Publikuar me : 23.12.2011 Ne :
Politike - 29 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Parlamenti shqiptar ka miratuar dje me 127 vota pro kandidaturën e Igli Totozanit për postin e Avokatit të Popullit. Pas kryerjes së betimit përpara deputetëve, Totozani do të mbajë postin e Avokatit të Popullit për pesë vitet e ardhshme, me të drejtë rizgjedhjeje. Mazhoranca dhe opozita shprehën pëlqimin e tyre për kandidaturën e Totozanit duke bashkuar votat edhe në seancë plenare. Vetëm dy deputetë të mazhorancës votuan kundër dhe tre të tjerë abstenuan.
Menjëherë pas votimit, kryetarja Topalli lexoi formulën e betimit të kreut të ri të Avokatit të Popullit, e cila është: “Betohen se gjatë detyrës sime do të mbroj kurdoherë liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve pa dallim në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë”. Dy ditë më parë kandidatura e Igli Totozanit u miratua në Komisionin e Ligjeve. Mazhoranca shprehu pëlqimin për kandidaturën, ndonëse u shpreh dyshuese për procedurën e ndjekur nga socialistët. Sipas Avokatit të ri t Popullit, fokusi i punës së tij do të jetë elementi i qeverisjes së mire. Transparenca, efikasiteti, pjesëmarrja, koherenca, përgjegjësia e përgjegjshmëria do të jenë do të shoqërojnë sipas Totozanit punën e institucionit që ai do të drejtojë. Avokati i Popullit u angazhua për nxitjen e përmirësimit legjislativ në fushën e veprimit të tij. Totozani shprehu besimin për një bashkëpunim më të ngushtë me pushtetin qendror dhe me atë lokal në fushën e respektimit të drejtave të njeriut dhe për ankesat që do të paraqiten nga qytetarët apo nga punonjësit e administratës publike.
Sipas Kushtetutës Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike ose të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Juridiksioni i tij përfshin Këshillin e Ministrave, institucione të tjera qendrore, Bankat, Entet Publike etj; organet e pushtetit vendor, ku përfshihen prefekturat, qarqet, bashkitë, komunat si dhe ato institucione apo autoritete publike që veprojnë për llogari të këtyre organeve të administratës publike dhe institucionet në varësi të tyre në qendër dhe rrethe.
8 mungesat në parlament dje
Kastriot Islami
Sali Berisha
Andis Harasani
Shpëtim Idrizi
Rudina Seseri
Astrit Beci
Hazir Gashi
Lefter Koka
Fule: I uroj Totozanit suksese në detyrën e tij
Bashkimi Europian përshëndeti dje miratimin me konsensus të Igli Totozanit si Avokati i ri i Popullit. Në një deklaratë, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle vlerësoi edhe bashkëpunimin e ri ndërmjet dy forcave për plotësimin e vendeve të mbetura bosh në institucionet e pavarura. “Jam veçanërisht i gëzuar që Kuvendi i Shqipërisë vendosi sot të emërojë z. Igli Totozani si Avokatin e ri të Popullit. Dëshiroj të përgëzoj Kuvendin e Shqipërisë dhe forcat politike për këtë rezultat të rëndësishëm dhe për procesin transparent dhe të hapur i cili solli në këtë emërim. Plotësimi i këtij pozicioni do të ndihmojë në forcimin e një institucioni kyç të pavarur, i cili luan një rol themelor në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Dëshiroj të theksoj se mënyra si u finalizua ky emërim përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës. Përshëndes këtë zhvillim, i cili shtron rrugën për përmbushjen e njërit prej 12 prioriteteve kyç të identifikuar nga Komisioni Evropian në Opinionin për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një tjetër shenjë e impulsit të ri që Shqipëria po fiton në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Shpresoj që në vitin 2012 të ketë të tjera zhvillime pozitive lidhur me fushat e tjera prioritare. I uroj Avokatit të ri të Popullit suksese në përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme”,- tha dje Fyle.
Ambasadori i OSBE: ‘Avokati, hap para për mbrojtjen e të drejtave të njeriut’
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Eugen Volfarth mirëpriti zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë. “Ky është një hap madhor përpara në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të keni tashmë mbështetje më të fortë në përballjen me veprimet e parregullta të administratës zgjedhore”, tha Volfarth, i cili ka bërë thirrje për plotësimin e vendit bosh të Avokatit të Popullit, që prej fillimit të punës së tij në Shqipëri, në vitin 2010. “Është për t’u përgëzuar që shumica qeverisëse dhe opozita arritën një kompromis për këtë emërim të rëndësishëm”, shtoi ai.
Parlamenti merr pushimet e fundvitit
Seanca e djeshme ishte e fundit për këtë sesion të Kuvendit. Pas përfundimit të seancës, Kryetarja Jozefina Topalli shtroi kokteil për deputetët. Mazhroanca preferoi që të qëndronte në takim ndërsa nga opozita qëndruan vetëm një pjesë e deputetëve. Mësohet se gjatë takimit në kafen e Kuvendit, nuk kanë munguar as batutat ndërmjet deputetëve duke nisur që nga vjedhja e makinës së Ministrit Bumçi. Për deputetet, Kryetarja Topalli kishte menduar më me detaj duke iu dhuruar nga një mbulesë tavoline, punim tradicional i zonave të Shkodrës. Kryetarja Topalli uroi të gjithë deputetët për festat e fund vitit duke u përshëndetur nga deputetët e mazhorancës dhe të opozitës. Duke shfrytëzuar momenti, Topalli nuk harroi të deklaronte numrin e ligjeve të miratuar gjatë dy viteve të fundit që në total shkojnë 400. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar më 16 janar, palët priten që të diskutojnë për miratimin ligjeve të tjera që kërkojnë 84 vota, Gjykata Administrative dhe të përfundojnë reformën parlamentare dhe atë zgjedhore.