Publikuar me : 21.09.2011 Ne :
Kronike - 58 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Inspektoriati i Lartë, i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, bëri të ditur se ka gjobitur 48 drejtues të pushtetit vendor, për vonesë të deklarimit të pasurive. ILDK ka gjobitur sot 21 ish drejtues vendor si dhe 27 të sapozgjedhur vendor.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ILDKP informon se gjatë periudhës Korrik-Gusht 2011, ky institucion ka qenë aktiv në njoftimin për detyrimin ligjor për deklarim, si edhe në ofrimin e asistencës ligjore për zyrtarët të rinj mbi mënyrën e plotësimit të formularit të interesave private.
“Pavarësisht angazhimit maksimal të institucionit, nga rakordimet e kryera në Regjistrin Themeltar të ILDKP, rezulton se disa nga të zgjedhurit vendorë nuk kanë respektuar afatet kohore për dorëzimin e deklaratës së pasurisë; brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës për të zgjedhurit e rinj dhe brenda 15 ditëve pas largimit nga funksioni për ish-drejtuesit vendor”, thuhet në deklaratë.
Sipas ILDKP-së, për këtë arsye, u vendos masa administrative “gjobë” në shumën 25.000 lekë ndaj 48 zyrtarëve. Ndërkohë, ILDKP po vazhdon verifikimet dhe për çdo rast tejkalimit të afatit ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private do të aplikohen sanksionet ligjore.