Publikuar me : 04.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 74 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Thatësira ka bërë që të rritet ndjeshëm importi i energjisë gjatë muajve të fundit. Instituti i Statistikave raporton për një rritje me rreth 22 për qind të importit të mineraleve, energjisë dhe lëndëve djegëse gjatë muajit tetor. Pjesa më e madhe e kësaj rritje ka ardhur për shkak të importit të lartë të energjisë që po bën KESH-i për të plotësuar mungesën e prodhimit nga HEC-et vendase pas mungesës së tejzgjatur të reshjeve.
Rritje ndërkohë mësohet të ketë pasur edhe importi i mallrave të akcizës si cigare, karburante apo alkool, të cilat kanë qenë në një volum prej rreth 7 miliardë lekësh, ose sa 15 për qind e totalit të importeve gjatë muajit tetor.
Gjatë tetorit vërehet një thellim i mëtejshëm i deficitit tregtar të vendit. INSTAT raporton se Shqipëria eksportoi rreth 17.1 miliardë lekë mallra, ndërkohë që importoi 47.3 miliardë lekë duke krijuar një deficit prej 32 miliardë lekësh me një rritje 16 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Sipas INSTAT-it, pjesa më e madhe e tregtisë bëhet me vendet e BE-së, në nivelin e 66 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 50 për qind dhe importi 32 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 4.6 për qind dhe importi 9 për qind.