Publikuar me : 17.12.2011 Ne :
Kronike - 65 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Agron Kulicaj
Nga Dashamir Biçaku
TIRANË – Incident i rëndë në paradhomën e kryeministrit Sali Berisha, mes një drejtuesi të Gardës së Republikës dhe nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj.
Burime brenda kryeministrisë, dëshmitarë okular të incidentit, i thanë “Shekullit” se A.A., efektiv i Gardës së Republikës, drejtues i një prej togave shoqëruese të funksionarëve të lartë të vendit, ka rrahur nëndrejtorin Kuliçaj. Mësohet se Kuliçaj dhe efektivi i Gardës ishin thirrur të dy në takim nga Sali Berisha pas një raportimi të Kuliçajt mbi disa biseda dhe deklarime të efektivit të Gardës.
Mes tyre është zhvilluar fillimisht një debat verbal, ku oficeri i Gardës e ka akuzuar Kuliçajn se i ka përgjuar telefonin. Më pas debati ka precipituar dhe dy ushtarakët e lartë janë konfrontuar fizikisht.
Ngjarja ka ndodhur të enjten në mesditë, por nuk është bërë asnjë denoncim. Lajmi është konfirmuar dje në mbrëmje edhe nga burime të ndryshme të Ministrisë së Brendshme, Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit. Sipas tyre, të dy funksionarët e lartë ishin thirrur nga kreu i qeverisë “për arsye pune”.
Numri 2 i Policisë së Shtetit, Kuliçaj, kur ka mbërritur në paradhomën e kreut të qeverisë është përballur me efektivin e Gardës së Republikës, i cili fillimisht ka debatuar me të. Më pas debati mes tyre është nxehur dhe përplasja mbërriti deri tek konfrontimi fizik. Ndërhyrja e efektivëve të Gardës së Republikës që shërbejnë në paradhomën e kreut të qeverisë ka shuar përplasjen fizike.
Ngjarja, përveçse përbën një skandal për shkak të vendngjarjes dhe rrethanave, – hedh hije të forta dyshimi mbi një histori përgjimesh që përflitet prej muajsh në Tiranë. Dyshimet janë të forta që po kryhen përgjime telefonike të paautorizuara dhe pa mandat me pajisje të jashtëligjshme, por të vendosura në ambiente shtetërore. Ky është edhe shkaku që është shmangur me të gjitha mënyrat çdo denoncim që do të çonte në hetime apo zhurmë mediatike rreth këtij incidenti.