Publikuar me : 07.07.2011 Ne :
Kulture - 186 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Foto nga ekranizimi i librit "Hard Times" të Çarls Dikens
Nga Elsa Demo
Çfarë kulture i sugjeron shkolla publike një të riu parauniversitar në Mallakastër? Po i referohemi literaturës që ka hyrë vitin e fundit në bibliotekat e shkollave. Lista nis me Mjedën, vjersha të botuara nga DRIER (botimet e kësaj shtypshkronje dominojnë për listën e Mallakastrës). Ramadan Pasmaçiu është autori më i rëndësishëm dhe më i kërkuar me 4 romane, 3 përmbledhje me tregime dhe 1 novelë (botuar nga DRIER). “Don Kishoti e Sanço Pança” është te kjo listë, por jo si roman kalorësiak i Servantesit. Janë aventurat e Kishotit të ritreguara nga M. Hodgen. Nuk është zgjedhur “David Koperfildi” i Çarls Dikensit, po ai i ritreguar nga Ch. Colting. Modë e marrjes së kulturës jo nga burimi por nga zanatçinjtë e ambalazhit.
Është vetëm një aspekt i dukshëm i listës së librave që Shoqëria e Librit Shqip (ShLSh), një shoqëri e re botuesish, i bëri publike dje si shembull i sistemit shpërdorues të parasë publike. ShLSh është në radhën e atyre pak subjekteve që kanë ngritur zërin për skandalin e tenderimit të librit shkollor nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, i zbatuar nga gjithë sistemi i drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore të vendit. Shoqëria bëri publike listat e tenderimit të librit shkollor për Librazhdin, Lezhën, Malësinë e Madhe, Mallakastrën, aq sa mundi të sigurojë, ndërkohë që MASH dhe drejtoritë arsimore nuk bëjnë publike listat e porosive të kryera për këtë vit.
Pirro Misha, botues që i bashkohet deklaratës së djeshme drejtuar opinionit publik thotë fondi i MASH për sivjet është 70 milionë lekë të reja. “Para një jave botuan gazetat listën e atyre që kanë fituar tenderat për tekstet shkollore. Bëni një krahasim. Janë po këta botues që jetojnë në sajë të Ministrisë së Arsimit. Ministria ka shpallur publikisht kriteret formale. Për shembull, nga letërsia e huaj nuk do të futej asnjë libër që nuk kishte marrë të drejtën e autorit. Në lista ka sa të duash libra të tillë. Ka degraduar qëllimi, është kthyer mbrapsht sepse është një pazar me botuesit.”
Në listën librave për Lezhën vëren: “Odisea”, “Iliada” Homeri, nga 20 copë, 450 Lekë secila; “Bëmat e qerosit” e Myslym Baburit, 100 copë, me çmim 600 Lekë; “Gavroshi” Viktor Hygo, 120 copë. Siç u prek më lart, është bërë specialitet i botimi i ritregimeve, qarkullimi copa-copa i “Të mjerëve”, “Katedrales së Parisit” dhe shumë klasikëve botërorë.
Në listën e tenderit të drejtorisë arsimore të Librazhdit gjen, afro 80 tituj të shtëpisë botuese UEGEN. Tituj psikologjikë që kanë për autor edhe vetë botuesin, Xhevair Lleshi, tituj periferikë nga krijimtaria e autorëve si Cvajg, autorë shqiptarë me libra ambiciozë “Ballkani, historia dhe qytetërimi” nga F. Shevi. Mungojnë klasikë të letërsisë shqipe. Fëmijëve të Lezhës, siç tregon lista përkatëse, iu jepet vetëm Fishta. Lista për Librazhdin, sugjeron autorët shqiptarë S. Jakova, N. Malaj, B. Xhama, S. Pero. Nga Kadare vetëm “Prilli i thyer”, poezi dhe “Kush e solli Doruntinën”.
Malësia e Madhe, që botuesit e veçuan si rast demokratik, porosit veprën e plotë të Ismail Kadaresë, porosit edhe Nolin, Hannah Arendt, edhe Ben Blushin, Balzakun, Nasho Jorganin, edhe Naimin e Ernest Koliqin.
“Problemi lind që në listat e ministrive”, thotë Ardian Klosi, kryetar i Shoqërisë së Librit Shqip. “Në këto lista nuk ka një klasifikim, letërsia antike, klasicizmi, romantizmi, poezia klasike shqipe, poezia moderne shqipe, çka do të linte më pak vend për abuzime. Puna vjen deri aty sa kjo është një listë pa kurrfarë diferencimi, sa bie fjala, Drejtoria e Lezhës porosit 110 copë të autorit Ferit Lamaj “Dhelpra e Trojës”. Kush e ka dëgjuar? Ç’është kjo dhelpra e Trojës ma do mendja s’është as mitologji, duhet të jenë fabula. Më keq nuk bëhet.”
Një propozim i ShLSh është që Ministria, nëpërmjet një bordi, duke parë dhe nevojat e shkollave të rretheve, të rekomandojë dhe t’iu dërgojë bibliotekave librat për literaturë bazë, qoftë artistike, qoftë profesionale.
Tani është koha kur hartohen këto lista dhe zbatohen këto tendera dhe opinioni publik duhet të sensibilizohet. Listat botohen pas 6 muajsh në faqen e prokurimeve publike dhe atëherë është shumë vonë sepse është mbyllur gjithçka.
Pirro Misha: Skandal që prish kulturën
Dëmin më të rëndë ky skandal ia shkakton arsimit. Unë jam i sigurt se ata nxënës të cilëve iu imponohet të lexojnë Xhevair Lleshin, nuk kanë për të lexuar më libra në jetën e tyre. Merrni shikoni çfarë autorësh kanë listat! Heqin edhe Kadarenë e Agollin dhe fusin ca autorë mediokër të realizmit socialist. Nuk mund të futet çdo autor që mund t’i teket një klientele të caktuar. Ka një hierarki; dihet kush është panteoni i letërsisë shqipe; ka një listë me librat më të mirë të letërsisë botërore; të shihet kush i ka botuar që të porositen. Ministria ka shpallur publikisht kriteret formale. Për shembull, nga letërsia e huaj nuk do të futej asnjë libër që nuk kishte marrë të drejtën e autorit. Në lista ka sa të duash libra të tillë. Ka degraduar qëllimi, është kthyer mbrapsht sepse është një pazar me botuesit.
Ky skandal dëmton konkurrencën e botimit. Tregu i librit në Shqipëri është i vogël. Një libër i mirë botohet 500 kopje. Nëse një autor i kësaj liste, shet po kaq, kjo gjë shkatërron tregun dhe prek gjithë botuesit. nga këto lista janë përjashtuar Onufri, Dituria, Omsca, Skanderbeg Books etj.. Listat tregojnë se është ndarje rrethesh. Vlorën e ka një botues, Fierin një tjetër.
Kjo është një histori korruptive që ka vite që është rrënjosur në sistemin e arsimit. Është një histori që prish kulturën, lexueshmërinë.
Atalanta Pasko: Çedukimi i fëmijëve
Më bën përshtypje që nuk bëhet lista sipas autorëve, simbas periudhave me libra të detyrueshëm të vlefshëm. Shteti duhet të jetë qibar në zgjedhjet e veta. Ai jep paratë, ai ka detyrim për formimin e kulturës së fëmijëve. Ai fëmijë që merr një libër të shkruar keq, çedukohet dhe nesër nuk do dijë çfarë të pëlqejë dhe çfarë mos të pëlqejë. Më bën përshtypje mungesa e sensibilitetit. Shumë njerëz përpiqen që t’i zgjidhin problemet individualisht. Bashkimi i grupeve të interesit është gjëja më e vështirë, është sëmundja më e rëndë e shoqërisë tonë.
Irena Toçi: Pse nuk reagojnë prindët
Është viti i tretë që po zbatohet kjo praktikë. Duhet të reagojnë prindët sepse po preken drejtpërdrejt taksat publike, taksat që paguajmë të gjithë në mënyrë që fëmijët tanë nëpër shkolla të marrin kulturën e duhur, të lexojnë ato që duhet dhe jo gjithçka që botohet në tregun tonë që është tashmë një treg ku mund të botohen edhe vepra me ide fashiste.
Një sistem i qartë korruptiv
Nga Ardian Klosi
Prej disa vitesh Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vë në dispozicion në mënyrë të përvitshme për drejtoritë arsimore rajonale (DAR) dhe zyrat arsimore të rretheve (ZA) një fond për blerje librash për bibliotekat e shkollave publike të arsimit parauniversitar (bazë dhe të mesëm).
Qëllimi i kësaj ndërmarrjeje është që të pasurohen bibliotekat e shkollave me literaturë të cilësisë së lartë e cila duhet të zgjerojë horizontin e nxënësve dhe t’u ndihmojë atyre në procesin mësimor. Në rregulloren e nxjerrë nga MASH më 16.9.2010 thuhet se këto fonde duhen përdorur për blerje librash nga autorë të shquar të vendit dhe të huaj si dhe librash që shërbejnë si literaturë ndihmëse në procesin mësimor.
Në të njëjtën kohë MASH ka shpërndarë listën rekomanduese të autorëve dhe titujve, prej së cilës shkollat e ndryshme të vendit mund të bëjnë porositë e tyre. Lista e vjetshme u shtohet listave rekomanduese të viteve 2007, 2008, 2009.
Fondi i vënë në dispozicion sivjet nga MASH për këtë qëllim është afërsisht 70.000.0000 lekë të reja.
Vetë listat ofrojnë një numër të madh titujsh, autorësh, tematikash, sikurse kanë edhe mungesa e probleme, për shembull me preferimin e disa botuesve dhe mënjanimin e botuesve të tjerë, edhe pse këta mund të kenë botuar libra me rëndësi për kulturën shqiptare dhe më gjerë; ose hyjnë si “autorë të shquar” emra që fare pak njihen në publik dhe kanë hyrë në këto lista në rrugën preferenciale që zgjidhet për shtëpitë botuese. Në përgjithësi preferohen shtëpi botuese që njihen si “të djathta” dmth. që janë pranë pushtetit aktual.
Megjithatë, nuk është ky problemi kryesor. Problemi dhe shqetësimi kryesor i Shoqatës sonë është që me fondet e vëna në dispozicion nga MASH një numër drejtorish rajonale dhe zyrash arsimore i bëjnë porositë për bibliotekat e shkollave përmes një sistemi klientelist dhe korruptiv të qartë.
Po të vëreni në listat e porosive nga dy rrethe, janë dy botues që mbizotërojnë në pjesën dërrmuese këto porosi. Njëri prej tyre madje nuk njihet si botues, por është thjesht shtypshkronjë. Nga 84 titujt që porosit DAR Librazhd 68 janë nga vetëm një botues. E ngjashme është gjendja edhe në listën e porosive të DAR Lezhë.
Janë dy personazhe qendrorë të gjithë këtij sistemi: njëri është këshilltari i kryeministrit z. Bardhyl Musai, tjetri është pronari i shtëpisë botuese UEGEN, z. Xhevair Lleshi. Z. Musai, qoftë si autor librash pedagogjikë qoftë si pronar i dy shtëpive botuese CDE dhe EDUALBA ka në tenderat “një pjesë luani”; vetëm drejtoria arsimore rajonale e Lezhës ka blerë prej tij këtë vit 9 tituj në sasi 812 copë me një vlerë të përgjithshme prej 1.509.600 lekësh. Ndërsa nga UEGEN-i po kjo drejtori ka blerë 33 tituj në sasi 1851 copë me një vlerë të përgjithshme prej 976.900 lekësh të reja. Kurse drejtoria arsimore e Librazhdit ka blerë nga UEGEN-i 38 tituj të ndryshëm nga 61 që janë gjithsej porositë e kësaj drejtorie.
Shoqata jonë rastësisht mundi të njihej me këto lista. Në ditët e shkuara ajo u dërgoi një kërkesë shumicës së DAR dhe ZA të Republikës që t’i paraqisnin një kopje të listave përkatëse të porosive. Megjithëse këtu nuk ka asgjë konspirative ose konfidenciale, megjithëse bëhet fjalë për fonde publike, asnjë DAR ose ZA, me përjashtim të asaj të Fierit, nuk iu përgjigj kërkesave tona me email ose telefonata të drejtpërdrejta.
Ky reagim të bën të mendosh se listat e zbuluara nuk janë përjashtim; ato lënë të kuptohet një shpërdorim masiv të fondeve të MASH-it për pasurim të bibliotekave të shkollave që vjen në radhë të parë si pasojë e korrupsionit të drejtpërdrejtë, por ndoshta edhe duke u nisur nga preferenca klienteliste-të pushtetit.
I bëjmë thirrje MASH dhe drejtorive arsimore të bëjnë publike listat e porosive të kryera ndërkohë për këtë vit e gjithashtu të reflektojnë thellë mbi ato porosi që ndoshta ende nuk janë bërë për këtë vit.
I kërkojmë gjithashtu MASH të pasurojë e përmirësojë listën rekomanduese të librave për vitet në vazhdim, pasi në atë ekzistuesen, siç e përmendëm, mungojnë një numër autorësh dhe veprash të shquara, sikurse mungojnë ose janë përfaqësuar shumë pak botues nga më të mirët në Shqipëri e Kosovë.