Publikuar me : 24.10.2011 Ne :
Politike - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë . Qëllimi i kësaj vizite është që të shkëmbehen pikëpamjet në lidhje me legjislacionin dhe praktikën zgjedhore shqiptare.
Delegacioni i kryesuar nga sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert, zhvilloi fillimisht një takim me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Pas takimit me delegacionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, Haxhinasto, u shpreh se rekomandimet e OSBE-ODIHR-it do të shërbejnë si pika referimi për reformën zgjedhore.
“Këto rekomandime do të jenë pika jonë e referencës për reformën zgjedhore në të ardhmen, të cilën e kemi konceptuar si një proces të hapur, një proces që bëhet në kohën e duhur, një proces i cili adreson pikërisht këto argumentime. Kemi gjetur mirëkuptimin e plotë, mbështetjen e plotë nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe të ODHIR-it dhe ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që Shqipëria të jetë modeli i standarteve më të larta për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh Haxhinasto në konferencën përmbyllëse pas takimit.
Ndërsa kreu i delegacionit, Tomas Markert, theksoi se vizita në Shqipëri ka si qëllim evidentimin e përmirësimeve që duhet t’i bëhen reformës zgjedhore, në mënyrë që në të ardhmen të shmangen krizat politike.
Vizita e delegacionit të Komisionit të Venecias do të zgjasë dy ditë dhe qëllimi i vizitës është hartimi i një opinioni të përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, lidhur me përmirësimet që mund t`i bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, bazuar kjo në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës”.
Delegacioni përbëhet me përfaqësues të Komisionit të Venecias, Pieter Van Dijk – Anëtar, Holland, Oliver Kask – Anëtar, Eston, Konrad Olszeëski – Ekspert, Poloni, Thomas Markert – Drejtor, Sekretar i Komisionit të Venecias, Pierre Garrone – Shef i Divizionit të Zgjedhjeve dhe Referendumeve, Sekretariati i Komisionit të Venecias, ndërsa nga OSBE/ODIHR-i do të jenë, Armin Rabitsch – Këshilltar i lartë zgjedhor, z. Richard Lappin – Këshilltar Zgjedhor, dhe Marianna Skopa – Eksperte Ligjore.
Zyra e Këshillit të Evropës me anë të një deklarate për mediat bënë të ditur se pas kësaj vizite, do të finalizohet një draft-opinion (i përgatitur bashkërisht nga raportuesit e Komisionit të Venecias dhe ekspertët e OSBE/ODIHR-it) dhe do të dorëzohet në Komisionin e Venecias për miratim të mundshëm në seancën e saj plenare të dhjetorit 2011, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm.