Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Hyni, ju lutem! Eshte ferma e komunizmit!

Publikuar me : 02.08.2011 Ne : Kulture - 148 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Foto nga ekspozita “Ostalgia”, 7 qershor-25 shtator në New Museum në NYC. Ekspozojnë 55 artistë nga 20 vende ndërmjet Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Punët e tyre prezantojnë interpretime të jetës nën regjimin komunist


Slavenka Drakulic shkrimtare dhe intelektuale e angazhuar kroate, ka një mënyrë për të treguar si ideologjia përgjatë komunizmit e përpunoi njeriun deri në atë masë që prej rafinerive të kontrollit mbi dhe nën tokë, të vinte një ditë në tranzicion dhe specia ta shihte të shkuarën e saj si prej peshku të kuq akuariumi.

Si fillim Drakulic zgjedh vendet e eksperimentit të saj tregimtar mbi idenë e komunizmit në Evropën Lindore. Themi eksperiment sepse për të tetë rrëfimet që përbëjnë librin “Vizitë me ciceron në muzeun e Komunizmit” (Botim i Institutit Shqiptar të Medias, 2011, përkthyer nga Bashkim Shehu dhe Edlira Hoxholli) autorja është futur në zërin e kafshëve të buta, po edhe në zërin e brejtësit, papagallit, shpendëve legjendarë. Pra një kafshë është njëherësh një njeri.

Drakulic e përmend George Orwell-in si shkrimtarin e admiruar, në veçanti për librin “Ferma e kafshëve”. Sentenca “Kush ka nën kontroll të kaluarën, ka nën kontroll të ardhmen. Kush ka nën kontroll të tashmen, ka nën kontroll të kaluarën.” që i atribuohet Orwell-it, është aks i librit “Vizitë me ciceron në muzeun e Komunizmit” ku vallëzojnë karakteret e mrekullueshme kafshore. Kjo është parodia letrare, që për të dy rastet, për të dy autorët, është dimensioni estetik që e bën helmuese kritikën ndaj regjimit të vjetër.

Rumania hap turin e vizitave në vendet që jetuan nën komunizëm. Tregohet një histori qenore nga koha e Nikolae Çausheskut, që edhe mund të merret si histori për qeniet njerëzore të viktimizuara, të braktisura, të varfra, të uritura, të zhgënjyera krejtësisht.

“Vërej se individi në këtë shoqëri ndihet krejt i humbur e i pafuqishëm, se nuk di si ta marrë përgjegjësinë për jetën e vet, le më për jetën e mjerueshme të qenve të lagjes”, shkruan Drakulic nga pozita në një vend të çartur në tranzicion. “Nuk është e dobishme që, gjer tani, demokraci do të thotë se ata që janë lart, mbeten lart, ashtu si në një karusel të pushtetit. Mund të jetë edhe qëndrim laissez faire i kësaj shoqërie që ende nuk është zgjuar siç duhet nga gjumi komunist. Në përgjithësi, njerëzit ende pandehin se gjithherë është ndokush “atje lart” që merr ndonjë vendim në emër të tyre dhe që pastaj mund ta fajësojnë. Nëse dje ishte komunizmi, sot është burokracia e Brukselit.”

Rrëfimi nga Praga është nga kapitujt më të pasur për eksponatet që paraqet, meqë jemi në një muze të komunizmit. Tregon miushi Bohumil, i mbyllur në një dollap të vjetër shkolle. Nga ai dollap kishte dëgjuar profesorin të thoshte se shpejt ka për të ardhur koha kur fëmijët do thonë: Komunizmi, e ç’është kjo gjë? Mos është ndonjë fe? Apo ndonjë firmë që prodhon vetura?

E për të mos e prishur magjinë e penës së Drakulic-it po japim mënjanë përshkrimin që ajo iu bën disa elementeve (parafabrikateve, hetuesisë) nga jeta nën komunizëm ku çdo qytetar konsiderohej “rrezik për sigurinë”.

Një mace në Varshavë i shkruan Prokurorit të Shtetit. Halli i saj është halli për kujdestarin e saj, një gjeneral i cili pritet t’i nënshtrohet gjyqit nga “Ministria e së Vërtetës” e ngarkuar me procesin e pastrimit. Gjyqi i gjeneralit është i rëndësishëm edhe për brezin e ri të polakëve: “Për ta, komunizmi është diçka që vdiq njëzet vjet më parë, qysh përpara se ata të lindin. Është gjë e së kaluarës! Mirëpo, edhe pse këta të rinj mund të mos ketë shumë njohuri apo madje as interes për ngjarjet e së kaluarës, duhet të jenë të përgjegjshëm për mënyrën se si e trajtojnë të kaluarën e tyre tani.”

“Legjenda e Murit të Berlinit – e paraqitur nga një Urith”, kapitulli i katërt, megjithëse parodike, është për nga imagjinata pranë disa tregimeve ekspresioniste të Franc Kafkës (Mësuesi i fshatit, Hulumtimet e një qeni). Socializmi paraqitet fillimisht si “njëfarë epidemie që i pengonte bananet të rriteshin në pjesën lindore të Botës së Mbidheshme”. Por në fakt vetëm epidemi nuk ishte: “Socializmi duket se ka qenë një rend politik, ekonomik dhe shoqëror; veçoria e tij karakteristike ishte mungesa e zgjedhjeve të vërteta dhe synimi për të arritur barazinë mes të gjithë Njerëzve, por nën sundimin e një të vetmi”.

“Një komunist me stil” është rrëfimi nga ish-Jugosllavia i një papagalli nga oborri i Marshallit Tito. Për babain e kombeve së fundi kanë filluar të ngrihen dyshime “nëse ishte ai një udhëheqës i madh komunist apo një batakçi – a thua këto të dyja e përjashtojnë njëra-tjetrën!”

Është ariu Tosho që na shpie në Bullgari. Emri i tij i vërtetë është Todor si Todor Zhivkovi, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste, presidenti i Bullgarisë dhe aleati më besnik i BRSS në tërë bllokun sovjetik. Ariu valltar ndalet më shumë te portretizimi me dashuri i Ljudmillës, zonjës së parë te e cila kafshët kishin parë mundësinë e shpëtimit.

Zonja Derrkë një intelektuale nga Hungaria, imigrante në Londër, është zëri që tregon në kapitullin “Nga Gulagu te Gulashi- Parathënie e Librit të Kuzhinës Hungareze, nga Zonja Derrkë”. Ka rëndësi sqarimi që bën derrka mbi dikotominë socializëm-komunizëm: “Hungarezët jetonin në një sistem politik të quajtur Socializëm. Gjë që në Perëndim gabimisht quhej Komunizëm (për shkak të udhëheqjes së partive komuniste në vendet socialiste). Pse gabimisht? Sepse Komunizmi, sipas vizionit përmbushës të teoricientëve të tij Karl Marks dhe Frederik Engels, është faza e fundit e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, njëfarë “fundi i historisë”, siç do të thoshim sot. Socializmi ishte vetëm një hap në atë drejtim. Për fat të mirë ose jo, varësisht nga bindjet politike që mund të kesh, krejt kjo praktikë socialiste e jetës, bashkë me ëndrrën komuniste, u shemb më 1989.”

Si profesoreshë e shkencave politike, derrka sqaron edhe dallimin mes dy fjalëve shumë të ngjashme, gulash dhe Gulag. E para përfaqëson gjellën tipike hungareze, e dyta llojin sovjetik të represionit. Ndërsa “nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, një sërë ndryshimesh ekonomike e kthyen sistemin totalitar në një drejtim tjetër, drejt gulash-komunizmit.”

Shqipëria zë vend në kapitullin e tetë dhe të fundit. Mban titullin “Rasti i jashtëzakonshëm i korbit me psikozë”. Një e re tregon historinë e nënës mjeke psikiatre në Spitalin Psikiatrik të Tiranës. Në shënimet e saj (pas vdekjes), vajza gjen një ditar për ngjarjen e dhjetorit të vitit 1981, kohë kur mjeken e kishte vizituar në zyrë një pacient i pazakontë: një korb në gjendje traumatike. “Shoku Korb” është dëshmitar i vetëvrasjes ose “vetëvrasjes” së kryeministrit dhe fatit të familjes kryeministrore. Kjo për sa i përket së shkuarës. Sa për tranzicionin në Shqipëri, nga përshkrimi i Drakulic-it po japim një fragment. Për disa nga rrëfenjat autorja është ndihmuar nga shkrimtarë të vendeve të përmendura më lart. Për rrëfenjën për Shqipërinë ajo është ndihmuar nga shkrimtari Bashkim Shehu, djali i vogël i kryeministrit të vetëvrarë. Me këtë kontribuon Shqipëria në librin e komunizmit.

 

Muzeu:

Më lejo të të them se, me sa kam dëgjuar nga Profesori, komunizmi nuk është punë sendesh të ekspozueshme, që mund të shihen. Komunizmi është më tepër çështje se si jetonte njeriu asokohe, apo më mirë, si ka mbijetuar. Nga mungesa e ushqimeve apo e këpucëve, te mungesa e lirisë dhe e të drejtave të njeriut. Problemi është se si mund t’i paraqiten dikujt që di shumë pak për komunizmin këto lloj mungesash, që nuk vinin thjesht nga varfëria. Ndërsa ata që kanë jetuar nën komunizëm priren gjithsesi të mos vijnë këtu… Dhe citonte Vaclav Havelin, heroin e “revolucionit të kadifenjtë”, që ka thënë se vija ndarëse ndërmjet viktimës dhe shtypësit kalon faktikisht përmes çdo njeriu, sepse gjithsecili ka qenë, sipas mënyrës së vet, edhe viktimë, edhe përkrahës i sistemit njëherësh.

 

Parafabrikatet:

Herë-herë, dëgjoj të huaj tek përsiaten me zë përse komunizmi nuk do t’ia dijë për të bukurën. Mjafton të shkosh në rrethinat jugore të Pragës dhe do shohësh blloqe të tëra kazermash të zymta ngjyrë hiri që i quajnë “panelaki” – sepse janë ndërtuar me material parafabrikat, në vitet shtatëdhjetë. Meqë ra fjala, ai material është i shkëlqyer për neve, minjtë, se është shumë kollaj të bësh një shtëpi të këndshme miu në to! Sidoqoftë, ndërtesa të tilla u siguruan strehë miliona njerëzve (dhe minjve) – të ashtuquajturit proletariat! – që vinin nga fshatrat e tyre në qytet për të punuar në industri.

 

Hetuesia:

Nëse kjo dhomë simbolizon ndonjë gjë, simbolizon pushtetin absolut. Në dhoma të tilla, ata – i shtrëngonin njerëzit që të tradhtonin jo vetëm të tjerët, po edhe veten e tyre. Ndërkaq, ky ishte fati i një numri relativisht të vogël njerëzish. Po mendo diçka tjetër, që nuk është paraqitur këtu. Mendo si jetonin njerëzit, qindra miliona njerëz – me ndjesinë se një dhomë e tillë hetuesie qe instaluar në trutë e tyre. S’mund ta shihje, ama aty ishte. Tani ti ndoshta prapë mendon se po i fryj gjërat. Po unë thjesht po flas për autocensurën. Është një situatë në të cilën ti bëhesh hetues i vetes tënde – saktësisht në anën e kundërt të lirisë së shprehjes. Çfarë, pyesni se mos kjo qenkësh një formë e korrektësisë politike?

 

Gruaja:

Gratë janë ato që kanë humbur më shumë në Europën Lindore me rënien e komunizmit. E kam parë me sytë e mi se si disidentët, me të ardhur në pushtet, i harruan krejt partneret e tyre femra. Çfarë ndodhi me tërë atë punë të grave që e bëri të mundshëm “revolucionin e kadifenjtë” (ndonëse nuk ishte i kadifenjtë në mbarë Europën Lindore) – planet, debatet, të shkruarit, shtypshkrimi, shpërndarja e pamfleteve, dalja së bashku në protesta, të gatuarit për ta, ngritja e tyre më këmbë kur kishin pirë shumë, fshehja nga policia? Mbas 1990-ës, këto disidente femra u zhdukën nga qarkullimi! Ishte folur aq shumë për barazi…

 

 

Dhe sa do vazhdojë Shqipëria të jetojë me fantazmat e saj

Slavenca Drakulic

 

Ajo ngjarje e kishte ndryshuar jetën e nënës dhe timen. Pasojat për të ishin serioze: ajo reshti së besuari në udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe, për më tepër, në komunizmin si sistem. E humbi ngushëllimin e të menduarit se komunizmi në Shqipëri ishte thjesht çështje e populli të gabuar në vendin e gabuar – se ideja ishte e mirë, vetëm se zbatimi në praktikë qenkësh i gabuar.

Para ca ditësh, gjatë funeralit të nënës, duke parë miqtë e saj të vjetër, disa prej tyre fantazma të së shkuarës gjithashtu (sikurse drejtori i spitalit, njeri shumë i partishëm), befas m’u kujtua një ngjarje. Më 1994-n, pikërisht përpara se të nisesha për në Amerikë, pata një takim në Hotel Dajti me një të afërm që pritej të më rregullonte vizën. Atje pashë djalin e vogël të ish-Sekretarit të Parë. S’kishte asnjë pushtet real, përveç pushtetit të emrit të familjes, të llojit të njerëzve që kishin pushtet.

I biri i ngjante në mënyrë të habitshme të atit, ashtu i gjatë dhe i pashëm. Prandaj, sa herë hynte në Hotel Dajti, të gjithë e shikonin paksa të befasuar, madje edhe ata që e njihnin mirë. A thua shpirti i patriarkut të vdekur po ecte mes tyre. Duke e parë, papritur e gjeje veten në shoqëri të një fantazme. Por, pyes veten, ishte një fantazmë? Të paktën deri më 1994-n, djalin e përshëndetnin me aq nderim sa m’u duk e habitshme kur e pashë një gjë të tillë. Duke i shfaqur nderim këtij biri të parëndësishëm, ata përkuleshin para hijes së njeriut dhe të kohës së tij – e jo para hijeve të mijëra njerëzve të pushkatuar apo të vdekur në burgjet dhe kampet e punës gjatë sundimit të tij. Kështu, prania e të birit u kujtonte njerëzve babanë e tij dhe, në këtë mënyrë, ish-Sekretari i Parë ka vazhdojë të jetojë edhe për një brez tjetër. Duke lexuar ditarin e nënës, pyeta veten: edhe sa do të vazhdojë Shqipëria të jetojë me fantazmat e saj?

Por, nga ana tjetër, nëna nuk e dogji ditarin, edhe pse mund ta kishte bërë këtë. Kohë dhe mundësi ka pasur, dhe jam e sigurt se e ka menduar. Sot, e marr si një shenjë të mirë, si shenjë besimi tek unë, te brezi tjetër. Kjo është arsyeja pse ta solla ditarin, që ta botosh ashtu si të të duket e arsyeshme. Ka ardhur koha!

Fragment nga libri “Vizitë me ciceron në muzeun e Komunizmit”

 

 

Për autoren

E lindur në Kroaci në 1949, e rritur në ish-Jugollsavinë komuniste, Slavenka Drakulic jeton mes Suedisë, Austrisë, Gjermanisë dhe Kroacisë. “Vizitë me ciceron në muzeun e komunizmit” është libri i saj i dytë në shqip. Para disa vjetësh është botuar edhe romani “Shija e një burri“. Me temë komunizmin Drakulic ka shkruar esetë “Si mbijetuam në komunizëm”, “Kafe Europa” për jetën në Ballkan pas rënies së komunizmin. Përvojën e Luftës në Kroaci dhe në gjithë ish-Jugosllavinë Drakulic e trajton në librat eseistik “Ballkan Expres” dhe “Kriminelët e luftës para Gjyqit të Hagës”. Ka shkruar me dhjetëra artikuj për luftën në Ballkan nga këndvështrimi i viktimave dhe për viktimat.

Drakulic i përket atij brezi që ka jetuar mes njerëzish që kishin kombësi të ndryshme. Por zhgënjimi i saj lidhet me politikën dhe udhëheqësit politikë: “Shoh dështimin e brezit tonë, dështimin e brezit tim në veçanti, pasi nuk përgatitëm asnjë lloj alternative demokratike. Ne nuk patëm një Les Walesa, Vaclav Havel, pra ne nuk kishim asnjë individ që të na udhëhiqte drejt të ardhmes sonë demokratike dhe njerëzit më mirë të organizuar në vakuumin politik pas rënies së komunizmit, ishin nacionalistë. Kjo ishte arsyeja përse ndodhi lufta.”

 

 

Elsa Demo

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 65 here.
Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP“Proces 2012” është ekspozita që çelet sot në orën 11:00 në Galerinë FAP. Më punime të realizuara nga studentët e Atelierit të Tekstilit dhe të Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve në Tiranë.   Lexo te gjithe artikullin »


» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor
» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit