Publikuar me : 20.10.2011 Ne :
Kronike - 36 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Nënkryetarit të grupit parlamentar Socialist, Eduard Shalsi, i vidhet makina në mes të Tiranës. Gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e dy ditë më parë kur deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, i cili është përgjegjës për njësinë bashkiake numër 9, ka qenë duke shkuar në zonën e tij elektorale për të zhvilluar disa takime. I kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, zyrtari lart socialist bën të ditur se grabitja e makinës së tij ka ndodhur ditën e martën rreth orës 20:30.
“Mbrëmjen e dy ditëve më parë, në orën 20:30, ndodha në rrugën “Mini Peza” për të shkuar në një takim në zonën time elektorale. Gjatë rrugës ndalova në një dyqan për të marrë diçka dhe u vonova pak minuta. Çelësat ishin brenda në makinë. Futem brenda në dyqan dhe kur dola nuk e gjeta makinën”, – rrëfen për gazetën “Shekulli” momentet e ngjarjes deputeti i Partisë Socialiste.
Makina e deputetit Shalsi është e tipit Opel Antara dhe siç bën të ditur ai kishte të vendosur në xhamin e përparmë shenjat dalluese të Kuvendit të Shqipërisë. Pasi pa se makina e tij nuk ndodhej më aty, zyrtari socialist ka bërë kallëzim në Komisariatin numër 3 të Policisë së Tiranës.
Mbi këtë ngjarje, drejtori i forcave blu për Qarkun e Tiranës, Saimir Muçaj, bën të ditur për gazetën “Shekulli” se nga ana e tyre janë disa verifikime dhe kontrolle. Ai sqaron se nuk është gjetur akoma makinën, por janë shoqëruar në komisariat persona të cilët në të kaluarën kanë pasur precedent penal për vjedhje makinash.