Publikuar me : 21.10.2011 Ne :
Kulture - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Titulli i referohet imazhit prezantues të Shqipërinë në faqen zyrtare të festivalit shekspirian Globe to Globe, pranverë 2012. Teatri Kombëtar merr pjesë në festivalin e 37 vendeve në Teatrin Glob të Londrës me pjesën II të trilogjisë “Henri VI” me regji nga Adonis Filipi. Kalendari i festivalit është shpallur në shtator, por Teatri Kombëtar priti qetësimin e situatës politike për ta bërë zyrtar lajmin me Ministrin e Kulturës Aldo Bumçi në njërin krah dhe ambasadoren e Britanisë në krahun tjetër.
Ngaqë është ngjarje e rëndësishme bashkë me konkursin e dramës shqipe në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, do të ketë mbështetjen e kryeministrit Sali Berisha.
Ishte një rast për t’i hyrë një kërkimi të shpejtë në Arkivin e Teatrit Popullor, me ndihmën e arkivistit dhe fotografit të Teatrit Genci Resuli, mbi historinë e veprave të Shekspirit te kjo skenë nga fillimet, vitet pesëdhjetë, deri më sot.
Materiali fotografik është në proces dixhitalizimi, megjithatë shëtitja me Shekspirin mund të ilustrohet e plotë. Për mrekulli! Në sfondin e një historie me golla mungesash të kulturës botërore.
Theatri Popullor i dekoruar me Urdhrin e Punës Klasi I-rë, njofton premierën “Otello – Arapi i Venedikut” nga Viliam Shekspir, për sezonin 1952-’53. Praktika e kohës njihte vënësin në skenë, që në këtë rast ishte Artisti i Merituar i R.S.F.S.R Kriçko A.I, dhe regjisorin. Në afishe shkruhen 3 emra regjisorësh: Ljubov R. Kriçko, Besim Levonja dhe Andon Pano. Në fletëpalosjet elegante me të dhëna për veprën e Shekspirit, shënohen dhe emrat e aktorëve Loro Kovaçi në rolin e Otellos, Ndrek Luca e Kadri Roshi në rolin e Jagos, rreshter i Otellos, Sandër Prosi në rolin e Kasit, Liza Vorfi në rolin e Desdemonës, e me radhë Behije Çela, Drita Agolli, Andon Pano, Mihal Stefa, Andrea Minga, Stathi At. Stathi, Pjetër Gjoka, deri te Viktor Gjoka në figurën e Gondolierit.
Njihet zë më vete arkitekti i skenës që është Stavri Rafael i cili ka realizuar dhe kostumet bashkë me piktorin Hysen Devolli. Muzika është e Mustafa Krantjes dhe luhet nga Orkestra e Filarmonisë Shqiptare. Vite më vonë Piro Mani e futi interpretimin live të muzikës te “Nata e dymbëdhjetë”.
Viti 1959. “Gratë gazmore të Uindsorit” vihet në skenë nga Kujtim Spahivogli i shkolluar për art dramatik në Bashkimin Sovjetik. Asistent ka aktorin Kadri Roshi i shkolluar në Pragë. Piktor është sërish Hysen Devolli. Dorën e Devollit e sheh në atë kohë edhe në Opera. Është i njohur portreti i Mihal Popit nga kjo komedi e Shekspirit në rolin e Ser Xhon Falstafit, i luajtur edhe nga Gjon Karma. Por zgjodhëm një imazh të pabotuar të Kadri Roshit në rolin e Slenderit. Aktorë të tjerë janë Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Prokop Mima, Ferial Alibali, Ndrek Shkjezi, Drita Pelinku, Afërdita Taçi, Behije Çela.
Një tjetër regjisor sovjetik punon me Shekspirin. Vënësi në skenë i “Hamletit” më 1960, përkthim i Fan Nolit, është V.V. Bortko. Regjisorë janë Andrea Malo, N.V. Çefranova. Muzika është e Dimitri Shostakoviçit (i deklaruar më vonë kompozitor i padëshiruar në BS aq edhe në Shqipëri). Loro Kovaçi e Pjetër Gjoka luajnë Mbretin
Klavd. Hamlet janë Kadri Roshi, Kujtim Spahivogli e Naim Frashëri. Horati luhet nga Ndrek Luca e Sandër Prosi, Polloni nga Andon Pano e Gjon Karma, Laerti nga Qenan Toro e Tefë Pali, Gertruda nga Drita Agolli, Drita Pelinku, Marie Logoreci, Ofelia nga Afërdita Taçi dhe Margarita Xhepa. Imazhi i kësaj të fundit nuk mund të lihej jashtë ciklit të fotove të zgjodhëm.
“Mbreti Lir” vihet në skenë për sezonin 1965-’66 (përkthyer nga Skënder Luarasi), nga kryeregjisori (kështu quhet) Pandi Stillu (Artist i Merituar). Lir është Tefë Pali. Kemi një foto të mrekullueshme të aktoreve Drita Pelinku e Margarita Xhepa në dialogun e motrave Gonerila dhe Regana. Kordelja është Roza Xhuxha dhe Edi Luarasi.
Interpretojnë dhe: Sandër Prosi, Naim Frashëri, Mario Ashiku.
Pas “Mbreti Lir” kemi
Murin e Madh të Pakapërcyeshëm. Vepra me këtë titull e një autori kinez, është një metaforë e gjendjes edhe më të izoluar të Shqipërisë në vitete shtatëdhjetë që vështron nga Kina.
Lamtumirë Shekspirit për afro 20 vjet dhe shumë autorëve të huaj! Një armatë dramaturgësh dhe jodramaturgësh të partishëm pjell një repertor që sot konsiderohet i vdekur: “Tri të shtëna pushke” Ibrahim Uruçi, “Perkolgjinajt” Kolë Jakova, “Toka e Zjarrtë” Dritëro Agolli, “Familja e Peshkatarit” Sulejman Pitarka, “Gryka e nëmur” Teodor Laço, “Një ngjarje në fabrikë” e Fadil Paçramit e vitit 1968, dosja e të cilës mban një shenjë të kuqe si për të shënuar fatin e Paçramit, i dënuar pak vite më mbas.
Përjashtim bën një Breht më 1971 me “Arturo Ui” dhe “Luiza Miller” më 1979. Ç’është në mes është e kripur me parti e komisarë, me një i mirë, një i keq e një që ndreqet (do thoshte Trebeshina). Sa për t’i përmendur:
Heronjtë e Linasit, Një bie mijëra ngrihen, Karavidhet, Shënomëni dhe mua, Lenini dhe fëmijët, Komunistët. Kjo e fundit është e vitit 1981.
Shekspiri kthehet më 1982. “Është thjesht një përshtypje që Shekspiri ka qenë familjar për skenën e këtij teatri”, thotë Genci Resuli shef i Arkivit të TK. “Dhjetë vepra shekspiriane në pesëdhjetë vjet, janë fare pak. Një orkestër e madhe simfonike nuk mund ta kuptojë repertorin pa një Bethoven, dhe një teatër nuk mund ta kuptojë veten pa një Shekspir.”
Pra, “Nata e dymbëdhjetë” vihet në skenë më 1982 nga Pirro Mani. Skenografia dhe kostumet janë të Agim Zajmit. Lexojmë në një pllakat të thjeshtë emrat e aktorëve: Ahmet Pasha, Ndriçim Xhepa, Fitim Makashi, Anil Frashëri, Fadil Kujofsa, Vasillaq Vangjeli, Pavlina Mani, Agim Qirjaqi, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, Leka Sefla etj..
“Muzika e Rikard Jorganxhiut është interpretuar live me një piano”, kujton Genci. “Ishte një risi, edhe aktorët këndonin live. Është nga komeditë më të suksesshme të Teatrit Popullor. Është luajtur deri në nëntëdhjetën.”
Një ftesë që ruhet në dosjen e këtij Shekspiri ftohet
shoku filan të marrë pjesë në shfaqje dhe e kujtojnë se biletat rezervohen deri në orën 12.00.
Ndërmjet kësaj komedie dhe Shekspirit të ardhshëm, Teatri Popullor
Dekoruar me Urdhrin e Flamurit luan sërish “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Ismail Kadare, “Vdekja e një komisionarit” Artur Miler, “Hijet e Natës” Vedat Kokona, “Pas vdekjes” Çajupi.
Dhimitër Pecani përgatit për premierën e 12 shtatorit 1987 tragjedinë “Romeo dhe Zhuljeta”. Skenograf është Shaban Hysa, muzika është e Ardit Gjebresë. Në role: Xhuljeta – Eva Alikaj dhe Matilda Makoçi; Romeo – Ndriçim Xhepa dhe Kastriot Çaushi, Frati Lorens – Kadri Roshi dhe Agim Qirjaqi; Vaja – Margarita Xhepa dhe Pavlina Mani; zoti Kapulet – Ahmet Pasha, Andon Qezari; zonja Kapulet – Drita Haxhiraj dhe Elida Janushi etj.. Pecani punon për skenën e festës me koreografin Skënder Selimi dhe për duelet me Skënder Plasarin, pedagog skerme.
Kjo dosje është nga më të pasurat me foto, prandaj habitesh sesi media nuk e shfrytëzuar fare dhe nuk e ka përmendur Zhuljetën e Matilda Makoçit apo Romeon e Kastriot Çaushit. Një vit me vonë, më 11 qershor 1988, Fatos Haxhiraj vë në skenë “Zbutja e kryeneçes”. I bie kështu dy Shekspir në një sezon teatror. Interpretojnë Artan Imami, Yllka Mujo, Shkëlqim Basha, Eva Alikaj etj..
Vlejti jehona “Pallatit 176” të Adelina Balashit për të mbuluar tronditjet e botës shqiptar pas nëntëdhjetës. E si për t’u përfshirë me gjithçka brenda asaj që ndodhte, Agim Qirjaqi vuri në skenë dhe luajti vetë “Rikardi III” me 1992. Dosja është e varfër. Ekziston fotoja e Qirjaqit që po botojmë.
Më 1993 Dhimitër Pecani vë në skenë “Dy zotërinjtë nga Verona” përkthim i Vedat Kokonës. Edhe kjo dosje, – megjithëse këtej e tutje burim kryesor arkivor bëhen shkrimet e gazetave – mbetet e varfër, me pak lëndë të parë nga puna për përgatitjen e një vepre skenike.
Shekspiri i fundit ishte një version i “Romeo dhe Zhuljetës”, i quajtur “Dashuri e hidhur” vënë në skenë nga regjisori italian Carlo Bruni, pranverë 2011.
Kjo histori ekziston. Mospërmendja e saj është mohimi i saj. Në faqen e Globe to Globe, prezantimi nis me “qysh në ditët e parë të Republikës së Re…”, sikur Shqipëria t’i përkiste ndonjë unioni kombesh në Ballkan. Krijohet përshtypja se Shekspiri paskesh qenë i ndaluar dhe se Teatri Kombëtar “një kompani e lirë prej më shumë se një dekade nga diktatura komuniste”, paska mbajtur flamurin e eksperimentimit në art me vepra të autorëve të ndaluar!
Drejtori i Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami tha dje se përfaqësimi i Shqipërisë me “Henri VI” pjesa II me Adonis Filipin regjisor, është vendim i komitetit të festivalit Globe to Globe në Londër. Të besojmë që është Festivali ai që me ato pasqyra informacioni mbi Shqipërinë dhe historinë teatrit të saj, djeg një histori dhe zbulon një histori tjetër të restauruar?
Orë Diktimi: Një dramë si ta dojë qeveria
Teatri Kombëtar shpalli prioritet të vitit 2012 Konkursin për Dramën Shqipe në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në diasporë. Konkursi mbështetet nga Ministria e Kulturës. Duket që vjen prej Ministrisë kjo kërkesë sepse e mësuar me politikë diktimimesh, ajo përcakton te kriteret (konkursi nuk ekziston i shpallur asnjë njoftim publik për autorët e interesuar) si duhet shkruar një dramë që i bën homazh historisë shqiptare. Në vend që të informojë për kushtet teknike, afatet dhe rregulla të tjera brenda natyrës së një konkursi (ndër të tjera dhe për shpërblimin financiar), MTKRS dhe TK kërkon që: “Shtrirja kohore e “materies” dramatike mund te perfshije periudhen kohore para, gjate dhe pas shpalljes se pavaresise;
Vepra mund te kete karakter te mirfillte historik duke evokuar nje ngjarje kulmore te historise kombetare;
Vepra mund te jete nje konceptim modern qe nuk i referohet asnje periudhe apo ngjarje historike por qe ne thelb trajtohet kjo ngjarje historike;
Do te vlerësohen ato vepra artistike qe do te qendrojne larg trajtimeve folklorike apo ideologjizimeve te historise kombetare;
Vepra dramatike te mos kete reminishenca ne rrafshin artistik, persa e perket trajtimit te kesaj teme ne te kaluaren;
Tematika mund te jete nga me te larmishmet, gjithcka qe lidhet me boten shqiptare ne te djeshmen te sotmen dhe te ardhmen;
Ne konkurs jane te mirepritur dhe vleresuar te gjithe personalitetet krijuese,nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia , Mali i Zi si dhe trojet e tjera shqipfolese.
Jane te mirepritur edhe krijues ne emigracion dhe diaspore , si dhe jo vetem ata te njohur dhe afirmuar, por dhe ata qe jane ne hapat e para ose tentojne si fillestar.”
Gabimet logjike e ortografike, shprehje e një pune pa punë, janë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar.
Kur keni parë për herë të fundit Shekspir, zoti Ministër?
Gjuha e zotit ministër Aldo Bumçi aty nga skena e Teatrit Kombëtar i përgjigjet realitetit kulturor: ajo është e butë dhe e shtruar si gënjeshtër, rrëshqitëse si gënjeshtër dhe optimiste si gënjeshtër. Nuk është e rëndësishme të dimë përgjigjen e kësaj pyetje drejtuar dje Ministrit të Kulturës, që kishte hipur në skenën e Teatrit Kombëtar për të prezantuar prioritetet e këtij institucioni për vitin 2012 (TK nuk ka shpallur akoma kalendarin për sezonin aktual). Nuk është e rëndësishme të dimë nëse ka parë ndonjëherë teatër shqiptar zoti ministër. Madje kjo e dhënë nëse rezulton e vërtetë, do të ishte në favor të tij! Pak gjëra hyjnë me bukurinë për shpirtin në mjedisin tonë kulturor. E pafavorshme është pozita e një ministri që nuk njeh realitetin ku jeton. Ai quan arritje për Teatrin Kombëtar hapjen e një Teatri tjetër Kombëtar, i Komedisë, që funksionon pa mjedise, pa buxhet, pa produkt teatror. Ministri i Kulturës inauguroi në Ndroq një vatër kulture, para pak ditësh. Ai e beson këtë. Ai e beson gënjeshtrën që nxjerr.
Globe to globe
Festivali Globe to Globe prej 21 Prill 2012 dhe gjashtë javë rresht prezanton në Globe Theatre të Shekspirit, një program shumëgjuhësh të veprave të autorit anglez. Festivali organizohet në kuadër të Lojërave Olimpike Londër 2012. 37 kompani ndërkombëtare paraqesin nga një vepër të Shekspirit. Shfaqja e trupës së Teatrit Kombëtar është parashikuar më 12-13 maj, në një sallë prej 150 vendesh. “Henri VI” do të luhet nga tri trup ballkanike. Pjesa I nga Teatri Kombëtar i Beogradit, regjisor Nikita Mihajllovic dhe pjesa III nga Teatri Kombëtar i Bitolës, regjisor John Blondell.
Drejtoria e Teatrit shprehet se Adonis Filipi është zgjedhur nga Globe Theatre për “kontributin e spikatur në realizimet e tij artistike në një sërë trupash brenda e jashtë vendit në bashkëpunimet me autorë si R. Pulaha, R. Shabani, M. Kuteli, Allen, D. Motoc, E. Ionesko, Chehov, Williams, Sofokli, D. Mamet, etj. Pjesëmarrës në një sërë festivalesh nëpër botë si në Rusi, Itali, Turqi, Maqedoni, Bullgari, Mali Zi, Belgjikë, Rumani etj. Vlerësuar me çmime si brenda e jashte vendit.”