Publikuar me : 01.11.2011 Ne :
Kulture - 65 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Kinemaja mbi emigracionin nuk ka reshtur së pari fenomenin e njerëzve që lënë oxhakun dhe ngulen në një kulturë të huaj, kulturë e cila në një kohë në histori, është më e pushtetshme se tjetra.
Deri ku është e pushtetshme?
Kur komeditë e marrin fjalën mbi emigracionin, i ngjajnë një sakrilegji. Por bujaria me të cilën shihen kulturat turke e gjermane në komedinë familjare “Allmanja: Mirë se erdhët në Gjermani!” (Almanya – Willkommen in Deutschland) Yasemin Samdereli, 2011, nuk rrezikon ndonjë kompromis me njërën apo tjetrën palë.
Atëherë çfarë?
Kemi një histori autobiografike treguar me elemente të së magjishmes që motrat Nesrin dhe Yasemin Samdereli, fëmijë të brezit të dytë të emigrantëve turq në Gjermani, ia kushtojnë gjyshërve të tyre.
“Allmanja – Mirë se erdhët në Gjermani”, premierë botërore në Festivalin e Berlinit 2011, u shfaq dy net, 29-30 tetor në Kinema Millenium në Tiranë në serinë e aktiviteteve të Tetorit Gjerman. Salla ishte plot, me publik të ri, me gjithë konkurrencën që i bënte në portën ngjitur të Toptanëve festa e Halloween-it.
Shpejtësia që ka filmi iu vjen për shtat të rinjve, po aq sa një publik më i vjetër e gjen në koherencë humorin që lindin situatat nga takimi i parë i njerëzve të huaj me kulturat respektive.
Hysein Ilmaz pret të marrë pasaportën gjermane pas 45 vjet emigrant. Ai kishte ardhur në Gjermaninë Federale një ditë të vitit 1964, kur numri i emigrantëve nga Evropa shënoi rekordin një milionë. Në ekran futen filmime arkivale me komentin: “Doktorët gjermanë ekzaminojnë në vend aftësinë për punë të burrave dhe grave. Procedura i ngjan tregut të bagëtisë. Kush del i aftë, mund të udhëtojë për në Gjermani.” Burrat kontrollohen zhveshur dhe në gjoks u shënojnë një numër. Për shkak të mungesës së specialistëve italianë apo spanjollë, ishte parë e nevojshme të merreshin punëtorë emigrantë turq. Hyseini është i një milion e njëti.
Historia lëviz në mes Allemanjës dhe Turqisë në të kaluarën, kur Hyseini (Fahri Ogun Yardim) dhe të gruaja e tij Fatma (Demet Gul), u dashuruan në fshatin e tyre diku në Anadoll, u martuan e u bënë me fëmijë, emigruan, njëherë babai vetëm e më vonë familjarisht… E tani, po marrin pasaportë gjermane. Fatma po vdes ta marrë, Hyseini as e ëndërron. Në fakt ëndërron: në takim me burokratin gjerman të pasaportave. Ky e kujton çiftin se tani që ata do të përqafojnë kulturën gjermane si kulturën e tyre udhëheqëse, do të kenë privilegjin e një gjermani: të bëhen anëtarë në një shoqatë qitësish, të hanë dy herë në javë mish derri, të shikojnë çdo të diel në TV serinë policore “Tatort” dhe një herë në dy vjet, të shkojnë për pushime në Majorka!
Pas përgëzimeve të rastit, iu serviret një pjatë me mish derri. Hyseini vëren se mustaqet e burokratit po shkurtohen e bëhen si të Hitlerit, ndërsa dekolteja e Fatmës së tij, si e grave bavareze. Hyseini zgjohet nga ky ankth i njeriut që i trembet alterimit. Sepse ai dhe Fatma që nuk e ka hequr shaminë myslimane nga kreja, turq do të jenë gjithmonë.
Nuk është kaq e sigurt gjëja me nipërit, turqit e rinj. Kanun (Aylin Tezel) ka rënë shtatzënë me një anglez. Ajo është e vetëdijshme nga vjen dhe ka droje t’i tregojë të ëmës e cila do t’ia quante një turp.
Cenku 6-vjeçar (Rafael Koussouris), nipi më i vogël i Hyseinit, ka dhe ai një hall identiteti. Në orën e gjeografisë. Mësuesja do të vendosë flamurkën në vendin e tij të origjinës, që ndodhet në lindje të Turqisë. Në dërrasën e zezë është varur vetëm harta e Evropës që ndërpritet në Stamboll…
Në një film dramatik një temë e tillë është e vështirë të mos bjerë në patetikë, e definicione nga histori të vjetra. Ndryshe nga komedia e cila nuk është e shtrënguar “të mashtrojë faktet” sepse tashmë ajo ngrihet mbi “deformimin e fakteve” për të komunikuar tekstin dhe brendinë e vërtetë që duhet marrë nga një histori.
Çështja e integrimit dhe arsimimit të turqve të rinj është një shënjestër e pashpallur e regjisores Yasemin Samdereli. Në intervistat për median ajo është shprehur se ky proces që prek drejtpërdrejtë turqit e rinj është kryer në mënyrë të njëanshme dhe “nëse ka klasa me 85 për qind fëmijë emigrantësh, nuk mund të fajësohen pse ata flasin gjuhën e tyre amtare”.
Samdereli ishte 7 vjeç kur mësoi që ishte një turke në Gjermani. “Njëherë në klasë kam shkruajtur emrin tim “Jasmin”. Mësuesi më tha: ‘Ti ende nuk je Jasmin, por Yasemin.’ U ndjeva keq.”
Po si kanë folur, si merreshin vesh këta njerëz që zbritën në tokën e premtuar në Evropën Qendrore, në botën e re që ishte përfshirë nga mrekullia ekonomike?
Vërtet që Hyseinit nuk i duhej gjuhë më e mirë se forca e krahëve që ngjesh kazmë në tokën gur gjermane.
Motrat Samdereli që bashkë e kanë shkruar skenarin, e kanë prekur gjuhën e folur si një element magjik. Po japim një shembull. Është skena kur familja e Hyseinit hyn në shtëpinë e re. Përshëndeten me fqinjën që po pastron shkallët:
Fqinja: Urë duta, Efendi Ilmaz!
Hyseini: Urë duta!
Fqinja (në tym)
Hyseini: Jo, jo!
Fqinja: Dudu mur!
Hyseini: Dudu mur!
Ata nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit akoma, megjithatë janë në gjendje të komunikojnë.
Religjioni është parë me atë lupë zmadhuese që e deformon figurën me “qëllimin e mirë” për ta afruar, për t’ia shquar tiparet. Mehmeti, djali i mesëm i Hyseinit – ashtu si në përrallë kanë efekt magjik numrat dhe rendi i tyre, – është i prirur të sugjestionohet për tmerr nga një figurë prej druri, të cilës i falen këta gjermanët! Ai po shkon në një vend të pafe. Kështu i thotë Mehmetit një turk i vogël: “…gjermanët hanë mish derri dhe njerëz! Simboli i tyre është një burrë i vdekur në kryq. Edhe atë e kanë ngrënë! Çdo të diel takohen në kishë dhe hanë mish prej tij dhe pinë gjak nga gjaku i tij!”
Mehmeti në anën tjetër i magjepsur me një ikonë të fesë moderne: Coca-Cola.
Nuk janë shpikje autentike përfytyrimet e botës së re të emigrantëve. Nuk ka si të jenë. Te “Nuovo mondo” Emanuele Crialese, 2006 (përfaqësues i Italisë pa sukses në Oscar), personazhet, emigrantë të jugut të prapambetur italian në fillim të nëntëqindës, teksa kapërcejnë oqeanin, me përjetime të forta dramatike, zbresin në Amerikë. Amerika nuk shfaqet, por një det qumështi ku notojnë emigrantët dhe si fruta gjigante deti, lundrojnë karota, perime sa një bojë njeriu, shkurt mirëqenia e dëshiruar në vend të varfërisë.
“Allmanja: Mirë se erdhët në Gjermani!” citon në finale një thënie të shkrimtarit zviceran Max Frisch: “Thërritëm krahë pune por erdhën njerëz.”
Dëshira për ta lexuar njeriun, jo si mbetje e historisë, po si tërësi e përvojave që bëjnë shpirtin e botës. Një njeri është një milionë e një.
Komeditë mbi bashkëjetesën e kulturave janë në modë sot, sidomos nga kinematë e atyre vendeve që e përjetojnë hapjen me botën herë si ngjarje herë si një vullkan i shuar. Kjo nuk do të thotë se filmi ka pasur rrugë të lehtë. “Allmanja: Mirë se erdhët në Gjermani!” është mbajtur në duar për dhjetë vjet. Regjisorja Yasemin Samdereli është shprehur se do ta kishte pasur më të lehtë nëse do të bënte film një histori turke, por një dramë në lidhje me një vrasje për çështje nderi. Kështu që kush mendon se është më e lehtë të bësh komedi, gabohet.
Kush është
Regjisorja Yasemin Samdereli është lindur në Dortmund, Gjermani, 1973. Studioi film dhe TV në Mynih. Ajo ka punuar si asistente në prodhime ndërkombëtare nën drejtimin e Jackie Chan dhe Stanley Tong. Ka punuar si bashkëskenariste e serive “Turqishtja për fillestarë”. “Allmanja: Mirë se erdhët në Gjermani!” është filmi i saj i parë që ajo e shkroi me të motrën Nesrin. Është vlerësuar në German Film Aëards si vepra e parë më e mirë dhe skenari më i mirë.