Publikuar me : 12.09.2011 Ne :
Kronike - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Skerdilajd Konomi me familjen
VLORË- Ekzekutimi mafioz i gjyqtarit Skerdilajd Konomi mëngjesin e së premtes është kryer nga vrasës me pagesë. Ky është përfundimi që kanë arritur hetuesit që po punojnë me çështjen bazuar në të dhënat që kanë grumbulluar deri më tani. Burime nga hetimi thanë se bëhet fjalë për një grup që ka kryer të paktën edhe dy atentate të tjera të këtij lloji në qytetin e Vlorës. Sipas tyre, vrasja e Konomit mund të jetë kryer nga të njëjtët persona që kanë kryer atentatin ndaj Renato Abazit më 28 prill dhe Morand Hoxhajt më 6 shkurt.
Hetimet
Prokurorët kanë verifikuar edhe një herë të gjitha pistat e mundshme në lidhje me ekzekutimin e gjyqtarit, por pa arritur që të kenë një dyshim konkret. Hetimet janë fokusuar në çështjet e pronësisë, por më tepër mbi pronat e familjes Konomi se sa mbi detyrën e tij si gjyqtar. Vetë babai i viktimës ka shpjeguar se Skerdilajdi ishte marrë me pronat e familjes dhe vetëm pak kohë më parë kishte fituar në Gjykatën e Lartë një pronë me shumë vlerë në Hamallaj të Durrësit. Kjo ishte çështja e fundit që kishte pasur dhe, sipas familjarëve, i kishte shkaktuar jo pak siklete.
Duke rindërtuar skenën e krimit hetuesit kanë arritur në konkluzionin se vrasësit janë rofesionistë të paguar për të kryer krimin. Madje ka dyshime se njeriu që ka porositur vrasjen ka kërkuar shprehimisht që ekzekutimi të jetë i dhunshëm dhe të shihet nga të gjithë. Dyshimet e policisë janë se porositësi i vrasjes ka qëndruar diku pranë vendit të ngjarjes dhe ka parë hedhjen në erë të makinës. Sipas hetuesve, gjyqtari mund të goditej shumë lehtësisht pranë shtëpisë së tij, në zonën mbi tunelin e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Kjo është një zonë pak e banuar, pa ndriçim dhe me lëvizje shumë të kufizuar. Madje vrasësit kanë hyrë edhe në oborrin e shtëpisë së gjyqtarit ku kanë çarë gomat e makinës së tij dhe kanë instaluar eksplozivin në makinën tjetër. “Ata kanë pasur të gjitha mundësitë për të goditur gjyqtarin pa rënë në sy, por nuk e kanë bërë pasi kanë dashur një krim të dhunshëm që të shihej nga të gjithë. Vendi i krimit, një nga zonat më të frekuentuara të Vlorës, është zgjedhur me kujdes që të tregojë forcën e vrasësve”,- thanë dje hetuesit e ngjarjes.
Krahasimi
Ata kanë analizuar provat dhe ka rezultuar se vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi të jetë shumë e ngjashme me atë të Renato Abazit më 28 prill të këtij viti. Makina e Abazit është hedhur në erë teksa po lëvizte në zonën e Skelës. Edhe në këtë rast tritoli ishte vendosur në sedijen e shoferit dhe i ka marrë jetën 35 vjeçarit brenda pak minutash.
Më pas makina është përfshirë nga flakët dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve. Për hetuesit këto dy ngjarje janë të lidhur ame njëra-tjetrën, jo nga viktimat, por nga mënyra e vrasjes. Dyshohet se të dyja rastet janë kryer nga i njëjti grup vrasësish me pagesë, ndërsa porositësit e krimit janë njerëz të ndryshëm. Si në rastin e gjyqtarit, ashtu edhe në atë të Abazit, porositësit e vrasjes kanë dashur të japin një mesazh edhe për të tjerët.
Topi: Vrasja e Konomit është akt mafioz
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka vizituar paraditen e djeshme shtëpinë e gjyqtarit Skerdilajd Konomi ku dhe ka kërkuar edhe një herë zbardhjen e vrasjes makabre. “Erdha të ngushëlloj nga afër familjen Konomi, e cila realisht po përjeton momente të një dhimbjeje shumë të madhe pas humbjes në mënyrë shumë tragjike të birit të saj, Skerdilajdit, ashtu sikurse edhe ju e keni përcjellë: nga ky akt mafioz.
Çdo vrasje është barbare në vetvete, por mënyra e ekzekutimit të gjyqtarit Konomi është një shembull tipik i veprimit të krimit të organizuar, krim me të cilin shteti dhe punonjësit e tij përballen çdo ditë. Ju e dini që krime ndodhin kudo. Ndodhin në Shqipëri, ndodhin edhe në vende të tjera të botës demokratike. Kjo është arsyeja që të gjithë janë të angazhuar për të qenë së bashku në luftën kundër krimit dhe terrorizmit ndërkombëtar, i cili nuk ka kufij.
Ndodh këtu, ndodh atje dhe unë besoj që gjithë ai solidaritet i shprehur nga kolegët e Skerdilajdit, por edhe nga autoritetet më të larta të shtetit, tregon që ne jemi të gjithë së bashku për të forcuar ligjet e për të forcuar gjithçka që të bëjmë të mundur që jeta e gjyqtarëve, jeta e punonjësve të shtetit, por edhe jeta e qytetarit të thjeshtë, të jetë e garantuar”,- tha dje Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Dyshimi
Makina që kishte dje në përdorim Skerdilajd Konomi në momentin e atentatit është e bashkëshortes së tij. Pasi i ishin çarë gomat makinës së tij, gjyqtari kishte përdorur makinën e gruas. Sipas policisë, bashkëshortja dhe vajza e vogël ndodheshin në makinë me të mëngjesin e djeshëm, por ato kanë zbritur rreth 20 minuta përpara shpërthimit
Motivi
Hetuesit e çështjes nuk kanë mundur që të nxjerrin një pistë konkrete për ngjarjen e djeshme. Sipas tyre, dyshimet shtrohen nga detyra e Konomit si gjykatës e deri tek çështjet e pronave të tij, sidomos çështja e pronës së fundit në Hamallaj të Durrësit
Vrasësit
Pasi kanë kontrolluar gjithçka në vendin e ngjarjes, hetuesit e Vlorës kanë arritur në konkluzionin se vrasja është kryer nga njerëz të paguar. Bëhet fjalë për një grup profesionistësh, të cilët kanë marrë pjesë edhe në ekzekutime të tilla në qytetin e Vlorës. Sipas hetuesve, mekanizmi i ngjarjes është i njëjtë me ekzekutimin e Renato Abazit pak muaj më parë në të njëjtin vend.