Publikuar me : 11.11.2011 Ne :
Sport - 83 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ish-futbollisti, ish-kandidati për trajner të kuqezinjve rrëfen ekskluzivisht për “Sporti Shqiptar”
“Ka pasur dy javë që nuk kam bërë pikë gjumi. Vendimi ka qenë imi dhe më i vështiri që ka marrë ndonjëherë në karrierën time, sepse në mes ishte skuadra kombëtare. Emocionalisht, zemra më thoshte që të ishte aty. Por, nga ana tjetër, ishte Anderlehti, që më besoi një projekt që kërkova vetë dhe që nuk mund ta lija përgjysmë”
”Nuk është aspak e vërtetë që unë kam kërkuar një mal me para, apo nuk më janë krijuar kushtet, por thjesht në mes ishte respektimi i standardeve të korrektësisë kontraktuale me klubin e Anderlehtit. Ana financiare ka qenë sinqerisht, pika e fundit. Nuk dua që publiku shqiptar të mendojë për mua këtë aspekt”
“Nuk është e vërtetë, sikundër është thënë, që Duka nuk më ka plotësuar kërkesat. Është e vërtetë që mua si Hasi nuk më dhanë të drejtën e shkëputjes nga klubi belg. Është përfolur shumë, në media, se gjoja Besnik Hasi paska kërkuar shumë lekë, por ju them që ai ka qenë problemi im më i vogël personalisht”
Kishte kohë që nuk fliste, në fakt, por më në fund Besnik Hasi zbardhi gjithçka. Ish-kandidati që thuajse ishte vetëm gjysmë hapi larg skuadrës kombëtare të futbollit, rrëfen me shumë keqardhje atë që për të ka qenë vendimi më i vështirë në karrierën e tij: Vazhdimin e kontratës me Anderlehtin, respektimin e akordit me klubin që investoi për të, përballë një oferte që vinte nga Shqipëria.
Vetë Hasi, shumë i keqardhur, insiston të prekë faktin që kurrsesi nuk duhej të cënonte mbi raportet korrekte dhe besimin që të huajt në Belgjikë i kishin dhënë prej vitesh, në një kohë që nga ana tjetër pohon plotësisht dhe shumë i bindur: Duka më plotësoi çdo gjë që…
Por gjithçka ishte e lidhur në një trinom mes tij dukës dhe Anderlehtit. “Mora vendimin më të vështirë, për të qenë me karakter të plotë dhe të pacënueshëm karshi besimit që më kishin dhënë në këtë punë, edhe pse… faktikisht kombëtares shqiptare nuk duhej t’i thoja “JO”,- nis të flasë Hasi nëpërmjet telefonit.
Ka dëgjuar shumë gjatë këtyre javëve, aq më shumë pas mbylljes së akordit me Dukën, ku nuk mund të niste projektin në lidhje me kombëtaren. Madje-madje, në momente të veçanta edhe ka mbetur jo pak i vrarë, teksa tek-tuk aludimet e shumta mediatike i kanë faturuar me pa të drejtë aspektin financiar për refuzimin e pankinës. Por me një “JO” të madhe, Hasi sqaron se vetëm ana financiare ishte tërësisht gjëja më e fundit që do të diskutonte.
E thotë disa herë, madje, edhe në formë shfryrjeje karshi një diçkaje që e ka kapluar brenda tij, pasi dëgjonte të flitej për lekë. Jo. ”Nuk është aspak e vërtetë që unë kam kërkuar një mal me para, apo nuk më janë krijuar kushtet, por thjesht në mes ishte respektimi i standardeve me klubin e Anderlehtit.
Ana financiare ka qenë sinqerisht, pika e fundit. Nuk dua që publiku shqiptar të mendojë për mua këtë aspekt,”- shton Besniku, që pasi ka marrë përsipër të negociojë me Armandon (presidentin e FSHF-së), edhe në kushte kontrate me klubin belg, sërish mori kategorikisht një “JO” prej tyre.
Dhe përpara refuzimit, përballë kombëtares, Dukës që priste dhe klubit belg që kundërshtonte, në mes qëndronte besueshmëria dhe korrektesa karshi punëndhënësit. Fakt të cilin Hasi nuk e shpërdoroi, duke i mbetur besnik realisht klubit që i besoi projektin, edhe pse nën vete, ndarja me kombëtaren në projektin që kishte e bën të vuajë, madje të ndihet keq…
Nisja e negociatave
Realisht, gjithçka ka ndodhur në një kohë shumë të shpejtë, por që natyrisht ftesa e parë erdhi nëpërmjet telefonit të presidentit, që natyrisht po merrte kontakt me një ish-futbollist të kombëtares. Dhe këtu Hasi nis të rrëfejë:
“Në fund të shtatorit, presidenti Duka në emër të FSHF më ka kontaktuar telefonikisht me pyetjen direkte: Nëse kam dëshirë për të marrë kombëtaren shqiptare. Pas disa bisedash që kemi bërë me telefon, jemi takuar edhe një herë personalisht dhe kemi shkëmbyer opsionet e njeri-tjetrit për këtë bashkëpunim që do të nisnim. Për përmirësimin e kombëtares, FSHF kërkonte si fillim një kontratë 2-vjeçare, por që unë e shikoja në një tjetër aspekt, projektin tim.
Disa futbollistë bazë do të linin kombëtaren dhe kështu gjenerata duhej të ndërorhej dhe kështu duheshin ardhje të reja. Sipas meje, çdo vend i vogël duhet të ketë një projekt me një kohëzgjatje 4-vjeçare për vazhdimësinë e ekipit, për të qenë sa më kompetitiv dhe më i plotësuar. Këtë ia kam thënë edhe Dukës.
Ndërkaq, i kam kërkuar të marr me vete edhe asistentin tim në këtë rrugëtim me skuadrën. Ai do të ishte afër meje, pasi me të kam pasur bashkëpunim të ngushtë. Për hir të së vërtetës, presidenti Duka ma plotësoi kërkesën për 4 vjet, por duke vënë kusht për disa pikë të marra në edicionin e parë 2-vjeçar eliminator, por që për mua nuk ishin fare problem. Kjo është e vërtetë. Unë nuk kërkova katër vjet për dëshirën time, por për vazhdimësinë e këtij ekipi.
Presidenti m’i plotësoi këto kushte. Nuk është e vërtetë, sikundër është thënë, që Duka nuk më ka plotësuar kërkesat. Është e vërtetë që mua si Hasi nuk më dhanë të drejtën e shkëputjes nga klubi belg. Është përfolur shumë, në media, se gjoja Besnik Hasi paska kërkuar shumë lekë, por ju them që ai ka qenë problemi më i vogël personalisht imi. Nuk ka qenë aspak ana financiare, por raportet dhe kontrata në fuqi me Anderlehtin.”
Refuzimi i presidentit të Anderlehtit
E teksa kishte marrë garancitë e tij nga Duka në lidhje me projektin që do të niste me Shqipërinë, natyrisht që Hasi kurrsesi nuk deshte një largim me qejfmbetje, apo me probleme nga Anderlehti që i kishte dhënë jo pak atij. Dhe për ironi, apo për koincidencë të faktit, ai vetë ishte në vitin e fundit të kontratës, dhe kishte nisur bisedimet për rinovim edhe me belgët.
Dhe për këtë menjëherë u përcolli zyrtarëve të klubit ofertën që i kishte mbërritur nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Unë ia kisha deklaruar edhe vetë presidentit Duka që: Në asnjë moment nuk duhej të largohesha nga Anderlehti me ofeza, me pakënaqësi, me probleme. Në asnjë mënyrë. Pasi isha thuajse 90 perqind dakort me FSHF fola më pas me klubin belg. Presidentin nuk munda ta takoj menjëherë, pasi ndodhej jashtë, por fola me drejtorin ekzekutiv.
Por, menjëherë, ky i fundit ishte shumë i prerë, dhe kategorikisht kundër që unë të shkoja me kombëtaren shqiptare. Sipas tij, ne jemi (dhe realisht ka nisur një project prej disa vitesh) në një projekt me klubin që më kishin përfshirë edhe mua dhe nuk mund ta lija këtë punë në gjysmë. Pas një javë, ose përpara 10 ditësh, fola edhe me presidentin e Anderlehtit, por dhe ai ishte kategorik, madje më i prerë, duke thënë: “JO”.
Sepse ata më kishin dhënë shumë besim dhe deshën vazhdimin tim në klub. Në këto kushte menjëherë njoftova Dukën, në mënyrë që edhe atyre t’u jepja kohë për të nisur negociatat me kandidatë të tjerë, pasi skuadra ka nevojën e trajnerit. Në asnjë moment nuk e kam ndaluar FSHF që të bisedoja me kandidatë.
E besoj presidentin Duka që nuk ka biseduar me të tjerë, pasi kishte shumë dëshirë që të isha unë atje. Ka pasur dy javë që nuk kam bërë pikë gjumi. Vendimi ka qenë imi dhe më i vështiri që kam marrë ndonjëherë në karrierën time, sepse në mes ishte skuadra kombëtare. Emocionalisht, zemra më thoshtë që të ishte aty.
Por, nga ana tjetër, ishte Anderlehti, për të cilin duhej të vendosja. Po ta mendoja mirë dhe të lija në gjysmë punën e nisur me Anderlehtin çfarë besueshmërie do të kisha unë tek një tjetër punëdhënës? I kam mbetur besnik kontratës së nënshkruar me klubin belg.
Epilogu i Hasit…
“Unë do të vazhdoj të mbetem te klubi belg, pasi kam nisur një projekt në atë klub që përpara dy vitesh dhe që frytet i jep tani. Klubi ka investuar në këtë projekt, me objektiv për t’u kualifikuar direkt në Ligën e Kampioneve. Me dëshirat e mia unë u përfshiva në këtë projekt. Mendoj se isha korrekt, pasi kam treguar karakterin tim në raportin që kisha me klubin belg, dhe nuk duhej të komportohesha ashtu, por duke zbatuar korrektësinë. Megjithatë, nga ana tjetër, faktikisht nuk duhej t’i thoja kombëtares “JO”.