Publikuar me : 11.11.2011 Ne :
Kulture - 30 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
“E blej dhuratë për një burrë” thotë gruaja që mban për dore të birin dhe shoqërohet nga një burrë. Është një nga vizitoret në stendën e “Onufrit” në orën kur nis të nënshkruajë autograf Helena Kadare.
Hera e parë që zonja Kadare nuk ulet në karrigen e anës ku zakonisht pret të shoqin që kryen ritualin e nënshkrimit të librit të ri nga një vit në tjetrin, në panairet e librit në Tiranë. Ai e ka radhën sot.
Helena Kadare nënshkruan për 3 çerek ore dedikime jo formale, jo të shkurtra, sepse takon fytyra të njohura mes lexuesve. Në duart e tyre kopertina e pasme duket e ndryshuar. Është sërish çifti Kadare më i çelur se në botimin që u hodh në qarkullim në mes tetori. Botuesi i “Onufrit” Bujar Hudhri konfirmon se është hedhur në qarkullim një tirazh tjetër i “Kohë e pamjaftueshme”.
Tomori, një pensionist po e blen për gruan, historiani Pëllumb Xhufi kërkon një autograf në emrin e “dorës vetë”, një i ri nga Vlora në emër të nënës, Habibi, një menaxher reklamash e blen për veten, një 17-vjeçar po e blen ngaqë adhuron Kadarenë. Në tjetër sqarohet se kërkon ta njohë më mirë Ismailin nga ato që ka shkruar Helena. E kështu me radhë, “secili ka hallin e vet”, thonë ata në rresht.
Helena Kadare ka vite që nuk ka dalë me një libër. I fundit është “Një grua nga Tirana” 2000. Ka botuar ndërkohë përkthime (Mishima, Singer).
Tani zonja Kadare nënshkruan punën e 15 viteve. Kujtimet panë dritën e botimit menjëherë sapo u përfunduan. 700 faqe. Dje u tha se paskan edhe 100 faqe më shumë ku trajtoheshin raportet me mikesha dhe njerëz të fiseve Gushi- Kadare. Mbetën jashtë sepse të shoqit i janë dukur të pavlefshme. Autorja konfirmoi disa herë se “Kohë e pamjaftueshme” nuk do të shkruhej pa marrë aprovimin e tij, e Ismail Kadaresë. E nëse ka dalë një vëllim voluminoz, prapë për shkak të tij ka qenë: “Një jetë e gjatë pranë një mjeshtri, s’ka si të ishte ndryshe. Ka luajtur rolin e kritikut dhe të mbështetësit. E kam pranuar kritikën e tij pa asnjë kusht sepse e dija që vetëm do të më ndihmonte. Ai është shumë i kënaqur me këtë libër. E ka aprovuar, ndryshe unë s’mund ta bëja pa patur aprovimin e tij. Këshilla e tij ishte kjo: Në qoftë se ti dëshiron të jesh e besueshme, duhet t’i thuash gjërat siç i mendon. Mos mendo se po bëre ndonjë marifet, po u fshehe apo i zbukurove gjërat, lexuesi nuk e kupton. Lexuesi e kupton përnjëherë që ajo është e shtirur, prandaj thuaji gjërat ashtu siç i mendon. Në fakt ky pakt u bë para 15 viteve.”
Këto tha mbrëmë në një intermexo për median, Helena Kadare.
Cilindo libër të kishte shkruar ndërkohë, nëse jo kujtimet, nuk do të kishte tërhequr vëmendjen siç ka ndodhur realisht me “Kohë e pamjaftueshme”. Është ky tregues i lëvizjes që ka bërë autorja nga pika e vdekur e shkrimeve të saj, është po aq tregues për publikun, kryesisht atë që lexon me vesh. Për këtë të fundit ndodhej media mbrëmë:
Ç’mendoni për debatin që ka hapur libri juaj? Jeni penduar që keni shkruar kaq hapur? Po t’i riktheheshit kujtimeve, do t’i hiqnit pjesët ku flisni vërtet hapur? Jeni e kënaqur që libri është hapur kaq shumë ndër njerëz?
Janë të gjitha pyetje të hapura për mbylljen e diskutimit mbi tradhtitë bashkëshortore të Ismail Kadaresë të cilat “Kohë e pamjaftueshme” i trajton përgjatë gjithë bashkëjetesës dyzetvjeçare të çiftit. “I kam lexuar debatet në media. E quaj jashtë dinjitetit tim të merrem me këtë gjë, sepse ato gjëra u thanë nga njerëz pa seriozitet, sepse unë mendoj që libri im është një libër serioz që ka gjëra shumë më të rëndësishme se sa ato që diskutohen në atë lloj televizioni.” Autorja i referohet një media të caktuar ku “njerëz vulgarë kanë menduar për të bërë një shou me gjëra që nuk ekzistojnë, pa lexuar asnjë rresht nga libri im. Ai lloj vulgariteti është bërë nga një pjesë, sepse mendoj që media e ka pasqyruar shumë mirë jehonën e këtij libri.”
Helana Kadare mendon që lexuesi shqiptar nuk është i përgatitur për të lexuar kujtime, kujtime të paanshme ndaj së shkuarës: “Në të vërtetë, e mendova më pas këtë gjë, sepse me njerëzit që rri unë, shoqëria, miqtë e mi, mendoja se ishin krejtësisht të përgatitur dhe në fakt ashtu ndodhi. Nga njerëz krejt të panjohur kam marrë ca mesazhe kaq të bukura, sa mendova që ia vlente t’i shkruaja kujtimet. Ata më falënderonin pikërisht për këtë gjë. Jam e kënaqur me atë pjesë të shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Dhe një pjesë shumë më e vogël që me sa duket nuk ka ditur ta përtypë mirë këtë liri që ka marrë, të them të drejtën, kjo pjesë më ka deziluzionuar.”
Sa për reagimin e të shoqit, shkrimtarit Ismail Kadare, pohoi se “ai është ndjerë i çmeritur” nga kjo pjesë e publikut. Helena Kadare mendon se libri ka gjetur shtegun për të lexuesi ngaqë pika e tij e fortë është sinqeriteti. “Me sa duket se kam zbrazur shpirtin. Po të jetë se sonte e kam konkurruar Kadarenë, kënaqësi më jep, sepse gjithnjë ai është vedette-a. Megjithatë ai është i gjithëgjendshëm në këtë libër.”
Helena Kadare kthehet në stendën e “Onufrit” nesër dhe të dielën në orën 18.00. Botuesi thotë se që nga dita që është hedhur në qarkullim “Kohë e pamjaftueshme” është shitur në 2000 kopje. Autorja vazhdon ta prezantojë librin në vendet frankofone sepse “Le temps qui manque”
Fayard 2010, u botua njëherë në Francë.
Konkurrencë titujsh: Rama, Fevziu, Blushi, Kadare
Vatrat e panairit nuk janë ato që kanë hapësirat më të mëdha, nuk janë as ato që janë bërë të rëndësishme vetiu me titujt në stenda. Janë ato vatra që media i ngriti në qendër të vëmendjes duke krijuar si në asnjë panair libri në Tiranë, publikun lexues. Radha e përmbajtur e njerëzve që rrinë me disiplinë pas tryezës ku nënshkruan Ismail Kadare (këtë panair ai paraqitet me “Mosmarrëveshja”, botim i riparë dhe i ndrequr nga autori) është bërë turmë. Banaku modest i “Dudaj” ku gjatë gjithë ditës është shitur me intensitet deri në 1500 kopje “Kurban” i Edi Ramës, për dy orë në mbrëmje, nuk dukej më prej morisë së njerëzve të grupmoshave të ndryshme, që kërkonte një dedikim prej autorit. Shitja është dyfishuar.
Në fakt askush nga botuesit nuk deklaron tirazhe, sepse kjo do të ishte si të shkosh vetë te tatim taksat dhe të tregosh xhepat. Për këtë panair secili prej librave me sukses të parashikuar, është rishtypur. Kështu që, nëse “Onufri” thotë se Helena Kadare ka shitur 2000 kopje në dy javë, dhe “Dudaj” se vetëm në Tiranë Edi Rama ka shitur për një ditë-natë 3000 kopje (duke llogaritur mbrëmjen e prezantimit të “Kurban” më 9 nëntor), prapëseprapë nuk mund të kuptohet si një tablo reale e librit në treg.
Botimet Mapo e kanë demonstrimin të shkruar në ballë. Stenda në hyrje të panairit është agresion i publicistikës nga autorë shqiptarë dhe i librave studimorë nga universitarë e akademikë. Në mesditë Blendi Fevziu nënshkroi për blerësit e librit të tij “Enver Hoxha”. Biografia që është hedhur në treg prej një muaji, ka shitur dje, sipas burimeve nga “Mapo”, 2000 kopje dhe parashikohet që kërkesat t’i përmbushë tirazhi 15 mijë kopje që është hedhur në qarkullim “vetëm për panair”.
Konkurrenti tjetër në këtë stendë, Ben Blushi, ka shitur dje 800 kopje. Romani i tij “Shqipëria”, është i vetmi fiction në këtë histori librash shumë të shitur. Për panair janë hedhur në qarkullim 5000 kopje më shumë.
Secili prej librave duket ta ketë përcaktuar tashmë grupin e vet të lexuesit. Për mënyrën se si hynë në treg dhe çfarë autorët e tyre përfaqësojnë, ka të ngjarë që secili grupi i lexuesve të dominohet nga një tip lexuesi i paqëndrueshëm, i joshur, i magjepsur, i varur: simptomat e suksesit.
Panairi i librit “Tirana 2011”
Edicioni i 14-të i panairit të librit “Tirana 2011” është i hapur deri të dielën në Pallatin e Kongreseve. Marrin pjesë 90 botues, librarë, edhe nga Kosova e Maqedonia. Në ditën e fundit, 13 nëntor organizatorët, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, shpallin fituesit e çmimeve përvitshme “Libri më i mirë”, “Përkthimi më i mirë”, “Libri më i mirë për fëmijë” dhe “Stenda më e mirë grafike”.