Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Hotel Dajti, si Piramida, ne rrezik

Publikuar me : 09.01.2012 Ne : Kulture - 74 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

“Dajtit” po i shfytyrohen përfundimisht tiparet monumentale – me të cilat u vijëzua nga Gherardo Bosio, si Hoteli luksoz i Ballkanit të viteve dyzetë, sot pasuri kombëtare. Fati i Dajtit duket i përcaktuar në deklaratën përçmuese të kryeministrit Berisha për trashëgiminë arkitekturore të viteve ’60-’80. Megjithatë Banka e Shtetit duhet të bëjë transparencë një orë e më parë e të dëftojë ç’bëhet me projektin e godinës.

 

Artan SHKRELI

Njëlloj si Piramida, edhe Hotel Dajti rrezikon. Shtyn ditët krejt i braktisur, në një shprishje të kastentë mu para syve të sekushit nga ne. Me një pehlivanllëk trashaman oriental që u rrek të arnonte zgropjen e financave publike, hoteli “iu shit” Bankës së Shtetit e cila nuk di ç’të bëjë me të.

Pasi u zhvat e u vodh më zi se vila e Zogut në Durrës (që nga shandanët Murano deri te serviset e argjendta), godina ka dy vjet që po shndërrohet në një gërdallë te pashëlbueshme, dhe ngjan se kërkush nuk po ka nevojë për të. Jo vetëm kaq, por qindra metra katror skela të kushtueshme, me të cilat është pështjellë, po paguhen prej kohësh me paret tona.

E sikur të mos mjaftonte kjo, një mendje perverse ka bërë që shëmtia e lakuriqësisë senile në të cilën është katandisur “hoteli më luksoz i Ballkanit të viteve Dyzetë (nga Peloponezi në Slloveni)”, po na serviret e ndriçuar “artistikisht” (mbrapa rrjetave e skelerive!!!) – si për të na e bërë më të prekshëm mjerimin në të cilin ndodhet trashëgimia tek ne.

I gjithë bulevardi brazinian është në një teposhtje dhe kaos si ç’mos kurrë më parë: ansambli Nënë Tereza është cënuar dhe po bëhen plane për ngallmimin e mandejshëm të tij; stadiumit “Qemal Stafa” i është vënë syu prej kohësh, ndërsa Kryeministria është shndërruar tashmë në objektin më arlekin të Tiranës, hakshe-hakshe në një portmanto e dekoreve të festës së radhës.

Vetë ministritë po ç’identitohen dhe ky ç’identitet ka nisur prej trotuareve dhe ndriçuesve revival që janë shkulur pa pikën e vramendjes ndoca javë më pare – sakur vetë ushtarët që duhet t’i ruajnë, kanë marrë zemër nga gjithë ky zullum, që të vjedhin tubacionet e remta (fitimprurëse kur shiten në tregun e plaçkës), të cilat shkarkonin ujët e shiut; e tash prej kësaj plaçkitjeje fasadat e lagështitura po rrënohen keqas.

Kjo sa u takon objekteve italiane dhe trashëgimisë së arkitektëve italianë: Berté, de Fausto, Bosio, Lambertini etj.

Një hise “ruajna Zot” duket se i ka rënë trashëgimisë së pasur të arkitektëve shqiptarë: Pallatit të Kongreseve, Piramidës, Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar (shyqyr të paktën që është privatizuar Hotel Tirana – e stigmatizuar veçanërisht). Para disa muajsh zoti Berisha sulmoi me një pathos të paarsyeshëm gjithë trashëgiminë tonë arkitekturore të ndërtuar gjatë viteve ‘60-‘80 në qendrën e Tiranës. Qe një retorikë e hidhur plot vrer e mllef. Madje deklaroi aty për aty se kjo ndjesi i vinte prej pasionit që kish ndaj arkitekturës (vallë edhe arkitektura është ëndërr e tij në vogjëli?!). Askush nuk pati zemër t’i gjegjet flakë për flakë një fyerje kaq të ulët ndaj kulturës kombëtare arkitekturore (përpos asaj urbanistike): as autorët, as miqtë e tyre, as komuniteti i arkitektëve, as profesorët e shumtë apo rektorët e fakulteteve private të arkitekturës, as inxhinierët projektues, as kritikët e artit madje as opinionistët e panumërt që zhaurijnë si gjinkalla në mediat tona. Sulmi qe i beftë e i pashoq, dhe bënte ferk ashiqare se ku e hidhte llafin. Mesazhi qe i qartë: e gjithë trashëgimia arkitekturore e krijuar në kohën e socializmit, pavarësisht cilësisë apo autorëve, duhet vërvitur në plehra.

Në diskurset mbi arkitekturën, nuk i kam dëgjuar kurrnjëherë të jenë shprehur kështu si ky yni as diktatorët që e bënin vetë urbanistikën, si Mao e Stalini; e madje as Enveri nuk pat ndonjë “mëní” histerike ndaj arkitekturës të së kaluarës.

Kjo është e padëgjuar – murmurisnin arkitektët e vjetër – turp i madh për ne! Sigurisht, këtë “ne”, e thoshin në rrafsh kombëtar, pasi individualisht pesha morale e një prononcimi të tillë binte e bie vetëm mbi kryeministrin përdëllimtar (nuk kam informacion në është konsultuar për këtë gjetje me këshilltarët e tij përkatës).

Mjerim i madh të udhëhiqesh nga njerëz me vetëdije kombëtare të turbulluar, e që përfaqësojnë po ashtu një klan që s’ka pikën e nderimit dhe të besimit në vlerat që kombi prodhoi ndër vite!

U fyen një pjesë e mirë e arkitektëve me në zë të Shqipërisë, të vdekur e të gjallë: Besim Daja, Sokrat Mosko, Klement Kolaneci, Niko Lako, Enver Faja, Valentina Pistoli etj. – kjo sa për të ndërmendur disa emra. Të sulmohet krejt paradigma arkitekturore e viteve të socializmit në Shqipëri është fiks njëlloj si të sulmohet gjithë  produkti skenik i atyre viteve, në daçi edhe ai muzikor. Pra është njëlloj si të kish sulmuar me tërbim Naim Frashërin, Margarita Xhepën, Reshat Arbanën, Sandër Prosin a Tinka Kurtin; apo Çesk Zadenë, Pjetër Gacin, Avni Mulën, Feim Ibrahimin a Aleksandër Lalon.

 

*          *          *

Njëlloj si Piramida, edhe Hotel Dajti rrezikon. Nëse Piramidës i është vënë syri për ta vithisur, “Dajtit” po i shfytyrohen përfundimisht tiparet monumentale – me të cilat u vijëzua nga Gherardo Bosio. Hotel Dajti nuk është thjesht plaçkë e blerë nga Banka, po është pasuri kombëtare. Kësodore, nëse don ta quajë veten dorëjashtë marifeteve në kurriz të trashëgimisë, Banka e Shtetit duhet të bëjë transparencë një orë e më parë e të dëftojë ç’bëhet me projektin, me kohën e ndërhyrjes dhe me kriteret e përcaktuara.

Qofsha më kot i shqetësuar! Por “vestigia me terrebant” – gjurmët më tmerrojnë – do thosh Fedri 21 shekuj më parë.

3 Janar 2012

Arkitektura

Arkitektura e Hotel Dajtit i përket racionalizmit monumental, një rrymë moderne e arkitekturës e fillimit të shekullit të njëzetë e cila ka vepruar për një kohë shumë të shkurtër në Evropë. Racionalizmi evropian për definicion nuk është monumental, bile ishte kundër monumentalizmit. Dhe vetëm në periudhën e fashizmit u arrit të bëhej një martesë e këtyre dy gjërave të ndryshme që është monumentalizimi nga njëra anë që trashëgohej nga periudha klasike dhe racionalizmit i cili nënshtrohet logjikës. Këto dy arkitektura u ngushëlluan me njëra tjetrën vetëm nga arkitektët e Musolinit. Duhet thënë se Musolini pati arkitektë shumë të mëdhenj të arkitekturës moderne. Rrënjët e artit musolinian ishin tek rrënjët e futuristëve që ishin avangardë edhe në Evropë, dhe u shpëtuan kurtheve të klasicizmit.

 

 

Blerja e Bankës

Në pranverë 2010 Banka e Shqipërisë bleu Hotel “Dajtin” për 30 milionë euro me qëllim përdorimin e godinës si institucion bankar administrative. Projekti supozonte rikonstruksionin e ndërtesës duke ruajtur arkitekturën origjinale pa prekur vlerat muzeale.

 

 

Kryeministri mbi arkitekturën

 

Në historinë 50 vjeçare të diktaturës u shemb barbarisht Tirana dhe qendra e saj. U gërryen në themele institucionet kulturore shekullore, për të ndërtuar katrahura mongoloide, dhe këtu mongoloid e kam në sensin biologjik të fjalës, sepse të shembësh pazarin  e vjetër dhe të ndërtosh pallatin mongol në qendër të Tiranës, të shembësh xhaminë e Karapicëve dhe për më tepër ndërtesën më të bukur të kryeqytetit Bashkinë, për të ndërtuar një muze që kalimtarët  kthejnë kokën për shkak të arkitekturës së tij, do të thotë të kesh rënë tërësish në një paranojë të totalitarizmit.

Të shembësh një sistem vilash të tera për të ngritur mauzoleun e Enver Hoxhës, është gjithashtu pjesë e paranojës se kësaj diktature…

Pra edhe për aq sa është nostalgjia do të thosha se ajo është gjëja më absurde dhe më e pa justifikueshme. Shumë lehtë mund të shtrohet pyetja, pse tani? Absolutisht, sepse tani kjo qeveri ia doli të disponojë të gjitha mjetet për ta ndërtuar atë duke zbatuar të gjitha projektet, duke  rritur rrogat, duke rritur pensionet, duke ndërtuar shkolla, duke ndërtuar  rrugë dhe është pikërisht tani.

Nga fjala e Kryeministri Berisha në Komitetin shtetëror “Për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar” më 2 nëntor 2010

Komente
nga : rQlQKwZjNP
Koment publikuar ne daten 15.01.2012
I'm not easily impressed. . . but that's impersisng me! :)

Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 65 here.
Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP“Proces 2012” është ekspozita që çelet sot në orën 11:00 në Galerinë FAP. Më punime të realizuara nga studentët e Atelierit të Tekstilit dhe të Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve në Tiranë.   Lexo te gjithe artikullin »


» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor
» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit