Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Helikopteret, Tirana shmangu amerikanet

Publikuar me : 13.09.2011 Ne : Ekonomi dhe Biznes - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Emirjon Senja

Kabllogramët e zbuluara së fundmi nga Wikileaks kanë nxjerrë në pah të gjithë zhvillimet e tri viteve më parë kur lobohej për kontratën e majme të helikopterëve që kishte shpallur ekzekutivi. Nga kabllogramet që ambasada amerikane i ka dërguar Departamentit të Shtetit, duket qartë dëshira e qeverisë shqiptare për të dhënë një kontratë të vetme furnizimi për helikopterë tek
kompania franko-gjermane “Eurokopter” duke shmangur nga gara amerikanët e “Sikorskit”. Kjo, nisur edhe nga lobimi direkt i Presidentit Francez Nikolas Sarkozi tek Kryeministri Berisha gjatë takimit të zhvilluar në Paris në periudhën kur po diskutohej kontrata. Më shumë se me dhënien e kontratës tek evropianët e “Eurokopter”, amerikanët ndjehen të zhgënjyer nga qeveria
shqiptare për sjelljen e saj gjatë zhvillimit të negociatave duke mos qenë transparente me “Sikorskin”.

Situata është e tillë: Fillimisht qeveria shqiptare lajmëroi për zhvillimin e një tenderi për blerjen e 5 helikopterëve të mesëm. Ishin tre kompani që shfaqen interes, “Eurokopter”, kompania frankogjermane,  Augusta-Uestlend”, kompani italiane dhe “Sikorski”, kompani amerikane. Pas presionit të evropianëve, duket se qeveria shqiptare është tërhequr nga zhvillimi i tenderit duke miratuar një kontratë të furnizimit me helikopterë vetëm nga “Eurokopter”.

Nga ajo që zbardh kabllograma, kur ka hequr dorë nga tenderi, qeveria shqiptare nuk ka lajmëruar kompanitë që shfaqën interes, siç është në rastin që raporton ambasada e SHBA-ve, kompania “Sikorski”. Ajo u lajmërua për këtë veprim vetëm pasi përfaqësuesit e saj erdhen për të negociuar në Tiranë. Në fillim ishin italianët ata që nisën lobimin me qeverinë shqiptare. Në fillim të prillit 2009 tre senatorë të rëndësishëm italianë, pjesëtarë të grupit parlamentar italian në Asamblenë e NATO-s, vizituan Tiranën. Edhe ata vlerësuan “reformat në prag të anëtarësimit”, por në takimet brenda zyrave e bënë të qartë se çfarë presin në këmbim të komplimentave nga qeveria shqiptare.

Sipas burimeve diplomatike italiane, mesazhi që iu dha qeverisë shqiptare ishte se “Italia e shihte shume seriozisht këtë tender dhe se Shqipëria duhet ta kishte të qartë se vendi përtej Adriatikut dhe jo Franca, ishte pika e parë e kontaktit me NATO-n”. “Ne presim për shembull tenderë transparente, presim rritje të teknologjisë ushtarake për të cilat ju keni nevoje për operacionet e ndryshme të forcave tuaja ushtarake si në Afganistan”, – do të shprehej senatori italian De Gregorio. Më pas ishte radha e SHBA-së që të bënte lobing për çështjen e helikopterëve, por kur mësuan se kontrata ishte paracaktuar për francezët, amerikanët u tërhoqën duke shfaqur pakënaqësi për mungesën e transparencës që shoqëroi këtë proces.

 

 

Berisha ndryshoi kushtet për të favorizuar francezët

 

Titulli: Tenderi i ministrisë së mbrojtjes merr një kthesë problematike

Dërguar: Ambasada e Tiranës

Data: 06 tetor 2009

Kategoria: Konfidencial

Firmos: Ambasadori Uidhërs

 

Kabllograma e dërguar nga ambasda amerikane në Tiranë zbardh skandalin me tenderin e paralajmëruar nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 2009 për blerjen e pesë helikopterëve të mesëm. Fillimisht u lajmërua për tender, kompania amerikane e helikopterëve “Sikorski” u përgatit për të marrë pjesë në të, miniatria anulon papritur tenderin duke miratuar dhënien e kontratës për furnizim vetëm nga kompania franko-gjermane “Eurokopter” duke mos lajmëruar për anulimin amerikanët. Ambasada shprehet e shqetësuar por edhe e zhgënjyer nga sjellja e qeverisë dhe më shumë se për tenderin ajo shpreh pakënaqësi “për mungesën e transparencës që shoqëeron këtë proces”. “Shqipëria ka të drejtë të zgjedhë helikopterët më të përshtatshëm që asaj i nevojiten , por se nuk mund ta trajtojë SHBA-në, aleatin e saj më të fortë në këtë mënyrë”, – i ka raportuar shefave të tij Uidhërs. Më poshte gjendet kabllograma e plotë

 

(Fillimi i kabllogramës)

“Mungesa e transparancës në zhvillimet e fundit për tenderin e blerjes së helikopterëve të mesëm na ka shqetësuar. Pas një takimi, në dukje të suksesshëm me Kryeministrin Berisha dhe me ministrin e ri të Mbrojtjes Arben Imami më 16 shtator, Sikorski (i cili ka të drejtën si konkurrenti i vetëm amerikan), u habit kur mori një letër më datë 24 shtator, e cila datonte që më 14 shtator, ku shkruhej për anulimin e tenderit për helikopterët e mesëm. Ambasada nuk ishte e informuar më parë për këtë anulim. Burime thanë se Ministria e Mbrojtjes kishte vendosur për të dhënë një kontratë të vetme funizimi “Eurokopterit”. Atasheu, shefi i Zyrës së Mbrojtjes dhe oficerët e tjerë të ambasadës u takuan me ministrin e Mbrojtjes Imami më 1 tetor duke ndarë me të shqetësimet për mungesën e transparencës dhe trajtimin e vakët që iu bë “Sikorskit”.

Gjatë takimit, Imami u tërhoq nga pozicioni i tij për ofrimin e një kontrate të vetme furnizimi ndaj “Eurokopter” dhe pranoi të kontaktonte me “Sikorskin” dhe të zhvillonin negociata paralele me të dyja kompanitë. Imami sqaroi se Kryeministri Berisha ishte i vendosur që të mbyllte kontratën deri më 31 dhjetor. Ambasadori i ndau shqetësimet tona me Kryeministrin dhe Mnistrin e Jashtëm më 5 tetor.

Më 16 shtator, përfaqësuesi i “Sikorskit” udhëtoi në Tiranë për të takuar qeverinë e re shqiptare dhe për të nxitur pranimin nga ana e saj të ofertës për “Blakhok” (Blackhawk) në tenderin për helikopterët e mesëm. (Notë: Sikorski është e vetmja kompani që ka dhënë ofertë dhe që ka të drejtën e përfaqësimit të SHBA-së). Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, ministri i Shtetit Genc Pollo dhe ministri i Mbrojtjes Imami dhe të gjithë përfaqësuesit shqiptarë, ishin pozitivë ndaj ofertave të Sikorskit. Asnjëri nuk bëri të ditur se në fakt tenderi ishte anuluar dy ditë më parë. Asnjë nga qeveria shqiptare gjithashtu nuk njoftoi Ambasadën për anulimin. Ambasada nuk mësoi anulimin e tenderit deri më datë 24 shtator, kur Sikorski i dërgoi me faks një letër të cilën sapo e kishin marrë (mgjs datonte më datë 14 shtator) ku thuhej se ishte anuluar tenderi.

Më pas, burime të ndryshme në Ministria e Mbrojtjes informuan ambasadën se qeveria shqiptare po negocionte me “Eurokopter” një kontratë furnizimi me helikopterë vetëm nga kjo kompani. Zyrtarë nga Ambasada gjermane ishin parë në takime të ndryshme me ministrin e Mbrojtjes. Në një pritje të mëvonshme, një zyrtar gjerman i shprehu besimin atasheut të mbrojtjes së ambasadës së SHBA-ve se së shpejti kontratën do ta fitonte “Eurokopter”.

Më datë 1 tetor, atasheu i Mbrojtjes dhe shefi i zyrës së bashkëpunimit për mbrojtjen takuan ministrin Imami. Oficeri i ambasadës, përçmoi trajtimin e vakët të “Sikorskit” në fshehjen e anulimit të kontratës dhe mungesën e transparencës gjatë diskutimit të kontratës për furnizimin me helikopterë. Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen, paralajmëroi për dëmet që mund të sillnin këto në asistencën e SHBA-ve. Imami konfirmoi që Minstria e Mbrojtjes ishte duke marrë parasysh një kontratë të vetme furnizimi me helikopterë nga “Eurokopter”. Ai gjithashtu theksoi se anulimi ishte bërë para se ai të merrte detyrën si dhe sqaroi se e dinte që “Sikorski” nuk ishte vënë në dijeni për anulimin e kontratës.

Me nxitjen e fortë të Ambasadës, Imami pranoi të kontaktonte “Sikorskin” për të sqaruar mungesën e komunikimit dhe t’a vinte në dijeni për negociatat paralele me “Eurokopter”.

Në takimin e datës 5 tetor me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, ambasadori parashtroi me forcë problemin e transparençës. Shqipëria ka të drejtë të zgjedhë helikopterët më të përshtatshëm që asaj i nevojiten , por se nuk mund ta trajtojë SHBA-në, aleatin e saj më të fortë në këtë mënyrë. Ky është sinjali më i varfër që ka ardhur nga qeveria e re shqiptare që pas zgjedhjeve. Në fakt, Imami nuk ka një të shkuar ushtarake apo eksperienca të ngjashme dhe pozita e tij si ministër i Mbrojtjes i detyrohet afrimitetit me Kryeministrin duke e lenë Shqipërinë përballë sulmeve për manipulime politike.

Berisha shpjegoi se kjo situatë ishte krijuar për shkak të keqfunksionimit të administratës së tij në tranzicion. Ai tha se Imami do të ishte i aftë për të dhënë përgjigje të mira gjatë takimit të parashikuar për në 8 tetor.

Pavarësisht pohimeve të Berishës, vendimi për prokurimin e helikopterëve do të merret nga Kryeministri dhe do të jetë kryesisht vendim politik. Imami i shpjegoi oficerit të ambasadës që Berisha i kishte dhënë udhëzime strikte që kontrata të përfundohej brenda vitit fiskal (31 dhjetor). Duke qenë se objektivi kryesor i qeverisë shqiptare është pranimi në Bashkimin Evropian, qeveria shqiptare do të ndjejë më shumë detyrime politike ndaj vendeve anëtare të BE-së. Megjithatë, Imami sqaroi se SHBA-të do të vijojnë të konsiderohen aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë. Shqetësimet tona më të mëdha kanë të bëjnë me faktin që kontrata apo prokurimi të zhvillohet me transparencë dhe në mënyrë të ndershme.

Ambasadori do t’i përsërisë shqetësimet ministrit të Mbrojtjes më vonë gjatë kësaj jave.

Në takim me Kryeminstrin Berisha dhe ministrin e Mbrotjes Oketa, zv/ambasadorja Xhons dhe ambasadori Uidhërs pyetën për kërkësën e Ministrisë së Mbrotjes për helikopterët e mesëm. “Sikorski” ka të drejtën e përfaqësimit duke ofruar Blakhok-ët (Blackhawk). Gjithashtu, garues janë edhe “Eurokopter” e BE-së dhe italianët e “Augusta-Uestlend”. Berisha siguroi atë se prokurimi do të jetë “transparent dhe i ndërshëm”, por “Augusta” dhe “Eurokopter” ishin më kompetitiv krahasuar me “Sikorskin”, të cilin ai e vlerësoi të shtrenjtë.

Nga ana e tij, Oketa raportoi se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shtuar disa kërkesa për ofruesit. Oketa gjithashtu i kërkoi Agjencisë së Furnizimit dhe Mirëmbajtjes së NATO-s t’i dërgonin një ekspert për të bërë një vlerësim të paanshëm, të cilën ata e pranuan. Ministria e Mbrotjes do të presë të marrë një vendim pas tyre hapave shtesë të hedhur”.

 

 
 

Kabllograma 2

 Ambasada, Xhonsit: Kërkoji Berishës transparencë


Çështja e helikopterëve zë vend në disa kabllograma të dërguara nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë tek Departamenti i Shtetit. Para se ndihmës sekretari për euro-azinë Stjuart Xhons të vizitonte Tiranën në fillim-verën e vitit 2009, Departamenti i Shtetit i kërkon ambasadës të bëjë një pasqyrë të situatës në vend dhe të këshillojë për ato ç’ka mund të ketë parasysh gjatë takimeve me funksionarët shtetërorë shqiptarë. Pjesë e këtyre këshillave është edhe lobimi për helikopterët në emër të kompanisë “Sikorski.

Kabllogrami mban datën 5 maj 2009 është konfidencial është i firmosur nga ambasadori Uidhërs.



Fillimi i kabllogramës

“Në takimin tuaj me Oketën, Berishën dhe Bashën ju duhet të përgatiteni për të bërë një fushatë të shkurtër për ofertën e “Sikorskit” për furnizimin e ushtrisë shqiptare me helikopterë të mesëm. “Sikorski” ka të drejtën ekskluzive të dhënies së ofertës nga SHBA. Duke ofruar “Blakhokët”, “Sikorski” konkurron me dy kompani të tjera. Ato janë italianët e “Augusta Bell” dhe “Eurokopter”. Shtypi është mbushur me shkrime pas vizitës së Kryeministrit Berisha në Francë dhe takimit me Presidentin Sarkozi për arritjen  e një marrëveshje të fshehtë për dhënien e kontratës tek “Eurokopter” në këmbim të mbështetjes franceze për aplikimin e Shqipërisë për në BE.

Berisha dhe Oketa janë vënë në dijeni direct nga “Sikorski” për ofertën e helikopterëve dhe i dijnë detajet por një paralajmërim për ta do të ishte mëse i përshtatshëm tani. Vlerësimi duhet të bëhet i drejtë, i hapur dhe transparent. Kaq, as më pak edhe aq më shumë”.

 
Çmimi

Helikopter shumë funksionesh AS532 AL + Garanci 500 orë fluturimi ose 12 muaj për helikopterin ose pajisjet opsionale, cilado që skadon përpara. Pesë copë MRH 69 742 814 euro

Niveli I & II i pjesëve të këmbimit dhe mjeteve të mirëmbajtjes 1 paketë për të pesë helikopterët 1 921 576 euro

Çmimi total i kompleteve të pajimeve 1x komplet VIP, 1x komplet SAR, 1 x komplet MEDEVAC, 2 x komplet për transport trupash 6 446 800 euro.

Çmimi i trajnimit të 10 pilotëve 375 300 euro. Çmimi i trajnimit të dy instruktorëve të pilotit 47 798 €.

Çmimi i trajnimit të teknikut 75 000 euro. Çmimi i trajnimit të teknikut për “Avionic” (për sistemet elektronike aeronautike) 2 4 000 euro

 

Kontrata Totale

78 633 288 euro

 

 

Këstet

8 milionë euro prej 15 qershorit 2011

20 milionë euro jo më vonë se 28 shkurt 2012

20.6 milionë euro jo më vonë se në 28 shkurt 2013

8.570.788 euro jo më vonë se në 28 shkurt 2014



Pagesat e ndërmjetme

7.6 milionë euro në prill 2011

8 milionë euro deri në 30 tetor 2011

 

Helikopteri VIP

535 mijë euro Paradhënie për “Eurokopter”

1.337.500 euro jo më vonë se 1 tetor 2011

3.477.500 euro Jo më vonë se 1 dhjetor 2011

 

Lëvrimi në data

Helikopteri VIP                    26.3.2012

Helikopteri CSAR                26.10.2012

Helikopteri MEDEVAC      31.3.2013

Helikopteri TTH 3               0.7.2013

Helikopteri TTH                  30.4.2014

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Kriza ekonomike, biznesi shqiptar preket me shume

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Ekonomi dhe Biznes - Lexuar : 75 here.
Kriza ekonomike, biznesi shqiptar preket me shumeBiznesi shqiptar, foto arkiv Krizën ekonomike ata po e ndjejnë gjithmonë e më shumë janë bizneset. Në bazë të të dhënave fiskale për 4 mujorin e këtij viti vërehet se tatim fitimi, i cili është pasqyrimi i ecurisë ekonomike të bizneseve, është ulur ndjeshëm. Shifrat e raportuara nga Ministria e Financave mbi ecurinë e treguesve fiskal tregojnë se përsëri zëri i të ardhurave nga tatimi mbi fitimin mbetet zëri më negativ, çka nënkupton krizën financiare që po...Lexo te gjithe artikullin »


» Biznesi ne krize, bien me 18 perqind te ardhurat nga tatim-fitimi
» CEZ nuk po e shlyen borxhin ndaj KESH-it
» Kur shteti nuk paguan shtetin, sh.a-te i kane 40 mln dollare borxh buxhetit
» Greqia behet gati te kthehet tek dhrahmia
» Qeveria, kontroll karburantit pa akcize per kompanite e naftes
» Euro dhe cmimet e aksioneve pesojne renie
» Greqi, rriten eksportet shqiptare
» FMN-ja nderpret kontaktet me Greqine deri ne zgjedhjet e reja
» Ndryshon pagesa e “tatimit mbi fitimin”, tani behet deri ne fund tremujorit
» Dalja e Greqise nga Eurozona kushton 1 trilion dollare

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit