liderë, por fitojmë.
Besoni se do t’ia dilni të shpalleni kampion, që do të jetë dhe titulli juaj i parë që nga koha kur drejtoni këtë skuadër?
Ëndërroj, ëndërroj…
50 milionë lekë shkon sezoni i Teutës…
Ne nuk jemi një skuadër me buxhet të vogël, paguajmë rreth 50 milionë lekë (të reja) në vit, padiskutim me ndihmën e bashkisë. Por mjafton të përmend se brenda një muaji ne paguajmë 5 milion lekë (të reja) rroga dhe 500 mijë lekë (të reja) premio për çdo fitore. Kështu që besoj se nuk jemi një skuadër e vogël edhe në këtë këndvështrim. Nuk e di se sa mund të paguajnë të tjerët, por di të konfirmoj se nuk paguajmë pak,” përfundon presidenti i Teutës Edmond Hasanbelliu.