Igli Totozani nis zyrtarisht detyren Detyrimi im madhor, mbrojtja e te drejtave te qytetareve
Publikuar me : 26.12.2011 Ne :
Politike - 86 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Igli Totozani ka nisur sot zyrtarisht detyrën si Avokat i Popullit. Ai është prezantuar mëngjesin e sotëm me stafin e institucionit që do të drejtojë për pesë vitet e ardhshme.
Ashtu siç ka deklaruar edhe gjatë prezantimit të vizionit të tij për detyrën e Avokatit të Popullit, Totozani u shpreh se do të udhëhiqet në punën e tij vetëm nga drejtësia dhe se detyrimi i tij madhor si drejtues i këtij institucioni është mbrojtja e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë.
Kandidatura e Totozanit u miratua nga Parlamenti me 127 vota pro gjatë seancës së fundit për vitin 2011. Mazhoranca dhe opozita shprehën pëlqimin e tyre për kandidaturën e Totozanit duke bashkuar votat.
Dy ditë pas zgjedhjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti në një takim Totozanin, tashmë në cilësinë e Avokatit të ri të Popullit. Gjatë takimit, Topi i uroi Totozanit suksese në detyrën e tij të rëndësishme për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë dhe nga ana tjetër shprehu mbështetjen institucionale.
“Edhe pse Avokati i Popullit është një institucion relativisht i ri në vendin tonë, ai ka krijuar tashmë fizionominë e vet të konsoliduar duke përfituar dhe shkëmbyer përvojë të vyer e pozitive edhe me institucione homologe perëndimore”, tha presidenti.
Nga ana e tij Avokati i ri i Popullit, Igli Totozani siguroi Presidentin se do të punojë me përkushtim, ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe transparencë për të mbrojtur të drejtat e njeriut duke u fokusuar në pavarësinë e institucionit që do të drejtojë dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera.
G. Ndoja