Publikuar me : 27.10.2011 Ne :
Sport - 41 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Prindërit e Siçit duke u futur në kishë
Arkivoli i Marko Simonçelit u soll në krahë nga shokët e tij pak para orës 15:00 në kishën e vogël të qytetit të Korianit. Një re tollumbacesh të kuqe me numrin 58 me të cilën garonte piloti, shoqëronte kortezhin. Arkivoli përshkoi rrugën nga teatri për tek kisha ku do të zhvillohej funerali, në mes të turmës. Të afërm dhe miq përshëndetën arkivolin me duartrokitje. Familjarët e Simonçelit presin në kishë: babai Paolo, mamaja Rosela, motra Martina dhe gjyshi. Edhe për ta, ashtu si për të fejuarën Keit, nuk mungojnë duartrokitjet e ngushëllimit.
Më herët, rreth orës 14:00 mbërriti Valentino Rosi, i ndjekur nga të mëdhenjtë e botës së motorëve: Matia Pazini, Horge Lorenco, Rendi De Punie. I pranishëm edhe mjeku i MotoGP-së, doktori Klaudio Kosta. Nga zyrtarët janë ministrja e Rinisë, Xhorxha Meloni dhe nënsekretari i Sporteve, Roko Krimi. Më shumë se një mijë vetë ndjekin funeralin nga autodromi: shumica kanë ardhur me motorë.

Valentino Rosi duke u futur në kishë
“Ju rrëfej se mes kësaj dhimbjeje e kam të vështirë të gjej fjalët”, e fillon meshën peshkopi i Riminit, Françesko Lambiasi. Pastaj kujton: “Natën para garës së fundit the se doje të fitoje Çmimin e Madh, sepse atje në podium mund të të shihnin më mirë të gjithë, por ndihemi mirë që ti na sheh nga një podium edhe më i lartë”.
Më pas vijnë duartrokitje të ngrohta dhe të sinqerta. Një nga të parët që duartroket është i ati i pilotit, i cituar nga peshkopi në predikimin e tij. “Nënvizoni fjalët e baba Paolos “thonë se Zoti merr në qiell lulet më të bukura për të mos i lënë të vyshken”. Për babanë e Siçit erdhi edhe përqafimi i Horge Lorencos, pilotit që gjatë sezonit 2011 qortoi rëndë të birin për parakalimet shumë të rrezikshme”.
Ndërsa dilnin nga kisha, Valentino Rosi nxjerr jashtë Hondën numër 58 të Simonçelit, një nga dy motorët që peshkopi pranoi të futej në kishë gjatë ceremonisë. Piloti më pas përqafohet nga mamaja e Siçit, Rosela. Altoparlantët përhapin tingujt e këngës së preferuar të kampionit të ikur “Siamo solo noi” (Jemi vetëm ne) e Vasko Rosit.

Motori pranë arkivolit të Siçit
Trupi mbetet për pak minuta jashtë, me babanë e Simonçelit dhe motrën Martina të ulur pranë, përtokë. Para turmës vjen përshëndetja e së fejuarës, Kejtit: “Ai kishte vetëm të mira. Ishte një njeri i përkryer dhe njerëzit pa të meta nuk mund të jetojnë me të vdekshmit mëkatarë”. Trupi i Simonçelit u transferua në varrezat e Çesenës ku do të digjet.
(Marrë nga
Corriere)